2021/12/24
Dy fjalë për Luca Valerio-n
Emrin e Luca Valerio-s (1552 - 1618) e kam hasur për herë të parë duke lexuar për Skënderbejadën e Margherita Sarrocchi-t. Se pse e gjej me interes këtë emër do ta shtjelloj në vijim, por së pari nja dy fjalë për këtë poeteshë dhe veprën e saj.
Margherita Sarrocchi (1560 - 1617) ka qenë një humaniste e vërtetë e Renesansës, kontribuese e shquar jo vetëm në kulturë e letërsi, por edhe në studimin e matematikës dhe natyrës. Ajo ka qenë anëtare e disa prej akademive më me nam e ndikim, një ndër femrat e vetme apo të para akademike në Napolin e Romën e asaj kohe. Vlen të shënohet se Margherita Sarrocchi ka qenë edhe bashkëbiseduese me Galileo Galilei-n e madh, të cilin e ka konsultuar për çështje që kishin të bëjnë me matematikën, shkencën, teologjinë dhe artin. Bile, ajo e kërkon mendimin e tij për Skënderbejadën, kërkesë të cilën Galilei e refuzon duke kërkuar falje e mirëkuptim, sepse gjendjen shëndetësore nuk e kishte të mirë.
Skënderbejada e Sarrocchi-t mbetet e shënuar si poema e parë epike e shkruar nga një femër. Si vepër letrare, meritat e kësaj poeme tashmë janë kapërcyer, por vlera e saj historike është e madhe. Një trajtim të kontekstit historik se kur e ku u shkrua kjo vepër e bën Rinalinda Russell, e cila e ka përkthyer dhe ribotuar Skënderbejadën më 2006. Ky studim përmend Luca Valerio-n si një ndër personazhet kryesore në jetën e Sarrocchi-t, bile edhe si motivuesin e shtytësin kryesor për realizimin e Skënderbejadës.
Një fusnotë në studimin e Russell-it tregon se zgjedhja e motivit për poemë, pra luftat hynjore të Skënderbeut, mund të jenë nxitur nga prejardhja arbërore e Valerio-s. Sipas shënimeve, e ëma e Luca Valerio-s ka qenë Giovanna Rodomani nga një familje fisnike epirotase e Korfuzit. Fusnota poashtu shënon se italianët e kohës së rilindjes europeane e quanin Shqipërinë Epir apo Maqedoni. Me një fjalë, ka arsye të fuqishme të thuhet se arbnori Luca Valerio qëndron prapa një ndër veprave të rëndësishme të renesansës që ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kulturën shqiptare.
Luca Valerio ka qenë një ndër matematikanët më të mëdhenj të kohës, person me ndikim në qarqet shkencore, intervenues dhe bashkëbisedues me Galilei-n. Emri i tij është në kulmin e historisë së matematikës që u zhvillua para njehsimit diferencial dhe libri i tij De centro gravitas solidorum, ku njehsonte qendrat e rëndesës së trupave të ngurtë, i parapriu konceptit të limitit dhe këtyre njehsimeve me metodën e integraleve.
Njehsimi infinitezimal është një ndër të arriturat më të mëdha të mendjes njerëzore dhe bazamenti i tij si degë e matematikës u formulua i plotë nga Newton-i e Leibnitz-i, diku nja njëqind vjet pas vdekjes së Luca Valerio-s. Kjo degë e matematikës nuk piku nga qielli, në fakt u kurorëzua nga Newton-i, Leibnitz-i, e të tjerë, edhe falë punës së madhe të shumë emrave paraardhës nga historia. Fillet e njehsimit infinitezimal gjenden në antikë, te puna e Arkimedit, i cili e njehsonte sipërfaqen e figurave duke i zbërthyer ato në një numër gjithnjë e më të madh trekëndëshash gjithnjë e më të vegjël. Kapërcimi i madh nga puna e Arkimedit te ajo e Newton-it e Leibnitz-it ishte futja e konceptit të limitit. Këtë koncept nuk e arriti as Luca Valerio, por disa elemente primitive të tij arriti që t'i përdorte. Teknikat matematike që i zhvilloi Luca Valerio i mundësuan atij njehsime që ishin shumë të vështira për matematikanët e kohës dhe puna e tij ishte aq impresive sa që Galilei e quajti Arkimed të kohës.
Limiti e zgjidh një ndër problemet më të mëdha të mendimit njerëzor, problemin e vazhdueshmërisë. Rrjedhimisht, në njëfarë forme, limiti zgjidh problemin e infinitit. Se ky nuk është një problem trivial mund të ilustrohet me një nga paradokset e famshme të Zenonit: Akili është prapa breshkës dhe vrapon shumë më shpejt se ajo, e pyetja është a do ta arrijë ai atë ndonjëherë. Kur Akili e arrin pozitën fillestare të breshkës, breshka ndërkohë është zhvendosur sado pak. Ky proces përsëritet e përsëritet deri në pafundësi dhe si rrjedhim fitojmë përfundimin paradoksal që Akili kurrë nuk mund ta arrijë breshkën.
Koncepti i limitit është i mishëruar me konceptin për pafundësisht të voglën apo pafundësisht të madhen. Por, këto koncepte nuk kanë qenë të pranuara si pjesë e matematikës që antikët e konsideronin si ideale. Edhe vetë Arkimedi, kur njehsonte syprinat e sipërfaqeve duke i ndarë ato në pjesë të vogla, pas njehsimit e kërkonte vërtetimin gjeometrik që e dërgonte te rezultati që kishte fituar më parë.
Nga ana tjetër, pafundësisht e vogla mund të shërbejë si themel i idesë së të pandashmes, apo atomit filozofik të Leukipit e Demokritit. Futja e atomit, nga ana tjetër, e bën idenë e konvertimit të një lënde në një tjetër të pamundur dhe këtu lind konfliki i madh teologjik për kungatën. Me fjalë tjera, nëse përkrahet ideja që atomet ekzistojnë, atëherë buka e vena që merret në Kishë gjatë kungimit nuk mund të jenë trupi e gjaku i Krishtit.
Ky argument u përdor fuqishëm nga jezuitët, që ishin mësues të Luca Valerio-s, për të sulmuar Galilei-n dhe ndjekësit e tij. Gjatë këtij sulmi, Luca Valerio u gjet në mes të dy zjarreve. Ai kishte kaluar një jetë të tërë duke u munduar me sukses të lakmueshëm që të pajtojë mësimet e Galilei-t dhe doktrinën fetare të jezuitëve, por më 1616 jezuitët arritën të ndërtojnë një rast të suksesshëm kundër. Luca Valerio reagoi në mënyrë jo karakteristike duke i mbrojtur jezuitët e duke u pozicionuar kundër Galilei-t. Ky qëndrim u gjykua si i gabuar nga kolegët e tij, kështu që Luca Valerio së shpejti u largua apo përjashtua tërësisht nga pozitat akademike dhe jeta e studiuesit. Nuk shkoi gjatë dhe ai vdiq, një vit pasi kishte vdekur Margherita Sarrocchi, pa e parë botimin e Skënderbejades.
Testamenti i Luca Valerio-s i lihet Giovanni Latini-t, i cili botoi Skënderbejadën më 1623. Mund të arsyetohet se Luca Valerio ka pasur ndikim të fuqishëm në këtë botim, jo vetëm për sa i përket tematikës apo stilit të shkrimit, për të cilin ky komunikon shpesh edhe me Galilei-n, por edhe për botimin e veprës. Jeta e tij, që përfundon si një tragjedi e antikës, megjithatë la një shenjë të mirë për shqiptarët. Fatkeqësisht, emri i tij nuk është popullor në kulturën tonë dhe më duket se kemi të bëjmë me një burrë të madh për ne të humbur në histori.
2021/12/23
Tekstet alternative për shkolla: dobia, mundësia, dhe realiteti
Një masë që Ministria e Arsimit në Kosovë e ka menduar për arritjen e teksteve shkollore cilësore është edhe ajo e aprovimit të teksteve alternative. Në fakt, kjo ka qenë një ndër kërkesat që e ka promovuar fuqishëm profesori Rasim Bejtullahu, ndërkohë që unë e kam kundërshtuar. Pra, situata është interesante, sepse ne, si pjesë e të njëjtit ekip që kemi punuar në përgatitjen e teksteve të fizikës, kemi pasur qëndrime të kundërta. Ajo që duhet të shënohet është se asnjëri prej nesh nuk jemi kategorik në qëndrimet tona, pra jemi të hapur për ta diskutuar problemin e të bindemi për meritat e qëndrimit të kundërt.
Argumenti kryesor në favor të tekstit alternativ është që mësuesit t'i jepet mundësia për të zgjedhur, jashtë intervenimeve nga ministria, departamentet a drejtoritë arsimore, apo palët tjera të interesit, psh shtëpitë botuese. Pra, pasja e teksteve alternative jo vetëm që e begaton kulturën dhe punën e mësuesit, por edhe shfrytëzon demokracinë dhe zgjedhjen si mekanizëm që filtron më të mirin. Natyrisht që edhe në këtë rast Ministria ende ruan të drejtën e përcaktimit se cilat tekste mund të merren në shqyrtim, sepse në fund të fundit ajo ka rolin kryesor në përcaktimin nëse një tekst i plotëson Standardet për Tekstet Shkollore, punë që nuk mund t'i lihet në përgjegjësi secilit mësues. Por, nga një laryshi tekstesh që janë në pajtim me planprogramin shkollor, me kërkesat shkencore, pedagogjike, gjuhësore, e teknike, mësuesi zgjedh atë që e gjen më të përshtatshmin për nxënësit dhe punën e vet.
Përderisa argumentimi pro tekstit alternativ është idealist dhe realizimi i tij do të ishte i mirëseardhur për kulturën shqiptare dhe shkollën e Kosovës, argumentimi im kundër bazohet në mundësitë praktike: Kosova nuk ka kuadro të mjaftueshme që mund të prodhojnë tekste të mira shkollore, por edhe mësuesit nuk janë të përgatitur dhe nuk e kanë të zhvilluar sensin e kritikës apo përzgjedhjes. Me fjalë tjera, parashikoj që realizimi praktik i kësaj ideje do të jetë - në mos i pamundur - i kushtueshëm.
Sidoqoftë, ideja e teksteve alternative e ka meritën e vet dhe vlen që të mendohet e shtjellohet me kujdes.
Ajo që ka ndodhur në të vërtetë, përkundër deklarimeve nga Ministria se janë aprovuar tekste alternative, është se ka ndodhur një lëmsh e dallavere skandaloze. Ministria i ka aprovuar disa tituj si tekste alternative edhe kur ato tekste nuk e kanë kaluar vlerësimin e nevojshëm për t'u aprovuar si tekst. Standardi për Tekste kërkon që nota e tekstit të jetë më e madhe se 3 për t'u shqyrtuar si i tillë për shkolla, por Ministria ka aprovuar edhe nga ato që e kanë notën më të vogël dhe nuk e kanë kapërcyer këtë prag vlerësimi. Po aq skandaloze është edhe procesi i përzgjedhjes që është dashur të bëhet nga mësuesit. Për një vlerësim të drejtë të tekstit që mësuesi do ta përzgjidhte për përdorim, mësuesi do të duhej të pajisej me dy a tri alternativat e aprovuara dhe pas një leximi serioz të të gjitha teksteve, pra pas një periudhe një a dy mujore, mësuesi do të duhej të paraqiste përzgjedhjen e vet. Ajo që ka ndodhur, në fakt, është se kërkesat për tekste shkollore i kanë bërë Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, por jo mësuesit. Vetë procesi nuk ka zgjatur më shumë se një javë, dhe mësuesit as që e kanë ditur a kuptuar se kanë mundësi përzgjedhjeje.
Pra, prania e teksteve alternative në mësimin e Kosovës është e tillë vetëm formalisht, por jo në thelbin se si është kërkuar e është dashur të zhvillohet kjo punë. Si në shumë raste tjera, edhe në këtë pikë MAShTI ka dështuar të realizojë një punë si duhet.
2021/12/19
Kush do ta lexojë fizikën?
Këto ditë MAShTI ka filluar që së bashku me palë të interesit të diskutojë e rishikojë tekstet shkollore që janë në përdorim. Ky projekt është i pakuptim për një mori arsyesh, por në këtë shkrim do të ndalem te vetëm një pyetje: kush do të diskutojë tekstet e fizikës?
Kosova ka një mungesë të hatashme të kulturës së kritikës, të shkrimit mbi shkencën, dhe njohës të fizikës, qoftë si lëmi shkencore, qoftë si lëndë shkollore. Kjo reflektohet edhe në tekstet e këqija shkollore, tekste që karakterizohen me gabime të mëdha shkencore, pos një cilësie shumë të dobët të shkrimit e shtjellimit të lëndës. Ministria dhe autoritetet e arsimit në Kosovë do të duhej të ishin në dijeni për këtë gjendje dhe për pamundësinë e përmirësimit të saj pa një intervenim të fuqishëm. Ky intervenim nga ana e shtetit dhe organizmave "profesionale" ka munguar, përkundër thirrjeve të shumta që kam bërë së bashku me profesorin Rasim Bejtullahu qysh nga koha kur kemi qenë anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe e Tekste Shkollore më 2015/16.
Pas reagimit të para sa vjetëve, tekstet e reja nuk e kanë më gabimin "vala ka masë", por kanë gabime tjera të të njëjtit nivel, në mos edhe më zi. Për këto kam shkruar me kohë, por përgjigjet kanë munguar. Një arsye e kësaj mungese është se nuk ka kush të përgjigjet.
Kur merret parasysh që tekstet shkollore janë shkruar nga profesorë universitarë dhe kanë kaluar procesin e recensionit, si mund të pritet që këto diskutime tash do të kenë ndonjë efekt? Në fakt, më e shumta që mund të pritet janë disa intervenime kozmetike, por problemet me njohjen e lëndës janë të pakapërcyeshme, sepse këto probleme zënë fill qysh në kokat e atyre që janë formalisht në krye të fizikës në Kosovë.
Për ilustrim marr dy shembuj nga libri i fizikës për klasën e shtatë, botuar nga shtëpia botuese Dukagjini dhe aprovuar nga MAShTI. Shembulli i parë ka të bëjë me paraqitjen e sypozimeve mbi të cilat ndërtohet Teoria Kinetike: për dallim nga çka ju servohet nxënësve të Kosovë, në të vërtetë, kjo teori sypozon që grimcat elementare që përbëjnë lëndën nuk bashkëveprojnë ndërmjet veti.
Një ilustrim i dytë i mungesës së njohurive nga fizika të autorëve të këtij teksti është dhënë përmes një shembulli numerik për përhapjen e zërit në mjedise të ndryshme. Shembulli, jo vetëm që ka mungesa pedagogjike, sepse detyra nuk është dhënë e plotë, por nuk ka kuptim as nga ana e fizikës, sepse në situatë praktike zëri nuk do ta arrijë zhytësin në thellësi prej 150 metrash.
Këto probleme nuk janë të çastit, por janë sistematike dhe paraqiten edhe në aktivitete tjera me temë fizikën. Për shembull, një detyrë e garave republikane për fizikë kërkon njehsimin e largësisë së objektit dhe shëmbëllimit real nga thjerra që ka gjatësi fokale 5 cm. Dhe zgjidhja e ofruar është 5 cm, që nuk ka kuptim nëse detyra e paraqet që objekti formon shëmbëllim real. Kjo do të thotë se përpiluesit e kësaj detyre, sikurse autorët e tekstit të mësipërm, nuk e mendojnë situatën nga aspekti i fizikës, por vetëm rrotullojnë përmendësh do numra nëpër formula.
Përfundimisht, fizika në Kosovë nuk ka gojë e as veshë, prandaj ky diskutim i organizuar nga Minsitria është humbje kohe dhe hedhje hi syve të qytetarit.
2021/12/13
Të kesh të drejtë apo të ndihesh mirë?
Programi për arsimin në Amerikë është duke pësuar disa ndryshime interesante, por kjo s'është për t'u çuditë, sepse Amerika vazhdimisht ka eksperimentuar me shkollën. Duhet pasur parasysh se sa e madhe është ajo, sa lehtë i absorbon ndryshimet, sa lehtë adaptohet, punon me to dhe i mirëmban.
Ndryshimet e fundit atje janë duke e çarë shkollën në dy grupe përjashtuese, të cilat në një kategorizim të vrazhdë do të mund të mendoheshin si filozofi arsimore që kërkon nga shkolla përgatitjen *për të pasur të drejtë* dhe filozofinë *për t'u ndier mirë*.
Kjo më së miri vërehet në programin e matematikës, sepse lënda e saj është e atillë që detyrimisht përfundon në atë se a ke apo jo të drejtë në arsyetim (e saktë, e pasaktë), por për më tepër, matematika është lëndë që shkakton dhembje të mëdha në përvetësimin e saj. Kujto që qysh grekët e lashtë e kanë ditur se s'ka rrugë mbretnore për matematikë, pra përvetësimi i matematikës detyrimisht kërkon punë e djersitje si skllav.
Disa programe të reja që po futen në matematikën amerikane janë të tilla që tentojnë t'i bëjnë nxënësit të ndihen mirë, edhe nëse ata njehsimet i kanë gabim. Një ilustrim i kësaj është zëvëndësimi i kalkulusit me lëndë më të buta, si data science, përvetësimi i të cilave e jep ndjenjën false se dikush di diçka.
Kosova tashmë ka adaptuar - pavetëdijshëm, do të shtoja - disa pika të këtyre filozofive, gjë që mund të vërehet nga programet e shumta të MAShTI-t, por një shembull interesant ilustrues janë bursat. Shpërndarja e bursave në MAShT është fokusuar te lëndët teknike (kushtimisht thënë, në shkolla për të pasur të drejtë), por edhe i ka veçuar vajzat si përfituese më të gjasshme (shkolla për t'u ndier mirë). Pede se si do të dalë ky eksperiment në Kosovë, vend ku shumica dërrmuese e atyre që e kanë kryer shkollimin e lartë, por edhe mësuesve, nuk janë në gjendje ta shkruajnë një fjali pa një kamion gabime drejshkrimi, e lëre më për thellësi a origjinalitet mendimi.
Kultura vendore pa diskutim që ka rrëshqitur drejt nevojës për t'u ndier mirë, kurse të pasurit të drejtë nuk shfrytëzohet për zhvillimin e vendit, por për luftë tifozësh në politikë e atë pak kulturë që bëhet.
2021/11/14
We don't need no new law
Ministria e arsimit në Kosovë është duke punuar në një projektligj të ri për tekstet shkollore. Kjo është një punë e kotë që shërben vetëm për t'u dukur e për të lënë përshtypjen se diçka po punohet, dhe nuk zgjidh asnjë nga problemet e shumta që i kanë përcjellur aprovimet e deritanishme të teksteve.
Ligji aktual për tekste shkollore është aprovuar më 2007 dhe natyrisht që ka mungesa të shumta. Për shembull, ky ligj nuk e përcakton saktë se si caktohen recensentët, nuk thirret në Standardin për Tekste Shkollore, sepse ky është aprovuar më 2011, e kështu me radhë. Megjithatë, ligji aktual i plotëson kënaqshëm nevojat për rregullimin e botimit dhe aprovimit të teksteve shkollore dhe nuk është aspak burim i punëve të këqija që e kanë përcjellur aprovimin e teksteve gjer tani.
Për më tepër, projektligji në përpunim parasheh disa anomali që s'e kanë vendin në një ligj serioz. Dy shembuj janë veçimi i teksteve të përkthyera si mundësi për t'iu ofruar nxënësve në Kosovë dhe hapja e mundësisë që autori të aplikojë në konkursin për tekste, e jo që aplikimi të jetë ekskluzivitet i shtëpive botuese. Të dy këto propozime janë të këqija dhe arsyetimet i kam dhënë me kohë (këtu dhe këtu).
Problemet kryesore që lidhen me aprovimin e teksteve shkollore janë korrupcioni në ministri dhe mungesa e kompetencave të atyre që merren me aprovimin e teksteve. Në shumë raste ministria ka favorizuar një shtëpi botuese a tjetrën, pa pasur një arsyetim të shëndoshë për këtë, bile edhe duke bërë me hile ndaj dorëshkrimeve, disa nga të cilët ose i ka fshehur gjatë procesit të recensionit, ose nuk i ka futur në listën e teksteve të aprovuara e s'i ka shpërndarë nëpër shkolla, kur i ka aprovuar tekstet alternative (kjo ka ndodhur me librin e fizikës për klasën e shtatë, ku jam bashkautor).
Aprovimi i teksteve alternative gjatë këtij konkursit të fundit që u përmbyll në tetor, ja dha një mundësi mundësi ministrisë dhe drejtorive komunale të arsimit që ta bënin një lëmsh të vërtetë. Ministria jo vetëm që veproi në kundërshtim me Standardet kur aprovoi si tekst mësimor dorëshkrimin që u vlerësua me notë më të vogël se minimalja e nevojshme për një aprovim të tillë, por edhe aprovoi tekste që kanë lëshime elementare të lëndës.
Me fjalë tjera, ministria do të duhej të angazhohet në zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe të mos humbë kohë e energji me prodhimin e ligjeve të reja që s'i zbaton kush. Pra, në një moment kur hajnia dhe paaftësia e ka kapluar ministrinë, prodhimi i ligjeve të reja i përngjet punës së kurvës proverbiale që krihet përderisa katundi digjet.
2021/11/04
Autori lektor, dizajner, botues...
Duke rilexuar një tekst që jam duke përgatitur, vërejta se kisha pasë shkruar pa nevojë do fraza të komplikuara dhe ju rreka thjeshtimit. Në do raste ky u arrit duke i zëvëndësuar mbiemrat me ndajfolje në do fjali kaba, si për shembull duke zëvëndësuar veproi në mënyrë të drejtpërdrejtë me veproi drejtpërdrejt. Problemi ishte që gjatë thjeshtimit kam harruar të heq ë-në fundore dhe të shndërroj mbiemrin në ndajfolje, kështu që fjalia doli me gabim drejtshkrimi.
Janë rastet e këtilla që më bëjnë të thërras ah sikur ta kisha një lektor afër. Është për keqardhje që shqipja e shkruar nuk është e lehtë për t'u përvetësuar, ndoshta mu se dallon shumë nga ajo gjuhë që e flasim përditë. Por, për fat të keq kjo është gjendja, e cila rëndohet edhe më shumë duke ditur për rëndësinë që (s')i kushtohet saktësisë dhe kulturës së të shprehurit në shkollë. Prandaj, lektorimi, bile për tekste të shkruara, është i domosdoshëm.
Shkas për këtë shkrim u bë një deklaratë e dhënë rreth projekt-ligjit për tekste shkollore. Mësoj se mendohet që t'ju mundësohet autorëve të aplikojnë me tekste, e jo vetëm shtëpive botuese, si është gjendja sot. Por, sa është një autor i përgatitur për të mbuluar një sërë aktivitetesh e rolesh që i siguron shtëpia botuese? Disa nga to kanë të bëjnë me përgatitjen teknike të tekstit, me fotografitë, dizajnin, e punë të ngjashme si këto, të cilat nuk mund të pritet që t'i mbulojë një autor-ekspert i një lënde specifike. Pra, një matematikan a fizikan mund të ketë kërkesa specifike se si do të duhej të dukej një grafik, por kontributi i një dizajneri të mirë do të ishte më se i mirëseardhur. Një pjesë shumë të rëndësishme luan këtu edhe lektorimi, proces i cili jo vetëm do të sillte të shprehur më të pastër e të pasur, por në shumë raste edhe do të evitonte shkarje logjike.
Është e vëretetë se investimi i shtëpive botuese në përgatitjen e teksteve shkollore është minimal. Bile, përvoja që kam me to deri tash është dëshpëruese, zhgënjyese, pra, shumë e idhët dhe shpesh mendoj se ndoshta më mirë pa to se me to. Mirëpo, kjo s'do të thotë që ato tash duhet të anashkalohen; përkundrazi, shtëpitë botuese do të duhej të detyrohen të angazhohen me seriozitet për përgatitjen sa më të plotë të tekstit që ju shërbehet nxënësve. Por, si mund t'ju kërkohet seriozitet shtëpive botuese, kur ministria, si palë që e godit këtë punë, nuk është serioze? Pyes kështu, sepse duket sheshazi që, si gjithnjë, Ministria kërkon që punët e veta t'i delegojë tjetërkund, pa u munduar që ta marrë përgjegjësinë dhe pa intervenuar si ja kërkon detyra. Detyra e Ministrisë - kur vepron si duhet, pra si shtet, e jo si OJQ - është e lehtë: duhet që hajnin ta zë e të paaftin ta përzë.
2021/10/21
Arsimi në bisht të kavallit
Kurti e ka projektuar veten si një politikan i pavarur dhe si zë substancial dhe i artikulluar që mund t'i prijë popullit jo vetëm si menagjues, por sidomos si ideolog. Deri tash, pas një kohe të konsiderueshme qeverisjeje, ky qëndrim a projektim për sa ju përket çështjeve të arsimit po dëshmohet se nuk është asgjë tjetër pos një projeksion i thatë në një bez dydimenzional, një fotografi pa thellësi. E para e punës është se arsimi është një ndër çështjet kryesore me të cilat duhet të merret shoqëria në Kosovë, jo vetëm për atë se arsimi paraqet një ndër dikasteret e rralla ku qeveritarët e Kosovës kanë duar të lira veprimi, por edhe se e gjithë mirëqenia e shoqërisë, jo vetëm materiale, por edhe diturore e kulturore, varet nga mirëzhvillimi i arsimit.
Mungesa e vëmendjes së nevojshme për çështje të arsimit nga i pari i Qeverisë mund të diktohej edhe gjatë mandatit të parë, i ndërprerë me hile nga politikuaj të këqinj të Kosovës. Gjatë asaj periudhe Kurti promovoi projektin Pasaporta Mësimore, i cili doli të jetë një dështim gjigand. Kurti mund të jetë këshilluar gabimisht ose mund të ketë vepruar me inercion, si veprojnë të gjithë politikanët kur kanë mundësi për promovime. Mirëpo, rëndësia e shtuar që u tregua gjatë këtij projekti në një kohë kritike - rikujtim: kjo ndodhte në prill të vitit të kaluar, në një kohë kur kërkohej të stabilizohej mësimi gjatë filleve me panikë dhe shumë të panjohura të pandemisë - tregonte për një mungesë të sensit për të peshuar situatën. Nga ana tjetër, tash, pas më shumë se gjysmë viti qeverisje dhe kur të gjithë kanë nge për ta diskutuar, ky projekt nuk përmendet më.
Një lëshim i madh gjatë qeverisjes së parë është edhe zbulimi se Kosova i ka paguar 5 milion euro për dixhitalizim të arsimit, shërbim që nuk është realizuar hiq. Prapë, gjatë këtij gjysmë viti të rikthimit në qeverisje, koha ka qenë e mjaftueshme për të ndërmarrë diçka me vlerë për zbardhjen e kësaj situate. Në fakt, Ministria e Arsimit vazhdon me projektet shterpe lidhur me dixhitalizimin, në vend se ta kanalizojë si duhet këtë problematikë.
Dixhitalizimi është një punë që gjithsesi duhet të bëhet, por kjo kërkon kujdes dhe njohuri të thella të çështjeve që lidhen me arsimin dhe me kulturën e teknologjive informatike. Gjer tani, Kosova ka dëshmuar se e ka në një nivel sado-kudo të kënaqshëm këtë kulturë, e cila është zhvilluar jashtë sistemit qeveritar dhe në formë private e të pavarur, pra pa intervenimin sistematik të shtetit. Komponenti që mungon në realizimin e suksesshëm të dixhitalizimit është njohja e nevojshme e çështjeve të arsimit të cilat mund të adresohen përmes dixhitalizimit, dhe ndërlidhja me profesionistë të lëmisë, të cilët duhet thënë se mungojnë edhe në botë. Duket se dixhitalizimi deri tash ose është zhvilluar si vegël për burokracinë e lidhur me arsimin, ose si arsyetim për vjedhje a shpërlarje paresh.
Rikthimi i Kurtit në qeverisje nuk dëshmoi për përmirësim të adresimit të çështjeve të arsimit, e as në përmirësim të gjendjes në ato punë ku gjashtë muaj janë të mjaftueshëm për të pasur sukses. Disa nga veprimet që ndërmori kjo Qeveri dhe që nuk regjistrojnë asnjë të mirë për publikun janë:
Disa veprime tjera janë shterpe dhe pa asnjë shenjë se do të sjellin dobi për publikun. Të tilla janë bursat që shpërndahen për studentë, ose heqja e pagesës së studentëve që studiojnë në universitetet publike. Për të parën, punë e cila gjithsesi duhet të pëshëndetet, vlera e bursave dhënë studentëve që studiojnë në universitetet më të mira të botës është aq e ulët sa që vështirë se do të mbulonte shpenzimet e qirasë për një semestër. Është e qartë se Kosova nuk ka mundësi më të mëdha, por pyetja është se çka synohet me këtë, përpos një promovimi të Qeverisë? E mira në këtë punë është përzgjedhja e lëmive që përkrahen, ndonëse kushti që studenti të jetë i regjistruar në një nga top 500 universitetet dëshmon për ngarendjen pas brendit, pa e analizuar më thellë substancën. Heqja e pagesës së studentëve, nga ana tjetër, është një veprim kryekëput populist: arsimi i lartë në Kosovë kurrë nuk e ka pasur problem pagesën, por kualitetin dhe angazhimin e një numri shumë të madh profesorësh të pandërgjegjshëm, të cilët rrallë e kurrë janë thirrur në përgjegjësi.
Këto ditë, Qeveria e Kosovës e ka marrë të ashtuquajturin Raport të Progresit, ku natyrisht që përmendet edhe arsimi si pikë me rëndësi për integrimin në BE. Përgjigja e Qeverisë dhe e Ministrisë dëshmon për zhvillim të arsimit që bëhet sipas kërkesave e politikave të botës, e jo sipas nevojave e mundësive të vendit. Me fjalë tjera, ajo që lexoj nga reagimi i Qeverisë është se ata nuk kanë një ide a plan se si ta zhvillojnë arsimin për nevojat e vendit, por do të veproijnë sipas interesave a udhëzimeve të burokratëve european. Kjo s'do të ishte a priori gabim, sikur të kishte përputhje çështjesh, problemesh, e interesash. Por, hierarkia e çështjeve, problemeve, dhe interesave të Kosovës dhe Europës nuk janë komplet të përputhshme, sepse sfondi ku zhvillohen këto shoqëri është shumë i ndryshëm: Europa ka nevojë për kuadro profesionale, kurse Kosova përpëlitet me shkallë enorme të analfabetizmit funksional! Europa e kontrollon dhe teston vetveten, përderisa Kosova ende mbështetet te rezultatet e testeve ndërkombëtare si PISA e TIMSS për ta parë gjendjen reale. Europa reagon, shkundet nga rezultatet e pakënaqshme, kurse në Kosovë puna përfundon te ankimi dhe pëllatja nëpër medie e të vetëshpallurve expertë.
Nga ajo që vërej gjer tash, Kurti nuk e ka prioritet arsimin, dhe për më keq, duket se nuk di ç'të bëjë me të. Përballë Rilindasve që themeluan dhe mbajtën arsimin shqip, këto probleme me të cilat përballet arsimi shqip sot janë të turpshme, e aq më keq që edhe nuk adresohen si duhet, sepse politika është e zënë duke ngarendur pas trendeve. Kthimi në thelb do të ishte zgjidhja më fatlume: nxënësit duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, të mësojnë të mendojnë duke bërë matematikë, të shprehen qartë e bukur, të shkruajnë pa gabime, kurse mësuesit e profesorët të punojnë me ndërgjegje e përkushtim.
- Angazhimi i personave jomeritorë dhe profiterë në kupolën e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që shumë keqdashës e keqbërës e vazhduan punën e tyre aty pa asnjë telashe.
- Futja në konflik të panevojshëm me qeverinë komunale të Kamenicës, pa asnjë zgjidhje fatlume për një problem i cili do të jetë prezent gjithnjë e më shumë në pjesën dërmuese të vendit.
- Futja në konflikt me trupën e mësuesve përmes shantazhit me testimin e tyre, punë që nuk dha asnjë rezultat pozitiv.
- Formimi i gjymtë i Këshillit për Cilësi, i cili dështoi në detyrat dhe përbërjen e vet hala pa i bërë një muaj punë.
- Promovimi i disa politikave të trenta arsimore, si heqja e vlerësimit të nxënësve, dhe konsultimi me profesorë nga Amerika, expertë që s'e dinë për çka flasin e që s'dallojnë në asnjë pikë nga ata që kanë pasë punuar për UNMIK-un para dy decenieve.
- Promovimi pa asnjë vërejtje (të paktën publike) i një platforme budallicë nga AShAK-u, e cila mëtonte të propozonte rimëkëmbjen e arsimit, ndërkohë që cilësia e saj do të duhej të shërbente si kumbimi i fundit për të ndërmarrë hapa serioz ose për këndelljen e këtij instutcioni ose për mbylljen e tij.
- Dështimi me vlerësimin dhe shpërndarjen e teksteve mësimore, gjë që do të duhej të përcillej me vërejtje serioze ndaj kësaj Qeverie, sepse kjo ka qenë një ndër punët që kanë mundur të menagjohen me sukses dhe ku Vetëvendosja ka premtuar shumë.
2021/09/23
Pak shkencë për Kosovën
Mora lajmin se Qeveria e Kosovës sot ka vendosur t'i propozojë Kuvendit listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe njëri ndër pesëmbëdhjetë të propozuarit jam edhe unë. Që emri im është menduar për propozim nga MAShTI jam njoftuar qysh në qershor. Ky propozim më nderon, prandaj shpreh falënderimin për ministrinë që më ka vlerësuar, por edhe më ngarkon me një detyrë aspak falënderuese.
Propozimin e pranova për disa arsye, e më kryesorja është se si kritik i zhvillimeve (negative) në arsimin dhe (anti)shkencën që bëhet në Kosovë, prania në këtë Këshill më mundëson një platformë më serioze për të shprehur dhe ndikuar me qëndrimet e mia. Por, natyrisht që prezenca në Këshill më nuk e ka atë rehatinë e të kritikuarit pa obligime. Pra, meqë më është ofruar kjo pozitë, refuzimi im do të ishte i pandershëm, pa marrë parasysh se si e shoh zhvillimin e punës aty. Me fjalë tjera, përderisa vendi më ngarkon me këtë detyrë, si guxoj ta refuzoj?
Këta tre muaj që nga njoftimi i parë për këtë mundësi të angazhimit, kam menduar e përsiatur shpesh se çka mund t'i ofroj këtij këshilli, se si mund të ndikoj për të mirë. Edhe sot pas tre muajsh, e para e punës që kam për të thënë është mu ajo që e kam thënë në momentin e parë kur m'u përcoll ideja që të propozohem për Këshill; thashë dhe them se shkenca dhe zhvillimi i saj në Kosovën e tashme është diku në fundin e hierarkisë së çështjeve me të cilat do të duhej të preokupohej MAShTI, si kujdesar i këtyre veprimtarive në vend, dhe shteti i Kosovës në përgjithësi. Pra, angazhimi në përmirësimin e arsimit duke punuar në prodhimin e teksteve të mira mësimore, në përgatitjen dhe ngritjen profesionale të mësuesve, në shkundjen e madhe të universiteteve, e çështje tjera që prekin gati çdo qytetar të vendit, janë ku e ku më të rëndësishme se sa angazhimi për formimin e një Këshilli, puna kryesore e të cilit do të jetë prodhimi i një plani strategjik për shkencën që Kosova duhet ta bëjë në periudhën e afërt 4-5 vjeçare. Kam këtë qëndrim, sepse mendoj që mundësitë e vendit për t'u marrë njëkohësisht me disa çështje të shkepura janë shumë të vogla, prandaj do të ishte më me mend që i gjithë potenciali i vendit - dhe ministrisë, si kujdestare dhe udhëheqëse e këtyre punëve, - të përqëndrohet në realizimin me sukses të një pune që ka efekt sa më të madh. Sa për ilustrim, përmend që një punë e tillë është përgatitja dhe aprovimi me sukses i teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, kurse arsimi i lartë do të duhet të ristrukturohet ashtu që më të mos paguhet paushall nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, Qeveria e ka arsyetuar si të nevojshme vazhdimin e punës së këtij Këshilli (e uroj edhe mirëmbajtjen), prandaj ia vlen të mendohet se çka e si do të bëhet aty. Është me rëndësi që në krye të punës të kuptohet qartë mundësia që ka vendi për shkencë, që puna jonë ka gjasa shumëfish më të mëdha të dështojë se sa të ketë sukses, dhe që çkado që propozohet të jetë e bazuar në realitet e jo në dëshira të kota. Skepticizmin dhe pesimizmin në arritjen e suksesit gjatë punës në Kosovë e kam të bazuar në përvojën jo të vogël që kam me këso lloj punësh aty. Si shembull përmend se si anëtar i Këshillit të Ekspertëve për Planprograme e Tekste Shkollore e kam parë nga afër plogështinë, paaftësinë, dhe neglizhencën për të bërë punë për së mbari dhe zellin e madh për dallavere. Kjo pra paraqet kulturën dominuese në punët e shtetit në Kosovë.
Mendoj që një ndër punët më të rëndësishme të Këshillit Kombëtar për Shkencë është që t'ia qartësojë publikut se në Kosovë nuk bëhet shkencë, por anti-shkencë. Kjo anti-shkencë nuk përmblidhet vetëm në atë që punimet shkencore me adresë Kosovën pohojnë gjëra që janë në kundërshtim me ligjet e vërtetuara të fizikës, por edhe me atë që pjesa dërmuese dhe dominuese e atyre që pozojnë si profesorë universitarë - e rrjedhimisht edhe shkencëtarë - në Kosovë, nuk janë të tillë. Në një shoqëri të emancipuar dhe me kulturë të zhvilluar shkencore, më e shumta që shumë nga këto personazhe do të arrinin do të ishte një pozitë mësuesi në gjimnazin e ndonjë prej komunave të humbura të vendit.
Përpos mungesës së shkencëtarëve, Kosova ballafaqohet edhe me problemin e moskuptimit të nocionit shkencë. Ky moskuptim paraqitet më së miri në delegimin që ja bëjnë profesionistët vlerësimit të punës shkencore. Hiq shkencat albanologjike, ku më duket se sado-kudo ka njëfarë kulture, në të gjitha lëmitë tjera mungon edhe sensi elementar për vlerësimin dhe kritikën e punës shkencore. Sot institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e kanë deleguar vlerësimin e punës shkencore te burokratët e shtëpive botuese dhe databazat e punimeve shkencore. Pra, autoritetet më të fuqishme që vendosin për shkencën në Kosovë janë Web of Science, Scopus, e produkte të ngjashme. (Një sqarim për pedantët: po, edhe vendet e mëdha bazohen në këto produkte, por jo ekskluzivisht, dhe gjithsesi që peshë të madhe në vlerësimin e shkencës në botë kanë edhe shoqëritë profesionale, akademitë, emrat e mëdhenj e të dëshmuar, e organizma tjerë serioze që i mungojnë Kosovës.)
Përderisa pres rezultatin e diskutimit në Kuvend për këtë vendim qeveritar, mendoj dhe shprehem për fundin e kësaj pune: Ajo që e dëshiroj është që në fund të angazhimit në këtë Këshill të jem bindur se qëndrimet e zymta që kam për gjendjen e shkencës në vend janë gabim. Pra, uroj që puna aty të më ndryshojë mendjen dhe të kem shpresë të arsyeshme për zhvillim të mbarë të veprimtarisë shkencore në vend.
2021/08/31
Një shembull për një varg anomalish
Zhvillimi i politikave arsimore dhe shkencore në Kosovë bëhet në mënyrë rastësore dhe pa asnjë thirrje në përgjegjësi. Një shembull i dhimbshëm i kësaj është mosakreditimi i programit të elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës. Ky mosakreditim zbulon disa anomali, të cilat bërtasin për analiza të mirëfillta dhe thirrje në përgjegjësi.
Së pari, programi i elektroenergjetikës u propozua nga i ashtuquajturi Fakulteti Teknik, i cili është një ndër faklutetet më të vjetra të UP-së, dhe njëherit do të duhej të ishte më stabili në punën e vet. Më pastaj, strategjitë e shumta për arsimin që zhvillon Kosova potencojnë me të madhe plotësimin e nevojave të tregut të punës. Kjo nevojë për inxhinjeritë e lidhura me prodhimin e energjisë është e mirënjohur në vend. Së treti, Programi Kombëtar për Shkencën, i përpiluar më 2011, e ka vënë përdorimin e mineraleve dhe energjinë si prioritet për shkencën e vendit. Për ta përmendur edhe një anomali, raporti për mosakreditim përmend që aplikuesi e ka plotësuar standardin për hulumtime shkencore, por jo atë për staf akademik.
Dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës në arsim dhe shkencë do të duhej të përcilleshin me një thirrje në përgjegjësi të akterëve, expertëve që merren me këto punë. Por jo: profesorët e teknikut vazhdojnë punën - e cila përmblidhet në marrjen e rrogës - të papenguar; strategjitë vazhdojnë të punohen e përpunohen, sepse askush nuk di si të veprojë më mirë, ndërkohë që mëditjet janë të majme; tregu i punës valëvitet si motiv për arsim, bile edhe për shkolla të ciklit të ulët; ministra e ish-ministra vazhdojnë premtimet, të cilave zor që ju besojnë edhe ata vetë; kurse Kosova zhvillohet si një vend kafkian, i zhytur në formalitete e protokolle të (mos)akreditimit, thuajse kjo është vula e parë dhe e fundit për vlerën e diçkasë.
Mosakreditimi i këtij programi të rëndësishëm për vendin, si nga aspekti arsimor-shkencor, ashtu edhe ekonomik, nuk është në vete anomali: askush nuk mund të presë që profesorë të deklasuar, njerëz të pazanat, sharlatanë e ekspertë të shtirur, do të mund të ndërtonin një program të mirë studimi e aftësimi profesional. Mosakreditimi, në fakt, zbulon ecjen ad hoc të Kosovës
Ato figura impozante që arritën të mbushin dokumente, sot vazhdojnë njëjtë, sepse asnjëherë nuk iu kërkua të përgjigjeshin për dështimet serike. Kjo gjendje duket se do të vazhdojë, sepse thirrja në përgjegjësi nuk është në rend të ditës.
- qysh kur i bazon politikat arsimore në treg të punës, ndonëse puna e vetme e të gjithë atyre që i promovojnë këto pallavra ka qenë vjelja e fondeve;
- apo qysh kur mendon se mund të zhvillojë shkencë me shkencëtarë sharlatanë;
- apo kur futet në procese burokratike lehtë të manipulueshme, e që japin rezultate pa asnjë kuptim. (E kam të paqartë se si shpjegohet që kriteri i hulumtimeve për programin e elektroenergjetikës është përmbushur, kurse ai për staf akademik jo!)
2021/08/23
MAShTI dhe lehtësia e lojës me ligj
Këto ditë MAShTI ndodhet para situatës ku mban qëndrime diametralisht të kundërta karshi ligjit: kur aprovohen tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës, MAShTI ka vendosur të veprojë në kundështi me ligjin, ndërsa kur është fjala për hedhjen e themelit të Universitetit të Prishtinës në Mitrovicën Veriore, gjë që bëhet me sponsorizimin e Serbisë, MAShTI ka vendosur të fshihet pas ligjit, edhepse disponimi i publikut është i kundërt.
Së pari për tekstet shkollore. Këto MAShTI i aprovon dhe i blen pas një konkursi të hapur, i cili zhvillohet me rregulla të shprehura qartë në Standardet për Tekstet Shkollore, dokument ky i aprovuar nga ministria qysh më 2011. Ky dokument thotë se bazë për miratimin e një dorëshkrimi të dorëzuar në konkurs është që ai të vlerësohet me vlerën minimale 3 në të gjitha standardet, në shkallën e notimit nga 0 deri në 4 (janë edhe disa kushte tjera, të parëndësishme për argumentin që shtjellohet këtu). Lista e teksteve të miratuara sivjet gjendet në faqen e Ministrisë. Ky dokument është shumë i paqartë dhe nuk e specifikon se cili tekst kalon e cili jo, por veprimi në terren është që dorëshkrimet e shënuara me të gjelbër mund të shqyrtohen për përdorim nga drejtoritë komunale të arsimit, nga shkollat, dhe nga arsimtarët e lëndëve gjegjëse. Lista përfshin një numër të madh dorëshkrimesh që nuk e kanë kaluar pragun për miratim sipas Standardeve, pra nuk e kanë notën 3 e më lartë.
MAShTI mund të arsyetohet se me këtë qasje fleksibile ndaj ligjit dhe rregullave po ofron mundësi më të shumta për arsimtarët. Se sa qëndron kjo nuk po e diskutoj, por dua të vë në pah se në këtë rast ministria qarkullon shuma të mëdha parash me shtëpitë botuese.
Tash për universitetin. Serbia, pasi e okupoi Universitetin e Prishtinës gjatë viteve '90, na përzuri nga objektet e institucioneve arsimore dhe na pat detyruar të improvizonim mësimin nëpër shtëpi-shkolla. Pas luftës dhe kthimit në institucione, Serbia e zhvendosi përkohësisht universitetin nga Prishtina në Mitrovicën Veriore dhe aty vazhdon ta mbajë këtë universitet në funksion të plotë dhe paralel me institucionet e Kosovës. Këto ditë, bile, Serbia ka hedhur gurthemelin e ndërtesës së re të këtij universiteti.
Vërejtjeve të partive opozitare për këtë gjendje, ju përgjigj zv.ministri i Qeverisë së Kosovës në Ministrinë e Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili u thirr në ligje, për të cilat i fajësoi partitë opozitare, meqë ligjet janë aprovuar kur ato kanë qenë në pushtet. Zgjedhja e këtij zv.ministri për t'u marrë me këto punë është e mençur, sepse vetëm një pakurrizor si ai mund të bëjë fiskultura intelektuale që nisen diku e përfundojnë krejt diku tjetër, dhe atë pa asnjë pasojë a thirrje në përgjegjësi.
Natyrisht, intervenimi i drejtë lidhur me çështjen e universitetit të Serbisë në Kosovë është çështje e vështirë, dhe - çka ndoshta është më e rëndësishmja - pa qarkullim parash të kontrolluara nga Qeveria a Ministria.
Pra, varësisht nga rrethanat, ligji mund të shërbejë si pahitëse kundër hajnisë, apo si mburojë kundër veprimit.
2021/06/29
Djemtë e harruar
Problemet e arsimit në Kosovë, ndonëse nuk janë unike, janë autentike. Shumë vende të botës kanë kaluar dhe kalojnë nëpër probleme të ngjashme, por ato duhet të identifikohen qartë dhe zgjidhjet të kërkohen në kontekstin kulturor e social të vendit përkatës. Fatkeqësisht, Kosova në çështje të arsimit (dhe shumë tjera) sillet si një cargo cult, duke importuar probleme që s'i ka, e duke mos u marrë me ato që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe të mirë.
Një problem i tillë është ai që ka të bëjë me të ashtuquajturat studime gjinore, dhe veçanërisht me theksimin e gjendjes së keqe të femrave në Kosovë, ndërkohë që gjendja e meshkujve kalohet në heshtje të plotë. MAShT-i, për shembull, për të rregulluar këtë gjendje, ka vendosur që të ndajë bursa plotësuese për vajzat, sepse supozohet se djemtë kanë përkrahje të gjërë. Por, a është ky supozim i bazuar? Këtë nuk mund ta them, por as ministria nuk i arsyeton vendimet e veta, të cilat gjithsesi që kanë një përbërje të madhe populizmi.
Një mekanizëm për të parë gjendjen në terren është raporti i PISA-s. Kam bindjen se këto raporte të vlefshme për politikëbërësit as nuk lexohen e as nuk kuptohen. Përndryshe, si mund të arsyetohet heshtja për rezultatet e shtrembëra që ka Kosova në arsim? Në mesin e këtyre rezultateve është e dhëna që dallimet ekonomike në Kosovë kanë peshë të papërfillshme në rezultatet e nxënësve; me fjalë tjera, nxënësit e pasur kanë rezultate të mira më pak se sishokët e tyre në botë, ndërkohë që nxënësit e varfër kanë rezultate të këqija më pak se sishokët e tyre në botë. Ose, gjendja e mjerë e arsimit në Kosovë është e njëtrajtshme si për të pasurin, ashtu edhe për të varfrin.
Një anomali e rezultateve të Kosovës është edhe te të arriturat e djemëve dhe vajzave. Përderisa në vendet e OECD djemtë kanë rezultate më të mira se vajzat në matematikë, në Kosovë rezultatet e djemëve dhe të vajzave janë të ngjashme. Në shkencë, vajzat e Kosovës kanë rezultat dukshëm më të mirë se djemtë, ndërkohë që ky dallim në vendet e OECD është i vogël. Pra, nxënëset në Kosovë janë shumë më mirë me mësime se nxënësit. Ky rezultat do të duhej të ndikojë që ministria të përqendrohet në përmirësimin e gjendjes së djemëve, të shqyrtojë se ku e tek është defekti dhe si mund të intervenohet.
Problemet me djemtë në Kosovë janë të vjetra dhe kërkojnë vëmendje të madhe të studiuesve të shoqërisë. Këto probleme mund të kenë fill qysh gjatë viteve të 90ta, kur djelmëria i ikte ndjekjes së ushtrisë dhe luftës, e më pastaj gjatë viteve të para të pasluftës, kur llojlloj vagabondi e banditi ishte modeli shembull i një djali të suksesshëm. Njëjtë ka vazhduar gjendja edhe me ngritjen në pushtet, pasuri, autoritet, e pozita akademike të shumë politikuajve, që i kanë fituar këto të mira me hile. Një djalë i ri në Kosovë e sheh jetën duke i fishkëlluar me vrull përpara, pa e pasur mundësinë të vërejë çmimin e gabimit që dikur do të shpaguhet. Dhe vendi, në ndërkohë, nuk lëviz aspak nga mjerimi në të cilin është i zhytur.
Zgjidhja, si gjithnjë, është më e thjeshtë se komplikimet që importohen. Ministria e arsimit duhet ta shqyrtojë gjendjen në terren dhe të kërkojë zgjidhje që i përshtaten kulturës vendore, e jo të adaptojë zgjidhje ndërkombëtare për probleme që janë minore në vend. Djemtë në Kosovë kërkojnë përkrahje, nëse jo materiale, atëherë së paku kërkojnë një shembull të punës e sjelljes që mund ta adaptojnë, e që ju sjell një jetë të dinjitetshme. MAShT-i deri tash ka dështuar ta bëjë këtë në sektorin që kujdestaron.
2021/06/02
Një shëtitje në oborrin e Archenhold-Sternwarte
Në një kënd të parkut të madh Treptow në Berlin gjendet Archenhold-Sternwarte, një observatorium i ndërtuar para më tepër se një shekull për të vendosur një teleskop gjigand. Observatoriumi emrin e ka marrë nga themeluesi, astronomi Friedrich Simon Archenhold, i cili ju rrek punës së ndërtimit të teleskopit refraktor me 21 metra pasi qarqe shkencore nuk i besuan kur pohonte se kishte vërejtur mjegullnajën Perseu. Ky observatorium ka shërbyer edhe si vend ku janë mbledhur dhe kanë diskutuar koka të mëdha të shkencës dhe ku janë mbajtur ligjërata popullarizuese.
Në këtë observatorium, me 2 qershor 1915, Einstein-i prezentoi për herë të parë publikisht Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Nuk ka shënime që dëshmojnë për atë se çka ka folur Einstein-i në këtë ligjëratë pos titullit Relativität der Bewegung und Gravitation (Relativiteti i lëvizjes dhe gravitacionit), por, duke u bazuar në punën dhe rezultatet e tij, mund të mendohet se ai ka folur për hapësirëkohën, për ekuivalencën në mes të gravitacionit dhe lëvizjes së nxituar, si dhe mund të mendohet se e ka paraqitur përkuljen e rrezeve të dritës nga fusha gravitacionale, ky një parashikim i bazuar në rrjedhën logjike të parimeve në të cilat bazohet teoria e tij. Edhepse ky prezentim ishte popullarizues, mund të ketë pasur vlerë të madhe për Einstein-in, sepse ndërkohë ai bëri disa korigjime dhe plotësime të teorisë, të cilën e prezentoi dhe e publikoi në nëntor si teori të plotë për gravitacionin.
Shpjegimin e parë shkencor për gravitacionin e ka dhënë Newton-i. Para zhvillimit të teorisë njutoniane, njerëzit arsyetonin se lëvizjet në Qiell dhe ato në Tokë udhëhiqen nga ndikime a faktorë natyrash të ndryshme. Newton-i, përmes ligjit të tij për gravitacionin universal, tregoi se i njëjti ekuacion shpjegon lëvizjen e Hënës rreth Tokës dhe të mollës që bie nga pema, prandaj shkriu natyrën e Qiellit dhe Tokës në një dhe tregoi që fizika mund ta shpjegojë atë.
Edhe Einstein-i, përmes Teorisë Speciale të Relativitetit, të cilën e kishe botuar më 1905, bëri një shkrirje të koncepteve me karaktere të ndryshme. Ai shkriu hapësirën dhe kohën në një koncept përbashkues dhe më të përgjithshëm, në atë të hapësirëkohës. Sipas kësaj teorie, shqyrtimi i një ngjarjeje nuk duhet bërë duke e marrë distancën në hapësirë dhe periudhën kohore të ndara nga njëra-tjetra, por duke i shqyrtuar së bashku si elemente të intervalit në hapësirëkohë. Ky interval i hapësirëkohës është invariant për një ngjarje të caktuar; pra, sikurse edhe shpejtësia e dritës, është një madhësi absolute në relativitet. Hapësirëkoha si koncept në fizikë rrjedh nga transformimet e Lorentz-it dhe u paraqit nga kërkesa për të pasur ekuacionet e Maxwell-it formë invariante, pra që fenomenet e lidhura me elektrodinamikën të kenë të njëjtën formë matematike në sisteme të ndryshme inerciale të referencës. Thënë ndryshe, me hapësirëkohën mundësohet që varshmëria funksionale e fushës elektromagnetike ndaj koordinatave të hapësirës dhe kohës të jetë e njëjtë pavarësisht sistemit koordinativ inercial.
Në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit Einstein-i bëri shkrirjen e radhës: bashkoi lëvizjen e nxituar dhe gravitacionin në një fenomen të vetëm. Ky bashkim, i cili u prezentua pra për herë të parë në Archenhold-Sternwarte, pati si rrjedhojë shpjegimin e mekanizmit të gravitacionit, shpjegim që mungonte në teorinë e Newton-it. Me fjalë tjera, teoria e Newton-it mundëson njehsimin e forcës së bashkëveprimit gravitacional në mes të dy trupave, forcë që si e di çdo nxënës i mirë është proporcionale me prodhimin e masave të atyre trupave dhe proporcionalisht e zhdrejtë me katrorin e largësisë në mes tyre, por nuk shpjegon se pse ky bashkëveprim ndodh. Shpjegimi që rrodhi nga teoria e Einstein-it ishte se hapësira përkulej (lakohej) dhe koha rrjedh ndryshe në potencial të ndryshëm gravitacional. Bazuar në ekuacionet e Einstein-it për fushën, kjo përkulshmëri mund të njehsohet nga tenzori i shpërndarjes dhe fluksit të energjisë dhe sasisë së lëvizjes. Fatmirësisht, gjeometria se ku duhet aplikuar ky tenzor dhe njehsuar përkulshmëria ishte punuar dekada më herët nga Riemann-i dhe Einstein-it i mbetej që duke u bazuar në natyrën fizike të problemit të paraqiste tenzorin.
Çdo teori në fizikë duhet të plotësojë dy kushte që të quhet e plotë: të shpjegojë fenomenet dhe të parashikojë rezultatet që eventualisht testohen eksperimentalisht. Teoria e Përgjithshme e Relativitetit ju nënshtrua testit eksperimental menjëherë: së pari duke e njehsuar trajektoren e Merkurit rreth Diellit, pastaj duke e matur përkuljen e rrezes së dritës që vinte nga një yll gjatë eklipsit të Diellit, e më vonë duke e matur zhvendosjen e frekuencës së dritës në potencial të ndryshëm gravitacional, dhe tashmë së fundi - njëqind vjet pas formulimit - edhe duke i matur valët gravitacionale, të cilat buruan nga përplasja e vrimave të zeza. Edhe këto, vrimat e zeza pra, janë rrjedhojë dhe shpjegohen përmes teorisë ajnshtajniane për gravitacionin.
Ndonëse vlerësimi i një teorie përtej saktësisë - për shembull, duke e shqyrtuar bukurinë e saj - është subjektiv, në mesin e fizikanëve ekziston një pajtim i gjërë me pohimin që Teoria e Përgjithshme e Relativitetit është një ndër gjërat më të bukura dhe më të madhërishme që ka bërë mendja njerëzore. Është e domosdoshme që një njeri me kulturë të dijë për të, sikurse që di për një simfoni të Beethoven-it, për një pikturë të Leonardo-s, për një tragjedi të Shakespeare-it, për një teoremë të Gauß-it, për një betejë të Skënderbeut... Thellësia e kësaj teorie qëndron në atë se jep shpjegimin më të mirë që kemi për Gjithësinë dhe historinë e saj.
Einstein-i me të vërtetë relativizoi hapësirën dhe kohën, por kjo nuk do të thotë që edhe ndjenjat janë relative. Gjatë shëtitjes pranë observatoriumit Archenhold, ajo që ishte absolute ishte ndjenja e mungesës së bashkëbiseduesit: ndjeja se do të ishte e mrekullueshme të kisha pranë profesorin Rasim dhe në bashkëbisedim me të në shqip, mu aty pranë vendit ku Einstein-i pat ligjëruar, të mësoja edhe më tepër për relativitetin. Pra, hapësira e koha janë relative, por distanca e madhe në hapësirë dhe kohë me një bashkëbisedues të mirë është absolute dhe ngulfat (për momentin, më duhet të pajtohem vetëm me bisedat online me të). Megjithatë, e ndjej fatin e madh që një kulturë e pazhvilluar mirë, si kultura shqiptare, ka njerëz që e njohin relativitetin për mrekulli. Dy veteranë të këtyre njohurive janë profesori Rasim Bejtullahu, studiues i vjetër i relativitetit dhe autor i librave shkencorë dhe popullarizues për këtë lëmi, libra që hala mund të lexohen me kënaqësi, dhe profesori Halil Sykja në Tiranë, i cili para disa viteve ka botuar një libër për relativitetin për nivele studimi. Pos veteranëve, kultura shqiptare ka nxjerrë Kimet Jusufin, profesor në Tetovë, një studiues i ri, por i afirmuar, i cili shkëlqen me zgjidhjet që ofron për ekuacionet e fushës të Einstein-it. Besoj që një kafe me ta pranë Archenhold-Sternwarte do të shijonte mirë; uroj që ta pimë.
2021/05/29
Kundër përkthimit, por më tepër kundër hajnisë
Është shqetësuese kërkesa e përsëritur shpesh dhe pa asnjë argument për përkthimin e teksteve shkollore për arsimin në Kosovë, sepse një kulturë që kërkon përkthim të teksteve shkollore është kulturë që ka kapitulluar.
Këto kërkesa bëhen nga të ashtuquajtur apo të vetëshpallur ekspertë. I cilësoj kështu, sepse një ekspert i vërtetë për çështje të arsimit në Kosovë do ta dinte se çka thotë Ligji për Tekstet Shkollore dhe nuk do t'i propozonte kuturu ministrisë apo shoqërisë përkthimin e teksteve. Me fjalë tjera, kushdo që mendon se tekstet e përkthyera bëjnë punë më mirë ka mundësinë që ta realizojnë këtë ide duke aplikuar në konkursin për tekste shkollore me libër të përkthyer. Natyrsht, kërkesa është që ky tekst t'i përmbahet planprogrameve të Kosovës dhe Standardit për Tekste Shkollore. Pra, kjo ide e propozuar më shpesh se që duhet s'është asgjë tjetër pos një krrokëritje e atyre që duan të duken.
Është e dhimbshme që kërkesa të tilla vinë edhe nga institucione të larta të kulturës së vendit, si për shembull nga AShAK-u. Kjo jo vetëm për arsyet e përmendura më sipër, pra për arsye të mbrojtjes dhe zhvillimit të kulturës vendore, si dhe për arsye teknike - u përmend që një propozim i tillë nuk ka kuptim, sepse arsimi i Kosovës është i hapur për atë që mendon se të përkthyerit është më i mirë - por edhe për arsye se kjo ide nuk mund të mbështetet as nga situata në terren.
Veçimi i teksteve të lëndëve të shkencave të natyrës për përkthim dëshmon mosnjohje totale të gjendjes në shkollat e Kosovës. Këto shkolla nuk i kanë problem të dorës së parë lëndët e shkencave, por më tepër vuajnë nga mosnjohja dhe mospërdorimi i saktë i gjuhës shqipe, mosleximi i letërsisë së mirë, mungesa themelore në të arysetuar e në të formuluar një mendim të qartë, e probleme të ngjashme. Nëse merret si pasqyrë rezultati në PISA, shkollat e Kosovës nuk dështuan vetëm në matematikë e shkencë, por edhe në të lexuar e kuptuar. Rrjedhimisht, përkthimi i teksteve të shkencave të natyrës nuk do të zgjidhte asnjë problem.
Një pikë tjetër është edhe e dhëna se Shqipëria tashmë i ka bërë disa vjet që i arsimon nxënësit me tekste të përkthyera për shkenca dhe kjo nuk është përkthyer edhe në ngritje të cilësisë së mësimit. Bile, disa nga tekstet e përkthyera kanë gabime, të cilat është problem të përmirësohen, sepse kërkohet intervenim në shtëpi botuese e kultura te të cilat kritika nga këtu vështirë që mund të arrijë.
Edhe një pikë e tretë që dëshmon për problemin e përkthimit të teksteve nga terreni: cilat tekste do të duhej të përkthehen, cili sistem i arsimit do të adaptohet, kush do të bëjë zgjedhjen? Të kërkosh të përkthesh libra nga bota do të thotë që Kosova ka kapcitete që të vlerësojë sistemet arsimore të të gjithë botës dhe nga ata të zgjedhë më të mirin! Nëse PISA merret si referencë, a do të thotë kjo se Kosova do të përkthejë tekste të Lindjes së Largët, regjion që gjithmonë i prin listës për cilësi në arsim?
Përfundimisht: propozimi për përkthimin e teksteve shkollore është një ide që kundërshtohet nga së paku katër argumente:
Problemi themelor me tekstet shkollore në Kosovë është se zgjedhja e tyre nga ministria e arsimit është bërë përmes një procesi të korruptuar. Nëse kritika - në vend se të përqendrohet te zgjidhjet periferike, çfarë është përkthimi i teksteve - përqendrohet ndaj ministrisë mu te kjo pikë, pra te hajnia, atëherë ka gjasa që tekstet e radhës të jenë të mira.
- s'i bën nder kulturës së vendit dhe zhvillimit të saj,
- përkthimin s'e pengon ligji, prandaj ai që e don s'ka nevojë ta propozojë, por le të veprojë,
- nuk i zgjidh problemet me cilësinë e dobët të arsimit në Kosovë, sepse si propozim fokusohet në disa lëndë dhe nuk e prek thelbin e problemeve, dhe
- nuk përputhet me gjendjen në terren.
2021/05/15
Koment mbi Platformën e AShAK-ut për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë
Tmerr! Marre! Mozo'makeq!
Sqarim apo metakoment: Komenti im i vetëm për Platformën është ky që sapo e lexuat, s'kam tjetër. Kjo që vazhdon është një koment mbi komentin, apo një sqarim se pse nuk mund ta komentoj atë dokument më tepër se kaq. Sepse ai dokument është aq i dobët, aq i keq, aq i mjerë në ide, trajtim, paraqitje, e çkado tjetër, sa që e kam të pamundur të formuloj një kritikë mbi të. Për fat të keq, ai dokument as parodi nuk mund të bëhet. Këtë do ta kuptojë kushdo që i kalon disa çaste duke e lexuar.
I ndjek me interes reagimet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe natyrisht që kisha kërshëri për të parë se çka do të propozojnë këta, të cilët kanë një hise shumë të madhe të fajit se pse gjendja me arsimin dhe shkencën në Kosovë është e mjerë. Duke i ditur kapacitetet e tyre, nuk prisnja ndonjë punë të mirë, përkundrazi. Por, u befasova për të keq, sepse me të vërtetë nuk prisja kaq poshtë: Akademia doli me një shkarravinë, ata dolën me një dokument sharlatanësh. Ky dokument, i përpiluar edhe nga një "matematikan", raporton për përqindje mbulimi mbi 100%, ndonëse kjo është e pamundur me përkufizim. Hajde mos thuaj se Kosova s'është vrimë e zezë ku thyhen ligjet e fizikës.
Përpiluesit dhe kontribuesit në prodhimin e kësaj shkarravine janë elita mjerane e Kosovës, elitë kampione në zhvatje. Kjo listë emrash është një galeri tërrpijanash, që s'kuptohet se pse i hyjnë hallit që të përpilojnë platforma për të cilat s'e kanë kapacitetin. Ngjet që kulmi i një veprimi të mirë të Akademisë mbetet heqja me turp e pllakatës që ja pat vendosur Hashim Thaçi.
2021/05/10
Notë e dobët për heqjen e notimit
Vlerësimi është një procesi sistematik përmes të cilit përcaktohet vlera, rëndësia dhe cilësia e një subjekti në shqyrtim. Vlerësimi bëhet duke e krahasuar performancën e subjektit ndaj asaj që kërkohet apo pritet që subjekti ta bëjë për rrethanat e caktuara.
Vlerësimi është edhe kryefjala e çështjeve të ditëve të fundit në arsimin e Kosovës, dhe atë për dy çështje të ndryshme: 1. atë që quhet si vlerësim apo testim i mësimdhënësve, dhe 2. heqjen e notimit për nxënësit e klasëve fillore. Për të dy rastet ka paqartësi, por në vija të trasha kuptohet se Qeveria Kurti 2 kërkon një shqyrtim të performancës së mësimdhënësve dhe lehtësim të stresit te nxënësit. Për të parën u bë zhurmë e madhe, kurse e dyta po kalon në heshtje të frikshme - e frikshme sepse po përvidhet pa një trajtim të merituar.
Pa marrë parasysh detajet e realizimit të këtyre kërkesave, filozofia e tyre është kontradiktore, edhepse e lëviz pikën e përqëndrimit në vlerësim nga nxënësi te mësimdhënësi. Duke u nisur nga përkufizimi i vlerësimit të dhënë në paragrafin e parë, vlerësimi duhet të jetë pjesë përbërëse e punës në shkollë në të gjitha etapat e mësimdhënies dhe nxënies. I cilësoj si kontradiktore këto kërkesa, se nuk kam lexuar që kjo lëvizje në arsim është për të krijuar një shpërndarje më të mirë të stresit apo cilësisë, pra nuk më duket se në situatën e dhënë mund të luftohet stresi në një anë duke e shtuar në tjetrën.
Sistemi arsimor i Kosovës i ka disa mekanizma për vlerësimin e punës së mësimdhënësit. Ky vlerësim do të duhej të kryhej nga inspektorët e arsimit, drejtori i shkollës, aktivi i lëndës, por vërehet se efikasiteti i kësaj pune nuk është i kënaqshëm. Se a duhet të zhvillohet një formë e re për vlerësimin e mësimdhënësve apo të rivitalizohen ekzistueset, nuk më duket se ka një përgjigje të prerë e të arsyetuar mirë.
Më shqetësuese është ideja e largimit të notimit si forma dominuese e vlerësimit të nxënësit fillor. Përgjatë historisë së shkurtë të arsimit, Kosova ka pasur disa sisteme të ndryshme të notimit. Një kohë lëndët kanë qenë të ndara në ato me peshë më të madhe dhe që notohen me nota numerike, si për shembull matematika e gjuha, dhe ato që vinin në rend të dytë dhe që merrnin nota përshkruese, si arti e sporti. Në një kohë tjetër, të gjitha lëndët u barazuan në formë të notimit, ndërsa një ndër eksperimentet më interesante ishte ai që nuk panonte notë përsëritëse për nxënësin. Analiza e këtyre varieteteve të notimit dhe rezultati e efekti i tyre është vështirë të caktohet, sepse arsimi është sistem shumëdimenzional dhe varet edhe nga faktorë tjerë, psh përgatitja e mësuesve, planprogrami, infrastruktura, ..., por megjithatë një efekt a ndikim i formave të notimit mund të nxirrej. Nuk më duket se kjo është bërë, sidomos lidhur me efektet e kalimit të nxënësve pa arritur edhe nivelin minimal të njohurive (anulimi i ngeljes). [1]
Ideja e zbutjes së stresit përmes zbehjes së testimit apo notimit nuk është e re dhe është përmendur më parë edhe në kontekstin e arsimit kosovar. Problemi me këtë shfaqet në dy pika:
Si e thotë edhe vet përfkufizimi i fjalës vlerësim, ky proces e cakton vlerën dhe meritën e një subjekti - në rastin konkret të notimit, njohuritë e nxënësit për një lëndë të caktuar - përballë standardeve të vendosura. Nëse këto standarde janë të vështira apo jo, nëse këto ju përgjigjen nevojave dhe realitetit të vendit apo jo, mbetet për t'u diskutuar, por arsyetimi me largimin e notimit për punë të stresit nuk dëshmon për zhvillime të mira në arsim.
Në vend se të largohet notimi, sistemi arsimor duhet të veprojë që të ndryshojë bindjen e shoqërisë për shkollimin dhe sidomos certifikimin apo diplomimin. Në rrethanat e sotme, Kosova kërkon diplomë për shitës në supermarkete! Diploma, në fakt, duhet të jetë dëshmi që bartësi i saj ka aftësi të caktuara analitike e të të menduarit, ka njohuri të përgjithshme për çështjen ku ka diplomuar, dhe që mund të kryejë detyra lidhur me atë lëmi. Të punosh shitës nuk i kërkon asnjë nga këto.
Me fjalë tjera, stresi nuk më rezulton se buron nga notimi, por nga rëndësia që i jepet atij, dhe kjo rëndësi është e deformuar. Ky deformim më së miri vërehet në diskutimin se çfarë note ka marrë nxënësi, karshi pyetjes se çka dhe si ka mësuar. Një sistem i shëndoshë përqëndrohet në të dytën dhe i ndërton standardet në pajtim me të. Nuk është as e nevojshme e as e arsyeshme që një nxënës të jetë i shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët për të gjitha vitet, sepse ato kanë kërkesa të ndryshme, të cilat një njeri me zhvillim normal - dhe ky është ai të cilit i kushtohet sistemi arsimor - nuk i mbërthen. Një mënyrë që mundëson relativizimin e kësaj është notimi në lakore, formë që nuk është provuar në Kosovë - pra, mundësitë për mbajtjen e notimit, por zbutjen e stresit që ky përcjell, nuk janë shterur.
Largimi nga notimi jep shenjë që sistemi arsimor në Kosovë e pranon largimin nga vlerësimi përmes standardeve si metodë e arsyeshme për zhvillimin e qytetarit të përgjegjshëm. Kjo është një bindje dhe ndërmarrje e rrezikshme për ardhmërinë e vendit dhe fëmijëve.
- cila është alternativa?, dhe
- si ndikon heqja e testimit apo notimit në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies e nxënies?
[1] Një shkrim shumë i mirë për efektin e keq që ka zbutja e notimit në cilësinë e shkollimit është ky i Shane Trotter dhe diskutimet rreth tij.
2021/05/03
Gabimi dhe budallallëku në shkencë
Puna shkencore përcillet vazhdimisht me gabime, pra këto janë pjesë e pandashme e shkencës. Gabimet në shkencë janë të natyrave të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre burojnë nga pamundësia për të bërë matje a njehsime të sakta. Në këtë rast nuk flitet për gabim në kuptimin e parë të fjalës, pra si lajthitje apo si rezultat të keq, por si paqartësi apo pasiguri në njohjen a matjen e bërë. Ky shkrim nuk ka të bëjë me këtë lloj gabimi, sepse në këto raste dihet mirë madhësia e gabimit dhe ajo analizohet pa problem.
Gabimet më të zakonshme në shkencë janë të natyrës së lajthitjes apo gabimit që bëhet padashur në shpjegimin e një fenomeni, ose në matjet eksperimentale, për të cilat nuk ka një bazë të mirë apo të plotë teorike ose teknike. Këto gabime motivohen nga vullneti për të përparuar njohuritë dhe meqë ky përparim bëhet në terr, natyrisht që lajthitjet janë të pashmangshme. Gjithsesi, këto gabime karakterizohen me thellësi të mendimit apo me punë që meriton respekt.
Asnjë njeri me dy fije mend në kokë nuk do të pohojë se Aristoteli nuk ka qenë mendimtar i madh, edhepse dihet që fizika e tij ka gabime të mëdha. Këto gabime evidentohen sot, kur e dimë mirë që lëvizja e një trupi përcaktohet nga forca e bashkëveprimit dhe kjo ka lidhje funksionale me nxitimin, e jo me shpejtësinë, si mund të interpretohen mësimet e Aristotelit (për një trajtim të saktë të fizikës Aristoteliane me koncepte moderne, ftoj lexuesin që të konsultojë punimin e Carlo Rovelli-t Aristotle's Physics: a Physicist's Look). Fizika që Aristoteli e ka ndërtuar ka qenë në funksion të plotësimit të filozofisë së tij për botën dhe njeriun, perënditë dhe fatin, prandaj nuk mund të gjykohet nga pikëvështrimi që ne kemi sot. Përkundrazi, do të përfundonim në një situatë të arrogancës së pashembullt, e cila do të nënvleftësonte punën e shumë mendimtarëve gjatë mijëvjeçarëve.
Edhe Galileo Galilei, i pari që shkundi fuqishëm mësimet e Aristotelit nga shpjegimi i dukurive të natyrës, ka promovuar qëndrime të diskutueshme, por sot çdo njeri i lexuar me plot të drejtë e mban Galileo-n si mendimtar që e ka shpënë njerëzimin përpara me hapa të papërsëritshëm. Sipas Owen Gingerich-it, një lëshim i Galileo-s që solli te gjykimi i tij nga ana e Kishës Katolike ishte gabimi logjik i promovimit të arsyetimit induktiv si të ishte deduktiv, për ç'gjë është kritikuar, në mes tjerësh, edhe nga bashkëkohaniku Johannes Kepler.
Sot dihet mirë që mekanika klasike e formuluar nga Newton-i, Lagrange-i, Euler-i, Hamilton-i, e të tjerë, është e kufizuar për lëvizjen e trupave makroskopikë që kanë shpejtësi më të vogël se ajo e dritës. Ligjet dhe teoremat e kësaj mekanike nuk e përjashtojnë bashkëveprimin e menjëhershëm të trupave, por kjo - si është kuptuar tek para një shekulli - është në kundërshtim me realitetin, ku bashkëveprimi mund të përcillet me shpejtësi të fundme. Kjo gjithsesi nuk do të thotë se mekanika klasike është gabim, në kuptimin që është keq dhe jep rezultate të padobishme, por vetëm se është e kufizuar në zbatueshmërinë e saj. Plotësimi i kësaj mekanike për trupa shumë të vegjël bëhet përmes Mekanikës Kuantike, kurse kufizimi i shpejtësisë mbulohet nga Teoria e Relativitetit. Megjithatë, këto dy teori nuk i duhen inxhinierit të ndërtimtarisë, ta zëmë, por ai vazhdon ta mësojë dhe t'i zbatojë mësimet e mekanikës klasike. Përtej utilitaritetit, mësimet e mekanikës klasike kanë elemente që mbesin ende në themelet e njohjes që kemi për botën, sepse atje futen shumë koncepte bazë (masa, energjia, etj), ndonëse shumë tjera kanë ndryshuar.
Në shumë raste përparimi ka arritur duke hedhur poshtë modelet që frymëzojnë arsyetimin dhe duke e mbajtur rezultatin. Një shembull i mirë për këtë është modeli që Maxwell-i ka ndërtuar për formulimin e ekuacioneve të elektrodinamikës. Maxwell-i është nisur nga një model i vorbullave rrotulluese dhe ka përfituar ekuacionet që përshkruajnë dukuritë klasike të elektricitetit, magnetizmit dhe optikës. Modeli i tij u dëshmua që ishte i panevojshëm, por ekuacionet mbeten një pikë kulminante e mendimit njerëzor.
Historia tregon se reagimi i parë ndaj rezultateve të reja në shkencë është refuzimi. Kjo më së miri është shprehur nga Max Planck-u, i cili ka shkruar se shkenca përparon pas çdo funerali, meqë gjenerata e vjetër e shkencëtarëve zakonisht nuk konvertohet, por zëvëndësohet nga gjenerata e re, e cila e ka më të lehtë adaptimin e mësimeve të reja. Kjo ndodh sepse shkenca është aktivitet që bëhet nga njerëzit. Një ndër problemet më të mëdha në këtë vijë është se shkenca kërkon investim të hatashëm mendor dhe kohë të gjatë për të zotëruar një pikëvështrim të vetëm mbi dukuritë, e lëre më për ato alternative.
Një ilustrim markant i kësaj është zhvillimi i Teorisë së Stringjeve, teori që dikur ka synuar të jetë kulmi i fizikës teorike, kurse sot po ka gjithnjë e më pak përkrahës. Si e shpjegon Sabine Hossenfelder në librin Lost in Math, ku e citon Freeman Dyson-in, teoristët e stringjeve mbahen nëpër departamente të fizikës, sepse kushtojnë pak. A do të thotë kjo se ata janë gabim? Assesi jo, sepse puna e tyre meriton respekt për hir të thellësisë së mendimit dhe aftësisë matematike. Por, ndoshta mund të parashikohet se pas një gjenerate, më s'do të ketë kush nevojë për këtë teori, sikuse që sot askush nuk ka nevojë për inxhinierë të flogjistonit e matës të eterit. Ndoshta puna e tyre do të rezultojë në shpjegime të cilat as që mund t'i kemi parasysh sot. Gjithsesi, kjo është një rrugë në terr, një rrugë që kërkon ndihmën e fatit.
***
Përballë gabimit në shkencë është budallallëku. Ky paraqet gabimin që nuk do të duhet të bëhej dhe që jep rezultat të keq. Për të përdorur metaforën e mësipërme, nëse gabimi në shkencë bëhet se shkencëtari kërkon të hedh dritë në vendin ku është terr, pra gjasa për shkarje është e madhe, budallallëku është të fikësh dritën aty ku ajo është e siguruar. Budallallëku në shkencë është të provosh të demonstrosh se Teoria e Relativitetit është gabim duke përdorur metodat e Mekanikës Klasike, të shpjegosh djegien me flogjiston, të bësh alkimi me flakë qiriu, të kërkosh planetin Vullkan...
Kosova është prodhuese e budallallëkut në shkencë. Kundër kësaj kam reaguar para gati një dekade, kur ky budallallëk ka qenë i kufizuar. Sot gjendja është shumë e keqe, sepse ky budallallëk ka shpërthyer universitetin, ka gjetur përkrahje në mesin e shkencëtarëve shqiptarë, në ministri të arsimit e shkencës, dhe botohet nga poshtë e përpjetë, në Prishtinë, në Tiranë e në botë. Botimi në botë nuk është çudi, sepse bota e ka vendosur që t'ia hapë dyert kujtdo meqë është e sigurtë në kritikën dhe filtrimin që e bën. Problemi është te shoqëria jonë e vobektë në mjete e koka.
Nga ana tjetër, ky budallallëk duhet duartrokitur, sepse zbuloi karakterin e dobët të të ashtuquajturve profesorë. Është e pakuptueshme se si i bashkohet dikush një projekti të çmendur si është ai për rrëzimin e Teorisë së Relativitetit. Ndoshta bëhet për të shënuar edhe një rresht në listën e publikimeve, por kjo s'bën asgjë tjetër pos ndot edhe ato publikime që mund të kenë ndonjë vlerë. Pra, ai që i bashkohet budallallëkut, jo vetëm që e humb kredibilitetin para kolegëve, por edhe shndërrohet në budallë që shërben për argëtim, për aq sa mund të argëtohet njeriu nga budalla. E keqja e shoqërisë sonë është që tash këta aty janë shumica, si nga profesorët në Prishtinë, Tetovë e Tiranë, por edhe nga ata në ministri, akademi, e kudo ku pretendohet se ka intelektualë. Me fjalë tjera, një budallë e zbulon fytyrën e vërtetë të intelektualizmit shkencor shqiptar, që del të jetë intelektualizëm budallenjsh.
Para tri dekadash, kur Serbia sulmoi çdo gjë shqiptare në Kosovë, njerëzit u përgjigjën duke refuzuar e qëndruar, edhepse rreziku ishte i madh dhe ardhmëria e zymtë. Sot, kur këto rreziqe nuk ekzistojnë, kur shoqëria jonë mund dhe duhej të zhvillohej lirshëm, nuk del askush t'ia qesë dorën budallallëkut dhe t'i thotë stop. Kjo s'tregon asgjë tjetër, por kalbëzim deri në palcë të njeriut shqipfolës. Përpara kësaj gjendjeje, e vetmja zgjidhje është ndalimi i financimit me mjete publike të çdo institucioni e aktiviteti që shitet si shkencor, përfshirë dhe universitetet e akademitë, sepse ato kanë dështuar që të reagojnë ndaj kësaj gjendjeje, rrjedhimisht janë komplet të pavlera për shoqërinë.
2021/04/26
Dy fjalë për Max Planck-un
Fizika e shekullit të kaluar paraqet një ndër zhvillimet më epike në tërë historinë e njerëzimit, sepse jo vetëm që ndërtoi një botëkuptim në suaza të fantastikës për hapësirën e kohën përmes Teorisë së Relativitetit apo për materien përmes Mekanikës Kuantike, por zhvillimet historike ballafaquan fizikanët me disa nga dilemat etike më të rënda të historisë. Një ndër protagonistët më hijerëndë të këtyre zhvillimeve është Max Planck-u, një ndër heronjët më të urtë të shkencës dhe humanizmit.
Thuhet se kur Planck-u shfaqi dëshirën për të studiuar fizikë, aty diku kah viti 1874, një profesor i ka thënë se ajo çka ka qenë me rëndësi në fizikë tashmë është zbuluar dhe nuk ka mbetur punë tjetër aty pos sqarimi i do detajeve, prandaj nuk ia vlen të studiohet më kjo lëmi. Por, si dëshmon edhe vet Planck-u, qëllimi i tij për të studiuar fizikën nuk ka qenë që të zbulojë gjë apo të bëhet i famshëm, por që të kuptojë se si punon Natyra. Planck-u shkruan se vendimi i tij për t'iu përkushtuar shkencës e ka zanafillën në të kuptuarit se ligjet e arsyetimit përputhen me ligjet që udhëheqin mbresat a ndjenjat që i regjistrojmë përmes shqisave. Me fjalë tjera, njeriu përmes të menduarit mund të njohë mekanizmin e botës që e rrethon dhe ky fakt që nuk duket haptas është tronditës për një mendimtar të thellë.
Planck-u iu përkushtua studimit teorik të termodinamikës, lëmi në të cilën dha kontribut të madh qysh në fillet e punës së tij. Tema e tij e doktoraturës, e mbrojtur me 1879, kishte të bënte me një riformulim të Ligjit të Dytë të Termodinamikës, riformulim që ishte më i thellë se ai paraprak i dhënë nga Clausius-i. Sipas Clausius-it nxehtësia nuk mund të rrjedhë spontanisht nga trupi i ngrohtë tek i ftohti. Planck-u e shprehu këtë teoremë duke pohuar se përcjellja e nxehtësisë nuk mund të kthehet tërësisht me çfarëdo mjete. Për dallim nga forma e Clausius-it, kjo e Planck-ut është më e plotë, sepse përmban edhe kuptimin e irreversibilitetit (pakthyeshmërinë), e cila duhet të shtohet veçan në trajtimin që ja bën Clausius-i.
Ky rezultat i mundësoi Planck-ut që të bëhet docent në Universitetin e Mynihut, pozitë për të cilën nuk paguhej. Planck-u mund ta përballonte këtë punë falë gjendjes së mirë financiare të familjes së tij. Por, së shpejti ai mori pozitën e profesorit, së pari në Universitetin e Kielit e më vonë në Universitetin e Berlinit, ku mori katedrën e Kirchhoff-it pas vdekjes së këtij. Në Berlin Planck-u u bë profesor i fizikës teorike. Është interesante të përmendet se Kirchhoff-i ishte kundërshtar i drejtpërdrejtë i rezultatit të Planck-ut në termodinamikë, sepse Planck-u përdorte konceptin e entropisë edhe te proceset e pakthyeshme, përderisa Kirchhoff-i nuk e pranonte që kjo madhësi fizike kishte kuptim, pos për procese të kthyeshme.
Në Berlin Planck-u vazhdoi punën në termodinamikë duke kërkuar zgjidhjen për problemin e rrezatimit të trupit të zi. Ky problem kërkon të përcaktojë gjatësinë valore (ngjyrën) që emeton një trup në varshmëri të temperaturës. Edhe nga përditshmëria mund të vërejmë se me ngrohjen e një trupi në temperatura mbi 600 gradë celsius, ai së pari bëhet i kuq, e më vonë ngjyrat e tij kalojnë kah e portokallta, e verdha e kështu me radhë. Çdo ngjyre i përgjigjet një gjatësi e caktuar valore, e cila mund të matet lehtë me spektrometra dhe Planck-u kishte në dispozicion një seri matjesh shumë precize. Problemi qëndronte në atë se këto matje nuk përputheshin me asnjë shpjegim teorik të fenomenit. Në fakt, një shpjegim i tillë ekzistonte vetëm për gjatësi të mëdha valore që i përgjigjen zonës infra të kuqe të spektrit.
Planck-u iu qas këtij problemi jo në formë fenomenologjike, por matematike, duke provuar të gjente një funksion matematik që përputhet me të dhënat eksperimentale. Këtë e bëri duke supozuar një funksion me dy terme, ashtu që termi i parë është proporcional me energjinë dhe i dyti me katrorin e energjisë. Ajo që mbeti ishte të gjente përputhjen e konstanteve të proporcionalitetit me gjatësinë valore, gjë që Planck-u e bëri me sukses duke përfituar atë që sot njihet si Shpërndarja e Rrezatimit të Trupit të Zi. Planck-u, pas krahasimit të formulës së tij me të dhënat eksperimentale, e raportoi këtë rezultat para Shoqërisë Fizike të Berlinit më 1900.
Ligji i Planck-ut fshihte në vete një detaj interesant që kërkonte një interpretim të guximshëm. Ndonëse të gjithë fizikanët e kohës kërkonin të vënin një lidhje në mes të shpërndarjes së energjisë së rrezatimit me temperaturën, Planck-u, duke u mbështetur edhe në punën e vet të doktoraturës, e nisi shqyrtimin duke e vendosur një lidhje në mes të energjisë dhe entropisë. Kjo lidhje solli deri te nevoja për futjen e një konstante të proporcinalitetit, atë që sot e quajmë konstantja e Planck-ut dhe e shënojmë si e ka shënuar edhe vet Planck-u, me h. Sipas tij, kjo konstante paraqet sasinë elementare të veprimit. Planck-u shkroi në formën moderne atë që sot njihet si Formula e Boltzmann-it për Entropinë dhe nga ajo llogariti entropinë për lëkundësit që formojnë trupin e zi. Praktikisht, nëse Dielli mendohet si trup i zi, atëherë këta lëkundës janë atomet që e bëjnë Diellin. Rezultati i Planck-ut ishte se energjia minimale që mund të kishte një lëkundës që lëkundet me një frekuencë të caktuar është e barabartë me prodhimin e asaj frekuence me sasinë elementare të veprimit. Pra, energjia nuk mund të kishte vlerë të çfarëdoshme të vogël, por kishte një kufi minimal, përndryshe në energji më të vogla lëkundësi nuk mund të ekzistonte.
(Ja vlen të shënohet ky detaj interesant: Boltzmann-i nuk kishte aspak simpati për trajtimin klasik të termodinamikës që e bënte Planck-u, sepse pëlqente trajtimin përmes mekanikës statistike, në ndërtimin e së cilës kishte punuar vetë. Ndërkohë Boltzmann-i ishte një ndër promovuesit më të fuqishëm të natyrës atomike të materies, pikëpamje kjo që rezistohej nga shumëkush. Planck-u i jepte të drejtë Boltzmann-it dhe i kundërshtonte edhe kolegët në universitetin e Berlinit. Pas vdekjes së Boltzmann-it, Universiteti i Vjenës ja ofroi pozitën e tij Planck-ut, por ky nuk ndërroi vend. Konstantja e Bolzmann-it është emërtuar ashtu nga Planck-u, i cili shkoi dhe në shenjë respekti ja ndërtoi varrin Boltzmann-it të braktisur. Në gurin e varrit të tij është gdhendur ekuacioni i Boltzmann-it që lidh entropinë dhe probabilitetin e gjendjes.)
Për të kuptuar më mirë këtë rezultatin për sasinë elementare të veprimit që e fitoi Planck-u mund të merret si krahasim rasti i lëvizjes së një trupi. Nëse trupi është në qetësi energjia kinetike e tij është zero. Por, kur lëviz, atëherë trupi do të ketë një shpejtësi të caktuar, e cila ja cakton edhe energjinë kinetike. Vlera e kësaj shpejtësie nuk kufizohet, pra mund të jetë 1 metër për sekondë, por mund të jetë edhe sa gjysma e saj, apo edhe gjysma e gjysmës. Një avanturier kurioz mund të kërkojë që kjo shpejtësi të jetë sa gjysma e gjysmës së gjysmës, dhe - sipas fizikës së bërë para Planck-ut - Natyra nuk ja qet asnjë pengesë. Pra, energjia kinetike do të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme sikurse edhe shpejtësia, pa kërcime e hope, derisa të arrijë vlerën zero. E njëjta vlen edhe për konceptin e hapësirës dhe kohës: ne mund t'i ndajmë këto në pjesë gjithnjë e më të vogla. Nëse teknologjia na paraqet problem, asgjë nuk na ndalon që këtë ndarje ta realizojmë me të menduar.
Rezultati i Planck-ut tregonte se një gjë e tillë më nuk vlen, pra që veprimi në fizikë ka natyrë diskrete. Natyra diskrete nuk ishte e huaj për fizikën e kohës, sepse ishte pranuar për disa dukuri. Për shembull, Faraday kishte dëshmuar se elektriciteti kishte natyrë diskrete dhe që ekzistonte sasia elementare e elektricitetit. Edhe për masën vlente e njëjta gjë, edhepse me rezerva. Atë kohë natyra atomike e lëndës kishte një bazë të fortë, edhepse nuk ishte e pranuar pa kushte nga të gjithë. Por, askush nuk e mendonte që edhe veprimi, e me të edhe energjia, do të kishin natyrë kuantike, dmth ishin diskrete dhe paraqiteshin me copa-copa, e jo si një e tërë e vazhdueshme. Rrjedhimisht, sot flitet për copën më të vogël teoretikisht të matshme të hapësirës, e shprehur si gjatësi plankiane, ose për pjesën më të shkurtër të kohës, për intervalin plankian. Është meritë e gjenialitetit të Planck-ut dhe punës së tij të pa cene që ky qëndrim u pranua pa tronditje të mëdha, edhepse Planck-u e dallonte mirë efektin që ky rezultat do të kishte në fizikë.
Në perëndim të Berlinit gjendet pylli i madh Grunewald, ku profesori Planck tashmë e kishte shtëpinë. Është e shënuar se gjatë një shëtitjeje, ai i shpjegon djalit të vet se kishte arritur te një rezultat që përnga rëndësia është i krahasueshëm me punën e Newton-it. Vlerësimi i rezultatit si i tillë është plotësisht me vend, sepse hapi një dritare të madhe për të kuptuar Natyrën dhe mundësoi zhvillimin e një fizike të paimagjinueshme deri atëherë. Planck-u i rezistoi me vite rezultatit që i doli përpara, provoi dëshpërimisht të gjente një zgjidhje që përputhej me mësimet e fizikës klasike, por pa sukses. Në fund, Planck-u iu dorëzua gjuhës së Natyrës dhe pavullnetshëm u bë revolucionari i parë i fizikës moderne. Ky dorëzim ishte plotësisht në karakterin e tij, sepse Planck-u që nga fillimi ishte i interesuar të kuptonte me përunjësi Natyrën dhe të mos i impononte asaj vizionin e tij. Fati e deshi që kontributi i Planck-ut në ndërtimin e kësaj fizike të ishte vetëm fillestar, sikurse puna e Kepler-it, i cili duke përputhur vrojtimet e sakta me format matematike për trajektoret e planeteve, arriti të trasojë rrugën për formulimin e Ligjit të Gravitetit nga Newton-i. I pari që e vazhdoi shtegun e hapur nga Planck-u ishte Einstein-i, i cili duke u bazuar mu në konceptin e sasisë elementare të veprimit, dha shpjegimin e efektit fotoelektrik. Pasuan Bohr-i, Schrödinger-i, Heisenberg-u, Dirac-u, e shumë titanë të tjerë që ndërtuan atë që sot njihet si Teoria Kuantike.
Ndërkohë, Planck-u jo vetëm që vazhdoi të kontribuonte në shkencë, por arriti një autoritet të madh edhe në shoqëri, sidomos në qarqet intelektuale dhe në organizimin e shkencës. Për autoritetin e tij më së miri dëshmon mësuesi më i madh i fizikës i të gjitha kohëve, Arnold Sommerfeld-i, i cili duke ndjekur frymën e kohës i shkruan një vjershë. Në të Sommerfeld-i i shkruan Planck-ut se e gjitha që bëj është të nduk lulet nga toka që e kultivove. Planck-u modest ja kthen poashtu me një vjershë ku i shkruan se edhe ky s'bën tjetër pos nduk lule, por e fton që t'i bashkojnë ato në buqetën më të mirë. Autoriteti i Planck-ut ishte një vazhdues i traditës familjare, meqë rridhte nga një familje intelektuale dhe patriotike gjermane. Bile, dy djemtë e Planck-ut kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore, në të cilën djali i madh, Karl-i, e humbi jetën në betejë, kurse i dyti, Erwin-i, u zu rob lufte nga francezët. Atë që nuk guxonin ta bënin profesorët tjerë, e bënte Planck-u, i cili i shkonte në zyrë Hitlerit dhe ja kundërshtonte në fytyrë - por pa sukses - politikën shkatërrimtare. Planck-u ishte përkrahës i madh i Einstein-it dhe shkencëtarëve tjerë në kohën kur nazizmi përjashtonte shkencëtarët me origjinë hebreje. Kështu Planck-u u qëndroi me dinjitet sfidave etike që koha ja përplasi.
Në muzgun e jetës së vet Planck-u angazhohej që ta ruante atë që mundej nga shkenca dhe kultura - dikur e lavdishme - gjermane, e cila ishte nën dhunën naziste. Është shumë i vlefshëm diskutimi që e përcjell Heisenberg-u, i cili kishte shkuar te Planck-u për këshillim (diku kah mesi i viteve '30). Heisenberg-u, duke i parë përjashtimet që ju bëheshin kolegëve hebrej, propozon që në shenjë proteste të japë dorëheqje nga pozita e profesorit, por para se ta bëjë këtë e takon Planck-un. Planck-u i dorëzuar i thotë se nuk mund ta këshillojë, sepse parasheh shkatërrimin jo vetëm të universiteteve, por të të gjithë vendit. Planck-u e shpreh kënaqësinë që Heisenberg-u e kolegët tjerë provojnë të protestojnë, por që kursi i historisë ka marrë tashmë atë kahje që nuk mund të ndikohet më nga këto veprime. Me merakun për vendin dhe largpamës, Planck-u e fton Heisenberg-un që të mendojë për kohën pas katastrofës. Një mundësi që e sheh Planck-u është që Heisenberg-u të qëndrojë në Gjermani dhe të ndërtojë atë që i quan ishuj të qëndrueshmërisë, vende ku do të kapeshin të rinj gjermanë e të mbijetonin fatkeqësinë që pritej. Planck-u i thotë
Kjo etikë dhe ky qëndrim i dashurisë dhe respektit për të Vërtetën dhe të Mirën absolute natyrisht që ka pasur ndikim edhe në rrethin familjar të Planck-ut. Djali i tij, Erwin-i, ka qenë pjesëtar i një grupacioni gjermanësh që kanë provuar të bëjnë atentat ndaj Hitlerit. Për fat të keq, këta janë hetuar dhe Erwin-i është dënuar dhe varur në janar të vitit 1945. Vdekja e djalit të tij të dytë, me të cilin ka pasur afërsi të madhe, e ka shkatërruar Planck-un, por ky megjithatë e arriti fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe mbijetesën e atyre ishujve të ringjalljes së Gjermanisë. Sot, Gjermania ka një varg institutesh që e bartin emrin Max Planck, institute këto që prijnë në zhvillimin e shkencës dhe kulturës botërore.
Dilema etike me të cilat u përball Planck-u prekën edhe sferën e shkencës, sidomos pas eksplodimit të bombës atomike, e cila në njëfarë forme ishte fryt i një pune që u nis me vet të. Ky e ndante mirë rolin e shkencës dhe religjionit a etikës në përcaktimin e vlerave të mira absolute dhe virtyteve drejt të cilave synojmë. Çdo individ, shkruan, s'ka alternativë tjetër, pos ta luftojë me guxim betejën e jetës, sepse askush nuk ka lindur me pretendim ligjor për lumturi, sukses dhe prosperitet në jetë. Planck-u fton që ta njohim dhe pranojmë me përunjësi çdo çast të lumturisë si një dhuratë që obligon. E vetmja gjë të cilën mund ta pretendojmë me sigurinë më të madhe dhe të cilën s'mund të na e marrë kush është integriteti i shpirtit, që shfaqet si kryerje me ndërgjegje e detyrave. Planck-u thotë se e ka pasur fatin e madh që detyrat e tij kenë qenë në sferën e shkencës, ku e ka hulumtuar të hulumtueshmen dhe e ka respektuar të pahulumtueshmen.
Njëjtë, studimet dhe puna në shkencë më kanë dërguar në vende të ndryshme, të cilat mahnisin me bukuritë, kulturën, historinë dhe njerëzit. Berlini nuk bën përjashtim, përkundrazi, është një qytet me histori të madhe. Një ndër rrugët kryesore është Unter den Linden (Rruga nën Blinj), ku gjendet edhe universiteti famëmadh Humboldt. Përskaj portës së ndërtesës qëndrore gjendet një pllakë e vetme modeste që na njofton se këtu ka dhënë mësim Max Planck-u. Investimi i madh në studim më shpaguhet kur kaloj përballë kësaj pllake dhe, për dallim nga ndonjë turist që ndoshta mrekullohet me arkitekturën e bukur, e kuptoj edhe se sa i madh është ky vend ku dikur ka dhënë mësim një Njeri si Max Planck-u.
Askush nuk mund të dijë se sa ishuj të tillë do ta mbijetojnë katastrofën; por jam i sigurtë që edhe nëse arrijmë të udhëheqim përtej këtyre kohrave të tmerrshme një numër të vogël të rinjsh të talentuar e mendje-shëndoshë, do të kemi bërë një punë të mirë për të siguruar ringjalljen e Gjermanisë pas fundit. [...] Mendoj që të gjithë ne që nuk jemi detyruar të emigrojmë për arsye racore duhet të provojmë të qëndrojmë dhe të vendosim themelet për një jetë më të mirë pasi që të përfundojë ky makth. Do të jetë e vështirë dhe e rrezikshme, dhe do të të duhet të bësh kompromise të atilla, që më vonë do të përdoren kundër teje. Natyrisht që nuk mund të fajësoj ata që vendosin ndryshe, ata që e gjykojnë jetën në Gjermani si të patolerueshme, ata që nuk mund të qëndrojnë përderisa padrejtësitë bëhen e ata s'mund t'i ndalojnë. Por, në gjendjen e kobshme nëpër të cilën kalon Gjermania tash, askush nuk mund të veprojë me dinjitet. Çdo vendim që marrim na fut në padrejtësi të një forme a tjetre. Në fund, secili kemi mbetur për vete. S'ka kuptim të japësh apo marrësh këshilla. Pra, e gjitha që mund të të them është: pa marrë parasysh se çka do të bësh, nuk ka shpresë që do të parandalosh një fatkeqësi të vogël pa përfunduar kjo fatkeqësia e madhe. Por, të lutem, mendo për kohën që do të vijë pas fundit.
2021/04/23
Dimri dhe terri?
Shqiptari Carpe diem-in e latinit e shpreh përmes vërejtjes një herë vjen vera kah dera. Në rastin e përdorimit të qymyrit si pasuri natyrore e Kosovës, duket që vera shkoi dhe tash po vjen dimri. Këtë e bazoj në mungesën e disponimit në Europë dhe botë për përkrahjen e termocentraleve, bile në kundërshtimin e fuqishëm të tyre.
Që mundësia e Kosovës për të prodhuar energji nga burime tjera pos qymyrit është e varfër dëshmon edhe përkrahja që Kosova ka marrë dikur nga organizata të ndryshme për ndërtimin e termocentralit (psh Banka Botërore), edhepse mu ato organizata kanë qenë dhe janë kundërshtare të mëdha të prodhimit të energjisë nga qymyri. Sot kjo përkrahje më nuk ekziston. Nga ana tjetër, edhe studimet më optimiste për prodhimin e energjisë nga burimet alternative (jofosile) tregojnë që Kosova mund të mbulojë më së shumti 50% të nevojave të veta me energji nga burimet alternative, dhe atë pa marrë në konsideratë transportin (në Kosovë, emetimet e gazrave nga veturat janë të të njëjtit rend të madhësisë me ato nga termocentralet).
Zhvillimet e fundit me ndërtimin e hidrocentraleve nëpër lumenjtë e vegjël rrjedhës të Kosovës dëshmojnë se edhe teknologjia më efikase e prodhimit të elektricitetit, më e lira, më e mbajtshmja (e qëndrueshmja), dhe më miqësorja për ambientin, pra hidroenergjia, nuk garanton situatë më të mirë për shoqërinë. Njëjtë vlen edhe për biomasën (drurin), i cili vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i energjisë në vend, por rrezikshëm në kufinj të ripërtrirjes. Me fjalë tjera, gjendja nuk është bardh e zi për përdorimin e alternativave, për faktin se nuk mund të veprohet kundër ligjeve të natyrës: njeriu do energji elektrike dhe përfitimi i saj gjithsesi që do të shkaktojë çrregullim diku.
Sa për burimet fosile, thuhet se sasia absolute e qymyrit që ka Kosova e radhit këtë në top 10-15 vendet e para të botës. Për një gjë nuk ka dyshim dhe ajo është që Kosova ka qymyr të mjaftueshëm për nevojat e veta edhe për së paku 50 vitet e ardhshme. Mundësia më e mirë e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore është prodhimi i energjisë elektrike, edhepse ekziston edhe mundësia tjetër që qymyri të mos shfrytëzohet në Kosovë, por t'i shitet vendeve tjera.
Çështja është se para se të shterohet apo shitet qymyri, po shterohet vullneti dhe mundësia për përdorimin e tij si burim të energjisë. Kjo falë ndryshimeve klimatike që shkakton djegia e qymyrit dhe lirimi i dioksid karbonit e gazrave e grimcave tjera të dëmshme për ambientin dhe shëndetin, të cilat e kanë ndryshuar edhe klimën politike nga ajo zhvillimore drejt asaj ambientaliste.
Problemi i energjisë është problem shumë i vështirë dhe kërkon edhe shqyrtim nga disa aspekte të ndryshme shoqërore, përpos asaj teknologjike. Një ndër to është levërdia ekonomike, e cila duhet të llogarisë bilancin në mes të dobisë shoqërore e përfitimit ekonomik nga prodhimi i energjisë dhe shpenzimeve nga dëmtimi i shëndetit të qytetarëve e ambientit. Një aspekt tjetër është ai i sigurimit të energjisë nga brenda vendit, përballë nevojës së sigurimit të energjisë përmes importit, gjë që do të shkaktonte humbjen e një pjese të pavarësisë në raport me vendet prej nga sigurohet energjia.
Edhe një herë: Kosova të vetmen zgjidhje me vlerë për t'i adresuar të dyja këto pika e ka ndërtimin e një termocentrali. Por, duket se kjo mundësi po zbehet gjithnjë e më shumë, e për më tepër, nëse merret parasysh koha e humbur, kjo mundësi po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Dhe kam frikën që në të gjitha diskutimet që bëhen rreth mundësive zhvillimore të vendit, koha nuk merret parasysh. Rëndësia e saj bëhet më e dukshme mu në rastin e zhagitjes dhe dështimeve të ndërtimit të një termocentrali.
Jeta mesatare e një termocentrali llogaritet të jetë rreth 30 vjet, ndonëse ato dizajnohen për punë deri në 50 vjet. Termocentralet që sot funksionojnë në Kosovë o e kanë kaluar këtë moshë moti, o janë aty pari, pra në pleqëri të thellë. Ato vazhdojnë të punojnë falë arnimeve e riparimeve që ju janë bërë gjatë 20 viteve të fundit, ndërkohë që vazhdojnë të shkaktojnë ndotje më të madhe dhe të punojnë me efiçiencë më të vogël se sa janë normat e termocentraleve moderne.
Planet për ndërtimin e një termocentrali të ri, herë të quajtur Kosova C, e herë Kosova e Re, janë më se 15 vjet të vjetra. Nëse llogaritet që ndërtimi i një termocentrali kërkon maksimumin nja 5 vjet dhe nëse politikat dhe zbatimi i tyre në Kosovë do të ishte bërë si duhet, rrjedh që Kosova tashmë do të kishte pasur afër gjysmës së jetës së vet një termocentral modern dhe të dobishëm për qytetarët. Për më tepër, gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova ka qenë net importues i energjisë. Shtoja kësaj edhe faktin që Kosova kryesisht ka eksportuar verës, kur çmimi i energjisë është i ulët, dhe ka importuar dimrit, kur ky çmim është i lartë, del që qytetari i ndershëm i Kosovës ka paguar shumëfish, në vend se të përfitonte nga pasuritë e vendit.
Përderisa Kosova përpëlitet me këto çështje, vendet e rajonit, ku me sukses e ku pa të, kanë arritur të zhvillojnë e realizojnë projekte për ndërtimin e termocentraleve të reja. Ndër to janë termocentrali Stanari, Ugljevik 3, Kostolac B2 e B3, Tuzla 7, Pljevlja II, Kakanj 8, e të tjera, që të gjitha së bashku me kapacitet 4000 MW. Sa për referencë, kontrata e dështuar me Contour Global-in për Kosovën e Re ka parashikuar termocentral me 350 MW. Me fjalë tjera, kapacitetet e reja termoenergjetike në rajon janë dhjetë herë më të mëdha se ato me të cilat shtyhet Kosova, ndërkohë që Kosova prin me pasuri natyrore. Bile, edhe vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së ndërkohë kanë ndërtuar termocentrale, si për shembull Ptolemaida 5 në Greqi e Sostanj në Sloveni, ose edhe më gjërë, si termocentrali Opole e Turow në Poloni, Ledvice në Çeki, e të tjera. Pra, qymyri, nëse arsyetohet si duhet, nuk është tabu. (Armiku i vërtetë i ambientit nuk është qymyri, por qeveritari i korruptuar, ky kriminel ndaj të mirës publike.)
Fatkeqësia më e madhe për Kosovën lidhur me këtë temë është humbja e kohës. Kosova, në vend se gjatë kësaj kohe të kishte një termocentral modern dhe të ishte superfuqi rajonale për prodhimin dhe eksportimin e energjisë, është një vend i varfër, që importon energji, që shfrytëzon termocentrale me ndotje të madhe, vend të cilit i vdesin ata inxhinjerë që me të vërtetë e kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur energjetikën e vendit, dhe vend që nesër do të paguajë çmim shumë më të shtrenjtë për prodhimin e energjisë përmes tregut të karbonit. Se projektet e mëdha dhe të mira për energjinë mund të realizohen e dëshmon lidhja me Shqipërinë përmes interkonjeksionit. Pak para se me të vërtetë të vijë dimri për energjetikën kosovare, do të ishte mirë që t'i vihet gishti kokës e të mendohet e punohet seriozisht për shfrytëzimin e kësaj mundësie për zhvillim. Përndryshe, duke parafrazuar Nolin, qytetari i Kosovës do të jetë pranë qymyrit në terr.
Subscribe to:
Posts (Atom)