2021/06/02
Një shëtitje në oborrin e Archenhold-Sternwarte
Në një kënd të parkut të madh Treptow në Berlin gjendet Archenhold-Sternwarte, një observatorium i ndërtuar para më tepër se një shekull për të vendosur një teleskop gjigand. Observatoriumi emrin e ka marrë nga themeluesi, astronomi Friedrich Simon Archenhold, i cili ju rrek punës së ndërtimit të teleskopit refraktor me 21 metra pasi qarqe shkencore nuk i besuan kur pohonte se kishte vërejtur mjegullnajën Perseu. Ky observatorium ka shërbyer edhe si vend ku janë mbledhur dhe kanë diskutuar koka të mëdha të shkencës dhe ku janë mbajtur ligjërata popullarizuese.
Në këtë observatorium, me 2 qershor 1915, Einstein-i prezentoi për herë të parë publikisht Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Nuk ka shënime që dëshmojnë për atë se çka ka folur Einstein-i në këtë ligjëratë pos titullit Relativität der Bewegung und Gravitation (Relativiteti i lëvizjes dhe gravitacionit), por, duke u bazuar në punën dhe rezultatet e tij, mund të mendohet se ai ka folur për hapësirëkohën, për ekuivalencën në mes të gravitacionit dhe lëvizjes së nxituar, si dhe mund të mendohet se e ka paraqitur përkuljen e rrezeve të dritës nga fusha gravitacionale, ky një parashikim i bazuar në rrjedhën logjike të parimeve në të cilat bazohet teoria e tij. Edhepse ky prezentim ishte popullarizues, mund të ketë pasur vlerë të madhe për Einstein-in, sepse ndërkohë ai bëri disa korigjime dhe plotësime të teorisë, të cilën e prezentoi dhe e publikoi në nëntor si teori të plotë për gravitacionin.
Shpjegimin e parë shkencor për gravitacionin e ka dhënë Newton-i. Para zhvillimit të teorisë njutoniane, njerëzit arsyetonin se lëvizjet në Qiell dhe ato në Tokë udhëhiqen nga ndikime a faktorë natyrash të ndryshme. Newton-i, përmes ligjit të tij për gravitacionin universal, tregoi se i njëjti ekuacion shpjegon lëvizjen e Hënës rreth Tokës dhe të mollës që bie nga pema, prandaj shkriu natyrën e Qiellit dhe Tokës në një dhe tregoi që fizika mund ta shpjegojë atë.
Edhe Einstein-i, përmes Teorisë Speciale të Relativitetit, të cilën e kishe botuar më 1905, bëri një shkrirje të koncepteve me karaktere të ndryshme. Ai shkriu hapësirën dhe kohën në një koncept përbashkues dhe më të përgjithshëm, në atë të hapësirëkohës. Sipas kësaj teorie, shqyrtimi i një ngjarjeje nuk duhet bërë duke e marrë distancën në hapësirë dhe periudhën kohore të ndara nga njëra-tjetra, por duke i shqyrtuar së bashku si elemente të intervalit në hapësirëkohë. Ky interval i hapësirëkohës është invariant për një ngjarje të caktuar; pra, sikurse edhe shpejtësia e dritës, është një madhësi absolute në relativitet. Hapësirëkoha si koncept në fizikë rrjedh nga transformimet e Lorentz-it dhe u paraqit nga kërkesa për të pasur ekuacionet e Maxwell-it formë invariante, pra që fenomenet e lidhura me elektrodinamikën të kenë të njëjtën formë matematike në sisteme të ndryshme inerciale të referencës. Thënë ndryshe, me hapësirëkohën mundësohet që varshmëria funksionale e fushës elektromagnetike ndaj koordinatave të hapësirës dhe kohës të jetë e njëjtë pavarësisht sistemit koordinativ inercial.
Në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit Einstein-i bëri shkrirjen e radhës: bashkoi lëvizjen e nxituar dhe gravitacionin në një fenomen të vetëm. Ky bashkim, i cili u prezentua pra për herë të parë në Archenhold-Sternwarte, pati si rrjedhojë shpjegimin e mekanizmit të gravitacionit, shpjegim që mungonte në teorinë e Newton-it. Me fjalë tjera, teoria e Newton-it mundëson njehsimin e forcës së bashkëveprimit gravitacional në mes të dy trupave, forcë që si e di çdo nxënës i mirë është proporcionale me prodhimin e masave të atyre trupave dhe proporcionalisht e zhdrejtë me katrorin e largësisë në mes tyre, por nuk shpjegon se pse ky bashkëveprim ndodh. Shpjegimi që rrodhi nga teoria e Einstein-it ishte se hapësira përkulej (lakohej) dhe koha rrjedh ndryshe në potencial të ndryshëm gravitacional. Bazuar në ekuacionet e Einstein-it për fushën, kjo përkulshmëri mund të njehsohet nga tenzori i shpërndarjes dhe fluksit të energjisë dhe sasisë së lëvizjes. Fatmirësisht, gjeometria se ku duhet aplikuar ky tenzor dhe njehsuar përkulshmëria ishte punuar dekada më herët nga Riemann-i dhe Einstein-it i mbetej që duke u bazuar në natyrën fizike të problemit të paraqiste tenzorin.
Çdo teori në fizikë duhet të plotësojë dy kushte që të quhet e plotë: të shpjegojë fenomenet dhe të parashikojë rezultatet që eventualisht testohen eksperimentalisht. Teoria e Përgjithshme e Relativitetit ju nënshtrua testit eksperimental menjëherë: së pari duke e njehsuar trajektoren e Merkurit rreth Diellit, pastaj duke e matur përkuljen e rrezes së dritës që vinte nga një yll gjatë eklipsit të Diellit, e më vonë duke e matur zhvendosjen e frekuencës së dritës në potencial të ndryshëm gravitacional, dhe tashmë së fundi - njëqind vjet pas formulimit - edhe duke i matur valët gravitacionale, të cilat buruan nga përplasja e vrimave të zeza. Edhe këto, vrimat e zeza pra, janë rrjedhojë dhe shpjegohen përmes teorisë ajnshtajniane për gravitacionin.
Ndonëse vlerësimi i një teorie përtej saktësisë - për shembull, duke e shqyrtuar bukurinë e saj - është subjektiv, në mesin e fizikanëve ekziston një pajtim i gjërë me pohimin që Teoria e Përgjithshme e Relativitetit është një ndër gjërat më të bukura dhe më të madhërishme që ka bërë mendja njerëzore. Është e domosdoshme që një njeri me kulturë të dijë për të, sikurse që di për një simfoni të Beethoven-it, për një pikturë të Leonardo-s, për një tragjedi të Shakespeare-it, për një teoremë të Gauß-it, për një betejë të Skënderbeut... Thellësia e kësaj teorie qëndron në atë se jep shpjegimin më të mirë që kemi për Gjithësinë dhe historinë e saj.
Einstein-i me të vërtetë relativizoi hapësirën dhe kohën, por kjo nuk do të thotë që edhe ndjenjat janë relative. Gjatë shëtitjes pranë observatoriumit Archenhold, ajo që ishte absolute ishte ndjenja e mungesës së bashkëbiseduesit: ndjeja se do të ishte e mrekullueshme të kisha pranë profesorin Rasim dhe në bashkëbisedim me të në shqip, mu aty pranë vendit ku Einstein-i pat ligjëruar, të mësoja edhe më tepër për relativitetin. Pra, hapësira e koha janë relative, por distanca e madhe në hapësirë dhe kohë me një bashkëbisedues të mirë është absolute dhe ngulfat (për momentin, më duhet të pajtohem vetëm me bisedat online me të). Megjithatë, e ndjej fatin e madh që një kulturë e pazhvilluar mirë, si kultura shqiptare, ka njerëz që e njohin relativitetin për mrekulli. Dy veteranë të këtyre njohurive janë profesori Rasim Bejtullahu, studiues i vjetër i relativitetit dhe autor i librave shkencorë dhe popullarizues për këtë lëmi, libra që hala mund të lexohen me kënaqësi, dhe profesori Halil Sykja në Tiranë, i cili para disa viteve ka botuar një libër për relativitetin për nivele studimi. Pos veteranëve, kultura shqiptare ka nxjerrë Kimet Jusufin, profesor në Tetovë, një studiues i ri, por i afirmuar, i cili shkëlqen me zgjidhjet që ofron për ekuacionet e fushës të Einstein-it. Besoj që një kafe me ta pranë Archenhold-Sternwarte do të shijonte mirë; uroj që ta pimë.