2021/12/19

Kush do ta lexojë fizikën?

Këto ditë MAShTI ka filluar që së bashku me palë të interesit të diskutojë e rishikojë tekstet shkollore që janë në përdorim. Ky projekt është i pakuptim për një mori arsyesh, por në këtë shkrim do të ndalem te vetëm një pyetje: kush do të diskutojë tekstet e fizikës?

Kosova ka një mungesë të hatashme të kulturës së kritikës, të shkrimit mbi shkencën, dhe njohës të fizikës, qoftë si lëmi shkencore, qoftë si lëndë shkollore. Kjo reflektohet edhe në tekstet e këqija shkollore, tekste që karakterizohen me gabime të mëdha shkencore, pos një cilësie shumë të dobët të shkrimit e shtjellimit të lëndës. Ministria dhe autoritetet e arsimit në Kosovë do të duhej të ishin në dijeni për këtë gjendje dhe për pamundësinë e përmirësimit të saj pa një intervenim të fuqishëm. Ky intervenim nga ana e shtetit dhe organizmave "profesionale" ka munguar, përkundër thirrjeve të shumta që kam bërë së bashku me profesorin Rasim Bejtullahu qysh nga koha kur kemi qenë anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe e Tekste Shkollore më 2015/16.

Pas reagimit të para sa vjetëve, tekstet e reja nuk e kanë më gabimin "vala ka masë", por kanë gabime tjera të të njëjtit nivel, në mos edhe më zi. Për këto kam shkruar me kohë, por përgjigjet kanë munguar. Një arsye e kësaj mungese është se nuk ka kush të përgjigjet.

Kur merret parasysh që tekstet shkollore janë shkruar nga profesorë universitarë dhe kanë kaluar procesin e recensionit, si mund të pritet që këto diskutime tash do të kenë ndonjë efekt? Në fakt, më e shumta që mund të pritet janë disa intervenime kozmetike, por problemet me njohjen e lëndës janë të pakapërcyeshme, sepse këto probleme zënë fill qysh në kokat e atyre që janë formalisht në krye të fizikës në Kosovë.

Për ilustrim marr dy shembuj nga libri i fizikës për klasën e shtatë, botuar nga shtëpia botuese Dukagjini dhe aprovuar nga MAShTI. Shembulli i parë ka të bëjë me paraqitjen e sypozimeve mbi të cilat ndërtohet Teoria Kinetike: për dallim nga çka ju servohet nxënësve të Kosovë, në të vërtetë, kjo teori sypozon që grimcat elementare që përbëjnë lëndën nuk bashkëveprojnë ndërmjet veti.

Një ilustrim i dytë i mungesës së njohurive nga fizika të autorëve të këtij teksti është dhënë përmes një shembulli numerik për përhapjen e zërit në mjedise të ndryshme. Shembulli, jo vetëm që ka mungesa pedagogjike, sepse detyra nuk është dhënë e plotë, por nuk ka kuptim as nga ana e fizikës, sepse në situatë praktike zëri nuk do ta arrijë zhytësin në thellësi prej 150 metrash.
Këto probleme nuk janë të çastit, por janë sistematike dhe paraqiten edhe në aktivitete tjera me temë fizikën. Për shembull, një detyrë e garave republikane për fizikë kërkon njehsimin e largësisë së objektit dhe shëmbëllimit real nga thjerra që ka gjatësi fokale 5 cm. Dhe zgjidhja e ofruar është 5 cm, që nuk ka kuptim nëse detyra e paraqet që objekti formon shëmbëllim real. Kjo do të thotë se përpiluesit e kësaj detyre, sikurse autorët e tekstit të mësipërm, nuk e mendojnë situatën nga aspekti i fizikës, por vetëm rrotullojnë përmendësh do numra nëpër formula.
Përfundimisht, fizika në Kosovë nuk ka gojë e as veshë, prandaj ky diskutim i organizuar nga Minsitria është humbje kohe dhe hedhje hi syve të qytetarit.