2021/06/29
Djemtë e harruar
Problemet e arsimit në Kosovë, ndonëse nuk janë unike, janë autentike. Shumë vende të botës kanë kaluar dhe kalojnë nëpër probleme të ngjashme, por ato duhet të identifikohen qartë dhe zgjidhjet të kërkohen në kontekstin kulturor e social të vendit përkatës. Fatkeqësisht, Kosova në çështje të arsimit (dhe shumë tjera) sillet si një cargo cult, duke importuar probleme që s'i ka, e duke mos u marrë me ato që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe të mirë.
Një problem i tillë është ai që ka të bëjë me të ashtuquajturat studime gjinore, dhe veçanërisht me theksimin e gjendjes së keqe të femrave në Kosovë, ndërkohë që gjendja e meshkujve kalohet në heshtje të plotë. MAShT-i, për shembull, për të rregulluar këtë gjendje, ka vendosur që të ndajë bursa plotësuese për vajzat, sepse supozohet se djemtë kanë përkrahje të gjërë. Por, a është ky supozim i bazuar? Këtë nuk mund ta them, por as ministria nuk i arsyeton vendimet e veta, të cilat gjithsesi që kanë një përbërje të madhe populizmi.
Një mekanizëm për të parë gjendjen në terren është raporti i PISA-s. Kam bindjen se këto raporte të vlefshme për politikëbërësit as nuk lexohen e as nuk kuptohen. Përndryshe, si mund të arsyetohet heshtja për rezultatet e shtrembëra që ka Kosova në arsim? Në mesin e këtyre rezultateve është e dhëna që dallimet ekonomike në Kosovë kanë peshë të papërfillshme në rezultatet e nxënësve; me fjalë tjera, nxënësit e pasur kanë rezultate të mira më pak se sishokët e tyre në botë, ndërkohë që nxënësit e varfër kanë rezultate të këqija më pak se sishokët e tyre në botë. Ose, gjendja e mjerë e arsimit në Kosovë është e njëtrajtshme si për të pasurin, ashtu edhe për të varfrin.
Një anomali e rezultateve të Kosovës është edhe te të arriturat e djemëve dhe vajzave. Përderisa në vendet e OECD djemtë kanë rezultate më të mira se vajzat në matematikë, në Kosovë rezultatet e djemëve dhe të vajzave janë të ngjashme. Në shkencë, vajzat e Kosovës kanë rezultat dukshëm më të mirë se djemtë, ndërkohë që ky dallim në vendet e OECD është i vogël. Pra, nxënëset në Kosovë janë shumë më mirë me mësime se nxënësit. Ky rezultat do të duhej të ndikojë që ministria të përqendrohet në përmirësimin e gjendjes së djemëve, të shqyrtojë se ku e tek është defekti dhe si mund të intervenohet.
Problemet me djemtë në Kosovë janë të vjetra dhe kërkojnë vëmendje të madhe të studiuesve të shoqërisë. Këto probleme mund të kenë fill qysh gjatë viteve të 90ta, kur djelmëria i ikte ndjekjes së ushtrisë dhe luftës, e më pastaj gjatë viteve të para të pasluftës, kur llojlloj vagabondi e banditi ishte modeli shembull i një djali të suksesshëm. Njëjtë ka vazhduar gjendja edhe me ngritjen në pushtet, pasuri, autoritet, e pozita akademike të shumë politikuajve, që i kanë fituar këto të mira me hile. Një djalë i ri në Kosovë e sheh jetën duke i fishkëlluar me vrull përpara, pa e pasur mundësinë të vërejë çmimin e gabimit që dikur do të shpaguhet. Dhe vendi, në ndërkohë, nuk lëviz aspak nga mjerimi në të cilin është i zhytur.
Zgjidhja, si gjithnjë, është më e thjeshtë se komplikimet që importohen. Ministria e arsimit duhet ta shqyrtojë gjendjen në terren dhe të kërkojë zgjidhje që i përshtaten kulturës vendore, e jo të adaptojë zgjidhje ndërkombëtare për probleme që janë minore në vend. Djemtë në Kosovë kërkojnë përkrahje, nëse jo materiale, atëherë së paku kërkojnë një shembull të punës e sjelljes që mund ta adaptojnë, e që ju sjell një jetë të dinjitetshme. MAShT-i deri tash ka dështuar ta bëjë këtë në sektorin që kujdestaron.