2021/12/24

Dy fjalë për Luca Valerio-n

Emrin e Luca Valerio-s (1552 - 1618) e kam hasur për herë të parë duke lexuar për Skënderbejadën e Margherita Sarrocchi-t. Se pse e gjej me interes këtë emër do ta shtjelloj në vijim, por së pari nja dy fjalë për këtë poeteshë dhe veprën e saj.

Margherita Sarrocchi (1560 - 1617) ka qenë një humaniste e vërtetë e Renesansës, kontribuese e shquar jo vetëm në kulturë e letërsi, por edhe në studimin e matematikës dhe natyrës. Ajo ka qenë anëtare e disa prej akademive më me nam e ndikim, një ndër femrat e vetme apo të para akademike në Napolin e Romën e asaj kohe. Vlen të shënohet se Margherita Sarrocchi ka qenë edhe bashkëbiseduese me Galileo Galilei-n e madh, të cilin e ka konsultuar për çështje që kishin të bëjnë me matematikën, shkencën, teologjinë dhe artin. Bile, ajo e kërkon mendimin e tij për Skënderbejadën, kërkesë të cilën Galilei e refuzon duke kërkuar falje e mirëkuptim, sepse gjendjen shëndetësore nuk e kishte të mirë.

Skënderbejada e Sarrocchi-t mbetet e shënuar si poema e parë epike e shkruar nga një femër. Si vepër letrare, meritat e kësaj poeme tashmë janë kapërcyer, por vlera e saj historike është e madhe. Një trajtim të kontekstit historik se kur e ku u shkrua kjo vepër e bën Rinalinda Russell, e cila e ka përkthyer dhe ribotuar Skënderbejadën më 2006. Ky studim përmend Luca Valerio-n si një ndër personazhet kryesore në jetën e Sarrocchi-t, bile edhe si motivuesin e shtytësin kryesor për realizimin e Skënderbejadës.

Një fusnotë në studimin e Russell-it tregon se zgjedhja e motivit për poemë, pra luftat hynjore të Skënderbeut, mund të jenë nxitur nga prejardhja arbërore e Valerio-s. Sipas shënimeve, e ëma e Luca Valerio-s ka qenë Giovanna Rodomani nga një familje fisnike epirotase e Korfuzit. Fusnota poashtu shënon se italianët e kohës së rilindjes europeane e quanin Shqipërinë Epir apo Maqedoni. Me një fjalë, ka arsye të fuqishme të thuhet se arbnori Luca Valerio qëndron prapa një ndër veprave të rëndësishme të renesansës që ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kulturën shqiptare.
Luca Valerio ka qenë një ndër matematikanët më të mëdhenj të kohës, person me ndikim në qarqet shkencore, intervenues dhe bashkëbisedues me Galilei-n. Emri i tij është në kulmin e historisë së matematikës që u zhvillua para njehsimit diferencial dhe libri i tij De centro gravitas solidorum, ku njehsonte qendrat e rëndesës së trupave të ngurtë, i parapriu konceptit të limitit dhe këtyre njehsimeve me metodën e integraleve.

Njehsimi infinitezimal është një ndër të arriturat më të mëdha të mendjes njerëzore dhe bazamenti i tij si degë e matematikës u formulua i plotë nga Newton-i e Leibnitz-i, diku nja njëqind vjet pas vdekjes së Luca Valerio-s. Kjo degë e matematikës nuk piku nga qielli, në fakt u kurorëzua nga Newton-i, Leibnitz-i, e të tjerë, edhe falë punës së madhe të shumë emrave paraardhës nga historia. Fillet e njehsimit infinitezimal gjenden në antikë, te puna e Arkimedit, i cili e njehsonte sipërfaqen e figurave duke i zbërthyer ato në një numër gjithnjë e më të madh trekëndëshash gjithnjë e më të vegjël. Kapërcimi i madh nga puna e Arkimedit te ajo e Newton-it e Leibnitz-it ishte futja e konceptit të limitit. Këtë koncept nuk e arriti as Luca Valerio, por disa elemente primitive të tij arriti që t'i përdorte. Teknikat matematike që i zhvilloi Luca Valerio i mundësuan atij njehsime që ishin shumë të vështira për matematikanët e kohës dhe puna e tij ishte aq impresive sa që Galilei e quajti Arkimed të kohës.

Limiti e zgjidh një ndër problemet më të mëdha të mendimit njerëzor, problemin e vazhdueshmërisë. Rrjedhimisht, në njëfarë forme, limiti zgjidh problemin e infinitit. Se ky nuk është një problem trivial mund të ilustrohet me një nga paradokset e famshme të Zenonit: Akili është prapa breshkës dhe vrapon shumë më shpejt se ajo, e pyetja është a do ta arrijë ai atë ndonjëherë. Kur Akili e arrin pozitën fillestare të breshkës, breshka ndërkohë është zhvendosur sado pak. Ky proces përsëritet e përsëritet deri në pafundësi dhe si rrjedhim fitojmë përfundimin paradoksal që Akili kurrë nuk mund ta arrijë breshkën.

Koncepti i limitit është i mishëruar me konceptin për pafundësisht të voglën apo pafundësisht të madhen. Por, këto koncepte nuk kanë qenë të pranuara si pjesë e matematikës që antikët e konsideronin si ideale. Edhe vetë Arkimedi, kur njehsonte syprinat e sipërfaqeve duke i ndarë ato në pjesë të vogla, pas njehsimit e kërkonte vërtetimin gjeometrik që e dërgonte te rezultati që kishte fituar më parë.

Nga ana tjetër, pafundësisht e vogla mund të shërbejë si themel i idesë së të pandashmes, apo atomit filozofik të Leukipit e Demokritit. Futja e atomit, nga ana tjetër, e bën idenë e konvertimit të një lënde në një tjetër të pamundur dhe këtu lind konfliki i madh teologjik për kungatën. Me fjalë tjera, nëse përkrahet ideja që atomet ekzistojnë, atëherë buka e vena që merret në Kishë gjatë kungimit nuk mund të jenë trupi e gjaku i Krishtit.

Ky argument u përdor fuqishëm nga jezuitët, që ishin mësues të Luca Valerio-s, për të sulmuar Galilei-n dhe ndjekësit e tij. Gjatë këtij sulmi, Luca Valerio u gjet në mes të dy zjarreve. Ai kishte kaluar një jetë të tërë duke u munduar me sukses të lakmueshëm që të pajtojë mësimet e Galilei-t dhe doktrinën fetare të jezuitëve, por më 1616 jezuitët arritën të ndërtojnë një rast të suksesshëm kundër. Luca Valerio reagoi në mënyrë jo karakteristike duke i mbrojtur jezuitët e duke u pozicionuar kundër Galilei-t. Ky qëndrim u gjykua si i gabuar nga kolegët e tij, kështu që Luca Valerio së shpejti u largua apo përjashtua tërësisht nga pozitat akademike dhe jeta e studiuesit. Nuk shkoi gjatë dhe ai vdiq, një vit pasi kishte vdekur Margherita Sarrocchi, pa e parë botimin e Skënderbejades.

Testamenti i Luca Valerio-s i lihet Giovanni Latini-t, i cili botoi Skënderbejadën më 1623. Mund të arsyetohet se Luca Valerio ka pasur ndikim të fuqishëm në këtë botim, jo vetëm për sa i përket tematikës apo stilit të shkrimit, për të cilin ky komunikon shpesh edhe me Galilei-n, por edhe për botimin e veprës. Jeta e tij, që përfundon si një tragjedi e antikës, megjithatë la një shenjë të mirë për shqiptarët. Fatkeqësisht, emri i tij nuk është popullor në kulturën tonë dhe më duket se kemi të bëjmë me një burrë të madh për ne të humbur në histori.