2021/08/23

MAShTI dhe lehtësia e lojës me ligj

Këto ditë MAShTI ndodhet para situatës ku mban qëndrime diametralisht të kundërta karshi ligjit: kur aprovohen tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës, MAShTI ka vendosur të veprojë në kundështi me ligjin, ndërsa kur është fjala për hedhjen e themelit të Universitetit të Prishtinës në Mitrovicën Veriore, gjë që bëhet me sponsorizimin e Serbisë, MAShTI ka vendosur të fshihet pas ligjit, edhepse disponimi i publikut është i kundërt.

Së pari për tekstet shkollore. Këto MAShTI i aprovon dhe i blen pas një konkursi të hapur, i cili zhvillohet me rregulla të shprehura qartë në Standardet për Tekstet Shkollore, dokument ky i aprovuar nga ministria qysh më 2011. Ky dokument thotë se bazë për miratimin e një dorëshkrimi të dorëzuar në konkurs është që ai të vlerësohet me vlerën minimale 3 në të gjitha standardet, në shkallën e notimit nga 0 deri në 4 (janë edhe disa kushte tjera, të parëndësishme për argumentin që shtjellohet këtu). Lista e teksteve të miratuara sivjet gjendet në faqen e Ministrisë. Ky dokument është shumë i paqartë dhe nuk e specifikon se cili tekst kalon e cili jo, por veprimi në terren është që dorëshkrimet e shënuara me të gjelbër mund të shqyrtohen për përdorim nga drejtoritë komunale të arsimit, nga shkollat, dhe nga arsimtarët e lëndëve gjegjëse. Lista përfshin një numër të madh dorëshkrimesh që nuk e kanë kaluar pragun për miratim sipas Standardeve, pra nuk e kanë notën 3 e më lartë.

MAShTI mund të arsyetohet se me këtë qasje fleksibile ndaj ligjit dhe rregullave po ofron mundësi më të shumta për arsimtarët. Se sa qëndron kjo nuk po e diskutoj, por dua të vë në pah se në këtë rast ministria qarkullon shuma të mëdha parash me shtëpitë botuese.

Tash për universitetin. Serbia, pasi e okupoi Universitetin e Prishtinës gjatë viteve '90, na përzuri nga objektet e institucioneve arsimore dhe na pat detyruar të improvizonim mësimin nëpër shtëpi-shkolla. Pas luftës dhe kthimit në institucione, Serbia e zhvendosi përkohësisht universitetin nga Prishtina në Mitrovicën Veriore dhe aty vazhdon ta mbajë këtë universitet në funksion të plotë dhe paralel me institucionet e Kosovës. Këto ditë, bile, Serbia ka hedhur gurthemelin e ndërtesës së re të këtij universiteti.

Vërejtjeve të partive opozitare për këtë gjendje, ju përgjigj zv.ministri i Qeverisë së Kosovës në Ministrinë e Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili u thirr në ligje, për të cilat i fajësoi partitë opozitare, meqë ligjet janë aprovuar kur ato kanë qenë në pushtet. Zgjedhja e këtij zv.ministri për t'u marrë me këto punë është e mençur, sepse vetëm një pakurrizor si ai mund të bëjë fiskultura intelektuale që nisen diku e përfundojnë krejt diku tjetër, dhe atë pa asnjë pasojë a thirrje në përgjegjësi.

Natyrisht, intervenimi i drejtë lidhur me çështjen e universitetit të Serbisë në Kosovë është çështje e vështirë, dhe - çka ndoshta është më e rëndësishmja - pa qarkullim parash të kontrolluara nga Qeveria a Ministria.

Pra, varësisht nga rrethanat, ligji mund të shërbejë si pahitëse kundër hajnisë, apo si mburojë kundër veprimit.