2021/05/10

Notë e dobët për heqjen e notimit

Vlerësimi është një procesi sistematik përmes të cilit përcaktohet vlera, rëndësia dhe cilësia e një subjekti në shqyrtim. Vlerësimi bëhet duke e krahasuar performancën e subjektit ndaj asaj që kërkohet apo pritet që subjekti ta bëjë për rrethanat e caktuara.

Vlerësimi është edhe kryefjala e çështjeve të ditëve të fundit në arsimin e Kosovës, dhe atë për dy çështje të ndryshme: 1. atë që quhet si vlerësim apo testim i mësimdhënësve, dhe 2. heqjen e notimit për nxënësit e klasëve fillore. Për të dy rastet ka paqartësi, por në vija të trasha kuptohet se Qeveria Kurti 2 kërkon një shqyrtim të performancës së mësimdhënësve dhe lehtësim të stresit te nxënësit. Për të parën u bë zhurmë e madhe, kurse e dyta po kalon në heshtje të frikshme - e frikshme sepse po përvidhet pa një trajtim të merituar.

Pa marrë parasysh detajet e realizimit të këtyre kërkesave, filozofia e tyre është kontradiktore, edhepse e lëviz pikën e përqëndrimit në vlerësim nga nxënësi te mësimdhënësi. Duke u nisur nga përkufizimi i vlerësimit të dhënë në paragrafin e parë, vlerësimi duhet të jetë pjesë përbërëse e punës në shkollë në të gjitha etapat e mësimdhënies dhe nxënies. I cilësoj si kontradiktore këto kërkesa, se nuk kam lexuar që kjo lëvizje në arsim është për të krijuar një shpërndarje më të mirë të stresit apo cilësisë, pra nuk më duket se në situatën e dhënë mund të luftohet stresi në një anë duke e shtuar në tjetrën.

Sistemi arsimor i Kosovës i ka disa mekanizma për vlerësimin e punës së mësimdhënësit. Ky vlerësim do të duhej të kryhej nga inspektorët e arsimit, drejtori i shkollës, aktivi i lëndës, por vërehet se efikasiteti i kësaj pune nuk është i kënaqshëm. Se a duhet të zhvillohet një formë e re për vlerësimin e mësimdhënësve apo të rivitalizohen ekzistueset, nuk më duket se ka një përgjigje të prerë e të arsyetuar mirë.

Më shqetësuese është ideja e largimit të notimit si forma dominuese e vlerësimit të nxënësit fillor. Përgjatë historisë së shkurtë të arsimit, Kosova ka pasur disa sisteme të ndryshme të notimit. Një kohë lëndët kanë qenë të ndara në ato me peshë më të madhe dhe që notohen me nota numerike, si për shembull matematika e gjuha, dhe ato që vinin në rend të dytë dhe që merrnin nota përshkruese, si arti e sporti. Në një kohë tjetër, të gjitha lëndët u barazuan në formë të notimit, ndërsa një ndër eksperimentet më interesante ishte ai që nuk panonte notë përsëritëse për nxënësin. Analiza e këtyre varieteteve të notimit dhe rezultati e efekti i tyre është vështirë të caktohet, sepse arsimi është sistem shumëdimenzional dhe varet edhe nga faktorë tjerë, psh përgatitja e mësuesve, planprogrami, infrastruktura, ..., por megjithatë një efekt a ndikim i formave të notimit mund të nxirrej. Nuk më duket se kjo është bërë, sidomos lidhur me efektet e kalimit të nxënësve pa arritur edhe nivelin minimal të njohurive (anulimi i ngeljes). [1]

Ideja e zbutjes së stresit përmes zbehjes së testimit apo notimit nuk është e re dhe është përmendur më parë edhe në kontekstin e arsimit kosovar. Problemi me këtë shfaqet në dy pika:
  1. cila është alternativa?, dhe
  2. si ndikon heqja e testimit apo notimit në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies e nxënies?
Përderisa për pikën e parë nuk ka shumë të dhëna, pika e dytë gjen përgjigje të qartë: notimi dhe testimi nuk janë faktorë që e dëmtojnë arsimin. Përkundrazi, zbutja e kriterit në notim sjell dëmtim (Literatura që trajton këtë është e madhe, por një studim i kohëve të fundit që vjen te ky përfundim është Rahman, 2021. Shënim: edhepse studimi është për nivele të larta të shkollimit, përfundimet nga ky studim mund të zgjerohen edhe për nivelin fillor, sepse ky nivel nuk është kujdestarí, por shkollim).

Si e thotë edhe vet përfkufizimi i fjalës vlerësim, ky proces e cakton vlerën dhe meritën e një subjekti - në rastin konkret të notimit, njohuritë e nxënësit për një lëndë të caktuar - përballë standardeve të vendosura. Nëse këto standarde janë të vështira apo jo, nëse këto ju përgjigjen nevojave dhe realitetit të vendit apo jo, mbetet për t'u diskutuar, por arsyetimi me largimin e notimit për punë të stresit nuk dëshmon për zhvillime të mira në arsim.

Në vend se të largohet notimi, sistemi arsimor duhet të veprojë që të ndryshojë bindjen e shoqërisë për shkollimin dhe sidomos certifikimin apo diplomimin. Në rrethanat e sotme, Kosova kërkon diplomë për shitës në supermarkete! Diploma, në fakt, duhet të jetë dëshmi që bartësi i saj ka aftësi të caktuara analitike e të të menduarit, ka njohuri të përgjithshme për çështjen ku ka diplomuar, dhe që mund të kryejë detyra lidhur me atë lëmi. Të punosh shitës nuk i kërkon asnjë nga këto.

Me fjalë tjera, stresi nuk më rezulton se buron nga notimi, por nga rëndësia që i jepet atij, dhe kjo rëndësi është e deformuar. Ky deformim më së miri vërehet në diskutimin se çfarë note ka marrë nxënësi, karshi pyetjes se çka dhe si ka mësuar. Një sistem i shëndoshë përqëndrohet në të dytën dhe i ndërton standardet në pajtim me të. Nuk është as e nevojshme e as e arsyeshme që një nxënës të jetë i shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët për të gjitha vitet, sepse ato kanë kërkesa të ndryshme, të cilat një njeri me zhvillim normal - dhe ky është ai të cilit i kushtohet sistemi arsimor - nuk i mbërthen. Një mënyrë që mundëson relativizimin e kësaj është notimi në lakore, formë që nuk është provuar në Kosovë - pra, mundësitë për mbajtjen e notimit, por zbutjen e stresit që ky përcjell, nuk janë shterur.

Largimi nga notimi jep shenjë që sistemi arsimor në Kosovë e pranon largimin nga vlerësimi përmes standardeve si metodë e arsyeshme për zhvillimin e qytetarit të përgjegjshëm. Kjo është një bindje dhe ndërmarrje e rrezikshme për ardhmërinë e vendit dhe fëmijëve.

[1] Një shkrim shumë i mirë për efektin e keq që ka zbutja e notimit në cilësinë e shkollimit është ky i Shane Trotter dhe diskutimet rreth tij.