2021/12/13

Të kesh të drejtë apo të ndihesh mirë?

Programi për arsimin në Amerikë është duke pësuar disa ndryshime interesante, por kjo s'është për t'u çuditë, sepse Amerika vazhdimisht ka eksperimentuar me shkollën. Duhet pasur parasysh se sa e madhe është ajo, sa lehtë i absorbon ndryshimet, sa lehtë adaptohet, punon me to dhe i mirëmban.

Ndryshimet e fundit atje janë duke e çarë shkollën në dy grupe përjashtuese, të cilat në një kategorizim të vrazhdë do të mund të mendoheshin si filozofi arsimore që kërkon nga shkolla përgatitjen *për të pasur të drejtë* dhe filozofinë *për t'u ndier mirë*. Kjo më së miri vërehet në programin e matematikës, sepse lënda e saj është e atillë që detyrimisht përfundon në atë se a ke apo jo të drejtë në arsyetim (e saktë, e pasaktë), por për më tepër, matematika është lëndë që shkakton dhembje të mëdha në përvetësimin e saj. Kujto që qysh grekët e lashtë e kanë ditur se s'ka rrugë mbretnore për matematikë, pra përvetësimi i matematikës detyrimisht kërkon punë e djersitje si skllav.

Disa programe të reja që po futen në matematikën amerikane janë të tilla që tentojnë t'i bëjnë nxënësit të ndihen mirë, edhe nëse ata njehsimet i kanë gabim. Një ilustrim i kësaj është zëvëndësimi i kalkulusit me lëndë më të buta, si data science, përvetësimi i të cilave e jep ndjenjën false se dikush di diçka.

Kosova tashmë ka adaptuar - pavetëdijshëm, do të shtoja - disa pika të këtyre filozofive, gjë që mund të vërehet nga programet e shumta të MAShTI-t, por një shembull interesant ilustrues janë bursat. Shpërndarja e bursave në MAShT është fokusuar te lëndët teknike (kushtimisht thënë, në shkolla për të pasur të drejtë), por edhe i ka veçuar vajzat si përfituese më të gjasshme (shkolla për t'u ndier mirë). Pede se si do të dalë ky eksperiment në Kosovë, vend ku shumica dërrmuese e atyre që e kanë kryer shkollimin e lartë, por edhe mësuesve, nuk janë në gjendje ta shkruajnë një fjali pa një kamion gabime drejshkrimi, e lëre më për thellësi a origjinalitet mendimi.

Kultura vendore pa diskutim që ka rrëshqitur drejt nevojës për t'u ndier mirë, kurse të pasurit të drejtë nuk shfrytëzohet për zhvillimin e vendit, por për luftë tifozësh në politikë e atë pak kulturë që bëhet.