2021/04/23
Dimri dhe terri?
Shqiptari Carpe diem-in e latinit e shpreh përmes vërejtjes një herë vjen vera kah dera. Në rastin e përdorimit të qymyrit si pasuri natyrore e Kosovës, duket që vera shkoi dhe tash po vjen dimri. Këtë e bazoj në mungesën e disponimit në Europë dhe botë për përkrahjen e termocentraleve, bile në kundërshtimin e fuqishëm të tyre.
Që mundësia e Kosovës për të prodhuar energji nga burime tjera pos qymyrit është e varfër dëshmon edhe përkrahja që Kosova ka marrë dikur nga organizata të ndryshme për ndërtimin e termocentralit (psh Banka Botërore), edhepse mu ato organizata kanë qenë dhe janë kundërshtare të mëdha të prodhimit të energjisë nga qymyri. Sot kjo përkrahje më nuk ekziston. Nga ana tjetër, edhe studimet më optimiste për prodhimin e energjisë nga burimet alternative (jofosile) tregojnë që Kosova mund të mbulojë më së shumti 50% të nevojave të veta me energji nga burimet alternative, dhe atë pa marrë në konsideratë transportin (në Kosovë, emetimet e gazrave nga veturat janë të të njëjtit rend të madhësisë me ato nga termocentralet).
Zhvillimet e fundit me ndërtimin e hidrocentraleve nëpër lumenjtë e vegjël rrjedhës të Kosovës dëshmojnë se edhe teknologjia më efikase e prodhimit të elektricitetit, më e lira, më e mbajtshmja (e qëndrueshmja), dhe më miqësorja për ambientin, pra hidroenergjia, nuk garanton situatë më të mirë për shoqërinë. Njëjtë vlen edhe për biomasën (drurin), i cili vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i energjisë në vend, por rrezikshëm në kufinj të ripërtrirjes. Me fjalë tjera, gjendja nuk është bardh e zi për përdorimin e alternativave, për faktin se nuk mund të veprohet kundër ligjeve të natyrës: njeriu do energji elektrike dhe përfitimi i saj gjithsesi që do të shkaktojë çrregullim diku.
Sa për burimet fosile, thuhet se sasia absolute e qymyrit që ka Kosova e radhit këtë në top 10-15 vendet e para të botës. Për një gjë nuk ka dyshim dhe ajo është që Kosova ka qymyr të mjaftueshëm për nevojat e veta edhe për së paku 50 vitet e ardhshme. Mundësia më e mirë e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore është prodhimi i energjisë elektrike, edhepse ekziston edhe mundësia tjetër që qymyri të mos shfrytëzohet në Kosovë, por t'i shitet vendeve tjera.
Çështja është se para se të shterohet apo shitet qymyri, po shterohet vullneti dhe mundësia për përdorimin e tij si burim të energjisë. Kjo falë ndryshimeve klimatike që shkakton djegia e qymyrit dhe lirimi i dioksid karbonit e gazrave e grimcave tjera të dëmshme për ambientin dhe shëndetin, të cilat e kanë ndryshuar edhe klimën politike nga ajo zhvillimore drejt asaj ambientaliste.
Problemi i energjisë është problem shumë i vështirë dhe kërkon edhe shqyrtim nga disa aspekte të ndryshme shoqërore, përpos asaj teknologjike. Një ndër to është levërdia ekonomike, e cila duhet të llogarisë bilancin në mes të dobisë shoqërore e përfitimit ekonomik nga prodhimi i energjisë dhe shpenzimeve nga dëmtimi i shëndetit të qytetarëve e ambientit. Një aspekt tjetër është ai i sigurimit të energjisë nga brenda vendit, përballë nevojës së sigurimit të energjisë përmes importit, gjë që do të shkaktonte humbjen e një pjese të pavarësisë në raport me vendet prej nga sigurohet energjia.
Edhe një herë: Kosova të vetmen zgjidhje me vlerë për t'i adresuar të dyja këto pika e ka ndërtimin e një termocentrali. Por, duket se kjo mundësi po zbehet gjithnjë e më shumë, e për më tepër, nëse merret parasysh koha e humbur, kjo mundësi po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Dhe kam frikën që në të gjitha diskutimet që bëhen rreth mundësive zhvillimore të vendit, koha nuk merret parasysh. Rëndësia e saj bëhet më e dukshme mu në rastin e zhagitjes dhe dështimeve të ndërtimit të një termocentrali.
Jeta mesatare e një termocentrali llogaritet të jetë rreth 30 vjet, ndonëse ato dizajnohen për punë deri në 50 vjet. Termocentralet që sot funksionojnë në Kosovë o e kanë kaluar këtë moshë moti, o janë aty pari, pra në pleqëri të thellë. Ato vazhdojnë të punojnë falë arnimeve e riparimeve që ju janë bërë gjatë 20 viteve të fundit, ndërkohë që vazhdojnë të shkaktojnë ndotje më të madhe dhe të punojnë me efiçiencë më të vogël se sa janë normat e termocentraleve moderne.
Planet për ndërtimin e një termocentrali të ri, herë të quajtur Kosova C, e herë Kosova e Re, janë më se 15 vjet të vjetra. Nëse llogaritet që ndërtimi i një termocentrali kërkon maksimumin nja 5 vjet dhe nëse politikat dhe zbatimi i tyre në Kosovë do të ishte bërë si duhet, rrjedh që Kosova tashmë do të kishte pasur afër gjysmës së jetës së vet një termocentral modern dhe të dobishëm për qytetarët. Për më tepër, gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova ka qenë net importues i energjisë. Shtoja kësaj edhe faktin që Kosova kryesisht ka eksportuar verës, kur çmimi i energjisë është i ulët, dhe ka importuar dimrit, kur ky çmim është i lartë, del që qytetari i ndershëm i Kosovës ka paguar shumëfish, në vend se të përfitonte nga pasuritë e vendit.
Përderisa Kosova përpëlitet me këto çështje, vendet e rajonit, ku me sukses e ku pa të, kanë arritur të zhvillojnë e realizojnë projekte për ndërtimin e termocentraleve të reja. Ndër to janë termocentrali Stanari, Ugljevik 3, Kostolac B2 e B3, Tuzla 7, Pljevlja II, Kakanj 8, e të tjera, që të gjitha së bashku me kapacitet 4000 MW. Sa për referencë, kontrata e dështuar me Contour Global-in për Kosovën e Re ka parashikuar termocentral me 350 MW. Me fjalë tjera, kapacitetet e reja termoenergjetike në rajon janë dhjetë herë më të mëdha se ato me të cilat shtyhet Kosova, ndërkohë që Kosova prin me pasuri natyrore. Bile, edhe vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së ndërkohë kanë ndërtuar termocentrale, si për shembull Ptolemaida 5 në Greqi e Sostanj në Sloveni, ose edhe më gjërë, si termocentrali Opole e Turow në Poloni, Ledvice në Çeki, e të tjera. Pra, qymyri, nëse arsyetohet si duhet, nuk është tabu. (Armiku i vërtetë i ambientit nuk është qymyri, por qeveritari i korruptuar, ky kriminel ndaj të mirës publike.)
Fatkeqësia më e madhe për Kosovën lidhur me këtë temë është humbja e kohës. Kosova, në vend se gjatë kësaj kohe të kishte një termocentral modern dhe të ishte superfuqi rajonale për prodhimin dhe eksportimin e energjisë, është një vend i varfër, që importon energji, që shfrytëzon termocentrale me ndotje të madhe, vend të cilit i vdesin ata inxhinjerë që me të vërtetë e kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur energjetikën e vendit, dhe vend që nesër do të paguajë çmim shumë më të shtrenjtë për prodhimin e energjisë përmes tregut të karbonit. Se projektet e mëdha dhe të mira për energjinë mund të realizohen e dëshmon lidhja me Shqipërinë përmes interkonjeksionit. Pak para se me të vërtetë të vijë dimri për energjetikën kosovare, do të ishte mirë që t'i vihet gishti kokës e të mendohet e punohet seriozisht për shfrytëzimin e kësaj mundësie për zhvillim. Përndryshe, duke parafrazuar Nolin, qytetari i Kosovës do të jetë pranë qymyrit në terr.