2021/08/31

Një shembull për një varg anomalish

Zhvillimi i politikave arsimore dhe shkencore në Kosovë bëhet në mënyrë rastësore dhe pa asnjë thirrje në përgjegjësi. Një shembull i dhimbshëm i kësaj është mosakreditimi i programit të elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës. Ky mosakreditim zbulon disa anomali, të cilat bërtasin për analiza të mirëfillta dhe thirrje në përgjegjësi.

Së pari, programi i elektroenergjetikës u propozua nga i ashtuquajturi Fakulteti Teknik, i cili është një ndër faklutetet më të vjetra të UP-së, dhe njëherit do të duhej të ishte më stabili në punën e vet. Më pastaj, strategjitë e shumta për arsimin që zhvillon Kosova potencojnë me të madhe plotësimin e nevojave të tregut të punës. Kjo nevojë për inxhinjeritë e lidhura me prodhimin e energjisë është e mirënjohur në vend. Së treti, Programi Kombëtar për Shkencën, i përpiluar më 2011, e ka vënë përdorimin e mineraleve dhe energjinë si prioritet për shkencën e vendit. Për ta përmendur edhe një anomali, raporti për mosakreditim përmend që aplikuesi e ka plotësuar standardin për hulumtime shkencore, por jo atë për staf akademik.

Dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës në arsim dhe shkencë do të duhej të përcilleshin me një thirrje në përgjegjësi të akterëve, expertëve që merren me këto punë. Por jo: profesorët e teknikut vazhdojnë punën - e cila përmblidhet në marrjen e rrogës - të papenguar; strategjitë vazhdojnë të punohen e përpunohen, sepse askush nuk di si të veprojë më mirë, ndërkohë që mëditjet janë të majme; tregu i punës valëvitet si motiv për arsim, bile edhe për shkolla të ciklit të ulët; ministra e ish-ministra vazhdojnë premtimet, të cilave zor që ju besojnë edhe ata vetë; kurse Kosova zhvillohet si një vend kafkian, i zhytur në formalitete e protokolle të (mos)akreditimit, thuajse kjo është vula e parë dhe e fundit për vlerën e diçkasë.

Mosakreditimi i këtij programi të rëndësishëm për vendin, si nga aspekti arsimor-shkencor, ashtu edhe ekonomik, nuk është në vete anomali: askush nuk mund të presë që profesorë të deklasuar, njerëz të pazanat, sharlatanë e ekspertë të shtirur, do të mund të ndërtonin një program të mirë studimi e aftësimi profesional. Mosakreditimi, në fakt, zbulon ecjen ad hoc të Kosovës
  • qysh kur i bazon politikat arsimore në treg të punës, ndonëse puna e vetme e të gjithë atyre që i promovojnë këto pallavra ka qenë vjelja e fondeve;
  • apo qysh kur mendon se mund të zhvillojë shkencë me shkencëtarë sharlatanë;
  • apo kur futet në procese burokratike lehtë të manipulueshme, e që japin rezultate pa asnjë kuptim. (E kam të paqartë se si shpjegohet që kriteri i hulumtimeve për programin e elektroenergjetikës është përmbushur, kurse ai për staf akademik jo!)

Ato figura impozante që arritën të mbushin dokumente, sot vazhdojnë njëjtë, sepse asnjëherë nuk iu kërkua të përgjigjeshin për dështimet serike. Kjo gjendje duket se do të vazhdojë, sepse thirrja në përgjegjësi nuk është në rend të ditës.