- Kosova, edhepse shtet i ri... - të gjitha shtetet e rajonit, hiq Shqipërinë, Greqinë e Bullgarinë, janë të reja!
- ...istitucione akademike me traditë mbi 50 vjeçare... - vetëm Mali i Zi ka universitet më vonë se Kosova, të gjitha të tjerat janë me universitete më të hershme, pra për çfarë përparësie është fjala?
- sektorë ekonomikë në ngritje, sidomos në TIK... - hajnitë më të mëdha në vend janë bërë në sektorin e komunikacionit, bile vendi sapo e fitoi një gjykim tash.
- popullsi me moshë të re mesatare ... - jo, nuk ka moshë të re mesatare, por moshë mesatare të re, o shkencëtarë që s'jeni në gjendje t'i rrotulloni dy thyesa.
- Akademi ... - hahahahahahahahahaha, kemi akademi për lakmi...
- diasporë me të arritura ... - çdo vend i rajonit e ka diasporën akademike më të fuqishme se Kosova...
582
2023/05/14
Komente mbi Draft-Programin për Shkencë
Pas shpalljes së Programit Kombëtar të Shkencës për diskutim publik, bëra një seri reagimesh nga data 7 e deri më 15 prill. Më poshtë janë reagimet e përmbledhura.
***
Mu para një viti pata dhënë dorëheqje nga Këshilli Kombëtar për Shkencë dhe sot, kur lexoj Draftin e Programit të Shkencës që ky Këshill ka përgatitur për Kosovën, jam më krenar se kurrë për atë dorëheqje.
Si kam shkruar më herët, Këshilli mbizotërohet nga njerëz të këqinj, karrieristë të poshtër, njerëz që s'ia duan të mirën as vendit, e as punës e profesionit të vet. Kundërshtitë dhe diskutimet që i kam bërë në Këshill kanë kërkuar vetëm një gjë: mendim autentik dhe me bindje të atyre figurave që pretendojnë t'i japin vijë shkencës në vend. Por jo, ata kanë qenë nën kontrollin e hileve dhe turrit për t'ju treguar komisarëve partiak e skllavopronarëve që ju shërbejnë se janë duke i kryer detyrat me devotshmëri. Kjo sepse ju mungon kapaciteti i trurit për të kuptuar të Drejtën e të Mirën, e guximi për të vepruar.
Se ato kafka që e kanë shkruar draftin punojnë në shabllon dëshmon edhe ftoja e bashkëngjitur. Këshilli, si një kor papagajsh, i kanë përkthyer në një shqipe kaba që ta kujton UNMIK-un slloganet e shabllonet që bota ka filluar t'i hedhë në koshin e bërllogut, aty ku e kanë vendin. Ky Këshill ka punuar pa e marrë mundin që ta shohin se si është gjendja në vend. Ja, shkruajnë se përqindja e femrave në TIK është 18%, shifër kjo e kopjuar nga statistikat e botës. Dokumenti është i mbushur me helmin e quajtur barazi gjinore, ndërkohë që situata në Kosovë, bile për sa i përket statistikave, është për t'ia pasur lakmi bota. Përfundi tekstit të draftit është një statistikë nga Universiteti i Prishtinës, statistikë që dëshmon se këta që e kanë shkruar këtë draft as që e dinë se për çka shkruajnë (statistika mbetet e ngjashme edhe kur merren në konsideratë të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend). Një draft të këtillë do të mund t'ia shkruante Kosovës çdo NGO nga Bangladeshi, Afganistani, Tanzania, Hollivudi... sepse është program i bërë copy-paste, pa asnjë interes për vendin.
Drafti është i mbushur me këso qyfte dhe ditëve në vijim, për kënaqësinë tuaj e timen, do t'i ndaj me ju vërejtjet.
***
Dilni e pyesni cilindo qytetar a katundar të Kosovës se çka shkakton sëmundjet kardiovaskulare dhe gjasat që do t'i numërojnë duhanin, alkoholin, ushqimin e keq, e stresin janë shumë të mëdha. Përgjigje të ngjashme do të japin edhe nga WHO, NIH, e organizata të tilla profesionale.
Nëse i pyesni "shkencëtarët" e Kosovës, përgjigja do të jetë ambienti, biodiversiteti, ndryshimet klimatike, e të ngjashme. Këta "shkencëtarë" ja kanë përpiluar vendit Programin për Shkencë për 5 vitet e ardhshme. Dokumenti që kanë prodhuar - nuk ka si të jetë ndryshe - i bën konkurrencë Platformës së AShAK-ut për Arsim: është një paçavure, e shkruar nga paçavure, për paçavure.
ps. Jam duke e lexuar për herë të tretë, sepse nuk po besoj që ka gabime të tilla në dokument, gjithnjë po mendoj se jam duke e lexuar gabimisht. Por jo, dokumenti është për faqe të zezë!
***
Përpilimi i një progami, çfarëdo qoftë ky, nënkupton vendosjen e një rregulli në punët që duhet të bëhen. Ky rregull, renditje, hierarki, përparësi, etj., vendoset duke u bazuar në nevojat dhe mundësitë e atij sistemi të cilit i dedikohet programi. Përjashtim nuk do të duhej të bënte as Programi për Shkencë për Kosovën.
Me fjalë tjera, Programi për Shkencë do të duhej të përpilohej duke pasur parasysh nevojat dhe mundësitë që ka vendi për ta realizuar. Por, ajo që lexoj në draft është një buqetë dëshirash të paartikulluara, të mbledhura lëmsh, pa asnjë arsyetim, pa asnjë logjikë, pa asnjë dobi të mundshme për vendin.
Ja një shembull: Programi cek në formë eksplicite, pra udhëzon dhe kërkon nga Qeveria vendore, që të zhvillojë teknologji inteligjente për parandalimin e zjarrit! Për ta shpjeguar se çfarë kërkese budallicë është kjo, më duhet të bëj një digresion.
Kalifornia është vendi më i zhvilluar në botë, si për nga niveli ekonomik, ashtu edhe për nga zhvillimi shkencor dhe teknologjik, përfshirë edhe atë të inteligjencës. Kalifornia, po ashtu, është një ndër vendet më të goditura në botë nga zjarret e pakontrolluara. Dhe, ta do mendja që kalifornianët, duke i pasur mundësitë dhe njohuritë, do ta kenë zgjidhur këtë problem me zjarre. Puna është që kjo çështje mbetet e hapur edhe për ta, bile diskutojnë me të madhe nëse metodat e zjarrvënies së kontrolluar do të ndihmonte më së shumti.
Teknologjia e zjarrvënies së kontrolluar është shumë e vjetër dhe aplikohet me sukses edhe nga kosovarët. Kush e ka shëtitur vendin me sy hapur ditëve të verës do të mund të kishte vërejtur arat e djegura.
Por, pyetja që kam është: sa është kritik ky problem i zjarreve për vendin? Sa ka nevojë të pëqendrohet ajo që quhet shkencë në këtë punë? Pse ka nevojë për përqendrim te zjarret e jo, ta zëmë, te vërshimet? Fundja, pse ka nevojë për teknologji inteligjente, me çka nënkuptohet inteligjenca artificiale? (Për këtë të fundit e kam përgjigjen: këta këshilltarë të shkencës së Kosovës kurrë s'e kanë ditur ta dallojnë inteligjencën natyrore, prandaj ju duhet vetëm artificialja; këta janë robotë, si ata minjtë laboratorikë që rrotullohen e rrotullohen pa shkuar askund, por vetëm rrotullojnë fraza të thata nga dokumentet e botës, pa i bluar, sepse s'kanë tru.)
Karshi angazhimit në një problem që s'është i tillë, tërësisht neglizhohet një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë sonë, problemi i njohjes dhe përparimit të gjuhës shqipe. Për dallim nga zjarret e inteligjenca artificiale, të cilat janë preokupim i botës, studimet albanologjike do të duhej të ishin preokupimi kryesor i investimit qeveritar të vendit. Kjo sepse shqiptari, pikë së pari, definohet si ai që bart gjuhën shqipe. Gjendja e gjuhës është shumë e keqe, si nga aspekti i zotërimit në shkolla e institucione, po ashtu edhe nga hulumtimi i zhvillimeve moderne. (Duhet t'ju kujtohet kritika që e kam bërë për atë ekipin e shkencëtarëve që e kanë studiuar kompjuterin dhe gjuhën, në një kohë që asnjëri nga ta nuk kishte faqe në rrjete sociale. Rezultatet inekzistente të asaj pune flasin vetë.)
Injorimi i plotë i studimeve albanologjike shfaq për mrekulli injorancën e këtyre që e bëjnë Këshillin e Shkencës: këta nuk janë të interesuar të mendojnë shqip, por mjaftohen me anglishten e botës dhe formën e të menduarit si NGO a think-tank që kulm të punës nuk e kanë prodhimin e ndonjë ideje a shoshitjen e mbarë të ndonjë pune, por pjesëmarrjen në ndonjë kanaxhexh a shopping. Fundja, çka na duhet të mendojmë për mbajtshmërinë, qëndrueshmërinë, e koncepte të tilla ende të paadaptuara mirë në shqip, kur kemi sustainabilitinë, grin dillin e Europës, e pallavrat tjera që s'i marrin vesh edhe këta që vetë i kanë shkruar?
***
Një nga masat që paraqet Këshilli Kombëtar i Shkencës në Programin për Shkencë 2023-28 është edhe "zbatimi" i një çmimi për arritje të jashtëzakonshme. Diçka si Nobeli. Me dallimin se është për Kosovë. Për shkencëtarët e Kosovës. Arsyetimi për këtë kërkesë mungon, pra kjo masë e kërkuar nuk është e arsyetuar fare në dokument.
Si ta kuptojmë këtë? Po ja, këta shkencëtarë e vendosin këtë çmim për ta paguar vetveten, s'ka arsyetim tjetër.
Është interesante që ky Këshill ja kërkon MAShTI-t ndarjen e këtij çmimi, sepse, po ta shohim si duhet gjendjen në terren, do të vërejmë se MAShTI tashmë e ndan një çmim të ngjashëm me këtë që kërkohet. Ky çmim quhet Shkencëtari i Vitit dhe sivjet bile edhe vetë kryetarja e Këshillit ka qenë prezente në këtë kanaxhexh shkence kosovare kur u nda shpërblimi.
Çmimet për shkencë që ndan Kosova kanë një histori të lezeqme, e cila dëshmon se ministria që merret me këtë lëmë popullohet nga majmunë që s'marrin vesh gjë. Ja, për shembull, Kosova ja ka ndarë këtë çmim shkencëtarit që e ka "dëshmuar" se Einstein-i ka gabuar me Teorinë e Relativitetit! Dhe askush nuk është skuqur për këtë punë. Bota e ka Einstein-in me Nobel, ne i kemi shkencëtarët me çmime të MAShTI-t, dikaster që prihet nga ngelcana e hajna.
Një Këshill serioz do ta diskutonte rëndësinë dhe efektin që ka ndarja e këtyre çmimeve në vend. Por jo, këta tërrpijanë që bëjnë programe për shkencë s'e kanë hallin aty, por te ndarja e çmimeve: sa më shumë e sa më shpesh, për një anti- a quasi-shkencë që bëhet në vend.
***
Për ata e ato që s'e dinë: fjala tërrpijan e ka kuptimin e një të pangopuri-pangopure të paarsyeshëm, në nivel të sëmundjes mendore. Tërrpijani-tërrpijejkja është person i pështirë, s'e do kush. Për ilustrim, tërrpijani-tërrpijejkja i ka të gjitha mundësitë që ta blejë bile edhe një kamion me çokolada, por s'e bën këtë. Ajo që bën është të përvidhet, lëpihet, të shpërfaq mungesën e dinjitetit e karakterin e ulët që ka, dhe e merr një çokoladë nga tavolina e e përbashkët, mundësisht duke u zgërdhirë dhe buçitur me ndonjë vic të rastit për zotësinë e marrjes së një kokrre të vetme çokolade. Kaq është kapaciteti i tërrpijanit-tërrpijejkës, kaq bën. Në fakt, të përmirësohem: tërrpijani-tërrpijejka mund edhe të blejë psh domestos, sa për të marrë një shembull fiktiv, me pare publike, e ta përdorë për nevoja personale. Këtu pra kemi të bëjmë me superkombinimin hajn-tërrpijan. Të tillët nuk mungojnë në Këshillin e Shkencës.
Kosova ka mundësi të organizojë pak shkencë me mjete të veta. Por, mentaliteti i tërrpijanit, skllavit, bythëlëpirësit profesional, profiterit dallaverexhi, quasi-profesionistit joetik, ... s'ja lejon këtij këtë punë. Analiza e thjeshtë e shpeshtisë së termeve në Programin e propozuar të Shkencës e zbulon këtë si më së miri:
Termi Kosovë dhe derivatet e tij (kosovar, kosovare) shfaqet në këtë dokument 232 herë, përfshirë edhe përmendjen në headerin e dokumentit. Termet ndërkombëtar dhe evropian (me derivatet e tyre, europe, etj) përmenden 280 herë. Më tutje, termi fond, i ndërlidhur me atë Horizon, që paraqet skemën dominuese financuese të BE-së, përmenden 50, gjegjësisht 54 herë. Kurse, termi buxhet 40 herë. Interpretimin mund ta bëni vetë.
Si shkrova më herët, studimet për shqipen as që përmenden në këtë dokument. Fjalët shqip dhe alban (me derivatet gjegjëse gjuhë shqipe, shqiptare, albanologji, albanologjik, ...) përmenden vetëm katër (4) herë në tërësi (2× shqip + 2× alban), kurse fjala dekarbonizim përmendet 5 herë, bile ka edhe seksion të veçantë e të dedikuar enkas. Të mos flasim për fjalët ambient (përmendet 16 herë), apo gjelbër (59 herë!). Kjo falë Green Deal-it European, të cilin, sipas këtij Këshilli, do ta studiojë vendi i cili as që ka liberalizim vizash!
Si ka thënë shqiptari i moçëm: ku dham dhomi shkon guha... Mos të harroj: për fjalën shqiptar a shqiptare, provoni ta gjeni, ndoshta do të keni më shumë fat e sukses se unë.
***
Suksesi matet lehtë: një punë kryhet ose jo, një rezultat arrihet ose jo. Kjo s'do të thotë që suksesi automatikisht është i dobishëm apo i dëshirueshëm. Për shembull, një kalavesh "shkencëtarësh" janë mbledhur në Këshill dhe e kanë përpiluar këtë Programin për Shkencë. S'ka dyshim se kanë pasur sukses, por ky sukses, bazuar në cilësinë e dokumentit të propozuar, është i dëmshëm për vendin.
A ka Kosova shembuj sukesesh të dobishme? Natyrisht se po. Do t'i përmend tri. Së pari po përmend punën e Shoqatës së Matematikanëve, të cilët kanë arritur t'i përgatisin e dërgojnë gjimnazistët tanë në botë, bile edhe të arrijnë vlerësime të mira, sado modeste qofshin ato. Të shënoj se fjala matematikë në Programin e Shkencës përmendet vetëm një (1) herë. Gjatë përpilimit të programit, Këshilli ka pasur mbështetje edhe nga persona jashtë Këshillit për hartimin e Programit. Pa befasi, asnjë s'ka qenë nga Shoqata e Matematikanëve.
Programi rreh me të madhe ndërkombëtarizimin e punës shkencore të vendit dhe forcimin e aktiviteteve që do të mundësonin bashkëpunimin me projektet europiane to Horizon-it (në fakt, kjo duket të jetë një nga dy kryefjalët e Programit). Dhe tash te sukseset: gjer tani, përfituesit dominues nga Kosova të projekteve Horizon janë nga institucionet private. Dhe sa përfaqësues nga këto lloje institucionesh kanë kontribuuar në hartimin e këtij Programi? Vetëm dy, që të dy nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit, shkollë që do ta ngjallë vlaznim-bashkimin (sipas komenteve të kolegëve në Këshill)! Kjo shkollë financohet nga BE, por, bazuar në të dhënat e vetë Horizon-it, s'ka fituar asnjëherë. Pra, Këshilli rekomandon punën me Horizon, por s'i konsulton ata që janë më të zotët në këtë punë.
Si fëmijë e kemi luajtur një lojë që thirrej "budalla-budallë, vet e ka shkru, s'di mi lexu". Kontribuues në këtë Program e anëtarë të Këshillit kanë shkruar raporte se institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë janë shumë më të suksesshme se ato publike në punën kërkimore. Por ja që s'ju kanë përmbajtur raporteve që i kanë shkruar vetë, s'e kanë ftuar kënd nga kolegjet a shkollat private për këshillim, edhepse ato konkurrojnë shkëlqyeshëm institucionet publike.
Rasti i tretë i një storie suksesi në Kosovë ndërlidhet me FLOSSK-un. Programi, si e do shablloni, e përfshin digjitalizimin si një ndër veprimtaritë kryesore që lidhet me shkencë (edhepse, si e paraqet Programi, kjo më tepër ka të bëjë me punë burokratike, arkivim, digjitalizim, etj, se sa me hulumtim, po hejrli i koft, lësho teposhtë). FLOSSK-u është një ndër institucionet më të lakmueshme që veprojnë në Kosovë. Kam pasur kënaqësinë që të prezentoj në konferenca që kanë organizuar këta, më 2014 e 2020, dhe organizmi që kanë bërë ka qenë i shkëlqyeshëm. Këta të rinj zhvillojnë aktivitete të përmuajshme, ndoshta edhe më shpesh, me një tempo e cilësi të madhe. Këta kanë depërtuar në industri, akademi, në botë e në vend, pra, i kanë bërë të gjitha ato që i kërkon Programi. Dhe, a janë ftuar për këshillë? Jo!
Ftesa që do t'iu kishte dërguar FLOSSK-ut do ta nderonte Këshillin më shumë se FLOSSK-un. Të rinjët e FLOSSK-ut patën dalë me një dokument propozim për Qeverinë në formim Kurti 2, një dokument i pëlqyeshëm. Ajo që ndodhi ishte një injorim i plotë i një pune të mirë e të dobishme për Kosovën, punë e bërë me dashamirësi e vullnetarisht. FLOSSK-u i vazhdon aktivitetet e veta, ja zbardh fytyrën vendit, kurse këta që ju kanë hipur karrigeve të pushtetit ja vjedhin vendit shpresën.
Ja pra tre shembuj suksesesh Made in Kosova, që s'e gjetën vendin në Programin e Shkencës, edhepse kanë pasur çka të kontribuojnë. Dhe çka i ofrohet qytetarit të Kosovës për diskutim? Një draft paçavërr.
***
S'po më ndahet e qeshura derisa po lexoj këtë Programin për Shkencë, sepse, pos muhalifeve origjinale që përmban ky, po më kujtohen edhe do muhalife epokale që i kam dëgjuar sa kam qenë pjesë e Këshillit, si për shembull qyftja e gatuar nga një kokë profesori, i cili tha se "qëllimi i introdakshën o mi dhon ni hymje".
Shih, një dokument i përgatitur nga së paku 15 shkencëtarë do të duhej të ishte pa gabime elementare. Ja, për shembull, kjo pjesa e shkëputur ka më shumë gabime logjike se sa që ka rreshta:
Pra, për çfarë përparësisht është fjala? Përparësia është se vetëm në Kosovë kastravecat e bashqes shkruajnë program për shkencë!
***
Këshilli është udhëhequr nga tri parime bazë, të dhëna më poshtë. Para se të mendoni se sa burra të mirë e të zot janë këta të Këshillit, ju njoftoj se këto tri parimet bazë janë bërë copy-paste nga ato të Europës. Pra, këta, pa menduar për specifikat e mundësitë e vendit, që realisht është më afër Nigerisë se Holandës, ta zëmë, i kanë adaptuar dhe kërkojnë që shkenca në Kosovë të zhvillohet si të ishte Kosova zemër e Europës.
Ajo që më tërheqi vëmendjen është theksimi i etikës në kërkime. Për Europën, kjo punë kryesisht ka të bëjë me çështjen nëse disa fusha studimi apo eksperimente janë të pranueshme apo jo (psh, a bën të testohen vaksinat në njerëz), kurse për Kosovë tema është hajnia. Këshilli e përmend disa herë, bile e ka edhe si masë që duhet ndërmarrë përpilimin e Këshillit për Integritet! Gjithashtu, Këshilli e përmend përgjegjësinë që duhet ta kenë punëtorët shkencor.
Shumë bukur.
Por, ta shohim si qëndron puna.
Para mu dhjetë vjete, Ibrahim Gashi, aso kohe rektor në UP, i pat botuar dhe tri punime të rreme dhe mori titullin profesor i rregullt. Për këtë dallavere populli u ngrit në këmbë dhe demonstroi fuqishëm. UP-ja formoi komision të etikës, me kryetare Myzafere Limanin. Kjo ka deklaruar se kryetarllykun ja kanë dhënë pa e pyetur, kështu që nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me dallaveret e Gashit, i cili vazhdon si më së miri që të jetë profesor i rregullt në UP.
Mirë, moj zonjë, nëse nuk të kanë pyetur, pse e pranove punën? Ta them: sepse bythët i keni me ngjitës, po të uleni në karrike të butë, syn ngriteni më.
Tash kjo zonjë është kryetare e Këshillit të Shkencës, i cili, si e shkrova, propozon përgjegjësi e Këshill të Etikës e Integritetit! Dhe shih sa bukur e kanë shkruar: duke qenë se sfidat nuk mund të adresohen për një periudhë të shkurtë... Pra, këtyre ju deshën 10 vjet për të kërkuar Këshill të Etikës! Edhe sa vjet do t'ju duhen për ta kuptuar se sa keq po punojnë?
***
Sipas Këshillit Kombëtar të Shkencës Kosova i ka dy institute, të Albanologjisë dhe të Historisë. Me kaq përfundon përmendja e tyre në Programin e Shkencës që këta kanë paraqitur, pra nuk ka asnjë masë a punë konkrete që pritet nga këto dy institucione publike. Këto dy gabime, pra numërimi i vetëm dy institucioneve dhe mosadresimi i punëve të tyre, është një lëshim i madh, por s'më duket se bën ndonjë dëm, edhepse dëshmon neglizhencën dhe përtesën e këtyre "shkencëtarëve" që të njohin vendin për të cilin përpilojnë programe.
Mirëpo, për më keq, ajo që dëshmon ligësinë e këtij Këshilli është propozimi i bashkëngjitur, Objektivi 6 i Programit.
Një hap prapa: Programi flet shumë për arsimin dhe nevojën e hulumtimeve në këtë lëmë. Por, askund nuk përmendet Instituti Pedagogjik i Kosovës, institut publik ky, i themeluar e i mbajtur mu për punë të arsimit e hulumtimeve lidhur me të. Një Këshill serioz do të fuste një masë që do të adresonte punën e këtij Instituti, bile do të kërkonte një analizë se çka të bëhet me këtë institut, ku e si të përkrahet, si të forcohet e me çfarë probleme të angazhohet, apo ndoshta edhe të mbyllet tërësisht pas një periudhe të caktuar me rezutate të dobëta. Por jo, ky Këshill "shkencëtarësh" botnor, ku janë mbledhur pedagogë nga të gjitha skajet e botës, bile edhe nga Poli i Veriut, nuk e ka parë të arsyeshme që të konsultohen me kolegët e vet nga Prishtina.
Këta, si shumë elitarë të fëlliqtë, e mendojnë veten si fillestarë të çdo pune të mirë. Prandaj edhe propozojnë themelimin e një Instituti me emër të gjatë e plot salltanet, ndonëse nuk i dinë ato që tashmë veprojnë në vend. Këta janë origjina e boshtit, para tyre nuk ka pasur asgjë.
Tash më kujtohet fjalosjet e ashpra që kam bërë në Këshill, teksa ju kërkoja atyre që të dilnin në terren, të takohen me njerëz, të bisedojnë me shkencëtarët e vendit, për të cilët tek e fundit po bëhet ky program. Por jo, këta "shkencëtarë-elitarë" kanë shkruar për Green Deal e Horizon e pallavra tjera, thuajse e kanë kap Brukselin për koqe.
Ka edhe një ligësi tjetër: këta e kanë bërë një hesap si të gjithë kalkulantët a shfercerët e këqinj. Duke propozuar themelimin e një Institucioni, këta thonë: shih sa mirë, Albini e pren shiritin, Arbërija duartroket duke buzëqeshur, ne bëhemi drejtorë e profesorë institutesh, a sa për shkencë, po hajt more, kush mërzitet për atë punë. Me fjalë tjera, ju garantoj se këta e propozojnë këtë institut për vete! Edhe këta këshilltarë pra e shohin Kosovën si një kacë me pare, nga e cila duhet grabitur e vjedhur sa më shumë.
Mos të harroj të shtoj: arsyetimi nëse ky institut i propozuar i duhet apo jo, gjasa nëse mund të bëhet apo jo, as që diskutohet në Program. Futja...
Këtyre e çiftit të tyre duhet t'ju ndalet turri, sepse këta nuk ndalen vetë. Se si e tek arrihet kjo, unë s'e di. Por, ndoshta ndërkohë edhe më bie ndër mend ndonjë gjë, ku ta dish...
***
Një krahasim: Ndërtesa e re e FShMN-së së UP-së do të paguhet nga BE (9 mil euro) dhe UP (5 mil euro). Historia e kësaj ndërtese është më e vjetër se ajo e Operës.
Për Institutin Ndërdiciplinor Shtetëror Artistiko-shkencor Teknologjiko-fantastik Këshilli i kërkon 15 mil euro nga buxheti i Kosovës, brenda tri viteve.
***
Sa janë kapacitetet e Kosovës për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme? Këtë s'mund ta thotë kush. Ka raporte të punuara në tavolina, pra me tahmin, por nuk ka matje.
Një progam i mirë shkence do të kërkonte që të bëheshin matje e të dihet mirë se sa janë mundësitë e Kosovës për prodhim të energjisë nga burime të ndryshme. A e propozon Programi për Shkencë një studim të tillë? Jo, Programi, i mpirë nga Green Deal i Europës, të cilin edhe vetë Europa s'e përfill, i propozon do muhalife si ruajtjen dhe shfrytëzimin racional të qymyrit, thuajse ai do të shpenzohet nesër. Shih, problem nuk është qymyri, problem është joefikasiteti i termocentraleve; problem nuk është karbonizimi (kosovari prodhon më pak karbon se europeani mesatar!), problem është mungesa e sigurisë me furnizim dhe çmimi i rrymës për qytetarin e Kosovës.
Një program i mirë shkence do të shqyrtonte zbatueshmërinë e politikave europeane në kontekstin kosovar dhe mundësitë për adaptim apo për mbrojtje të pozitës së qytetarit kosovar, e jo të pranojë qorrazi çdo muhalif që e përmendin burokratët e Europës. Por jo, këta këshilltarë s'e kanë hallin e qytetarit të Kosovës, këta e kanë hallin si t'i hyjnë thellë e më thellë në bythë burokratit të BE-së. Ja, e kanë përmendur edhe circular economy, sepse e kanë dëgjuar diku, dhe tash duan t'ia shesin këtë vendit, bile edhe prodhimin e hidrogjenit! Cirkuz i prodhuar nga do kokë-teneqe...
***
"Kaq po dim, kaq po bajm" ishte përgjigjja e akademikut në Këshillin e Shkencës kur e ballafaqova me rezultatet zero të punës në të cilën ai ka kontribuar, si në Programin për Shkencë të vitit 2010, në Platformën e AShAK-ut për Arsim, në udhëheqjen e UP-së, etj.
Dhe këtu është thelbi i çështjes: amon mos bëni! Ja, edhe ky Draft-Programi i paraqitur është aq i dobët sa që gjasat për mosrealizimin e tij janë më të mëdha se për realizimin. Por, edhe nëse realizohet, mozomakeq!
Prandaj, s'do të ishte keq që këta që i kanë punët në dorë, ndonjëherë edhe të mos bënin, sepse më mirë pa ta, se me ta. Njerëzit dinë e gjinden vetë, pa nevojën e planeve që kulm të realizimit e kanë caktimin e një logoje a një emri plot salltanet, si për shembull Laboratori i Inovacionit të Ndryshimeve Klimatike!
PS: Çfarë analfabeti duhet të jetë njeriu që të pjellë një emër të tillë? (Lexo: vetëm expertëve të Kosovës ju pordh kryet këso çmendurina!)
****
BE-ja, kur flet për ekonominë e kaltër, fjalën e ka për detna e oqeane. Po "shkencëtarët" e Kosovës, për çka e kanë fjalën? Ndoshta për Durrësin, apo për Vlorën? Ndoshta për Ibrahim Tatlisesin, ku ta dish...
***
Një "fushë e ndërhyrjes dhe aktivitet i kërkimit shkencor", i propozuar në Programin Kombëtar të Shkencës është edhe ky i bashkëngjituri në post (po e ngjes, sepse është shumë e vështirë të besohet se ka edhe këso muhalife).
Vëreje: rritja e popullsisë është problem!
Një lexim i shpejtë i statistikave të Kosovës del se vendi gjatë gjithë dekadës së kaluar ka zvogëlim të popullsisë, me përjashtim të vitit të covid-it, kur kufinjët u mbyllën e askush s'mundi të ikë nga vendi. Pra, për çfarë rritje të popullsisë së cilit vend e kanë fjalën këta "shkencëtarët"?
***
Qysh para një jave e lexova Progamin për Shkencë, të përpiluar gjatë një viti nga më së paku 15 "shkencëtarë elitar". Ky program mëton t'i japë rrugë shkencës në Kosovë. Por, gjatë gjithë javës ju përcjella disa vërejtje serioze që hasen lehtë dhe pa sforcim. Në fakt, do të mjaftonin vetëm tri nga to: statistikat e gabuara për përqindjen e kosovareve të angazhuara në TIK, mosnumërimi i saktë i instituteve hulumtuese që ka vendi, dhe ndryshimet demografike e dinamikat e shtrembëruara të popullsisë si shkak për intervenim të çfarëdoshëm, për ta deklasuar këtë program e cilësuar atë si bërllog. Arsyetimet tjera të shkarravitura në të, si ndryshimet klimatike si shkaktare të sulmeve në zemër, nevoja për institute të reja, dekarbonizimi e digjitalizimi si domosdoshmëri e zhvillimit të vendit, përputhja pa alternativë e politikave të Kosovës me ato të BE-së, si ato të Green Deal-it, në kohën kur Kosova as që është në rend të futjes në BE, dëshmojnë argatllyk e përtesë të përpiluesve të programit për t'u marrë me problemet e vërteta të vendit, dëshmojnë mungesën e vullnetit të tyre për t'ia dashur të mirën Kosovës. Mungesa e kujdesit gjuhësor, jo vetëm si temë studimi, por edhe në përpilimin e këtij Programi dëshmojnë për injorimin që këta ja bëjnë kulturës që duan të përfaqësojnë e zhvillojnë, dëshmojnë amatorizëm të skajshëm në komunikim.
Pra, merre kah të duash, ky dokument nuk i bën nder kujt. Fatkeqësia është se ky dokument nuk bën përjashtim, por vijon rregullin e mbushjes së vendit me dokumente që përcjellin ide e synime shterpe. Këto pa përjashtim rezultojnë në hajni e dallavere. Si në shumë raste tjera, edhe gjatë përpilimit të këtij programi e përmes këtij dokumenti dëshmohet se Kosova nuk konsiderohet si një vend që meriton respekt, por si një vend që duhet të dhunohet, shkërdhehet në autoritet, pare, ide, kulturë... Puna është që Kosova s'është vetëm e imja, por edhe e juaja, edhe e këtyre që e kanë shkruar këtë mjerim, edhe e atyre që do të vendosin për të. Dhe, përderisa vetë qytetarët e Kosovës s'e duan e s'e respektojnë vendin që i angazhon në një detyrë fisnike, pse duhet ta duan e respektojnë të tjerët?
Thuhet se njeriu është e vetmja qenie që skuqet. Unë, ndonëse gjithnjë e më tepër krenar me dorëheqjen nga Këshilli, skuqem nga ky dokument që vendi im ka prodhuar. Por, para meje e më shumë se unë, do të duhej të skuqeshin ata që e kanë përpiluar, ata që e kanë organizuar punën për përpilimin e këtij mjerimi, dhe ata që merren me punë shteti e që s'kanë intervenuar për ta kthyer mbrapsht këtë shkarravinë. Shumëkujt i ka humbur aftësia për t'u skuqur, s'ka më marre e syn turpërohen më. Me fjalë tjera, s'kemi të bëjmë më me njerëz, por me kafshë që udhëhiqen nga epshet, qofshin ato të pushtetit a pasurisë, apo robotë që punojnë me copy-paste, pa fijen e trurit. Dhe këta i prijnë vendit, ndërkohë që qytetarët e ndërgjegjshëm e shpresëthyer ju hipin këmbëve e ikin nga mundin.
Një fat është se shkenca është vrima e fundit e kavallit të problemeve që ka Kosova. Në këtë lëmë, jo vetëm që jemi në periferi të zhvillimeve, por jemi aq larg, sa që bota as që na përqesh. Pra, ky dokument e puna e mbrapshtë që rrjedh prej tij nuk do t'i bëjë aq dëm vendit: do të humbet kohë, do të sillemi si miu laboratorik i futur në një labirint, por gjithsesi që në fund të do mbetemi aty se ku ishim. Pyetja është: a do të rregullohet ky vend ndonjëherë apo jo, a do të kthehet për së mbari?
Me kaq unë e përfundoj leximin e këtij dokumenti. Ta shohin se si e tek do të shkojnë punët.
2023/03/12
Dy zgjidhje kurrfare
Një javë më parë, KTV emetoi një minireportazh për tekstet shkollore. Në lajm përcillet e dhëna nga ministria e arsimit se botimi i teksteve të reja, punë që ka filluar më 2019, deri tash ka kushtuar mbi 25 milion euro. Megjithatë, tekstet e reja nuk kënaqin, sepse janë plot me gabime dhe me përmbajtje të vobektë, si shprehen dy mësues në storien e paraqitur.
Gazetarja që raporton ka kontaktuar edhe ministrinë e arsimit, por shprehjet e tyre janë indirekte, pra askush nga ministria nuk ka folur para kamerës. Nuk mund të kuptohet nëse këtë e kanë bërë se nuk e përfillin gazetaren, apo se frigohen nga përballja me publikun.
Gjithsesi, në atë që thonë zyrtarët e ministrisë, del se ata do ta zgjidhin problemin me gabimet në tekste shkollore përmes dy veprimeve: nuk do t'i angazhojnë më recensentët që kanë lëshuar tekste me gabime dhe do ta aprovojnë ligjin e ri. Cilido nga këto veprime është një budallaki e llojit të vet, e cila zbulon paaftësinë e atyre që punojnë në këtë dikaster të rëndësishëm.
Së pari, puna me recensentë është një dallavere që burimin e ka mu në ministri. Shumë recensentë janë angazhuar për të bërë punët e ndyta të zyrtarëve ministror, për të notuar tekste sipas hesapeve në mes të ministrave, shtëpive botuese, e dallaverexhinjëve tjerë që vjedhin përmes teksteve shkollore. Janë të mirënjohura për publikun rastet e raportuara kur recensentët janë dërguar në Durrës dhe janë porositur që të notojnë tekste me nota të urdhëruara nga lart.
Ky veprim që do ta ndërmarrë ministria nuk ka kurrfarë kuptimi edhe nga ana konceptuale: nëse recensentët janë kujdestarë të cilësisë së tekstit, kush do të jetë kujdestar i cilësisë së recensentit? Për më tepër, çka mund të dëshmojë se ministria e ka seriozisht kësaj here, përderisa nuk ka ndërmarrë asnjë hap deri tash kur është njoftuar se puna e recensentëve ka qenë e dobët? Ose, nëse recensentët e dobët do të përjashtohen nga ky aktivitet, çka do të ndodh me autorët e teksteve? Apo, edhe me vetë zyrtarët e ministrisë, që janë në krye të këtyre punëve?
Me një fjalë, ky zotimi se do t'i shtrëngojnë recensentët është një demagogji e lodhtë, të cilën vështirë se e beson edhe vetë ai që e ka thënë.
Lidhur me propozimin e dytë, pra me aprovimin e ligjit për tekste, jam shprehur moti, por ja vlen ta përsëris se ligji nuk do ta përmirësojë situatën. Dallaveret me tekste nuk janë bërë në margjina të aktiviteteve që mbulon ligji, por mu si një hajni klasike. Nëse ministria e ka seriozisht këtë punë - e çdo veprim i saj deri tash dëshmon për të kundërtën - atëherë ligji ekzistent është i mjaftueshëm për të prodhuar tekste të mira. Çështja qëndron në atë se ata që udhëheqin me këtë ministri, që nga ministrja e teposhtë, nuk janë të interesuar që të bëjnë mirë, por që të vjedhin, mundësisht pa u dikutuar e duke u duartrokitur për kinse punët e mira që po i bëjnë.
Është për mjerim situata në të cilën ndodhet vendi: edhe pas njëzet viteve që kur punët e arsimit i ka tërësisht nën kontroll kasta politike e vendit, ende nuk janë prodhuar një seri tekstesh të pranueshme për filloristë. Kjo flet shumë për nivelin e kulturës së politikuajve dhe nivelin e vetëpërgjegjësisë që ata (s')ndjejnë, por edhe të shoqërisë, e cila nuk ju kërkon me fuqi këtë përgjegjësi.
2023/02/26
Politika për reklamë
Shkas i këtij shkrimi u bë reklamimi me pompozitet i do veprimeve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës si të dobishme për vendin, kur në fakt asgjë nuk dëshmon se këto janë të tilla. Konkretisht, ministria ka ndarë bursa për vajza e gra që studiojnë lëmitë teknike, shkencat e natyrës dhe matematikën, pra të ashtuquajturat STEM. Por, se ku qëndron dobia e këtij veprimi, këtë arsyetim ministria nuk e jep.
Në fakt, çdo tregues, si nga numri i studenteve e raporti i tyre, rezultatet e PISA-s, e parametra të ngjashëm, dëshmojnë se femrat që mësojnë e studiojnë në Kosovë janë në rregull, për aq sa mundësi e cilësi ju ofron vendi. Pra, veçimi i tyre dhe përqëndrimi në to nuk gjen arsyetim.
Është e qartë se këto politika bëhen si shabllone të importuara nga zyret e Europës dhe Amerikës, bile edhe mu emërtimi STEM është importuar pa nevojë nga atje. Në këto vende, politikat gjinore e kanë sjellë sistemin arsimor - dhe jo vetëm - në një gjendje shumë të keqe, duke zhbalasuar rritën e natyrshme të shkollës.
Përpara se të kujdeset për ngarkimin e anës së femrave në balansën gjinore të shkollës, ministria si prioritet do të duhej ta kishte kalbjen e vetë shkollës dhe kualitetin mjeran që kjo ka në vend. Shumë më serioze është çështja e gati mbylljes së studimeve të elektroenergjetikës në vend, se sa nëse kuotat gjinore do të plotësohen sipas checkboxeve.
Kosova nuk e ka luksin që të ndjekë politika të botës, përderisa interesat dhe nevojat e vendit janë tjera. Bota mund, duhet dhe di të bëjë eksperimente, por Kosova jo, sepse i mungon themeli i palëkundshëm i ndërtimit të kulturës. Ja, për të marrë vetëm një shembull: sa e sa dekada kanë kaluar dhe shtylla kryesore e kulturës, gjuha pra, ende nuk është përvetësuar si duhet as nga profesorët universitarë, e lëre më që të diskutohet për degët tjera, si muzika, arti, arkitektura, shkenca, e të ngjashme.
Me një fjalë, kasta momentale e politikuajve që udhëheqin me vendin e kanë marrë qeverisjen me sllogane të thata, dhe me po këso politika fjalëboshe po e shtyjnë qeverisjen nga viti në vit. Çështjet e arsimit nuk janë të izoluara në këtë mënyrë qeverisjeje, por kjo formë pune vërehet edhe në dikastere tjera, si për shembull në energji, ku promovohen politika që janë në dëm të vendit. Them se politikat për energji janë në dëm të vendit, sepse nuk kujdesen as për furnizimin, as për sigurinë, e as për përballueshmërinë në çmim të energjisë për qytetarët.
Meqë bota tashmë ka filluar të përballet me shterpësinë e këtyre politikave, nuk besoj se kanë nge të dalldisen pas pozave të qeveritarëve kosovarë që shtiren si progresistë. Pyetja është se për kë bëhen këto reklama me politika? Besoj se ato bëhen për ata qytetarë e aktivistë që s'duan të mendojnë, por edhe që s'pranojnë të jenë jashtë ngjarjeve prijatare. Këta quazi-intelektualë e gjysmë-qytetarë i hanë parullat e gatshme dhe e mendojnë veten të emancipuar e në hap me kohën, pa e kuptuar se çdo hap është më afër greminës.
2022/10/03
Etër, Shqipëria dhe ngërçi në fizikën teorike
Ndodhi rastësisht që lexova një pas një dy libra shkencor-popullarizues: The Science of Can and Can't: A Physicist's Journey Through the Land of Counterfactuals të Chiara Merletto-s dhe Before the Big Bang: The Origin of Our Universe from the Multiverse të Laura Mersini-Houghton-it. Edhepse trajtojnë tema të pangjashme - por, gjithsesi në kuadër të fizikës teorike - librat kanë paralele të shumta.
Së pari, që të dy autoret janë frymëzuar nga etërit e tyre dhe kjo theksohet dukshëm në të dy librat. Ky fakt dëshmon për rolin kyç që ka familja në edukim, gjë më duket se nuk përmendet sa duhet në historinë e shkencës apo në çështjet që kanë të bëjnë me shkollën.
Libri i Marletto-s është një pasqyrim popullarizues i idesë së ndërtuar nga David Deutsch e autorja për të shpjeguar fizikën përmes përmes pohimeve që shprehin të mundshmen, e jo të domosdoshmen, pohime që deri në një përkthim më të përshtatshëm do të mund të quhen kundërfaktuale a kundërfaktike (në anglisht couterfactuals, në italishten amtare të autores controfattuali). Një situatë që mund të përshkruhet sipas idesë së autores është gjendja e një kompjuteri, në të cilin janë caktuar qarqet që kanë vlera 0 e 1 (nuk rrjedh apo rrjedh rryma elektrike). Fakti që kompjuteri ka një gjendje të caktuar nuk zbulon asgjë më të thellë për punën e tij, pos paraqet një matje të çastit. Të shprehurit e gjendjes dhe mënyrës së punës së kompjuterit me pohime kundërfaktuale, nga ana tjetër, do të mundësonte paraqitjen e të gjitha informatave që mund t'i bart kompjuteri, por edhe do të paraqiste kufizimet që ja pamundësojnë kompjuterit të bëjë llogari të pamundura.
Fizika konvencionale bëhet duke u mbështetur në ato pohime që njihen si ligje të fizikës, e të cilat paraqiten si ekuacione të lëvizjes. Sipas autores, këto pohime janë shumë të kufizuara dhe e cungojnë të menduarit e gjërë a të thellë në fizikë. Ajo shprehet se të bërit fizikë vetëm duke pasur parasysh ligjet e lëvizjes dhe kushtet fillestare kufizon të kuptuarit fundamental të realitetit. Si ilustrim, të cilit i kthehet shpesh, ajo përmend pamundësinë e ndërtimit të perpetum mobile-s, që shprehet jo përmes një ligji të lëvizjes, por përmes një pohimi kundërfaktik. Rrjedhimisht, me pohime të këtij karakteri, autorja shprehet fuqishëm se do ta ndërrojë fizikën.
Idjea e të shprehurit të njohjeve që kemi për natyrën në një formë alternative nga ato që i përcjell studimi i fizikës është intriguese dhe ajo që provon të përcjellë autorja paraqitet si një risi në fizikë. Megjithatë, libri nuk më bind. Shtyllë e argumentimit të saj është heqja e kufizimit që i bëhet përshkrimit të natyrës vetëm përmes ekuacioneve të lëvizjes dhe zgjerimi i përshkrimit apo zhvillimit të teorive edhe përmes kundërfaktualeve. Por, një gjë e ngjashme është provuar në fizikë, si për shembull, vetë ndërtimi i termodinamikës së shprehur përmes madhësive shfaqëse (emergjente), si temperatura e shtypja, pa u thelluar në ekuacionet e lëvizjeve të përbërësve themelorë që ndërtojnë sistemin teromdinamik në shqyrtim. Pyetja që lind është nëse teoria e termodinamikës është fundamentale apo ka një teori më të thellë dhe përgjigja është se ka një teori më të thellë nga e cila mund të përfitohet termidinamika, e ajo është teoria kinetike e molekulave. Në kundërshtim me atë kah na prin Marletto, teoria kinetike e molekulave bazohet në trajtimin statistik të ekuacioneve të lëvizjes së pjesëve përbërëse të sistemit termodinamik.
Marletto provon që të futë informatën si madhësi fizike që e bën të nevojshme trajtimin përmes kundërfaktualeve, por trajtimi i saj është i bërë shkel e shko dhe më habit në shumë situata. Gjatë leximit, shpesh fitova përshtypjen se autorja nuk bën dallimin në mes të informatës si diçka jomateriale nga materiali se ku ruhet ajo informatë. Bile, ajo e përkufizon diturinë si diçka që mishërohet, pra materializohet, në sistem fizik. Me këtë ajo me një kërcitje gishtash e "zgjidhë" metafizikën, e bën materiale botën e ideve. Por, ta bësh një punë të tillë pa trajtuar fusha dominuese e të pakapërcyeshme si gjuha a matematika, sa për të përmendur dy shembuj - bile edhe sipërfaqshëm - më duket punë gjysmake.
Një vërejtje tjetër që dua ta shënoj është se edhe fizika konvencionale ka raste kur i përdorë ato që autorja i paraqet si kundërfaktuale. Koni dritësor është diçka e tillë, sepse e tregon mundësinë apo pamundësinë e lidhjes shkakore në mes të dy ndodhive në hapësirëkohë. Përdorimi i këtij kundërfaktuali bëhet vazhdimisht, por nuk është se shpie te njohje më fundamentale të natyrës. Autorja e shpreh disa herë pa një kujdes të nevojshëm se kundërfaktualet do të bëhen gjuha e përshkrimit të natyrës, thuajse mbaroi matematika.
Përmbledhur, Marletto përmes këtij libri do të tregojë diçka të madhe, të bëjë revolucion në fizikë, të ndërrojë paradigmat, por nuk më bind. Libri më la përshtypjen se autorja ka diçka për të thënë, por kjo nuk u përcjell. Pengesë për këtë nuk është vetëm stili i autores, vende-vende prepotent, apo gjuha e saj e palatuar. (Në kreun e parë autorja shkruan se ligjet e fizikës e dekretojnë lëvizjen e planetëve, thuajse këto ligje janë agjentë veprues!) Problemi kryesor më duket se qëndron te ngutia për të paraqitur në formë popullarizuese diçka që ende nuk është pjekur sa duhet në forumet e fizikanëve. Mendoj se ideja që fizika të ndërtohet përmes kundërfaktualeve duhet të diskutohet thukët e me kujdes, të shoshitet imët nga profesionistët, përpara se të popullarizohet, sepse në formën e paraqitur në këtë libër nuk është as filozofi e keqe.
Libri i Mersinit, nga ana tjetër, ndjek një rrugë konvencionale të të paraqiturit të fizikës, pra nuk kërkon që ta ndërrojmë mënyrën se si e shohim e bëjmë fizikën. Autorja nuk paraqet një peizazh të ri të fizikës, por e zgjeron atë që e ka parë bota deri tash, e zgjeron kanvasin e natyrës mu te pjesa më delikate e saj, te Big Bang-u.
Libri, në fakt, paraqet gati një autobiografi shkencore - e jo vetëm - të autores dhe idenë e saj për multiversin si shpjegim për vetitë e universit në të cilin ndodhemi. Bile, si rrallë në libra që shqyrtojnë këta kufinj të zhvillimit të fizikës teorike, autorja e vë eksperimentin (vrojtimin për këtë rastin e kozmologjisë) në piedestal të aprovimit të një ideje në fizikë dhe e përmend me krenari prezentimin e saj në një konferencë shkencore pasi vrojtimet nga vrojtuesi hapësinor Planck kishte konfirmuar atë që autorja kishte parashikuar më parë përmes llogarive matematikore.
Vërtetimi nëse qëndron kjo teori e propozuar nga Mersini, e cila është një në mesin e shumë varianteve, ende nuk është bërë. Bile, zërat që kundështojnë multiversin janë ku e më të fuqishëm e më të arsyeshëm. Edhepse në fund të leximit të këtij libri e pata një ide më të afërt a më të kapshme për multiversin se sa kam lexuar deri tash - e për këtë temë kam lexuar shumë pak - megjithatë nuk bindem dhe shpesh më duket se bëhet fjalë për lojë me definicione. Ja, për shembull, ky libër tregon se multiverset janë pjesë të izoluara të kozmosit, i cili megjithatë mbetet një dhe i vetëm.
Stili me të cilin Mersini e ka shkruar këtë libër është tërheqës, bile për mua si lexues shqiptar, një lexues që i ka takuar personalisht disa personazhe që përmend autorja, përfshirë edhe vetë atë. Paralelja që autorja tërheq përmes jetës së saj në Shqipërinë komuniste e lehtëson pranimin e ideve të vështira për t'u pranuar, absurdet që s'i kap arsyeja. Me një fjalë, mu duk thuajse autorja thotë: përderisa janë të vërteta këto që i kam jetuar në një vend të globit, vend që arrihet për dy-tri orë fluturim nga cilado qendër e Europës, pranoni si të vërteta edhe teoritë në të çuditshme për Gjithësinë. Por, rrahja e argumentit përmes parimit kopernikan, pra, se nuk jemi qendra e botës, rrjedhimisht as univers i vetëm, s'e bën më të pranueshme punën e paraqitur.
S'është që s'mund t'i gjenden vërejtje librit. Sa për ilustrim, një gjë që ma pengoi rrjedhën e leximit ishte shpjegimi i shpeshtë i numrit të zerove pas shenjës decimale të një numri me eksponent; nëse lexuesi i këtyre tematikave nuk i di numrat në fuqi, nuk ka çka ta lexojë këtë libër. Ose, më thellë, edhe në këtë libër e gjej ilustrimin e lëkundjes së hapësirës nga masa përmes vendosjes së sferave në një pëlhurë të ngrehur: shih, ky ilustrim që provon ta shpjegojë gravitetin vlen vetëm kur ka gravitet, përndryshe, si do të lakohej pëlhura e vendosur në hapësirën ndërplanetare? Por, përkundër këtyre detajeve, libri është i shkruar me mjeshtëri dhe ka episode joshëse që mendoj se e kapin fuqishëm vëmendjen e lexuesit, sidomos ato lidhur me rritën dhe shpërthimin shkencor të autores dhe jetën e babait të saj.
Një mesazh i qartë nga të dy librat është se fizika teorike, bile ajo që merret me problemet fundamentale, është në krizë. Kjo është pohuar moti edhe nga shumë tjerë, e këta dy libra e përforcojnë këtë edhe nga aspekte tjera. Shpesh fizikanët bëjnë humor me shterpësinë e punës së filozofëve, por më duket se së shpejti diçka e tillë do të thuhet edhe për fizikanët që problemet fundamentale duan t'ia përcjellin lexuesit joekspert. Ndoshta është natyra e mediumit, pra e librit popullarizues, që e bën të pamundur përcjelljen e ideve nga fizika fundamentale, e cila në fakt është thelbësisht matematike përnga natyra dhe gjuha është e cungët për ta transmetuar, gjë e njohur qysh më se një shekull, kur formulimi i mekanikës kuantike i rezistonte gjuhës. Një ndjenjë të tillë e fitova edhe për tema të domenit të fizikës klasike, si për shembull lidhur me ligjin e dytë të termodinamikës: përderisa Mersini e paraqet këtë ligj si një ndër fundamentalët dhe më të fuqishmit për përshkrimin e natyrës, pra si pikë mbështetëse për zhvillimin e teorisë së multiversit, Marletto, ndonëse pohonte se ligji është i rëndësisë primare, përcillte vërejtjen se ky ligj mbetet diqysh si i paplotë dhe me mundësi të ndryshme interpretimi, pra, ka nevojë për rishkrim. Me fjalë tjera, fizika teorike nuk e ka përmbyllur në fundament interpretimin e një ligji klasik, e lëre më për të diskutuar gjëra që shkundin themelet e njohjes. (Kur shkruaj për interpretim në fundament nuk kam parasysh zgjidhjen e problemeve, por të kuptuarit e tyre. Sa për ilustrim, ekuacioni i Navier-Stokes-it mbetet i pazgjidhur, edhepse ai kuptohet qartë nga të gjithë që kanë mësuar pak fizikë e matematikë.)
2022/07/10
Kinse përnjëmend
Pata një bisedë me profesorin Rasim Bejtullahu për zhvillimet më të reja në arsim dhe gjatë bisedës u mundova t'ia gjej fillin e reagimeve të tij e alarmit që ka ngritur për dallaveret e hajnitë që bëhen me tekste shkollore. Nuk e gjeta atë datë a vit fillestar, sepse për çdo reagim gjeja një edhe më të hershëm. Kjo s'është për habi, sepse ai është moti i angazhuar nga ministria e arsimit.
Reagimin tim të parë për gabimet në tekstet e fizikës, reagim që e bëra para tetë vjete, ai e priti mirë dhe e përkrahu. Por, ma dha një këshillë. Më tha se nuk është aq problemi te cilësia e mësimit të shkruar në libër, por te dallaveret që bëhen për aprovimin e teksteve. Fundja, cilësia është pasqyrim i profesoratit të fizikës që ka vendi, e Kosovës fizikën ja mbajnë do ekologë, biologë, anti-Ajnshtajnë, dhe fshatundarë që e qesin fizikën prej vetit. Kurse hajnitë për aprovimin e teksteve janë të sofistikuara në një nivel të lakmueshëm.
Veprimi i fundit i ministres Nagavci për të ftuar hetuesinë që të shikojë se çka ka ndodhur më 2018/19 gjatë aprovimit të teksteve është një fitore e vogël, një aprovim i asaj që e kemi shkruar profesori Rasim e unë që sa e sa kohë: mund të pohohet me plot arsye se ministria e arsimit popullohet nga hajnat! Dikush mund ta përshëndetë këtë veprim të saj, por jo unë. Kjo për dy arsye.
E para: ky veprim është shumë i vonë dhe i bërë me plot salltanet, thuajse me të vërtetë u desht të ngritet komision auditorësh për të raportuar për gjëra të cilat i kanë shkruar - e tashmë edhe i kanë harruar - gazetat. Shih tjetrën: derisa i ra ndër mend ministres të ftojë hetuesinë, ajo vetë si ministre i ka aprovuar padrejtësisht dy seri tekstesh shkollore dhe ju ka dhënë aprovimin një grumbulli tekstesh bërllog. Kujto që në situata normale tekstet shkollore aprovohen për një periudhë mbi dhjetëvjeçare, dhe duke ditur se Kosova tashmë i ka aprovuar tekstet për të gjitha klasat, seria e re e teksteve do të duhet të pritet tek më 2030 e kusur. Pra, ky intervenim i këtyre ditëve - nëse del i hajrit - s'do të ketë asnjë dobi për nxënësit që tani vijojnë shkollën. (Pede çka do të ndodh në krye të dhjete vjetëve.) Kurse hajnat e dallaverexhinjët e rryer që e kanë shkatërruar shkollën e Kosovës ose janë në pension, ose do të dalin së shpejti, hala pa nisë hetimet. Ministrja e ka pasur në dorë që ta ftojë hetuesinë vjet, sapo e ka marrë mandatin, në kohën kur do hajna i ka pasur në ministri. Se pse nuk ka intervenuar, vetëm ajo e di. (Ose, pse ka nevojë prokuroria të ftohet more vëlla, pse s'shkojnë ata prokurorë në ministri vetë e të kërkojnë zbardhjen e dallavereve?)
Arsyeja e dytë se pse s'ma mbush syrin kjo ftesë që ministrja i bën policisë së krimeve ekonomike është ftesa me cen që ajo ka bërë, është veprimi i cungët që ajo ka ndërmarrë. Nuk e di nëse ministria mund t'ia kufizojë hetimin policisë vetëm për periudhën 2018/19, por ky kufizim është artificial dhe me hile. Dallaveret dhe hajnitë me tekste shkollore nuk kanë ndodhur vetëm në këtë periudhë, por edhe shumë më herët, e gjithashtu edhe pas datave të shënuara. Ja, sa për t'ju rikujtuar: qysh me prodhimin e serisë së parë të teksteve së pasluftës, aty gjatë viteve 2002-2006, shtëpisë botuese Dukagjini i aprovohet pa recensentë teksti i fizikës për klasën e tetë, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Ose, tash rishtas, mu kjo ministre vjet aprovoi për përdorim librin e fizikës së klasës së tetë të shtëpisë botuese Albasi, ndonëse libri nuk e kishte marrë notën kaluese. (Dalloni: vërejtjet e mia janë vetëm për libra të fizikës, e për lëndët tjera gjeni profesionistët përkatës, le të flasin a shkruajnë ata!) Që të dy këto veprime janë po aq serioze, sikurse mbledhja e recensentëve në Durrës, ky një nga veprimet që nxiti kërkesën për hetime. Pra, si arsyetohet përzgjedhja e çështjeve për hetime? Nëse Policia e Kosovës e ka përnjëmend hetimin, atëherë do të bënte mirë ta kontrollonte dokumentacionin që nga paslufta e deri në ditën kur hyjnë në ministri.
Duke u bërë kinse po punojmë dhe kinse po e ndjekim ligjin, pra duke i mbuluar hilet me raporte auditorësh e ftesa prokurorësh, s'ecin punët përpara, pos që zhagiten deri në mërzi e plogështi. Reagime për hilet me përzgjedhjen e teksteve të vitit 2018 ka pasur me bollëk, bile profesori Rasim ju ka shkruar vazhdimisht të gjithë atyre ministrave e zëvëndësministrave, emrat e të cilëve tash i ka mbuluar pluhuri, si ka gjasa t'i mbulojë edhe këta që sot i fërkojnë vithet me lëkurën e kolltuqeve ku hijeshohen nëpër zyre. Rezultat për duartrokitje është vetëm kur ta shohim ndonjë hajn prapa grilave të burgut, gjë që s'ka ndodhur hala. Se, kur është fjala për raporte auditorësh, te ata kam raportuar moti, qysh kur më kanë ftuar më 2015 e tutje. Bile, kam raportuar edhe në Komision të Kuvendit, dhe rezultati është një zero e madhe dhe një dëshprim edhe më i madh.
Nuk e kuptoj se pse iu deshën ministrisë gjithë këto salltanete për ta ftuar hetuesinë për ta bërë një punë, për të cilën kjo parti që sot qeveris ka buçitur me të madhe. Hiq të kaluarën, mjafton të lexohen reagimet që kemi bërë dhe shkresat zyrtare që kemi dërguar për të kundërshtuar vlerësimet me hile të recensentëve të angazhuar nga kjo ministre, për të dalluar se puna është duke u bërë keq. Një ministër i kulturuar mjaftohet me leximin e raportit të çiftit të Rashit Maliqit për ta pezulluar a anuluar vlerësimin e teksteve, derisa të qartësohen gjërat e të bien në binarët e duhur. Nuk pres që një ministër të dallojë se çifti i Rashit Maliqit e qet fizikën prej vetit, zbulon ligje e parime që as vet s'i di se çka janë, por një ministër i kulturuar e profesionalist i zoti i lexon ankesat që i kemi dërguar, e lexon raportin e recensentit, dhe e dallon që ky farë recensenti - bazuar në aftësitë e tij të hartimit - nuk është dashur ta kalojë as klasën e dytë fillore, e lëre më të kontrollojë dorëshkrime. Fundja, një ministër i kulturuar e lexon me vëmendje se çka po shkruan populli, e populli e gjeti librin e vet Rashit Maliqit, ku ky kastravec e demanton vetveten. Por, ku ta gjesh një ministër të kulturuar se? Jo more, ministrat i kemi për kanaxhexhe...
Rregullimi i lëmshit që është në ministri të arsimit kërkon një vullnet e dituri kolosale, të cilën kjo garniturë pushtetarësh nuk e kanë, kërkon një punë vetëmohuese, të cilën këta manekenë pushteti nuk e bëjnë. Përkundrazi, këta e kanë hallin të bëhen kinse po bëjnë diçka. Ligji aktual për tekste shkollore, ndonëse nuk është i përkryer, është mjaftueshëm i mirë për nevojat e Kosovës. Hajnia e dallaverja bëhet pavarësisht ligjit. Këta, në vend se të merren me hajna, merren me ligjin dhe kërkojnë ta ndërrojnë atë. Por, nuk është ligji që ndikon në ndalimin e veprimeve të mbrapshta, por zbatimi i tij. Zbatimi i ligjit bëhet atëherë kur ministria dhe organet e saj, si për shembull KEPTSh-i, i lexojnë me vëmendje raportet e recensentëve dhe skuqen nga marritë që shkruhen aty. Dhe marritë shkruhen, sepse janë raporte të bëra me porosi. Vjet, dorëshkrimi i astronomisë i profesorit Rasim u dëmtua nga recensentja psikologe-pedagoge, e cila s'merr vesh aspak nga astronomia. Profesori reagoi fuqishëm me plot të drejtë, por nuk gjeti përkrahje, sepse elitës intelektuale e kulturore të vendit ju duk se po i prishet imazhi. Sivjet dorëshkrimi ynë i fizikës u dëmtua nga njëfarë Sevim Mustafa, për të cilën tash vonë mësova se qenka profesoreshë e re e psikologjisë në AAB. Komentet e saj se ngjyra e kopertinës nuk përputhet me lëndën e fizikës ose se numri i figurave në tekst është i madh janë absurde, dhe pranimi i këtyre komenteve nga MAShTI dëshmon hile. Uroj që hetuesia do t'ia ofrojë asaj dy mundësi zgjedhjeje: ose është e korruptuar dhe ka shkruar raport të porositur, ose është budallicë. Cilado qoftë zgjedhja, uroj që ky hetim do t'iu këpusë rrugën e mbrapshtë që kanë nisur këta "profesionistë" a "expertë" hala pa ju forcuar eshtrat. Si këta ka edhe shumë "partizanë" tjerë në ministri, që s'duan të largohen nga puna e shtetit pa e blerë ndonjë banesë a kerr me pare të korrupsionit.
Megjithatë, nuk pres ndonjë rezultat nga hetimi i mundshëm. Dallaveret e hajnia ka zënë rrënjë të thella dhe kjo qeveri nuk po tregon aftësi për ta shkulur. Për më tepër, performancat e tyre po mbesin të tilla, show për milet, pa ndonjë të arritur konkrete në arsim. Ministrinë nuk e ka penguar askush që t'ju prij punëve për së mbari, gjë që kanë dështuar ta bëjnë, dhe ftesa e vonë dhe e cungët që ja bënë hetuesisë është shenjë që s'e kanë përnjëmend.
2022/06/04
Letër e hapur për ministren e arsimit
Letër e hapur ministres së arsimit, Arbërie Nagavcit
Shkas për këtë letër është trajtimi i ulët dhe i parespekt që keni treguar ndaj punës me tekste shkollore që kam bërë së bashku me profesorin Rasim Bejtullahu, si dhe mungesa alarmante e profesionalizmit nga ana juaj. Por, më serioze se këto arsye, shtysa më e fuqishme për këtë letër të hapur është pjesëmarrja juaj në punë të fëlliqta që bëhen në ministri.
T'ju shpjegoj: qysh vjet, me 4 gusht, e kemi dorëzuar në MAShTI një ankesë për punën e recensentit Rashit Maliqi, letër që është protokolluar me numër 02/1K 1329, dhe në të cilën kemi kërkuar që ky person të mos angazhohet më për recensimin e dorëshkrimeve të fizikës. Ju rikujtoj se kjo letër është dorëzuar personalisht nga profesori Rasim pak ditë pasi ai pat dalë nga salla e operacionit, pra në kushte kur ende e kishte hapur varrën në trup. Ndodhi kështu sepse ju nuk e pranuat ankesën në formë elektronike.
Kërkesa jonë për mosangazhimin e mëtutjeshëm të Rashit Maliqit në detyrën e recensentit është bazuar në mungesat e mëdha, serioze, të shumta dhe të mirëdokumentuara që ky person ka në njohjen e fizikës. Me këtë kërkesë ne e kemi vendosur autoritetin dhe profesionalizmin tonë në shesh për t'u gjykuar, dhe një gjykim i pafavorshëm do të dëmtonte pariparueshëm emrin dhe punën tonë. Gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për kërkesën tonë, prandaj e mbrojmë atë edhe sot e kësaj dite me shumë fuqi.
Ne nuk kemi marrë kurrë përgjigje nga ana e ministrisë që udhëheqni për këtë ankesën tonë, pra nuk keni denjuar as ta pranoni e as ta refuzoni vërejtjen, por e keni injoruar. Rrjedhimisht, ju keni injoruar detyrat tuaja në përkujdesjen që ministria të cilën udhëheqni të funksionojë si duhet. Duhet ta keni të qartë se vërejtjet tona kanë qenë dhe mbesin shumë serioze për një punë të rëndësishme, si është aprovimi i dorëshkrimeve për tekste shkollore.
Sivjet, ministria e udhëhequr nga ju ka organizuar konkursin e radhës për tekste shkollore dhe neve na qëllon përsëri recensent mu ky person. Vërejtjet që ky ka dërguar në ministri me 24 mars dëshmojnë për të satën herë se ky nuk di e as nuk ka mësuar fizikë. Ne, këtyre vërejtjeve që i kemi marrë në fillim të prillit, ju kemi përgjigjur me 28 prill, ashtu si e kërkonte dhe na obligonte ministria.
Fatmirësisht, në vërejtjet që ky ka shkruar, është edhe një ngatërrim i panevojshëm se nëse duhet emëruar ligje apo parime disa të vërteta nga optika gjeometrike, çështje të cilës ju patëm përgjigjur vjet. Them fatmirësisht, sepse recensenti tash ka deklaruar se do të kërkonte falje publike nëse do të gjenim literaturë ku ajo që ne quanim ligj quhej me të vërtetë ashtu, e jo parim, si instistonte ky maliq. Një qytetar i ndërgjegjshëm dhe lexues serioz e gjeti dhe na njoftoi se ky recensent në vetë librin e tij i ka quajtur ligje ato që neve na kundërshtonte. (Natyrisht, kërkimfalja publike ende nuk është bërë!)
Me këtë pikë desha t'ju ilustroj edhe një herë se çfarë të mjeri keni angazhuar për recension, sepse nuk nevojiten njohuri të fizikës për të kuptuar se logjika e këtij fatkeqi është e nivelit të skrrajës. Ajo që është serioze dhe e pafalshme është fakti se ne jemi ballafaquar katër herë me recensionet joprofesionale të tij, gjë që dëshmon se ky i ka kaluar pa asnjë pengesë filtrat e ministrisë. Ju keni qenë e njoftuar për paaftësinë e tij, prandaj kapërcimi i fundit që ky bën për të fituar angazhimin në punët me rëndësi për vlerësimin e dorëshkrimeve s'mund të arsyetohet.
Që situata është më serioze se sa paaftësia e tij dëshmojnë dy-tri korrespondencat e fundit që kemi pasur me ministrinë dhe për të cilat ju jeni në dijeni të plotë. Me këto veprimet e fundit dëshmohet se më nuk kemi të bëjmë vetëm me një recensent profesionalisht të paaftë, por me një falsifikator e dallaverexhi, pra me një kriminel të pashpallur. Ju keni vendosur t'i dilni në krah atij dhe veprimeve të poshtra, gjë që ju ndot edhe juve, prandaj e mbajtsh me shëndet këtë njollë.
Të shpjegohem. Para dy javëve, ne morëm nga ministria edhe një herë Raportin e recensentit. Pra, ky është raporti i dytë që kemi marrë nga ministria, pas atij të rregulltit që morëm në prill. Raporti i parë ka qenë për dorëshkrimin me shifrën L9G3, i punuar me datën 24 mars, me rekomandimin që dorëshkrimi ynë të botohet me kusht. Ky raporti i dytë erdhi për dorëshkrimin L9G2, përsëri i punuar me datën 24 mars, me rekomandimin që dorëshkrimi të mos botohet.
Ne reaguam ndaj këtij falsifikimi, reagim që gjendet në letrën e protokolluar me 23 maj, numër 1117. Aty kemi argumentuar për falsifikimin e bërë. Në përgjigjen që na dërguat me email dje (31 maj), dokumenti i protokolluar me 30 maj, numër 1196, ju u arsyetuat se fjala ishte për lëshim teknik! Për më tepër, në letrën tuaj amatoreske e të nivelit të filloristit, as nuk keni kërkuar ndjesë për gabimin e bërë, as nuk keni shprehur keqardhje për shqetësimin e pamerituar që na shkaktoni, por na keni hedhur një vagan arsyetimesh të kota se jeni duke punuar sipas ligjit - thuajse keni alternativë tjetër! - dhe se jeni duke i ndjekur standardet. Jo, kjo nuk qëndron, sepse po t'i ndiqnit standardet, letrat e recensentit do të ndaloheshin në hapin e parë dhe nuk do të vinin në tavolinën time të punës, me arsyetimin se nuk e plotësojnë nivelin elementar të të shprehurit pa gabime gjuhësore. Si mësuese e gjuhës shqipe që je, këtë mungesë do të mund ta konstatonit edhe vetë, pa pritur intervenimin tim.
Fundja, në letrën tuaj as që keni shkruar se si do ta përmirësoni këtë gabim dhe çfarë masa do të ndërmerrni ndaj atyre që gabuan. Këtë na keni borxh, sepse na keni futur në telashe pa nevojë.
Atë që ju e quani lëshim, unë do të vazhdoj ta quaj falsifikim. Arsyeja është e thjeshtë: ta zëmë se me të vërtetë qenka bërë lëshim dhe që ai raport i recensentit ka ardhë te ne gabimisht. Si e shpjegoni atëherë përmbajtjen gati identike të atij raporti, që si thuani është përgatitur për tjetër dorëshkrim, me përmbajtjen e raportit të parë që ne kemi marrë në prill? Pra, zgjedhja është e juaja: ose e pranoni falsifikimin e datës, ose falsifikimin e përmbajtjes. Ngado që ta rrotulloni, në falsifikim do të hasni.
Me 23 maj, në vijim të përgjigjes në ankesën tonë, ju na keni dërguar edhe raportin përfundimtar të recensentit. Sipas logjikës suaj, ky është dokumenti që ne është dashur ta merrnim, e jo raportin e dytë, i cili është lëshuar të vijë gabimisht te ne. Por, në këtë moçalishte ku jeni zhytur falë paaftësisë suaj, ju nuk e keni vërejtur se edhe ky dokumenti i fundit, pra raporti përfundimtar i recensentit, është i falsifikuar. Lexojeni me vëmendje dhe do të shihni se ky raport është shkruar me 12 prill! Ju kujtoj se recensenti këtë raport duhet ta shkruajë e paraqesë pasi t'i ketë marrë pëgjigjet tona, të cilat i kemi dërguar me 28 prill, si e kërkoi ministria. Pra, si e shpjegoni këtë udhëtim në kohë të recensentit?
Në këto dy dokumentet e fundit të recensentit, pra në dokumentet që kemi marrë pasi është botuar lista preliminare e teksteve shkollore, rekomandohet që dorëshkrimi ynë të mos botohet, në kundërshtim me rekomandimin e parë, që ishte botim me kusht. Pra, pas botimit të kësaj liste, në të cilën figuron se dorëshkrimi ynë ka kaluar dhe meriton aprovimin, recensenti ndërron mendje dhe synon dëmtimin e punës sonë. E kuptoni se sa lehtë mund të argumentohet që ky falsifikator punon për interesa të shtëpive botuese në dëm të punës sonë, dhe se ju - duke e mbrojtur punën e tij të keqe, për ç'gjë kemi argumentuar qysh vjet - jeni bërë pjesëmarrëse edhe në këto hile?
E përsëris: në vend se t'i zbuloni e dënoni dallaveret në ministri, për ç'gjë ju kemi informuar me kohë, ju keni vendosur t'i mbuloni e arsyetoni ato, gjë që ju bën bashkëpjesëmarrëse në këto pisllëqe.
Unë jam i interesuar ta mbroj punën time që lidhet me ministrinë e udhëhequr nga ju, sepse kjo puna që bëj nuk është aspak e lehtë, s'e kam bërë shkel e shko, por me një përkushtim të thellë. Për këtë ju kam drejtuar disa herë juve e ministrisë me plot kulturë e durim, duke theksuar se ku e tek po dëmtohem. Meqë përgjigjet tuaja ose mungojnë, ose s'lënë vend për të shpresuar në përmirësim, kjo më detyron që zgjidhjet t'i kërkoj tjetërkund. Kjo nuk më sjell aspak kënaqësi, përkundrazi. Por, s'e kam ndër mend që ta lë punën të më nëpërkëmbet.
Kaq kësaj here.
2022/04/12
Çfarë ere po vjen?
Paska përfunduar procesi i vlerësimit të dorëshkrimeve për tekste shkollore dhe dorëshkrimi me të cilin kam marrë pjesë në bashkautorësi me profesorin Rasim Bejtullahu e kolegë tjerë dhe i përgatitur për botim nga Libri Shkollor qenka vlerësuar me notën 3.00, që është pragu i kalimit. Kjo do të thotë se ato shkolla që duan mund ta përdorin këtë libër për mësim.
Megjithatë, jam shumë i pakënaqur me procesin e zhvilluar. Kam qenë i njoftuar para më shumë se tre-katër muajsh se vlerësimi është duke u bërë me hile. Nuk kam dashur të besoj, edhepse përvoja më mësonte për të kundërtën. Tek kur u njoftova se në procesin e vlerësimit të dorëshkrimeve është angazhuar edhe Rashit Maliqi u binda se procesi s'është i mbarë. Ky ka qenë recensent edhe për librin tonë të klasës së dymbëdhjetë dhe recensioni i tij, thënë më së buti, ka lënë shumë për të dëshiruar (për këtë punë kam shkruar para një muaji, shih këtu). Është e pakuptueshme se pse angazhohet në tri konkurse ky njeri për të na kontrolluar dorëshkrimin, përderisa duket sheshazi se fizika që dimë ne dhe ajo që shfrytëzon ky nuk përputhen fare (me fjalë tjera, ky është i shkollës së fizikës kosovare që e rrëzon Ajnshtajnin).
Ajo që është me rëndësi është të theksohet se ne, në përgjigje të recensionit të tij, kemi kërkuar që ky person të mos angazhohet më në këtë detyrë, sepse puna e tij tregonte se nuk merrte vesh nga fizika. Meqë na u kërkua, ne edhe e protokolluam kërkesën tonë dhe ajo mund të gjendet me numër protokolli Nr. 02/1K 1329, 4 gusht 2021. Kurrë s'kemi marrë përgjigje nga MAShTI, edhepse rregulli e kërkon një gjë të tillë.
Angazhimi i Maliqit për këtë punë është bërë me një qëllim të vetëm: të bëhet me hile! Ka kohë që më thuhet se konkursin do ta fitojnë Dukagjini si i pari e Albasi si i dyti, gjë që edhe ndodhi. Tash MAShTI paska vendosur t'i aprovojë komplet katër libra të fizikës, sasi e lakmueshme kjo edhe për vende që kanë qindra milion banorë e traditë të mirëfilltë në shkencë.
Ja pra, edhe pas sa e sa reagimeve, fitues konkursesh në Kosovë janë ata që shkruajnë se metri është shipkë, se ecja mbi qilim shkakton alivanosje, se lëvizja drejtvizore është e lakuar, etj etj... Kjo punë mundësohet nga angazhimi i recensentëve si çifti i Maliqit, i cili nuk di të tregojë se a është libri në pajtim me programin a jo, dhe aprovimi i bërë nga ministrat si çifti i Bytyqit e Nagavcit, kualiteti i punës të së cilëve nuk po paraqet asnjë dallim.
Gjatë dy javëve të ardhshme shtëpitë botuese do t'i marrin raportet e recensionit dhe do të kem mundësinë të shoh saktësisht se çfarë vërejtje kanë pasur recensentët në punën tonë. Të shohim se çka do të dalë nga kjo punë. Në krye të punës dhe kur u kuptua se ajo nuk po zhvillohet si duhet, profesori Rasim shpesh ma përmendte se donte ta tërhiqte librin nga konkursi. Ndoshta ky paska qenë veprimi i duhur. Tash shtëpitë botuese e kanë të drejtën e ankesës në MAShTI, por nuk jam i sigurtë nëse do të mund të argumentoj për ta ndjekur këtë rrugë, kjo për arsye se MAShTI ka dështuar të na përgjigjet në vërejtjet e konkursit të kaluar. Pra, nuk mund të argumentoj se komunikimi me MAShTI-n është i frytshëm. Në këtë rast na duhet të trokasim në dyer tjera për të kërkuar të drejtën.
Gjithsesi, për t'iu përgjigjur pyetjes së titullit, bazuar në një sllogan "të lodht" që përdoret poshtë e përpjetë, e vetmja gjë që mund të them për këtë proces është se po i vjen era ndyrësi! Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa po njoftohem me gjëra që duhet të jenë të fshehta, përderisa po e di rezultatin ende pa u përfunduar vlerësimi, përderisa angazhohen njerëz që nuk dinë fizikë, por votojnë për miq e jarana. Shih anomalinë e procesit: një bashkëfshatar ja bën recensionin dorëshkrimit të kojshisë nga fshati. Por, le të jetë e qartë: siç e thotë për mrekulli ligji, faji mbetet te ministria e arsimit, sepse ajo është organizatore dhe kujdestare e këtij procesi. Edhe një herë: ministrat e kaluar kanë aprovuar tekste ku shkruan se vala ka masë, se zëri është madhësi fizike, se fraktalet duken më qartë pas çdo zmadhimi, e të ngjashme. Kurse ministrja e çastit nuk ju ka mbetur borxh aspak: ajo aprovoi libra ku shkruan edhe se currili që del nga shiringa ka shpejtësi 2 km/s! Të shohim se çfarë mrekullish do të sjellin këta librat e rinj, çfarë ligje të natyrës do të thehen tash.
Subscribe to:
Posts (Atom)