2023/03/12
Dy zgjidhje kurrfare
Një javë më parë, KTV emetoi një minireportazh për tekstet shkollore. Në lajm përcillet e dhëna nga ministria e arsimit se botimi i teksteve të reja, punë që ka filluar më 2019, deri tash ka kushtuar mbi 25 milion euro. Megjithatë, tekstet e reja nuk kënaqin, sepse janë plot me gabime dhe me përmbajtje të vobektë, si shprehen dy mësues në storien e paraqitur.
Gazetarja që raporton ka kontaktuar edhe ministrinë e arsimit, por shprehjet e tyre janë indirekte, pra askush nga ministria nuk ka folur para kamerës. Nuk mund të kuptohet nëse këtë e kanë bërë se nuk e përfillin gazetaren, apo se frigohen nga përballja me publikun.
Gjithsesi, në atë që thonë zyrtarët e ministrisë, del se ata do ta zgjidhin problemin me gabimet në tekste shkollore përmes dy veprimeve: nuk do t'i angazhojnë më recensentët që kanë lëshuar tekste me gabime dhe do ta aprovojnë ligjin e ri. Cilido nga këto veprime është një budallaki e llojit të vet, e cila zbulon paaftësinë e atyre që punojnë në këtë dikaster të rëndësishëm.
Së pari, puna me recensentë është një dallavere që burimin e ka mu në ministri. Shumë recensentë janë angazhuar për të bërë punët e ndyta të zyrtarëve ministror, për të notuar tekste sipas hesapeve në mes të ministrave, shtëpive botuese, e dallaverexhinjëve tjerë që vjedhin përmes teksteve shkollore. Janë të mirënjohura për publikun rastet e raportuara kur recensentët janë dërguar në Durrës dhe janë porositur që të notojnë tekste me nota të urdhëruara nga lart.
Ky veprim që do ta ndërmarrë ministria nuk ka kurrfarë kuptimi edhe nga ana konceptuale: nëse recensentët janë kujdestarë të cilësisë së tekstit, kush do të jetë kujdestar i cilësisë së recensentit? Për më tepër, çka mund të dëshmojë se ministria e ka seriozisht kësaj here, përderisa nuk ka ndërmarrë asnjë hap deri tash kur është njoftuar se puna e recensentëve ka qenë e dobët? Ose, nëse recensentët e dobët do të përjashtohen nga ky aktivitet, çka do të ndodh me autorët e teksteve? Apo, edhe me vetë zyrtarët e ministrisë, që janë në krye të këtyre punëve?
Me një fjalë, ky zotimi se do t'i shtrëngojnë recensentët është një demagogji e lodhtë, të cilën vështirë se e beson edhe vetë ai që e ka thënë.
Lidhur me propozimin e dytë, pra me aprovimin e ligjit për tekste, jam shprehur moti, por ja vlen ta përsëris se ligji nuk do ta përmirësojë situatën. Dallaveret me tekste nuk janë bërë në margjina të aktiviteteve që mbulon ligji, por mu si një hajni klasike. Nëse ministria e ka seriozisht këtë punë - e çdo veprim i saj deri tash dëshmon për të kundërtën - atëherë ligji ekzistent është i mjaftueshëm për të prodhuar tekste të mira. Çështja qëndron në atë se ata që udhëheqin me këtë ministri, që nga ministrja e teposhtë, nuk janë të interesuar që të bëjnë mirë, por që të vjedhin, mundësisht pa u dikutuar e duke u duartrokitur për kinse punët e mira që po i bëjnë.
Është për mjerim situata në të cilën ndodhet vendi: edhe pas njëzet viteve që kur punët e arsimit i ka tërësisht nën kontroll kasta politike e vendit, ende nuk janë prodhuar një seri tekstesh të pranueshme për filloristë. Kjo flet shumë për nivelin e kulturës së politikuajve dhe nivelin e vetëpërgjegjësisë që ata (s')ndjejnë, por edhe të shoqërisë, e cila nuk ju kërkon me fuqi këtë përgjegjësi.