2023/02/26
Politika për reklamë
Shkas i këtij shkrimi u bë reklamimi me pompozitet i do veprimeve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës si të dobishme për vendin, kur në fakt asgjë nuk dëshmon se këto janë të tilla. Konkretisht, ministria ka ndarë bursa për vajza e gra që studiojnë lëmitë teknike, shkencat e natyrës dhe matematikën, pra të ashtuquajturat STEM. Por, se ku qëndron dobia e këtij veprimi, këtë arsyetim ministria nuk e jep.
Në fakt, çdo tregues, si nga numri i studenteve e raporti i tyre, rezultatet e PISA-s, e parametra të ngjashëm, dëshmojnë se femrat që mësojnë e studiojnë në Kosovë janë në rregull, për aq sa mundësi e cilësi ju ofron vendi. Pra, veçimi i tyre dhe përqëndrimi në to nuk gjen arsyetim.
Është e qartë se këto politika bëhen si shabllone të importuara nga zyret e Europës dhe Amerikës, bile edhe mu emërtimi STEM është importuar pa nevojë nga atje. Në këto vende, politikat gjinore e kanë sjellë sistemin arsimor - dhe jo vetëm - në një gjendje shumë të keqe, duke zhbalasuar rritën e natyrshme të shkollës.
Përpara se të kujdeset për ngarkimin e anës së femrave në balansën gjinore të shkollës, ministria si prioritet do të duhej ta kishte kalbjen e vetë shkollës dhe kualitetin mjeran që kjo ka në vend. Shumë më serioze është çështja e gati mbylljes së studimeve të elektroenergjetikës në vend, se sa nëse kuotat gjinore do të plotësohen sipas checkboxeve.
Kosova nuk e ka luksin që të ndjekë politika të botës, përderisa interesat dhe nevojat e vendit janë tjera. Bota mund, duhet dhe di të bëjë eksperimente, por Kosova jo, sepse i mungon themeli i palëkundshëm i ndërtimit të kulturës. Ja, për të marrë vetëm një shembull: sa e sa dekada kanë kaluar dhe shtylla kryesore e kulturës, gjuha pra, ende nuk është përvetësuar si duhet as nga profesorët universitarë, e lëre më që të diskutohet për degët tjera, si muzika, arti, arkitektura, shkenca, e të ngjashme.
Me një fjalë, kasta momentale e politikuajve që udhëheqin me vendin e kanë marrë qeverisjen me sllogane të thata, dhe me po këso politika fjalëboshe po e shtyjnë qeverisjen nga viti në vit. Çështjet e arsimit nuk janë të izoluara në këtë mënyrë qeverisjeje, por kjo formë pune vërehet edhe në dikastere tjera, si për shembull në energji, ku promovohen politika që janë në dëm të vendit. Them se politikat për energji janë në dëm të vendit, sepse nuk kujdesen as për furnizimin, as për sigurinë, e as për përballueshmërinë në çmim të energjisë për qytetarët.
Meqë bota tashmë ka filluar të përballet me shterpësinë e këtyre politikave, nuk besoj se kanë nge të dalldisen pas pozave të qeveritarëve kosovarë që shtiren si progresistë. Pyetja është se për kë bëhen këto reklama me politika? Besoj se ato bëhen për ata qytetarë e aktivistë që s'duan të mendojnë, por edhe që s'pranojnë të jenë jashtë ngjarjeve prijatare. Këta quazi-intelektualë e gjysmë-qytetarë i hanë parullat e gatshme dhe e mendojnë veten të emancipuar e në hap me kohën, pa e kuptuar se çdo hap është më afër greminës.