2022/07/10

Kinse përnjëmend

Pata një bisedë me profesorin Rasim Bejtullahu për zhvillimet më të reja në arsim dhe gjatë bisedës u mundova t'ia gjej fillin e reagimeve të tij e alarmit që ka ngritur për dallaveret e hajnitë që bëhen me tekste shkollore. Nuk e gjeta atë datë a vit fillestar, sepse për çdo reagim gjeja një edhe më të hershëm. Kjo s'është për habi, sepse ai është moti i angazhuar nga ministria e arsimit.

Reagimin tim të parë për gabimet në tekstet e fizikës, reagim që e bëra para tetë vjete, ai e priti mirë dhe e përkrahu. Por, ma dha një këshillë. Më tha se nuk është aq problemi te cilësia e mësimit të shkruar në libër, por te dallaveret që bëhen për aprovimin e teksteve. Fundja, cilësia është pasqyrim i profesoratit të fizikës që ka vendi, e Kosovës fizikën ja mbajnë do ekologë, biologë, anti-Ajnshtajnë, dhe fshatundarë që e qesin fizikën prej vetit. Kurse hajnitë për aprovimin e teksteve janë të sofistikuara në një nivel të lakmueshëm.

Veprimi i fundit i ministres Nagavci për të ftuar hetuesinë që të shikojë se çka ka ndodhur më 2018/19 gjatë aprovimit të teksteve është një fitore e vogël, një aprovim i asaj që e kemi shkruar profesori Rasim e unë që sa e sa kohë: mund të pohohet me plot arsye se ministria e arsimit popullohet nga hajnat! Dikush mund ta përshëndetë këtë veprim të saj, por jo unë. Kjo për dy arsye.

E para: ky veprim është shumë i vonë dhe i bërë me plot salltanet, thuajse me të vërtetë u desht të ngritet komision auditorësh për të raportuar për gjëra të cilat i kanë shkruar - e tashmë edhe i kanë harruar - gazetat. Shih tjetrën: derisa i ra ndër mend ministres të ftojë hetuesinë, ajo vetë si ministre i ka aprovuar padrejtësisht dy seri tekstesh shkollore dhe ju ka dhënë aprovimin një grumbulli tekstesh bërllog. Kujto që në situata normale tekstet shkollore aprovohen për një periudhë mbi dhjetëvjeçare, dhe duke ditur se Kosova tashmë i ka aprovuar tekstet për të gjitha klasat, seria e re e teksteve do të duhet të pritet tek më 2030 e kusur. Pra, ky intervenim i këtyre ditëve - nëse del i hajrit - s'do të ketë asnjë dobi për nxënësit që tani vijojnë shkollën. (Pede çka do të ndodh në krye të dhjete vjetëve.) Kurse hajnat e dallaverexhinjët e rryer që e kanë shkatërruar shkollën e Kosovës ose janë në pension, ose do të dalin së shpejti, hala pa nisë hetimet. Ministrja e ka pasur në dorë që ta ftojë hetuesinë vjet, sapo e ka marrë mandatin, në kohën kur do hajna i ka pasur në ministri. Se pse nuk ka intervenuar, vetëm ajo e di. (Ose, pse ka nevojë prokuroria të ftohet more vëlla, pse s'shkojnë ata prokurorë në ministri vetë e të kërkojnë zbardhjen e dallavereve?)

Arsyeja e dytë se pse s'ma mbush syrin kjo ftesë që ministrja i bën policisë së krimeve ekonomike është ftesa me cen që ajo ka bërë, është veprimi i cungët që ajo ka ndërmarrë. Nuk e di nëse ministria mund t'ia kufizojë hetimin policisë vetëm për periudhën 2018/19, por ky kufizim është artificial dhe me hile. Dallaveret dhe hajnitë me tekste shkollore nuk kanë ndodhur vetëm në këtë periudhë, por edhe shumë më herët, e gjithashtu edhe pas datave të shënuara. Ja, sa për t'ju rikujtuar: qysh me prodhimin e serisë së parë të teksteve së pasluftës, aty gjatë viteve 2002-2006, shtëpisë botuese Dukagjini i aprovohet pa recensentë teksti i fizikës për klasën e tetë, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Ose, tash rishtas, mu kjo ministre vjet aprovoi për përdorim librin e fizikës së klasës së tetë të shtëpisë botuese Albasi, ndonëse libri nuk e kishte marrë notën kaluese. (Dalloni: vërejtjet e mia janë vetëm për libra të fizikës, e për lëndët tjera gjeni profesionistët përkatës, le të flasin a shkruajnë ata!) Që të dy këto veprime janë po aq serioze, sikurse mbledhja e recensentëve në Durrës, ky një nga veprimet që nxiti kërkesën për hetime. Pra, si arsyetohet përzgjedhja e çështjeve për hetime? Nëse Policia e Kosovës e ka përnjëmend hetimin, atëherë do të bënte mirë ta kontrollonte dokumentacionin që nga paslufta e deri në ditën kur hyjnë në ministri.

Duke u bërë kinse po punojmë dhe kinse po e ndjekim ligjin, pra duke i mbuluar hilet me raporte auditorësh e ftesa prokurorësh, s'ecin punët përpara, pos që zhagiten deri në mërzi e plogështi. Reagime për hilet me përzgjedhjen e teksteve të vitit 2018 ka pasur me bollëk, bile profesori Rasim ju ka shkruar vazhdimisht të gjithë atyre ministrave e zëvëndësministrave, emrat e të cilëve tash i ka mbuluar pluhuri, si ka gjasa t'i mbulojë edhe këta që sot i fërkojnë vithet me lëkurën e kolltuqeve ku hijeshohen nëpër zyre. Rezultat për duartrokitje është vetëm kur ta shohim ndonjë hajn prapa grilave të burgut, gjë që s'ka ndodhur hala. Se, kur është fjala për raporte auditorësh, te ata kam raportuar moti, qysh kur më kanë ftuar më 2015 e tutje. Bile, kam raportuar edhe në Komision të Kuvendit, dhe rezultati është një zero e madhe dhe një dëshprim edhe më i madh.

Nuk e kuptoj se pse iu deshën ministrisë gjithë këto salltanete për ta ftuar hetuesinë për ta bërë një punë, për të cilën kjo parti që sot qeveris ka buçitur me të madhe. Hiq të kaluarën, mjafton të lexohen reagimet që kemi bërë dhe shkresat zyrtare që kemi dërguar për të kundërshtuar vlerësimet me hile të recensentëve të angazhuar nga kjo ministre, për të dalluar se puna është duke u bërë keq. Një ministër i kulturuar mjaftohet me leximin e raportit të çiftit të Rashit Maliqit për ta pezulluar a anuluar vlerësimin e teksteve, derisa të qartësohen gjërat e të bien në binarët e duhur. Nuk pres që një ministër të dallojë se çifti i Rashit Maliqit e qet fizikën prej vetit, zbulon ligje e parime që as vet s'i di se çka janë, por një ministër i kulturuar e profesionalist i zoti i lexon ankesat që i kemi dërguar, e lexon raportin e recensentit, dhe e dallon që ky farë recensenti - bazuar në aftësitë e tij të hartimit - nuk është dashur ta kalojë as klasën e dytë fillore, e lëre më të kontrollojë dorëshkrime. Fundja, një ministër i kulturuar e lexon me vëmendje se çka po shkruan populli, e populli e gjeti librin e vet Rashit Maliqit, ku ky kastravec e demanton vetveten. Por, ku ta gjesh një ministër të kulturuar se? Jo more, ministrat i kemi për kanaxhexhe...

Rregullimi i lëmshit që është në ministri të arsimit kërkon një vullnet e dituri kolosale, të cilën kjo garniturë pushtetarësh nuk e kanë, kërkon një punë vetëmohuese, të cilën këta manekenë pushteti nuk e bëjnë. Përkundrazi, këta e kanë hallin të bëhen kinse po bëjnë diçka. Ligji aktual për tekste shkollore, ndonëse nuk është i përkryer, është mjaftueshëm i mirë për nevojat e Kosovës. Hajnia e dallaverja bëhet pavarësisht ligjit. Këta, në vend se të merren me hajna, merren me ligjin dhe kërkojnë ta ndërrojnë atë. Por, nuk është ligji që ndikon në ndalimin e veprimeve të mbrapshta, por zbatimi i tij. Zbatimi i ligjit bëhet atëherë kur ministria dhe organet e saj, si për shembull KEPTSh-i, i lexojnë me vëmendje raportet e recensentëve dhe skuqen nga marritë që shkruhen aty. Dhe marritë shkruhen, sepse janë raporte të bëra me porosi. Vjet, dorëshkrimi i astronomisë i profesorit Rasim u dëmtua nga recensentja psikologe-pedagoge, e cila s'merr vesh aspak nga astronomia. Profesori reagoi fuqishëm me plot të drejtë, por nuk gjeti përkrahje, sepse elitës intelektuale e kulturore të vendit ju duk se po i prishet imazhi. Sivjet dorëshkrimi ynë i fizikës u dëmtua nga njëfarë Sevim Mustafa, për të cilën tash vonë mësova se qenka profesoreshë e re e psikologjisë në AAB. Komentet e saj se ngjyra e kopertinës nuk përputhet me lëndën e fizikës ose se numri i figurave në tekst është i madh janë absurde, dhe pranimi i këtyre komenteve nga MAShTI dëshmon hile. Uroj që hetuesia do t'ia ofrojë asaj dy mundësi zgjedhjeje: ose është e korruptuar dhe ka shkruar raport të porositur, ose është budallicë. Cilado qoftë zgjedhja, uroj që ky hetim do t'iu këpusë rrugën e mbrapshtë që kanë nisur këta "profesionistë" a "expertë" hala pa ju forcuar eshtrat. Si këta ka edhe shumë "partizanë" tjerë në ministri, që s'duan të largohen nga puna e shtetit pa e blerë ndonjë banesë a kerr me pare të korrupsionit.

Megjithatë, nuk pres ndonjë rezultat nga hetimi i mundshëm. Dallaveret e hajnia ka zënë rrënjë të thella dhe kjo qeveri nuk po tregon aftësi për ta shkulur. Për më tepër, performancat e tyre po mbesin të tilla, show për milet, pa ndonjë të arritur konkrete në arsim. Ministrinë nuk e ka penguar askush që t'ju prij punëve për së mbari, gjë që kanë dështuar ta bëjnë, dhe ftesa e vonë dhe e cungët që ja bënë hetuesisë është shenjë që s'e kanë përnjëmend.