2021/11/14
We don't need no new law
Ministria e arsimit në Kosovë është duke punuar në një projektligj të ri për tekstet shkollore. Kjo është një punë e kotë që shërben vetëm për t'u dukur e për të lënë përshtypjen se diçka po punohet, dhe nuk zgjidh asnjë nga problemet e shumta që i kanë përcjellur aprovimet e deritanishme të teksteve.
Ligji aktual për tekste shkollore është aprovuar më 2007 dhe natyrisht që ka mungesa të shumta. Për shembull, ky ligj nuk e përcakton saktë se si caktohen recensentët, nuk thirret në Standardin për Tekste Shkollore, sepse ky është aprovuar më 2011, e kështu me radhë. Megjithatë, ligji aktual i plotëson kënaqshëm nevojat për rregullimin e botimit dhe aprovimit të teksteve shkollore dhe nuk është aspak burim i punëve të këqija që e kanë përcjellur aprovimin e teksteve gjer tani.
Për më tepër, projektligji në përpunim parasheh disa anomali që s'e kanë vendin në një ligj serioz. Dy shembuj janë veçimi i teksteve të përkthyera si mundësi për t'iu ofruar nxënësve në Kosovë dhe hapja e mundësisë që autori të aplikojë në konkursin për tekste, e jo që aplikimi të jetë ekskluzivitet i shtëpive botuese. Të dy këto propozime janë të këqija dhe arsyetimet i kam dhënë me kohë (këtu dhe këtu).
Problemet kryesore që lidhen me aprovimin e teksteve shkollore janë korrupcioni në ministri dhe mungesa e kompetencave të atyre që merren me aprovimin e teksteve. Në shumë raste ministria ka favorizuar një shtëpi botuese a tjetrën, pa pasur një arsyetim të shëndoshë për këtë, bile edhe duke bërë me hile ndaj dorëshkrimeve, disa nga të cilët ose i ka fshehur gjatë procesit të recensionit, ose nuk i ka futur në listën e teksteve të aprovuara e s'i ka shpërndarë nëpër shkolla, kur i ka aprovuar tekstet alternative (kjo ka ndodhur me librin e fizikës për klasën e shtatë, ku jam bashkautor).
Aprovimi i teksteve alternative gjatë këtij konkursit të fundit që u përmbyll në tetor, ja dha një mundësi mundësi ministrisë dhe drejtorive komunale të arsimit që ta bënin një lëmsh të vërtetë. Ministria jo vetëm që veproi në kundërshtim me Standardet kur aprovoi si tekst mësimor dorëshkrimin që u vlerësua me notë më të vogël se minimalja e nevojshme për një aprovim të tillë, por edhe aprovoi tekste që kanë lëshime elementare të lëndës.
Me fjalë tjera, ministria do të duhej të angazhohet në zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe të mos humbë kohë e energji me prodhimin e ligjeve të reja që s'i zbaton kush. Pra, në një moment kur hajnia dhe paaftësia e ka kapluar ministrinë, prodhimi i ligjeve të reja i përngjet punës së kurvës proverbiale që krihet përderisa katundi digjet.