2022/04/12
Çfarë ere po vjen?
Paska përfunduar procesi i vlerësimit të dorëshkrimeve për tekste shkollore dhe dorëshkrimi me të cilin kam marrë pjesë në bashkautorësi me profesorin Rasim Bejtullahu e kolegë tjerë dhe i përgatitur për botim nga Libri Shkollor qenka vlerësuar me notën 3.00, që është pragu i kalimit. Kjo do të thotë se ato shkolla që duan mund ta përdorin këtë libër për mësim.
Megjithatë, jam shumë i pakënaqur me procesin e zhvilluar. Kam qenë i njoftuar para më shumë se tre-katër muajsh se vlerësimi është duke u bërë me hile. Nuk kam dashur të besoj, edhepse përvoja më mësonte për të kundërtën. Tek kur u njoftova se në procesin e vlerësimit të dorëshkrimeve është angazhuar edhe Rashit Maliqi u binda se procesi s'është i mbarë. Ky ka qenë recensent edhe për librin tonë të klasës së dymbëdhjetë dhe recensioni i tij, thënë më së buti, ka lënë shumë për të dëshiruar (për këtë punë kam shkruar para një muaji, shih këtu). Është e pakuptueshme se pse angazhohet në tri konkurse ky njeri për të na kontrolluar dorëshkrimin, përderisa duket sheshazi se fizika që dimë ne dhe ajo që shfrytëzon ky nuk përputhen fare (me fjalë tjera, ky është i shkollës së fizikës kosovare që e rrëzon Ajnshtajnin).
Ajo që është me rëndësi është të theksohet se ne, në përgjigje të recensionit të tij, kemi kërkuar që ky person të mos angazhohet më në këtë detyrë, sepse puna e tij tregonte se nuk merrte vesh nga fizika. Meqë na u kërkua, ne edhe e protokolluam kërkesën tonë dhe ajo mund të gjendet me numër protokolli Nr. 02/1K 1329, 4 gusht 2021. Kurrë s'kemi marrë përgjigje nga MAShTI, edhepse rregulli e kërkon një gjë të tillë.
Angazhimi i Maliqit për këtë punë është bërë me një qëllim të vetëm: të bëhet me hile! Ka kohë që më thuhet se konkursin do ta fitojnë Dukagjini si i pari e Albasi si i dyti, gjë që edhe ndodhi. Tash MAShTI paska vendosur t'i aprovojë komplet katër libra të fizikës, sasi e lakmueshme kjo edhe për vende që kanë qindra milion banorë e traditë të mirëfilltë në shkencë.
Ja pra, edhe pas sa e sa reagimeve, fitues konkursesh në Kosovë janë ata që shkruajnë se metri është shipkë, se ecja mbi qilim shkakton alivanosje, se lëvizja drejtvizore është e lakuar, etj etj... Kjo punë mundësohet nga angazhimi i recensentëve si çifti i Maliqit, i cili nuk di të tregojë se a është libri në pajtim me programin a jo, dhe aprovimi i bërë nga ministrat si çifti i Bytyqit e Nagavcit, kualiteti i punës të së cilëve nuk po paraqet asnjë dallim.
Gjatë dy javëve të ardhshme shtëpitë botuese do t'i marrin raportet e recensionit dhe do të kem mundësinë të shoh saktësisht se çfarë vërejtje kanë pasur recensentët në punën tonë. Të shohim se çka do të dalë nga kjo punë. Në krye të punës dhe kur u kuptua se ajo nuk po zhvillohet si duhet, profesori Rasim shpesh ma përmendte se donte ta tërhiqte librin nga konkursi. Ndoshta ky paska qenë veprimi i duhur. Tash shtëpitë botuese e kanë të drejtën e ankesës në MAShTI, por nuk jam i sigurtë nëse do të mund të argumentoj për ta ndjekur këtë rrugë, kjo për arsye se MAShTI ka dështuar të na përgjigjet në vërejtjet e konkursit të kaluar. Pra, nuk mund të argumentoj se komunikimi me MAShTI-n është i frytshëm. Në këtë rast na duhet të trokasim në dyer tjera për të kërkuar të drejtën.
Gjithsesi, për t'iu përgjigjur pyetjes së titullit, bazuar në një sllogan "të lodht" që përdoret poshtë e përpjetë, e vetmja gjë që mund të them për këtë proces është se po i vjen era ndyrësi! Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa po njoftohem me gjëra që duhet të jenë të fshehta, përderisa po e di rezultatin ende pa u përfunduar vlerësimi, përderisa angazhohen njerëz që nuk dinë fizikë, por votojnë për miq e jarana. Shih anomalinë e procesit: një bashkëfshatar ja bën recensionin dorëshkrimit të kojshisë nga fshati. Por, le të jetë e qartë: siç e thotë për mrekulli ligji, faji mbetet te ministria e arsimit, sepse ajo është organizatore dhe kujdestare e këtij procesi. Edhe një herë: ministrat e kaluar kanë aprovuar tekste ku shkruan se vala ka masë, se zëri është madhësi fizike, se fraktalet duken më qartë pas çdo zmadhimi, e të ngjashme. Kurse ministrja e çastit nuk ju ka mbetur borxh aspak: ajo aprovoi libra ku shkruan edhe se currili që del nga shiringa ka shpejtësi 2 km/s! Të shohim se çfarë mrekullish do të sjellin këta librat e rinj, çfarë ligje të natyrës do të thehen tash.
2022/03/20
Në fund të një cikli
Sivjet mbyllet cikli i përzgjedhjes së teksteve shkollore: gjatë 4-5 vjetëve të fundit Ministria e Arsimit në Kosovë i ka ndërruar të gjithë librat që nxënësit përdorin në shkollë, përfshi edhe ata të fizikës. Ndërrimi u arsyetua me kërkesën që tekstet të jenë në përputhje me kurrikulën e re, por edhe me nevojën që tekstet të përmirësohen nga gabime të shumta shkencore e pedagogjike.
Rezultati i kësaj pune është një lëmsh që nuk përmirësoi asgjë. Nga librat e fizikës u hoqën gjepurat si vala ka masë, por u futën tjera si ecja mbi qilim shkakton alivanosje. Me një fjalë, botimi i teksteve të reja rezultoi me ndërrimin e një budallakie me tjetrën.
Ndërkohë, praktikat korruptive nuk pësuan asnjë ndryshim dhe u zbatuan me përpikëri: tekste me cilësi shumë të dobët u adaptuan për t'u përdorur në shkolla për të kënaqur nevojat klienteliste, pavarësisht partisë politike që udhëhiqte me ministrinë.
Në këtë periudhë, përvoja personale m'u pasurua jo vetëm me atë të kritikut, por edhe u bëra bashkautor teksti. Megjithatë, zhgënjimi me angazhimin në këto punë është enorm: jo vetëm që nuk m'u vlerësua pozitivisht puna, por fitorja e teksteve kundërshtare të mbushura me gabime elementare kishte vetëm një përfundim, atë se s'ja vlen të merret njeriu me këto punë në një ambient të tillë. Sepse, nuk është e nevojshme që njeriu të jetë fizikan për të ditur se ecja mbi qilim s'shkakton alivanosje, apo që metri nuk është shipkë, apo që koncepti forca e shtypjes nuk ka kuptim. Prandaj pres gati me indiferencë përfundimin e përzgjedhjes së teksteve të klasës së nëntë, por, meqë parashikoj dallavere edhe gjatë kësaj përzgjedhjeje, reagimi s'do të mungojë. Kjo vetëm për të përmbyllur këtë cikël.
Ku është zgjidhja? Dikur kam menduar se të vetmit që mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes janë prindërit që kanë Këshillin e tyre, një mekanizëm që mund të bëjë punë të mirë. Sot më nuk e kam këtë mendim. As trupa profesionale nuk mund të sjellë përmirësim, sepse si mund të presë intervenim njeriu nga ata profesorë universitarë që s'janë në gjendje të shkruajnë një tekst pa një kerr gabime të lëndës, të pedagogjisë, të të shprehurit, bile edhe gabime gramatike të nivelit të fillores. Ata nuk e kanë shkruar asnjë rresht për dallaveret që bëhen me tekste, e as për cilësinë e dobët të tyre. Përmirësimi nuk mund të pritet as nga mediet, të cilat mbijetojnë përmes kalkulimeve e shantazheve.
Gjasat e vetme për përmirësim janë te njerëzit e ndërgjegjshëm, të cilët edhe mund të jenë në ministri, edhe prindër, edhe profesionistë, por që nuk janë të organizuar. Pra, e gjitha që mund të bëhet është përmes reagimeve sporadike të pak njerëzve të ndërgjegjshëm. Por, me reagime sporadike nuk ndërtohet një sistem i mirë i arsimit; sistemi kërkon mekanizma të fuqishëm të llogaridhënies, e jo mbështetje në vullnetin e mirë të individëve. Dhe, përderisa sistemi nuk ndërtohet, arsimi i Kosovës do të vazhdojë qelbjen në fundin e botës.
2022/03/08
Punë me hile
Në korrik të vitit të kaluar, si e do puna, na u dha raporti i recensentit për dorëshkrimin e tekstit shkollor të fizikës për klasën e 12-të gjimnaz, drejtimi i shkencave të natyrës me të cilin kishim konkuruar. Për njoftim të lexuesit, recensioni i dorëshkrimeve zakonisht bëhet nga tre veta: një profesor universitar, i cili analizon saktësinë shkencore të dorëshkrimit, një pedagog dhe një mësimdhënës, të cilët kryesisht analizojnë përshtatshmërinë e tekstit për shkollat e Kosovës.
Raundi i parë i përgjigjes, të cilën e përgatiti profesori Rasim, i mori parasysh vërejtjet e recensentëve të cilat kishin të bëjnë me vëllimin e tekstit dhe rezultoi me shkurtimin e tij. Por, recensenti që analizonte saktësinë shkencore të dorëshkrimit tonë ndërhynte në tekst dhe kërkonte ndryshime të cilat nuk përkonin as me fizikën, e as me kërkesat që plani dhe programi i paraqiste për një tekst të tillë. Prandaj, duke i paraqitur arsyetimet tona, u përgjigjëm negativisht në kërkesat e recensentit.
Ai, megjithatë, nguli këmbë në qëndrimet e tij dhe refuzonte rekomandimin e dorëshkrimit tonë si tekst shkollor. Të ndodhur para një bllokimi të punës dhe duke mos pasur adresë tjetër për ankesë, atëkohë, konkretisht me 30 korrik, i shkrova një letër joformale ministres, në mënyrë që të shoh nëse ajo mund ta sillte procesin në binarë të duhur. Letra që shkrova argumentonte se vërejtjet që ngriste recensenti ishin gabim si nga aspekti i fizikës, por ashtu edhe nga kërkesat që parashtronte Standardi për Tekste Shkollore. Udhëzimi që mora ishte që të përgatisnim një ankesë formale. Këtë e bëmë dhe e protokoluam (Nr. 02/1K 1329, 4 gusht 2021). Kjo shkresë gjendet në vijim. Kurrë nuk kam marrë përgjigje zyrtare nga ministria në shkresën-ankesën e dërguar. Edhepse teksti ynë përfundimisht u aprovua për përdorim në shkolla, komunikimi profesional e kërkon që shkresës sonë t'i jepej një përgjigje.
Paralelisht me këtë reagim, e shkrova një seri postimesh në faqen personale në Facebook, të cilat po i përcjell më poshtë. Kisha bindjen që këto postime s'do të më duhen më, por ja që tash mësoj se ka gjasa që i njëjti person të vazhdojë punën e recensentit për dorëshkrimet e reja të fizikës! Ky është një gabimi i radhës i ministrisë: ose recensenti e ka mirë dhe libri ynë nuk është dashur të aprovohet, ose ky recensent është i paaftë dhe nuk është dashur të angazhohet më për këto punë.
Angazhimi i personave të paaftë, të pandërgjegjshëm, dhe pa asnjë llogaridhënie nga ana e MAShTI-t është dëshmi e punës me hile që zhvillohet atje. Duke mos kërkuar llogari, MAShTI ia lë dyert hapur vetes që të bëjë dallavere dhe të aranzhojë zgjedhjen e teksteve sipas interesave të personave, e jo sipas meritës e në dobi të nxënësit.
Shkresa ankesë drejtuar MAShTI-t
(pa kreun e letrës)
I drejtohemi titullarit (MAShTI-t, vërejtje plotësuese) për të reaguar ndaj raportit të recensentëve që kemi marrë për dorëshkrimin tonë për tekstin e fizikës për klasën e 12 gjimnaz, drejtimi i shkencave të natyrës, kodi L12F6, dhe për të shfaqur pakënaqësinë tonë ndaj raportit të recensentit me kodin FX1, me ç’rast duam të argumentojmë se recensioni i tij nuk i plotëson kushtet bazë për t’u marrë parasysh. Me këtë rast kërkojmë që raporti i tij të shpallet i pavlefshëm dhe që këtij recensenti të mos i mundësohet më recensioni i teksteve të fizikës.
Nga tri raportet e recensentëve, ato me shifër FX2 dhe FX3 propozojnë botimin e tekstit tonë, ndërsa ai me shifër FX1 propozon botimin me kusht që të bëhen intervenime në tekst. Disa nga kushtet që vë ky recensent nuk kanë kurrëfarë baze për t’u plotësuar (këtë e argumentojmë në vijim), prandaj ne jemi njoftuar jozyrtarisht se dorëshkrimi ynë nuk e ka fituar të drejtën e botimit. Ky reagim është përgjigjja jonë kundrejt këtij njoftimi dhe ankesë ndaj punës së dobët të recensentit të angazhuar nga MAShTI për të vlerësuar dorëshkrimin tonë.
Ne autorët i kemi diskutuar intervenimet e kërkuara dhe ato ndryshime që i kemi parë si të aryseshme edhe i kemi bërë më herët. Dorëshkrimi ynë u vlerësua si voluminoz nga të tre recensentët dhe ne e kemi zvogëluar atë për 29 faqe nga 239 faqet e versionit të parë. Pra, mbi 12% e materialit origjinal është hequr, por pa e cënuar kualitetin dhe koherencën e mësimeve. Njoftojmë se shumë faqe të dorëshkrimit janë material shtesë, si për shembull fjalorthi, taksonomia e Blumit, objektivat e orës, e të tjera, që nuk përdoren gjatë orës mësimore, por që referohen vazhdimisht gjatë përdorimit të librit, prandaj dallon nga materiali që shtjellohet gjatë mësimit.
Argumentet që mbështesin kërkesën tonë për ta refuzuar raportin e recensentit FX1 dhe për të mos përfillur vërejtjet e tij po i përcjellim më poshtë, ku kemi dhënë përgjigje në disa pika kyçe që ka ngritur ai. Në këtë rast jemi përqendruar vetëm në çështje konkrete që prekin fizikën dhe metodologjinë e tekstit, dhe nuk e kemi diskutuar mungesën elementare të të shprehurit të recensentit, ndonëse kjo shpalon kulturën e tij të mangët dhe është një standard bazë që dikush që merr këtë detyrë duhet ta plotësojë. Besojmë që gabimet e tij elementare në të shprehur e të shkruar mund t’i evidentojnë vetë zyrtarët e ministrisë.
Në vijim është dhënë vetëm një mostër e “rekomandimeve” të recensentit FX1, të cilat po u përfillen, do të rezultonin në një tekst me plot gabime shkencore. Nga ana tjetër, ne si autorë përballemi me kushtin e botimit të dorëshkrimit tonë në varshmëri të plotësimit të këtyre rekomandimeve absurde e të gabuara. Në përgjigjen e parë që e kemi dhënë për raportin e recensentëve, ne, për mirësjelle dhe si e kërkon etika e komunikimit profesional, e kemi vlerësuar punën e recensentëve dhe i kemi falendëruar për angazhimin, me shpresën se zyrtarë të MAShTI-t që janë përgjegjës për aprovimin e botimit të teksteve shkollore do të reflektojnë dhe do të dallojnë kualitetin e dobët të këtij raporti. Tani, të përballur me refuzimin e punës sonë, jemi të detyruar të ngremë zërin dhe të kërkojmë përgjegjësi profesionale e morale nga zyrtarët e ministrisë, ashtu që botimi i një libri shkollor të mos mbetet peng i kapriceve idioteske të një recensenti që s’i ka kompetencat elementare për këtë punë.
(fund i shkresës)
Postet në Facebook
1 gusht 2021, 13:44
Miq,
pardje ka qenë një ditë interesante.
Së pari mora ftesën nga një fondacion ndërkombëtar për të komentuar dhe vlerësuar një projekt-propozim shkencor që synon të realizohet në Amerikë. Kjo do të jetë hera e katërt që shkruaj recension për këtë fondacion (se cili është, ju tregoj vitin tjetër, pasi të shpallen rezultatet). Ftesa që mu bë u arsyetua me pëlqyeshmërinë e recensioneve të mëparshme që kisha bërë. Vlen të theksohet se në rekomandimet e mia të mëhershme ka pasur edhe shprehje pajtimi për financimin e projekteve, por edhe refuzimi, natyrisht duke e argumentuar rekomandimin tim me njohuritë dhe përvojat që kam për këto punë. Gjer tash, projektet e kanë pasur fatin ashtu si kam rekomanduar, pra ka ndodhur 100% si kam propozuar. (Këtë përqindje nuk e kam për recensionimin e punimeve shkencore, sepse nja 2-3 janë botuar edhe përkundër kundërshtimit tim, ose janë refuzuar edhe përkundër pëlqimit që kam shprehur.)
Së dyti, pardje mora recensionin për një dorëshkrim që kemi dorëzuar në MAShT. Unë jam pjesë e një ekipi fizikanësh nga Kosova e Shqipëria nën udhëheqjen e profesorit Rasim Bejtullahu që e kemi prodhuar një material për nxënësit e gjimnazit. Recensioni që mora nga MAShTI ishte për faqe të zezë dhe zbulonte mjerimin e "expertëve" nga Kosova që merren me punë që s'i dinë. Hiq kulturën e mjerë gjuhësore - edhe një reper me frizurë si fshisat e shtrigave a këto femrat bythëshpluara-e-buzëmbushura të hip-hopit a tallavasë shprehen më mirë - recensenti zbuloi se nuk merr vesh hiq nga fizika, të cilën pretendonte ta përmirësonte a kritikonte. Natyrisht që unë nuk e di se kush është ky recensent, sepse procesi është anonim, por leximi linte të kuptoj se fjala është për profesor universitar.
Ditëve në vijim do të shkruaj një seri vërejtjesh, nja 4 a 5 (ndoshta edhe 6 a 7, varësisht nga disponimi), ku shpalosi gabimet elementare në fizikë që i merr për të mirëqena recensenti. Do të kufizohem në 4 a 5, edhepse do të mund të mbushja nja 40 a 50 faqe me komente, por besoj që më tepër se kaq vetëm që do t'ju mërziste. Qëllimi është që përmes këtij shërbimi publik falas (recensenti në Kosovë paguhet!), edhe një herë t'ju heq argumentin "nuk e kemi ditur!" dhe t'ju shpalosi se çfarë "expertë" ndikojnë në shkollimin e fëmijëve tuaj, por edhe për të shtruar pyetjen se ku i gjen MASHTi këta kastravecë. Pyetja nuk është retorike e as lojë fjalësh, por një pyetje e sinqertë, përgjigjen e të cilës me të vërtetë nuk e di. Uroj që të më ndihmoni ta gjej përgjigjjen.
Deri më vonë, mbetshi me shëndet!
2 gusht 2021, 11:37
KU PO I GJEN MASHTI KËTA KASTRAVECA?
Pjesa 1: SA POSTULATE TË BOHR-IT JANË?
Dorëshkrimi që kemi dorëzuar për fizikën e gjimnazit e diskuton modelin e Bohr-it për atomin. Në këtë rast, recensenti "expert" i fizikës së Kosovës na kritikon se kemi paraqitur dy e jo tre postulate të Bohr-it. Vërejtja dhe rekomandimi i tij, si shihet në pjesën e epërme të fotos së bashkëngjitur, thotë se pohimi ynë që Bohr-i i ka paraqitur dy postulate është jo mirë (kjo është vërejtja për "mangësinë" e dorëshkrimit tonë) dhe se duhet paraqitur tri (kjo është këshilla e tij për "përmirësimin" e dorëshkrimit tonë, këshillë që po u plotësua do ta dëmtonte dorëshkrimin).
Shih si është puna: para mbi 100 vjetësh, njerëzit nuk e kanë ditur se si është atomi dhe modelet e propozuara nuk ju kanë qëndruar testeve. Me 1913, Nils Bohr-i, shkencëtar i madh danez, e propozon një model, i cili pak a shumë është modeli që përdoret edhe sot për të shpjeguar atomin. Për të ndërtuar këtë model, Bohr-i i supozoi disa pohime si të vërteta a priori, edhepse nuk dinte si t'i vërtetonte ato, e për më tepër ato binin ndesh me njohuritë e atëhershme të fizikës. Këto supozime u quajtën postulatet e Bohr-it.
Bohr-i në punimin e vet origjinal i paraqet vetëm dy postulate (kush do, punimin mund ta lexojë këtu: doi: 10.1080/14786441308634955). Për nevoja pedagogjike, sidomos për lëndën e kimisë apo ato teknike, postulatet e Bohr-it gjatë mesit të shekullit të kaluar janë zbërthyer në tri a katër, por mësimi modern i fizikës i është kthyer përmendjes së vetëm dy postulateve, sepse këto mjaftojnë për të shpjeguar modelin e atomit. Në figurën e bashkëngjitur unë i paraqes tri faqe që janë marrë nga tekste të ndryshme gjimnazesh e universitetesh, ku qartë shihet se bota e punon fizikën duke i përmendur dy postulate të Bohr-it. (Ai që është merakli i këtyre punëve e di që literatura angleze e amerikane nuk i përmend fare si postulate, por shkon drejtpërdrejt në shpjegimin e modelit të atomit dhe kërkon nga nxënësi që t'i kuptojë konceptet, kurse literatura e Europës Qendrore i veçon postulatet e Bohr-it dhe kërkon që nxënësi t'i mësojë ato gati përmendësh dhe t'i përdorë për zgjidhje detyrash.)
Si e punon bota, ashtu edhe kurikula e re e Kosovës e kërkon që modeli i atomit në fizikë të spjegohet duke u bazuar në dy postulate e jo tri. Por, vërejtja e recensentit është që të përmendi tri postulate! Pra, të tretën duhet ta nxjerr nga xhepi ose nga mendja e kalbur e këtij recensenti.
Të recensosh një tekst është punë me përgjegjësi dhe rregulla e parë e recensimit është që të shqyrtosh se nëse ajo që e ka shkruar autori është në përputhje me kërkesat dhe qëllimet e shkrimit, si dhe të mos ndëryhsh në materialin dhe stilin e tij. Edhe një herë: kërkesa e kurikulës së Kosovës është që modeli i atomit të shpjegohet përmes dy postulateve të Bohr-it, kurse recensenti, në kundërshtim me kurikulën që është materiali bazë me të cilin ai duhet të punojë, i kërkon tri.
Kjo papërgjegjësi është ajo që e shkatërron arsimin në Kosovë. Ky recensent pretendon të jetë i zoti në shkencë dhe para publikut dhe ministrisë paraqitet si ekspert i fushës, ndërkohë që ngatërrohet me gjëra elementare. Ky detaj ndaj të cilit po reagoj, pra nëse duhet përmendur dy apo tri postulate të Bohr-it, është shumë i vogël krahasuar me vërejtje tjera katastrofale që i ka paraqitur "experti", por që dallohet lehtë dhe pa hyrë në detaje të lëndës.
Është me të vërtetë e vështirë të duroj komente dashakeqe të lloj-lloj recensenti budallë, të cilit i është mbushur mendja që di fizikë dhe që provon për 10 minuta të më kundështojë një punë për të cilën jam munduar shumë. Është keq që nuk e di se kush është ky dhe nuk e kam afër këtë lopë e t'i them "O kali, kush je ti që komenton në punën time pa përgatitjen e duhur? O krimb qenefi, si mund të pretendosh të më korigjosh, kur nën hundën tënde fizika e Kosovës e ka rrëzuar Ajnshtajnin dhe ti pip s'ke bërë, kurse tash do të më tregosh se sa postulate i ka shkruar Bohr-i?"
MAShTI duhet të filtrojë këta recensentë dhe t'ju heq të drejtën për t'u marrë me punë për të cilat s'e kanë as minimumin e njohurive. Në vend se të kërkohet përkthimi i teksteve, më mirë do të ishte të angazhoheshin recensentë nga vendet tjera. Ose, në vend të testimit të mësuesve, më mirë do të ishte të fillohet me testimin e menaxhueshëm të recensentëve. Si autorë kemi punuar me përkushtim dhe natyrisht që gabime të shumta mund të na janë përvjedhur në tekst. Gjithsesi që ka mënyra të shumta për të përgatitur sa më mirë një tekst shkollor dhe gjithnjë gjejmë alternativa tjera për të shprehur një mendim apo shtjelluar një mësim. Dorëshkrimi i dorëzuar është fryt i diskutimeve të shumta brenda një afati të kufizuar kohor dhe një vëllimi të pranueshëm për nevojat e një gjimnazisti të Kosovës. Nga recensenti presim që ta vlerësojë nëse dorëshkrimi është i përshtatshëm për përdorim dhe nëse evidentohen gabime të lëndës, e jo të kërkojë intervenime në tekst për të futur pallavrat dhe trurin e tij të cungët. Ministria e arsimit duhet të intervenojë fuqishëm dhe me guxim dhe t'i thotë këtij "experti" që pordhët e tij t'i mbajë për vete, si dhe ministria duhet të ndërmarrë hapa që çifti i këtij të mos e ndot edhe më gjendjen e mjerë të fizikës në Kosovë.
3 gusht 2021, 13:31
KU PO I GJEN MASHTI KËTA KASTRAVECA?
Pjesa 2: POSTULATI I TRETË I BOHR-IT DHE RRËZIMI I EINSTEIN-IT
Sipas recensentit, "expert" i fizikës kosovare, postulati i tretë i Bohr-it është "Probabiliteti i kalimit të elektronit nga një orbitë në tjetren është i barabartë (i njëjtë)." Ky koment është dhënë në foton e bashkëngjitur.
Problemi me këtë koment nuk qëndron në atë nëse është apo jo ky postulati i tretë i Bohr-it (nuk është!), por në atë se ky koment nuk ka kurrëfarë kuptimi! Barazia apo njëjtësia është relacion që ekziston në mes të dy gjërave. Ky kastravec e ka treguar njërën, pra probabilitetin e kalimit të elektronit nga një orbitë në tjetrën, por s'e ka treguar se çka është tjetra. Pra, fjalia e tij është cung, mu si truri i tij: probabiliteti është i barabartë me çka?
Pak fizikë: probabiliteti i kalimit të elektronit nga një orbitë në tjetrën njehsohet përmes koeficientëve të Einstein-it. Këta janë tre koeficientë dhe shërbejnë si bazë teorike për shpjegimin e punës së laserit. Mësimi i tyre i mirëfilltë bëhet dikur kah viti i tretë apo i katërt i studimeve të fizikës, sepse kërkojnë njohuri paraprake për shpërndarjen e Maxwell-it që mësohet në mekanikë statistike. Ky probabilitet nuk është i njëjtë, por varet nga një sërë kushtesh, prandaj shprehjet për të njehsuar probabilitetin e kalimit të elektroneve (apo koeficientët e Einstein-it) kërkojnë angazhim dhe nuk janë triviale. Get që këtij "experti" ose ja kanë falë notën e provimit kur e ka dhënë fizikën atomike, ose i ka vdekur "gjyshja" atë ditë dhe s'ka arritur t'i ndjekë ligjëratat.
Nëse ky "zbulim" origjinal i këtij kastraveci pranohet, pra që probabiliteti i kalimit është i njëjtë, atëherë koeficientët e Einstein-it janë të panevojshëm në fizikë. S'e di ku ka qenë ky "fizikan" më parë që me këtë "zbulim" t'ju lehtësonte jetën studentëve të botës që heqin shumë duke i mësuar këta koeficientë.
Është e çuditshme kjo kërkesë e "fizikanëve" nga Kosova që me çdo kusht duan ta heqin Einstein-in e madh nga fizika! Njëri atje thotë se relativiteti është gabim, ndonëse mijëra mendje nga më të mprehtat e botës shpenzojnë vite të tëra e miliarda dollarë duke punuar me relativitet, kurse ky tjetri këtu i bën koeficientët e Einstein-it krejt të panevojshëm! Sepse, shih çka thotë "shkenca kosovare": probabiliteti është i njëjtë! Bota bën humor me çiftin e këtyre, sepse botës kohë pas kohe i duhet një pauzë relaksimi. Bota e ka formuar një listë të marrinave që njerzit provojnë t'i bëjnë dhe varësisht nga ato që dikush realizon, i mbledh pikat për t'u shpallur sharlatan (në fakt, termi origjinal është crackpot, që në shqip mund të përshtatej si kryehavryz-truoturak.) Dhe pikët më të mëdha për t'u shpallur truoturak i merr ai që e rrëzon Einstein-in. Kosova e ka një galeri impozante kryeoturakësh.
Është interesante dhe e dobishme të kuptohet se si ka arritur gjendja deri këtu. Natyrisht që unë s'mund ta dokumentoj, por besoj fuqishëm që problemi qëndron te titulli profesor që i është dhënë lloj-lloj kastraveci dhe kjo më nuk është diskutuar. Pra, respekti i madh por i pamerituar dhënë profesorëve ka sjellë në këtë anomali ku Kosova ka oturakë që "bëjnë shkencë". Këta profesorë sillen poshtë e përpjetë të veshur setër e pantoll, dhe si profa që janë, flasin me "kullturë", edhepse kultura e tyre s'ka arritur deri te niveli i mirëmbajtjes së higjenës personale; kryesorja, këta i regjistron si "expertë" shoqëria.
Paramendoni një të ri nga një katund i Kosovës, i cili del për herë të parë jashtë lagjes së vet më 1970 dhe shkon në Beograd për studime. Ai kthehet si student, pa i përfunduar studimet, por mjafton që ka qenë diku në Beograd, i ka shetitur rrugët si shoku Tito, dhe vjen e bisedon me katundarët e vet. Këta katundarë kanë telashe me vandën e ujit, me gardhin, me barishtet e këqija, me ujkun që ju bjen në torishtë, me stanin që ju ka shkatërruar bora, kurse ky oturaku tash vjen e ju përmend nja dy a tri terma, si energjia ose probabiliteti, kuptimin e të cilave s'e di as vetë. Katundarët mahniten nga ky katundari-student që po shpërthen në botë, edhepse i dalë nga Koqova, Muqibaba, Kaqibegu, Muqivërrci, apo nga kjo këneta e quajtur me (s)hije Prishtinë. Së shpejti ky bëhet profesor dhe, duke tentuar të shpjegojë fizikë, i helmon gjenerata të tëra me defektet e oturakut të vet që ka në vend të kokës. Pjellë e tij janë sot profesorët tërrskota që popullojnë universitetet e Kosovës.
Nuk e di a e keni vërejtur se MAShTI i shetitë titujt kohë pasë kohe, herë e vë e herë e heq I-në e inovacionit. Do të ishte mirë që ministria të përqendrohej vetëm në arsim dhe mundësisht ta vendoste këtë në binarë të duhur, se sa për shkencë, teknologji, e inovacion, e gjitha që Kosova ka dëshmuar deri tash është një ekselencë në budallaki. Kur ky recensent i mjerë ka telashe me koncepte që duhet t'i di edhe një maturant, ndërkohë që ka zënë pozitë dhe vendos për "shkencën" në Kosovë, për çfarë shkence (pos cirkusit) pretendon Kosova?
4 gusht 2021, 12:13
KU PO I GJEN MASHTI KËTA KASTRAVECA?
Pjesa 3: MODELI I THOMSON-IT PËR ATOMIN DHE QERSHIAT ME BËRTHAMË
Dorëshkrimi ynë, në pajtim me kërkesat e kurikulës së Kosovës, e njofton nxënësin për disa modele të atomit, modele këto të formuara, shtjelluara, diskutuara, dhe kryesisht të dëshmuara si të pasakta në kapërcyellin midis shekujve XIX e XX. Ne e kemi paraqitur modelin e Thomson-it për atomin, i botuar për herë të parë më 1904, i cili ndërrohet komplet nga ai i Rutherford-it, model i botuar më 1911. Më pastaj modeli i Rutherford-it plotësohet nga ai i Bohr-it më 1913, e kështu me radhë.
Recensenti e kritikon trajtimin tonë dhe na tregon se çka duhet të shkruhet. Kjo është paraqitur në foton e bashkëngjitur. Shih sa mbrapshtë e shpjegon ky kastraveci modelin e Thomson-it, shih si e bën lëmsh fizikën, shih si bën gabime elementare që s'i falen as nxënësit të fillores.
Për të mos e zgjatur, recensenti na thotë se duhet ta shkruajmë që sipas Thomson-it, elektronet kanë qenë të zhytura në bërthamë! Shih, Thomson-i as që ka e ditur dhe as që e ka diskutuar bërthamën; bërthama u zbulua nga Rutherford-i nja 10 vjet pasi Thomson-i e ka nisur modelin e vet. Pra, këtu ky kastravec recensenti dëshmon budallaki të përmasave epike përsa i përket profesionit.
Por, kjo s'është e tëra! Lexoni me kujdes arsyetimin e tij për jostabilitetin e atomit sipas modelit të Thomson-it: recensenti thotë se sipas ligjeve të elektrostatikës ngarkesat me elektricitet të kundërt nuk mund të qëndrojnë së bashku! Jam kureshtar pse s'del kush e t'i thotë këtij hajvani se ligjet e elektrostatikës e pohojnë mu të kundërtën e kësaj që shkreton ky magar? Çdo fëmijë e di se ngarkesat e kundërta tërhiqen, rrjedhimisht po u lanë të lira bashkohen, kurse të njëjtat refuzohen. Kjo dëshmon se ky kastravec, pos budallakisë profesionale, është budallë edhe përsa ju përket njohurive të përgjithshme që çdo tinejxher duhet t'i di. Atëherë, çka lyp ky hajvan të merret me këto punë, dhe çka bën MAShTI që angazhon këso lopësh për punë që kërkojnë kokë të kthjellët, e jo pllatje?
Kjo "fizikë" e Kosovës është në vijë me tentimin e shkodranëve për të bërë bombe bërthamore me bërthama të qershive.
5 gusht 2021, 15:08
KU PO I GJEN MASHTI KËTA KASTRAVECA?
Pjesa 4: BATERI PËR PATRIOTIZMIN SHKATËRRIMTAR
Vërejtjet e gjertanishme kishin të bënin vetëm me një fushë të ngushtë të fizikës, konkretisht me bazën e fizikës atomike. Kastraveci i paraqitur si recenzent ka reaguar edhe në fusha tjera që mbulon dorëshkrimi ynë, si optikë, relativitet, e kështu me radhë, me secilin reagim më katastrofë se tjetrin. Si kam shkruar edhe më herët, të merret kush me këto është humbje kohe dhe nervash. Shpresoj që deri tash jeni bindur për mjerimin profesional të këtij hajvani që paguhet për punën e recensentit nga MAShTI. (Dhe jam i sigurtë që mediat profesionale të Kosovës janë në gjendje të reagojnë për këto lëshime profesionale :P)
Puna është që kualiteti i një recensenti të tillë mund të diktohet fare lehtë edhe nga një profesionist i arsimit, i cili nuk është e thënë të jetë fizikan. Për shembull, kur është fjala për aftësitë shprehëse, ky recensent dallohet nga aeroplani që është një njeri i magët dhe që kulminacion të veprimtarisë së tij lexuese e ka gazetën Bujku. Ilustrimet për këtë janë dhënë në foton e bashkëngjitur këtij posti.
Një "gabim" që ky kastravec ka shënuar është përdorimi i termit seksion nga ana jonë, dhe si një "patriot i vërtetë me bateria", na udhëzon që të mos e përdorim këtë term sepse është i gjuhëve sllave, dhe ta përdorim atë prerje tërthore. Kjo më kujtoi anekdotën që shpesh ma ka treguar profesori Rasim, kur i është kritikuar termi Nova dhe Supernova në tekstet e tij të astronomisë dhe i është kërkuar që në vend të këtyre fjalëve "sllave" të përdoren fjalë shqipe. Ja deri ku shkon analfabetizmi i "profesorëve" dhe "intelektualëve" në Kosovë!
E para e punës, ky kastravec tregon që është bukëpërmbysës, sepse ka qenë mu ajo ish-Jugosllavi - që tash kinse e kundërshton me një patriotizëm bajat - që e ka nxjerrë këtë hajvan nga plemat ku ka bashkëjetuar me dhenë e dhi, dhe e ka dërguar për shkollim në qendra të ndryshme të vendit, në Zagreb a Lubjanë, në Beograd a Sarajevë. Nëse dikush duhet të shkruajë kundër ish-Jugosllavisë, atëherë ai jam unë, sepse kjo ish-Jugosllavi e ka bërë profesor këtë analfabet dhe i ka marrë në qafë gjenerata të tëra studentësh.
E dyta, ky kastravec, që do të shitet patriot ndërkohë që ta gërdit patriotizmin, nuk e ka marrë mundin për ta mësuar shqipen si duhet dhe gabon sa herë që e shkruan mbiemrin "i, e saktë"; këtij truri të sakatosur, ky mbiemër disa herë i del sakt, e disa herë sakët. Si mund të pretendojë për raport profesional një analfabet që nuk e di ta shkruaj shqipen më mirë se që e kërkon niveli i shkollës fillore? Çfarë shenja tjera i duhen MAShTI-t për ta kuptuar që kanë punë me një të njeri me mungesa të kompetencave elementare për jetë profesionale?
E treta e kështu me radhë, para se të jepte udhëzime prej budalle, ky magar është dashur që të shfletonte fjalorin e gjuhës shqipe dhe të vërente se ky fjalor shumë mirë e shpjegon kuptimin e fjalës seksion, mu ashtu si e kemi përdorur edhe ne në dorëshkrim. Një kulturë pak më e gjërë, të cilën zor se do t'ja mbante koka e tij mikroskopike, do ta bindte që fjala është për term latin, të pranuar dhe përdorur nga të gjitha gjuhët e Europës. (Ta hajë dreqi, unë kam lexuar edhe punime në japonisht ku përdoret ky term!)
Të kërkosh nga ky analfabet që të shfletojë literaturën në anglisht, gjermanisht, rusisht, apo ndonjë gjuhë tjetër të shkencës është mision i pamundur: truri i këtij llaskuci do të digjej! Por, ky nuk priton të na rekomandojë që të shfletojmë literaturë, dhe atë të rajonit! Shih, nëse nuk e marrim parasysh literaturën sllave, por na kërkohet të shfletojmë literaturë të rajonit, a mos duhet të lexojmë greqisht tash? Ose, çfarë këshille prej magari është kjo, kur ne vazhdimisht jemi në kontakt me literaturën më të re nga Europa e Amerika? Një vërejtje e tillë do të duhej ta përjashtonte menjëherë recensentin nga procesi, por MAShTI duket se ka standarde tjera.
Një vërejtje interesante që na bën ky është të shkruajmë konstanten e Rydberg-ut pa shenjën e infinitin në indeks, ndonëse terminologjia e fizikës dhe kimisë e kërkon mu këtë (shih si e shënon NIST, instituti për standarde në Amerikë: https://physics.nist.gov/cgi-bin/cuu/Value?ryd. Njëjtë e gjen edhe në IUPAC Gold Book). Pra, ky kastravec qet kajde për gjëra që s'i di e që s'do t'i dijë, sepse një shfletim i shkurtë i literaturës ose i Internetit do ta bindte që ne nuk e kemi gabim.
Fatkeqësisht, ky kastravec-recensenti nuk është rast i veçuar në shoqërinë e Kosovës, por ndoshta është figura më e përgjithshme dhe shënjuese e kësaj shoqërie: profesor universiteti që nuk ka përgatitje më të madhe se për të qenë ndoshta mësues fshati, njeri që s'e di gjuhën, por që shet patriotizëm, "expert" i rremë i arsimit, që ka vlerë më pak se një somborkë turshi, dhe mbi të gjitha, pengues i punëve të mira në vend. Ky recensionin nuk e ka shkruar për të kërkuar përmirësimin e dorëshkrimit, por për shkatërrimin e tij. Në një kohë kur nxënësit në Kosovë, pra fëmijët tuaj, nuk kanë libra si duhet në duar, prodhimi i teksteve kualitative duhet të jetë detyrë parësore e ministrisë. Por jo, ministria përpëlitet o me ligje, o me projekte, o me dixhitalizim, o me mësim online, o me vaksina, o me atë kryesindikalistin Jashari, dhe mësimi degradon pa asnjë shenjë që situata do të rregullohet. Se shenja të përmirësimit nuk ka, kuptohet nga hapësira që i lihet këtij kastravec-recensenti për të vepruar, në vend se puna e tij të ndalohet herët dhe t'i tërhiqet vërejtja për mungesë kompetencash.
Dhe pyetja është: ku gjendet zgjidhja e këtij problemi, ku duhet të kërkojmë përmirësim të arsimit në Kosovë? Përgjigjja është në faqen e lajmeve të ministrisë së arsimit në web, kurse arsyetimi do të pasojë ditëve në vijim.
11 gusht 2021, 6:47
Epilog
Dje mora lajmin e mirë që dorëshkrimi ynë është aprovuar si tekst shkollor (shih https://masht.rks-gov.net/uploads/2021/08/lista-prfundimtare.docx). Kjo më gëzon për dy arsye: së pari, që dorëshkrimi është pranuar, dhe së dyti, që së shpejti do t'ia mësoj emrin atij kastravecit që e ka bërë recensionin.
Dje poashtu e (ri)lexova projekt-propozimin, për të cilin më kërkohet vlerësimi nga një fondacion i madh ndërkombëtar. Meqë projekti është i shëndoshë nga ana shkencore dhe është shkruar bukur, kam vendosur që ta përkrah dhe t'i jap notë pozitive (pa kushte). Sot do ta shkruaj raportin dhe do ta përcjell këtë lajm të mirë për kandidatin që ka aplikuar. (Shënim: për raportin e shkruar u falënderova, shih: Fulbright Poland Recenzenci.)
- Recensenti na kritikon se nuk kemi qenë sa duhet të përkushtuar për të nxjerrur fakte e argumente më të reja për fenomenet fizike të shekullit ku jetojmë e që lidhen me teknologjinë e sotme. Në disa raste ai kërkon që të përqendrohemi në zhvillimet teknologjike dhe të paraqesim antena në tekst. Këto vërejtje janë kërkesa të pabaza të recensentit, sepse ne ju kemi përmbajtur kurrikulës dhe jo tekeve apo dëshirave individuale, qofshin këto tonat, apo të tjetërkujt. Materiali i përgatitur është bërë për lëndën e fizikës dhe jo për atë të teknikës apo teknologjisë, të cilat nuk i parasheh programi.
- Recensenti thotë se ka evidentuar rreth 80 gabime, por gjatë gjithë kësaj kohe ai nuk është ndalur për ta kontrolluar veten. Ato që ai i quan gabime, nuk janë të tilla. Me këtë rast, i vetmi që shpalos një injorancë të madhe dhe mungesën e nivelit elementar të profesionalizmit është vetë recensenti.
- Recensenti na kritikon që kemi dhënë detyra të pazgjidhura dhe deklaron se ka hasur në vështirësi për t’i zgjidhur ato. Ne i besojmë këtij pohimi, sepse kritika e tij dëshmon se vetë recensenti nuk i ka njohuritë e fizikës për t’i zgjidhur këto detyra. Ai e shpreh bindjen se edhe ne si autorë nuk i kemi zgjidhur këto detyra, por kjo është një pohim i një budalle dashakeq, i cili nuk ka aspak nevojë të bëjë pohime të tilla në një recension. Njoftojmë titullarët e kësaj letre se ne i kemi zgjedhur, i kemi zgjidhur, dhe i kemi kontrolluar detyrat disa herë, ashtu që gjimnazistëve në Kosovë t’ju ofrohet një material i përshtatshëm nga fizika. Vendimi ynë që të mbajmë detyra të pazgjidhura në tekst është në vijë me përvojat më të mira nga bota, ku tekstet mësimore përmbajnë vetëm një numër të vogël detyrash të zgjidhura dhe shumica e detyrave jepen pa rezultat.
- Recensenti kritikon se aparati matematik i përfshirë në dorëshkrim është i vështirë për nxënësin dhe mësimdhënësin, ndërsa, përsëri në kundërshtim me vetveten, shprehet se formulat kanë një rëndësi të veçantë dhe janë shumë të rëndësishme në fizikë. Aparati matematikor që ne kemi përdorur është në përputhje me kurikulën e Kosovës për fushën e matematikës dhe duhet të jetë i kapshëm për një nxënës mesatar. Nëse gjendja në terren është e keqe, si e dëshmon injoranca e madhe e këtij recensenti, kjo nuk duhet të reflektohet në cungimin e lëndës së fizikës, e cila edhe kështu çalon në Kosovë.
- Recensenti na kritikon se shumë formula i kemi dhënë të gatshme dhe kërkon përfitimin e tyre. Kjo kërkesë e tij bie ndesh me kërkesën për zvogëlimin e materialit apo për aparatin e vështirë matematik. Për më tepër, formulat që i kemi dhënë të gatshme ose janë përfituar në klasë të mëhershme, ose metodologjia e lëndës e pranon që ato të paraqiten të tilla, sepse përfitimi i tyre kërkon matematikë të nivelit të lartë. Njoftojmë titullarin se historia e fizikës njeh shumë raste kur ekuacionet jepen të gatshme dhe pa asnjë bazë logjike a teorike (p.sh., ekuacioni i Plankut për rrezatimin e trupit të zi, ekuacion bazë ky i fizikës moderne), dhe tek më vonë gjenden arsyetimet për formën e fituar.
- Recensenti e kritikon strukturën e tekstit dhe kërkon heqjen e pjesëve të domosdoshme sipas Standardeve për Tekste Mësimore që ka aprovuar MAShTI. Konkretisht, ai kritikon vendosjen e ndarjes “Ju do të mësoni”, e cila e përmbush standardin 6.4. Ai poashtu sygjeron të largohet vlerësimi sipas Blumit i vendosur në fund të çdo kapitulli, ndonëse ky vlerësim është kërkesë obligative e Standardeve të Vlerësimit. Këto kërkesa dëshmojnë se recensenti nuk i ka konsultuar fare standardet për vlerësimin e teksteve. Plotësimi i kërkesave të recensentit dhe heqja e këtyre pjesëve përcjellëse të tekstit do të rezultonte në një dorëshkrim jashtë standardeve dhe me cilësi të dobët. Bile, vetë recensenti shkruan që përfshirja e vlerësimit sipas Blumit në tekst është një punë e mirë, por pastaj e vë si kusht për botim të dorëshkrimit heqjen e këtij vlerësimi!
- Recensenti, pas leximit të dorëshkrimit, vlerëson se jemi mbrapa shteteve tjera dhe se kapitujt janë copy-paste. Ky konstatim është i çuditshëm, tendencioz, dhe nënçmues, kur merret parasysh që dorëshkrimi është bërë për një kurrikulë të re dhe origjinale, ndërsa tekstet që gjenden në rajon a botë i përshtaten kurikulave që nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë që ka Kosova. Recensenti kërkon angazhim më të madh të ministrisë, autorëve, si dhe recensentëve, por dështon të marrë hapin e parë në drejtimin e mirë dhe të heq dorë nga ky recension, e që është bërë me shumë gabime. Me fjalë tjera, ai është paguar nga MAShTI për një shërbim të dobët.
- Recensenti shënon si pikë të dobët të dorëshkrimit se kemi paraqitur katër ligje në optikën gjeometrike dhe si rekomandim jep një lëmsh me 4 ligje ose parime, me dy të parat parime e dy të fundit ligje. Ai këtë e arsyeton se parimet e optikës gjeometrike “demantohen” nga optika valore. Ky lëmsh që e bën recensenti nuk ka kurrëfarë kuptimi! Së pari, ai ngatërron kuptimin e termeve parim e ligj, sepse duket që vetë nuk di ta dallojë njërin nga tjetri si përdoret në fizikë, dhe së dyti, askund në literaturë ligjet e optikës gjeometrike nuk ndahen në ligje e parime.
- Recensenti na kritikon që kemi trajtuar me një ilustrim së bashku reflektimin dhe thyerjen e dritës dhe rekomandon që këto të ndahen, duke u bazuar në idenë që këto janë fenomene të ndryshme. Kjo kritikë nuk qëndron, sepse reflektimi dhe thyerja e dritës janë fenomene që ndodhin së bashku në një sipërfaqe që ndan dy mjedise të ndryshme. Dominimi i njërit fenomen ndaj tjetrit varet nga vetitë e mjediseve dhe sipërfaqja që ndan ata, por reflektimi dhe thyerja gjithsesi paraqiten së bashku. Edhe gjatë reflektimit të dritës në metale një pjesë e vogël e saj thyhet dhe depërton në një shtresë shumë të hollë në metal, derisa nuk thithet. Por, si ilustrim i thjeshtë mund të ceket edhe fakti që xhami i dritares njëkohësisht e thyen dhe e reflekton dritën. Pra, është budallallëk i llojit të vet të kërkohet që në këtë nivel të të nxënit të fizikës, këto fenomene të shpjegohen të ndara. Vetëm kur këto dy fenomene shpjegohen së bashku, vjen në shprehje ligji mbi ruajtjen e energjisë. Kërkesa e recensentit që këto dy fenomene të ndahen shkakton shumë paqartësi në shpjegimin e përhapjes së dritës.
- Recensenti, duke kritikuar shpjegimin tonë për reflektimin, na këshillon se rrezja reflektohet kur bie në një sipërfaqe, me kusht që njëra anë e sipërfaqes nuk i lëshon rrezet e dritës. Shembulli që sapo cekëm me xhamin mjafton për të ilustruar se ky recenzent nuk i ka të qarta gjërat që i di edhe një fëmijë i fillores, i cili mëson se edhe në kohët antike njerëzit e kanë përdorur sipërfaqen e ujit për ta parë veten, edhepse uji i lëshon rrezet e dritës. Pra, ky recensent bën mirë që t’i lexojë librat për të mësuar, e jo për t’i recensuar.
- Recensenti na urdhëron se duhet të cekim se gjatë reflektimit, reflektimi i dritës ndodh në mes 95-97% e jo 100%. Së pari, kjo e dhënë është pavlerë dhe nuk ka nevojë që truri i nxënësit të ngarkohet me detaje të tilla. Për më tepër, leximi i katalogëve më të thjeshtë të elementeve optike dëshmon se në treg ka pasqyre që reflektojnë mbi 99%, që për çfarëdo nevoje praktike dhe për njohuritë e nxënësit të gjimnazit mund të rrumbullakësohet si 100%. Pra, ky koment i recensentit është gabim.
- Recensenti na kritikon renditjen e materialit dhe kërkon që pas reflektimit të kemi detyra, e pastaj të vazhdohet me thyerjen e dritës. Ai gjithashtu kërkon të intervenojë në material duke kërkuar të largohet kjo e ajo pjesë, të ndërrohet materiali, të shtohen një vërtetim këtu e një atje, e veprime të ngjashme, thuajse është ftuar të jetë autor. Duket që recensenti nuk e ka të qartë që me këto rekomandime përzihet në prerogativën e autorit. Ai me këtë shpreh dëshirën që këtë dorëshkrim ta ulë në nivel të paçavures.
- Recensenti kërkon që ta definojmë indeksin relativ të thyerjes. Në dorëshkrim është dhënë përkufizimi i indeksit absolut të thyerjes, i indeksit relativ, dhe lidhja në mes tyre. Shihet që recensenti nuk e ka lexuar dorëshkrimin me kujdes.
- Në disa raste recensenti jep rekomandime për përmirësime të terminologjisë, si për shembull kërkon që të heqim termet pozitive e negative për thjerrat, të ndërrojmë mikro- me nano-, si dhe të zëvëndësojmë fjalën seksion me prerje tërthore. Asnjë nga këto vërejtje nuk qëndron, sepse të gjitha këto terme janë vendosur me kujdes dhe në konsultim me fjalorët terminologjikë të lëndës. Bile, zbatimi i rekomandimeve të tij do ta dëmtonte dorëshkrimin, sepse mikro- e nano- ju referohen dimensioneve të ndryshme, që paraqiten me efekte krejt tjera në fizikë, prandaj ndërrimet e propozuara prej tij nuk kanë kuptim. Arsyetimi i tij se termi seksion vjen nga literatura jugosllave është një arsyetim i një patrioti me bateria, i cili jo vetëm që nuk ka shfletuar literaturën e botës e ku do ta haste shumë shpesh termin seksion, por as fjalorin e gjuhës shqipe (termi seksion është term latin, të cilin e ka përvetësuar edhe shqipja). Le të harrojmë për momentin se ky recensent në disa raste na rekomandon t’i referohemi literaturës së rajonit, ku gjuhë dominuese janë ato sllave. Kontributi më i madh që ky recensent mund t’i bënte kulturës shqipe është që të mos shkruajë më.
- Recensenti na kritikon pse nuk kemi bërë në ekuacione dallimin mes thjerrave dhe pasqyreve, ndonëse këto ekuacione janë formalisht të njëjta. Nuk e kemi të qartë nëse ky recensent e ka parasysh se cilën njësi mësimore është duke komentuar. Përfitimi i ekuacioneve për thjerra dhe ngatërrimi i panevojshëm me thjerrat bikonvekse, planokonkave apo planokonvekse është bërë në klasën e nëntë. Me këtë recensenti dëshmon se nuk e ka lexuar kurikulën, përkatësisht rezultatet e të nxënit të programit.
- Recensenti na tregon se drita reflektohet nga pasqyra konkave kur pjesa konvekse lyhet. Kjo nuk qëndron, sepse fare thjesht mund të reflektojë edhe pasqyra konkave kur lyhet nga ana konkave, por në këtë rast drita kalon edhe nëpër xham. Pra, këtu ai tregon mungesë të njohurive elementare të pasqyreve.
- Recensenti këmbëngul që të shpjegohen antenat dhe aparatet mjekësore. Kjo është kërkesë e paarsyeshme, sepse nuk është në pajtim me programin. Ai bile edhe kërkon që me antena të shpjegojmë bartjen e informacionit, në një kohë që edhe nëpër katundet më të humbura të Kosovës kanë depërtuar fibrat optike. Për një entiziast të teknikës, si duket recensenti, ky lëshim është i pafalshëm. Me kërkesa dhe qëndrime të këtilla, recensenti e tregon papjekurinë e vet gjersa kërkon të vendosen tema jashtë programit.
- Recensenti kërkon që të përfitojmë transformimet e Lorencit, duke na këshilluar t’i referohemi literaturës së rajonit, bile me një shkrim qesharak na thotë “jo origjinal t’ kopjoni”! Njoftojmë titullarin se një ndër autorët e dorëshkrimit në shqyrtim është autori i tekstit të parë universitar në shqip për relativitetin, ku janë trajtuar transformiment e Lorencit në gjashtë mënyra, si dhe autor i librave popullarizues për këtë lëmi, që të gjitha të vlerësuara lart. Trajtimi që ja kemi bërë transformimeve të Lorencit në dorëshkrimin tonë është në pajtim me kërkesat dhe njohuritë e nxënësve të gjimnazit.
- Recensenti na rekomandon që të japim përkufizimin e trupit absolut të zi dhe si shembull merr blozën, duke e dhënë përkufizimin e këtij trupi si trup që e absorbon tërë energjinë. Ky përkufizim është i mangët dhe i gabuar: i mangët sepse trupi absolut i zi e absorbon energjinë rrezatuese, prandaj edhe i gabuar, sepse trupi absolut i zi nuk e absorbon energjinë mekanike. Besojmë se recensenti do të shastiset nëse e kupton se një trup më i përafërt me trupin absolut të zi se bloza është Dielli. Recensenti ka nevojë të lexojë dhe mësojë se trupi quhet absolut i zi nëse ka aftësi ta thithë tërë energjinë e rrezatimit që bie në të.
- Recensenti në rekomandim na shkruan se duhet të shtojmë se “me gjatësi valore kufitare nënkuptojmë gjatësinë valore të dritës që elektronet nuk mund të shkëputen nga metali nëse ajo gjatësi valore është më e madhe”. Kjo fjali nuk ka kurrëfarë kuptimi, sepse si mundet gjatësia valore kufitare të jetë më e madhe se vetvetja? Pra, ky është një shembull i mjegullës që zotëron në kokën e recensentit.
- Recensenti e kritikon trajtimin tonë të modelit të Tomsonit për atomit dhe propozon që të shkruajmë se në këtë model elektronet kanë qenë të zhytura në bërthamë. Kjo dëshmon se recensenti nuk e di se për çka po shkruan: bërthama e atomit është zbuluar nga Radhërfordi, 11 vjet pas modelit të Tomsonit! Modeli i Tomsonit për të cilin shkruan recensenti nuk ka bërthamë fare!
- Recensenti na rekomandon që të paraqesim tri postulate të Borit për modelin e tij të atomit. Bori, në punimin e tij origjinal, por edhe literatura moderne e fizikës, i diskuton dy postulate. Me fjalë tjera, recensenti këtu ka qenë dashur që të mos shkruajë gjepura pa nevojë.
- Recensenti na kritikon definimin që kemi dhënë për postulatin e parë të Borit dhe na këshillon që të trajtojmë atë përmes madhësisë fizike të punës. Ky është një arsyetim që mund të vlejë vetëm në kokën e këtij recensenti, por jo në një tekst serioz të fizikës. Shpjegimi i drejtë i postulatit të parë të Borit bazohet në vlerat e caktuara të momentit të sasisë së lëvizjes së elektronit rreth bërthamës, dhe puna këtu nuk luan kurrëfarë roli, bile në mekanikë kuantike as që diskutohet. Prandaj, një fizikan i vërtetë nuk mund të pajtohet me atë që shkreton ky recensent.
- Recensenti propozon që si postulat i tretë i Borit të shkruajmë se “probabiliteti i kalimit të elektronit nga një orbitë në tjetrën është i barabartë (i njëjtë)”. Ky është zbulim origjinal i këtij recensenti! (Më mirë të shkruhet marri me brirë.) Bota normale e llogarit probabilitetin e kalimit të elektronit përmes koeficientëve të Ajnshtajnit. Duke pasur parasysh dëshirën e “fizikanëve” kosovarë që ta rrëzojnë Ajnshtajnin në çdo moment, ky “zbulim” nuk na habit. Sigurisht që kjo këshillë nuk duhet të na imponohet që ta konsiderojmë për ta futur në dorëshkrim. Më parë cekëm se janë të nevojshme dhe të mjaftueshme vetëm dy postulate të Borit, prandaj nuk dihet se kujt dhe për çka i duhet ky i treti, që e ka nxjerrur recensenti nga xhepi i vet.
- Recensenti na kritikon vendosjen e shenjës së infinitit si indeks për konstanten e Rydbergut dhe kërkon që kjo konstante të shënohet vetëm me R. Kjo formë është përjashtim nga të gjitha shënimet që i pranon bota! Vërehet dëshira e recensentit që ne të dallojmë në shkrimin e librave të fizikës nga bota. Ndoshta kështu e hapim rrugën që çifti i recensentit të bëjë zbulime për qejf të vetin.
- Recensenti na rekomandon të shkruajmë se “numri kuantik magnetik m shfaqet si rrjedhim kur elektroni gjendet në fushë magnetike”. Ky është gabim elementar! Elektroni karakterizohet me katër numra kuantik, përfshirë edhe atë magnetik, pa marrë parasysh se a gjendet apo jo në fushë magnetike. Recensenti do të bënte mirë të lexonte literaturë të mirëfilltë nga fizika, para se të niste këtë punë të kritikës, e cila na kushtoi shumë kohë neve, e ku ta dimë se sa i ka kushtuar Kosovës me gjenerata nxënësish a studentësh që kanë kaluar nëpër duart e këtij “fizikani”.
2022/03/05
Analfabetë dhe dalleverexhinj
Arsimi i Kosovës, e bashkë me të edhe shkenca, udhëhiqet nga analfabetë dhe dalleverexhinj. Fotoja e bashkëngjitur është një titull nga libri i fizikës për klasën e tetë, shtëpia botuese Albas, aprovuar nga MAShTI, dhe e ilustron për bukuri (apo shëmti, nëse të dhemb gjendja në të cilën gjendet vendi) atë që pohova.
Pikë së pari, le të konstatojmë se kjo që është paraqitur si titull mësimi është një budallaki e dorës së parë. Aty shkruan "forca e shtypjes", një koncept që nuk ka kurrfarë kuptimi. Njësia mësimore e kërkuar është për shtypjen, e cila është madhësi fizike e definuar si herës në mes të forcës dhe sipërfaqes. Pra, të shkruhet për forcën e shtypjes është njëjtë sikurse të shkruhet për gjatësinë e shpejtësisë, apo masën e nxitimit, apo kohën e vëllimit, apo çfarëdo përbindëshi tjetër që cilëson një madhësi fizike përmes një madhësie tjetër fizike! (Për pedantët: ka raste të veçanta kur përdoret termi forca e shtypjes për ta dalluar ndikimin e shtypjes në lëvizje të lëngjeve nga ndikime tjera, për shembull nga viskoziteti, por nëse nuk e kuptoni se ajo për të cilën komentoj nuk ka të bëjë me këtë që e shënova këtu, atëherë nuk më duket e shëndetshme të lexoni fizikë.)
Ky fragment nga teksti shkollor është shkruar nga disa autorë, profesorë universiteti këta, ka kaluar nëpër duar të botuesit, lektorit, redaktorit, pastaj të recensuesve, zyrtarëve e expertëve të ministrisë, bile edhe nëpër duar të ministreshës, dhe ka përfunduar në çantat e fëmijëve tuaj, të cilët e bartin këtë bërllok poshtë e përpjetë. Pra, kemi të bëjmë me një varg njerëzish që e kanë prodhuar dhe e kanë aprovuar këtë njësi mësimore të pakuptimtë. Mësuesi kosovar, kur ju del para nxënësve, duhet që t'iu përcjellë këtë mjerim, dhe kështu nga analfabetët në krye që prodhojnë këso qyfyresh arrijmë te nxënësi fatkeq që trajnohet me analfabetizmin.
Gjer këtu gabimi është i pafajshëm, sepse budalla e analfabeti nuk mund të numërohet fajtor për gjendjen në të cilën është. Fajtori është ai ose ajo që e ka aprovuar dhe e ka futur këtë libër në çantën e fëmijëve, dhe ky fajtor më nuk ka arsyetim për gabimin e lëshuar, sepse është bërë zhurmë qe sa e sa vjet për këto probleme. Si kam shkruar edhe më parë, ky aprovim është kontrabanduar, pra është bërë pa meritë. Dhe kjo e plotëson tablonë me dallaverexhinjët që nuk prajnë së vjedhuri, grabituri, mashtruari, dhunuari, e poshtëruari vendin.
Kjo aleancë e analfabetëve dhe dallaverexhinjëve funskionon për mrekulli në dëm të qytetarit kosovar. Analfabetët e ngatërrojnë veten me fjalë e fjali që kumbojnë shumë, por që s'thonë asgjë, sepse kështu duken më të aftë. Dallaverexhinjët nuk i përmirësojnë sepse nuk dinë, por edhe kur dinë nuk veprojnë, sepse, si thotë urtia popullore ujku do mjegull. E këto fjali kaba janë mjegull për tru e hapësirë e përshtatshme për hajni.
Dallaverexhinjët, të ndihmuar nga analfabetët, janë në krye të vendit mu për këto punë, për të bërë dallavere, e jo për të rregulluar gjë. Ajo që s'e kuptoj është se si i duron vendi këta.
2022/02/09
Bazamenti kosovar për një program shkence
Ditën e themelimit të KKSh-së, kur u prezentova, thashë se përshtypja ime për shkencën e bërë në Kosovë është shumë e zymtë. Bile, thashë se Kosova nuk bën shkencë, por anti-shkencë. Po shpjegohem më në detaje lidhur me këtë.
Nuk mund të pritet - dhe besoj që askush nuk pret - që Kosova të jetë ekselente në shkencë, sepse rrethanat historike të vendit janë të atilla që e bëjnë punën shkencore më tepër një luks se një nevojë shoqërore apo ekonomike. Bile, kjo mund të konstatohet edhe për shkencat albanologjike, që janë ku e ku më të afërta me përditshmërinë e qytetarit të Kosovës, e lëre më për ato të natyrës a inxhinierisë.
Megjithatë, askush nuk e ka menduar që institucionet e Kosovës, këto që punë e kanë shkencën, të arrijnë në këto nivele të turpshme që i zënë në sferën e tyre të veprimit. Këtë gjendje mund ta konstatojë kushdo që i ka sytë hapur. Rezultatet e mjera në arsim, skandalet e shpeshta në universitete, dokumentet e turpshme që kanë adresë institucionet e Kosovës, nuk janë përjashtime të rastit, por paraqiten me një rregullshmëri të frikshme. Që gjendja të jetë edhe më e keqe, për këto nuk reagon kush.
Mund të fillojmë nga Akademia, si institucioni më i lartë i shkencës, veprimtaria e së cilës do të duhej të ishte e interesit të veçantë publik. Kjo Akademi rishtas ka prodhuar dokumente që në rastin më të mirë do ta skuqnin një njeri që i lexon. Në dokumentin për energjinë Akademia e shpalos injorancën e vet dhe dëshmon që nuk e di se a importon apo eksporton Kosova energji elektrike, e lëre më që të analizohen më thellësisht politikat e nevojat teknologjike për këtë sektor. Platforma e Akademisë për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë është një dokument tjetër i turpshëm, i cili jo vetëm që i gjen fajtorët kudo për gjendjen e mjerë të shkollës shqipe, pa asnjë vetëkritikë të domosdoshme, por është edhe dokument i rrezikshëm, sepse shtrembëron historinë e Kosovës së viteve të 90ta. Konkretisht, ky dokument pretendon se Serbia e Milosevic-it ka bërë segregacion. Jo, kjo nuk qëndron! Për t'iu shpjeguar këtyre akademikëve, segregacioni, sado i dënueshëm si praktikë, megjithatë është pjesë e ligjit. Kurse nxënësi kosovar i asaj kohe nuk ka qenë i ndarë, por i përjashtuar, i shpallur i paligjshëm. Pra, le ta mësojnë akademikët se shkolla paralele shqipe ka qenë shkollë ilegale.
Ju rikujtoj se do akademikë që i kanë nëshkruar këto dokumente i kemi në Këshill që do t'i japë vijë shkencës në Kosovë.
Si mund të pritet shkencë nga kjo Akademi, e cila gjërat elementare i merr dallash? Jo, nga kjo Akademi mund të pritet vetëm mbrapshti, gjë që me të vërtetë ndodh. Ja, për shembull, pyetem se cili mund të jetë motivi apo interesi i përkrahjes që Akademia ja jep studimeve specifike për telekomunikacion, pa asnjë konkurs apo strategji të shpallur nga ky institucion që do të duhej t'i printe dijes në vend. E vetmja përgjigje e arsyeshme që kam është: këto studime përkrahen sepse nëna akademike përkrah çikën studiuese.
Pos Akademisë, dështimi që të qorron e ka ndërtuar folenë edhe në universitetet publike të vendit. Nuk do të ndalem te ato që janë bërë për nevoja politike në çdo cep të Kosovës, e me të cilat bën humor çdo i ngeshëm që pi kafe në çarshi. Do ta komentoj shkurtazi punën e Universitetit të Prishtinës, universitetit më të madh në vend, institut që gllabëron pare të madhe nga xhepi i varfër i kosovarit, pa dhënë asgjë të hajrit. Këtë universitet e kanë ndjekur skandalet historikisht, por gjer vonë rrethanat politike ja kanë mbuluar nevojën. Por, këto dy deceniet e fundit janë përcjellur me skandale që politika më nuk mund t'i mbulojë. Ju kujtoj demonstratat e mëdha popullore që u përkrahën nga i madh e i vogël, nga i brendshëm e i jashtëm, nga i drejti e i shtrembëri, kundër punimeve e titujve falso në këtë universitet. Dhe, cili është rezultati? Universiteti formoi Këshillin e Etikës, që pa pikë etike e përfundoi rastin pa asnjë heqje titulli, edhepse e Vërteta dhe e Drejta e kërkonin një veprim të tillë.
Dhe, kështu, me këta pretendon Kosova të bëjë shkencë?
Karshi universiteteve publike kemi ato institucione të arsimit të lartë apo kolegje apo - si është termi i lejueshëm sot? - do të thotë, ato privatet, të cilat ku me sukses e ku pa të, ku me hile e ku pa hile, kanë arritur që të stabilizohen disi, edhepse dallgëve të intervenimit të pareshtur e të pakontroll të shtetit është vështirë t'i qëndrojë kush. Rezultati është që këto institucione kanë performancë më të mirë se ato publike, përkundër stërkëmbëseve për privatin e përkrahjen blanko për publikun. Gjendja e tillë evidentohet tash, por është dëshmuar edhe shumë më herët. Ju ftoj që ta lexoni një punim të shkëlqyeshëm të profesorit Ridvan Peshkopia, botuar në Policy Futures in Education qysh më 2014, ku shumë qartë shpjegohet kjo gjendje, dhe atë jo vetëm në kontekstin e Kosovës, por të të gjithë Europës Lindore. Me një fjalë, me gjendjen e sotme befasohet vetëm ai që s'ka dashur të shohë, apo që ka pasur interesa tjera nga ato të të qytetarëve.
Kosova shënon shembuj të punës së shkëlqyeshme. Nuk e di se sa ka nevojë të përmendet që Kosova është vendi që ka kampione olimpike serike, apo që ka artistë që ja kanë zbardhur fytyrën vendit në botë, apo që ka një popull punëtor e të urtë, që i mban akademikët, profesorët, intelektualët dhe njerëzit e mendjes në piedestal. Edhe në sferat e afërta me shkencën e akademizmin ka shembuj të mirë. Kujtoj punën e mirë që bëjnë gjimnazistët në matematikë, apo entuziastët e IT-së, të cilët e kanë vendosur vendin në hartën e botës. Por, duhet të jemi të qartë: suksesi i tyre vjen përkundër e jo për shkak të (mos)përkrahjes institucionale. Ata janë përjashtimi që dëshmon rregullin e mbrapshtë që është ndërtuar në vend. Ja, kujto që matematikani më punëtor në vend nuk e ka fakultetin e kryer, apo që fizikani shqiptar me produktivitetin kulminant global ka ikur pa mend në kokë nga shkolla e Prishtinës dhe u shkollua në maqedonisht. Kjo është shkolla që është ndërtuar dhe që refuzohet nga të zotët, në këtë sfond ne duhet të mendojmë të bëjmë një program për shkencën e vendit.
E para e punës që duhet të bëjmë është të kuptojmë se sa keq i kemi punët, se kemi dallaverxhinj e njerëz të poshtër në mesin tonë, njerëz që duan çkado, pos të mirën e vendit. Për këtë mund të dëshmoj edhe nga përvoja personale, por jo, besoj që mjafton të them se në një kohë kur vendi ka dështuar të adaptojë një seri tekstesh shkollore për filloristë e gjimnazistë pa një kamion gabimesh shkencore, është përrallë me mbret të synosh të bësh shkencë konkurruese; e gjitha që do të duhej të synonim është që gjatë këtyre pesë vjetëve të programit shkencor të shënohen gabimet enorme që vendi i ka pësuar nga të vetëshpallurit shkencëtarë. Ja, mund të fillohet nga rasti i përkrahjes dhe financimit që ministria përkatëse, pra kjo e shkencës, ju jep punimeve që provojnë të dëshmojnë se Teoria Speciale e Relativitetit është gabim, në një kohë kur bota e ka vërtetuar e stërvërtetuar Teorinë e Përgjithshme.
Këto punë, pra ndërtimin e një themeli të mirë për shkencën e vendit, nuk mund ta bëjnë tjerët. Nuk mund të pretendohet të zhvillohet kultura shkencore në vend kur alamet "shkencëtarët" e delegojnë kritikën dhe vlerësimin e punës shkencore në Scopus apo Web of Science apo te këto databazat që veprojnë për interesa të shtëpive botuese. Nëse duam të bëjmë shkencë për Kosovën, atëherë ne duhet të ulemi e lexojmë punimet e kolegëve tanë, të shohim mjerimin e njerëzve që kemi përbri, e të cilët udhëheqin me fakultete e projekte. E pasi të kemi lexuar, do të mësojmë se niveli i shkrimit në Akademi, për të marrë vetëm një shembull, nuk e kalon atë të një filloristi: Filli i një botimi me adresë Akademinë, me autorësi profesorë universitarë, është se energjia paraqet aftësinë e trupit për të kryer punë! Keq, kjo është shumë keq. Dhe uroj që pastaj të fitojmë mendjen e guximin që të reagojmë, sepse ja kemi borxh vendit dhe titullit që mbajmë.
2022/01/26
Një urim, një reflektim
Sot e paska ditëlindjen profesori i nderuar Rasim Bejtullahu . Kjo paraqet një rast të mirë që jo vetëm t'i uroj shëndet e ta falënderoj për punën e mirë, por edhe një mundësi reflektimi për kulturën që ne si shoqëri po e ndërtojmë.
Një vend me kulturë të mirë e të madhe i respekton të urtit e vet. Profesori Rasim është një nga këta të urtit, pleqtë që tradita na mëson se duhet t'i thërrasim për t'i prirë kuvendit dhe për punë të mbara, por edhe kur punët bëhen të vështira. Në sferën e aktiviteteve të veta, si profesor universitar i fizikës, por edhe si autor i teksteve universitare e shkollore, profesori Rasim e meriton vendin në krye të atyre institucioneve për shkencë e arsim që ka Kosova.
Profesori i ka plotësuar disa kushte që do kultura të vogla i regjistrojnë për të fituar siguri. Për shembull, është doktori më i ri i fizikës në Jugosllavi, është autori i librave të parë në shqip për fizikën teorike e relativitetin, por edhe për astronomi. Përtej këtyre shënimeve që nuk e bëjnë medoemos kulturën, sepse fundja dikush duhet të jetë i pari e më i riu, puna e profesorit është e një cilësie kulminante dhe kjo është me rëndësi. Cilësia e punës së tij dëshmohet me faktin se librat universitarë me autorësi të profesorit Rasim, të botuar qysh para gati një gjysmë shekulli, ende lexohen me kënaqësi dhe nuk e kanë humbur freskinë. Për më tepër, ata kanë mbetur të papërsëritshëm në kulturën shqipe. Shpesh më ka ndodhur që gjatë studimeve të mia t'ju jem kthyer librave të tij për të qartësuar koncepte e ide që librat e botës ndoshta edhe i kapërcejnë. Bile, si i kam thënë moti dhe jo pa krenari, provimin e lëndës për mekanikën e trupit të ngurtë dhe elastik që e kam dhënë në studime të masterit në Japoni, e kam përgatitur me kapitujt që ai i ka shkruar në Hyrje në Fizikë Teorike mbi tavolinë të punës.
Kontributi i profesorit Rasim në kulturën tonë nuk kufizohet vetëm te fizika universitare, por ndoshta e arrin kulmin e ndikimit te futja e astronomisë si lëndë mësimore në gjimnazet e Kosovës. Shumëkush mendon se astronomia është një album fotografish të bukura objektesh qiellore. Jo! Mënyra se si e ka trajtuar dhe shtjelluar këtë lëndë profesori tregon se astronomia është një shkencë e vështirë dhe e mundimshme, por që sjell kënaqësi të pamatshme kur zotërohet si duhet. Astronomia e tij, që nis nga shpjegimi i kupës qiellore e vijon me lëvizjen e planeteve, përbërjen e yjeve, evolucionin e tyre, e përmbyllet me problemet moderne të astronomisë, është një rezultat i shkëlqyeshëm i një pune të bërë me përkushtim. Nga këtu fitohet ajo ndjesia që një studim i mirëfilltë i astronomisë kërkon zgjidhje ekuacionesh diferenciale, njohje të proceseve në plazmën yjore, por edhe mrekullim nga e panjohura e bashkëveprimit në mes të hapësirës, kohës, e masës dhe angazhim për të kuptuar.
Kam qenë student i tij në një kohë të çuditshme, kur mësonim nëpër bodrume, gjendje ku ekuacionet e elektrodinamikës shkruheshin në dërrasën e zezë të çarë e plot zgavrra, e që ishte shumë pak më e madhe se do fletore që fshihnim nën xhaketë kur dilnim prej mësimit. Pas ligjëratave me profesorin Rasim shkoja për bisedë te Burim Kamishi, një njeri i mrekullueshëm dhe njohës i shkëlqyeshëm i fizikës, si dhe bashkëpunëtor i vyeshëm i profesorit Rasim. Pasi diskutonim për ekuacionet e radhës, e konstatonim vullnetin e madh të profesorit, por edhe të të tjerëve, përfshirë edhe të vet profesorit Burim, që kishin këta njerëz për ta mbajtur gjallë shkollën dhe studimin në shqip. Kujto çfarë fati: një fizikan me kontribut të lakmueshëm në optikë, konkretisht në teorinë e difraksionit, në kulmin e karrierës, i bartte do shkumsa në xhep dhe i duhej të vinte tinëz në skuthat e Prishtinës që të zbërthente ekuacione diferenciale me ne, studentë të humbur e të fshehur, edhepse në mes të Europës.
Me profesorin Rasim bashkëpunoj qe më se tetë vjet lidhur me tekstet shkollore. Ky bashkëpunim përcillet me diskutime të rregullta, shpesh në pajtim të plotë për gjendjen, por - edhepse rrallë - edhe me mospajtime të ashpra. Megjithatë, kemi durimin që ta dëgjojmë e t'i provojmë idetë e njëri-tjetrit, pa as më të voglën hatërmbetje kur ndonjëri s'ia qëllon (më shpesh unë se ai). Përderisa e kemi qëllimin që librat e fizikës të bëhen si duhet, çdo detaj tjetër është sekondar. Dhe ajo që më mahnit është vullneti i tij i pashtershëm për të punuar e vepruar drejt përmirësimit.
Fatkeqësisht, kultura jonë është e varfër dhe do të mbetet e tillë përderisa nuk i merr parasysh me shumë kujdes vërejtjet dhe këshillat e profesorit Rasim. Ja, për shembull, ky vazhdimisht ka shkruar që në ministri të arsimit bëhen dallavere. Një kulturë e ndërtuar për së mbari do të skuqej nga ky konstatim dhe do të vepronte furishëm që të qartësohej. Por, te ne kjo nuk ndodh. Në fakt, ndodh edhe më keq, si e ilustron kjo ngjarje e freskët: kur u ankuam për një tekst shkollor, burokracia jonë e kërkoi ankesën me shkrim, sepse ajo elektronike ishte e papranueshme. Profesori e shtypi dhe e dërgoi fizikisht letër-ankesën në ministri një javë pasi ishte operuar, me varrë të hapur në trup, në kohën kur temperatura jashtë ishte 40 shkallë celsius. Ndërkohë njoftohesha se profesori Takayama në Japoni, i cili më ka mentoruar gjatë doktoraturës, shpërblehej me medalje të merituar nga Perandori japonez. Ja një kontrast i dhembshëm.
Akademia e shkencave do të duhej të ishte një institucion pasqyrë e shkëlqyeshme e zhvillimit të një vendi. Moti e kam biseduar dhe i kam thënë profesorit se e meritonte një ftesë nga AShAK-u, por ai gjithnjë e ka refuzuar me fuqi e neveri idenë. Me kohë e kam parë se ka pasur plotësisht të drejtë: kjo akademi mbetet pasqyrë, mirëpo jo e shkëlqimit, por e mjerimit të atyre që e mendojnë veten si shkencëtarë. Populli është me fat që i ka figurat si profesori Rasim jashtë akademive, sepse kjo i shërben si tregues se sa e mjerë është elita jonë e institucionalizuar (dhe që e ka vendin në tjera institucione).
Para do vjete Universiteti i Prishtinës ka shënuar përvjetorin dhe, si ndodh shpesh në këto kanaxhexhe, aty kanë shkuar i madh e i vogël. Nuk është gjetur askush me dy fije mend në kokë që t'ia dërgojnë një ftesë e t'ia shkepë një mirënjohje profesorit Rasim, i cili megjithatë është një ndër emrat e rrallë me të cilët mund të krenohet ky universitet. Ja, kjo është pasqyra e mjerimit tonë, kjo është puna e tërrpijanave që i prijnë shkollës e studimit te ne sot.
Këto vërejtje të dhimbshme janë klithmë për të treguar se sa të panjerzishme po e ndërtojmë shoqërinë. Profesorit Rasim nuk i duhen aspak këto mirënjohje e thirrje; ato na duhen neve si shoqëri, për të treguar se çka është mirë e çka është keq, për të trasuar si duhet zhvillimin e vendit. Sot kultura e vendit ka nevojë për shembuj të mirë e të mbarë, jo për success story bajate e të importuara, dhe puna e qëndrimi i profesorit Rasim është një ndër shembujt më markant që do të na ndihmonte ta kuptojmë e përmirësojmë vetveten.
Ai e ka mbyllur edhe një orbitë rreth Diellit, e i uroj që të mbyllë edhe shumë e shumë tjera, me shëndet e mbarësi. Ai, pa dyshim, do t'i mbyllë edhe shumë e shumë tjera me shëndet e mbarësi. Uroj që ne si vend, si shoqëri e kulturë të dimë ta vlerësojmë në rrethin e radhës rreth Diellit. Punën e ka bërë dhe hala vazhdon ta bëjë; ta keni parasysh, ai na ka mësuar dhe na mëson astronominë kur vendet tjera kanë filluar të luhaten pas argëtimit e lajleluleve tjera në arsim dhe i ikin astronomisë, latinishtes, gjeometrisë, logjikës, e lëndëve tjera që e bëjnë njeriun Njeri. Përndryshe, ... ja, po e përfundoj kështu, me një nga anekdotat e shumta që m'i ka treguar: një autobus në rrëpirë fillon të lëvizë gjithnjë e më shpejt dhe nga pas e ndjek me vrap një njeri që bërtet me të madhe "o ndaleni autobusi, o pritni more". Një udhëtar që e sheh atë të mjerin duke vrapuar jashtë, ja nxjerr gjuhën dhe e ngrit plot kënaqësi dorën duke e vënë njërën dorë në tjetrën dhe duke e lakuar në bërryl, pra duke bërë atë gjestin "ta futëm, na shkuam, ti vrapo", por ai i shkreti jashtë vazhdon të vrapojë e bërtasë "o ndaleni more se unë jam shoferi!"
Sonte do të ngre një gotë venë të shijshme: Për të mirë!
2022/01/22
Katundi Potemkin dhe akademikllyku kosovar
Thuhet se metafora e katundit Potemkin bazohet në ngjarje të vërtetë. Grigory Potemkin ka qenë një udhëheqës ushtarak në perandorinë ruse, i ngarkuar me detyrën e popullimit të Krimesë me rus, pas shkëputjes së saj nga Perandoria Osmane. Gjatë një vizite inspektuese nga perandoresha Katarina e Dytë, Potemkin-i, për ta impresionuar atë, i detyron ushtarët e vet që të paraqiten si katundarë rus që ishin vendosur në katundet e Krimesë. Në ato vende ku planifikohej të shkonte shpura perandorake, shkonin më parë ushtarët e Potemkin-it dhe ndërtonin fasadën apo imazhin e katundit të kolonëve.
Pra, nga këtu, katundi Potemkin ka marrë kuptimin e diçkaje të rreme, të bërë sa për të mashtruar duke krijuar një imazh të pranueshëm.
Një katund i vërtetë Potemkin mund të gjendet në shumë sfera të jetës kosovare, njëra ndër to edhe puna akademike, universitare, apo ajo që ka të bëjë me shkollën. Kosova i ka në rregull të gjitha fasadat, ka universitete me profesorë që shkruajnë punime dhe mbajnë ligjërata, ka akademikë hijerëndë e të veshur bukur me setër-pantoll-e-kravatë, të cilët pa përtesë i shkepin mendtë nëpër raporte e projekte për të mirën e vendit, ka studentë, bile më shumë se sa që duhet... Por, e gjitha kjo është një fasadë mashtruese. Kjo fillon që nga të folurit e të shkruarit e të ashtuquajturve profesorë e akademikë, e deri te studentët e mjerë, të cilën i ndjekin si robotë hapat automatikë të fasadës që e ruan imazhin e Kosovës.
Që gjendja reale, pra ajo në thelb e përtej imazhit është e mjerë shihet nga këshillat dhe studimet budallica të akademisë, profesorët hajvanë të universiteteve, studentët zombi, dhe mbi të gjitha, jeta e keqe e të ndershmit në vend. Nëse kjo nuk ndihet nën lëkurën e regjur të kosovarit, atëherë janë statistikat e ftohta: sipas dëshmisë së PISA-s dhe TIMSS-it Kosova është e fundit në botë për arsim, sipas dëshmive të databazave të botimeve shkencore Kosova është e fundit në botë për kontribut në shkencë, sipas të dhënave për GDP e tregues tjerë ekonomikë Kosova është e fundit në Europë për mirëqenie.
Ka dy dallime thelbësore në mes të katundit Potemkin dhe jetës së mjerë në Kosovë: katundi Potemkin u bë për ta impresionuar perandoreshën e kohës me urdhër të një ushtaraku që donte t'i hynte perandoreshës në krevat. Se me urdhër të kujt dhe për të lënë mbresa te kush Kosova mërzitet kaq shumë për imazhin e vet, nuk di ta tregoj. Ndoshta njerëzit duan t'i ikin vetvetes, ku ta di. Por, një gjë shihet qartë, bile për sa i përket botës akademike: gjërat bëhen në një shabllon që vezullon së jashtmi, por që është i kalbur së brendshmi. (A nuk janë vezullues titujt e akademisë e universiteteve në latinisht që ta kompleksojnë edhe Erasmus-in e Roterdamit, përderisa shumica dërmuese e profesorëve nuk dinë ta shkruajnë pa probleme gjuhën e vet amtare?)
Dallimi i dytë në mes të Potemkin-it e Kosovës është ai i atyre që marrin pjesë në mashtrim. Në rastin e Potemkin-it ishin ushtarët që, për të luajtur lojën, degradoheshin në katundarë. Natyrisht, pas lojës ata mund t'i ktheheshin uniformës dhe punës së lavdishme të ushtarit. Në Kosovë situata është më serioze: këtu kemi të bëjmë me katundarë që e lujanë rolin e akademikut a profesorit, prandaj këta kurrë nuk do të dalin jashtë rolit.
Vegjëlia në Kosovë e di mirë situatën dhe e ka shënuar për mrekulli me kohë. Ajo, me gjenin dhe durimin që e karakterizon, e ka pasuruar gjuhën me terma simpatikë për akademikët, si ahmakdemik ose akademyk. Ja, në vend të një tempulli për budallën e të poshtrin, kjo është shenja me të cilën vegjëlia e shënon gjendjen e kësaj kohe.
Subscribe to:
Posts (Atom)