2022/03/05

Analfabetë dhe dalleverexhinj

Arsimi i Kosovës, e bashkë me të edhe shkenca, udhëhiqet nga analfabetë dhe dalleverexhinj. Fotoja e bashkëngjitur është një titull nga libri i fizikës për klasën e tetë, shtëpia botuese Albas, aprovuar nga MAShTI, dhe e ilustron për bukuri (apo shëmti, nëse të dhemb gjendja në të cilën gjendet vendi) atë që pohova.
Pikë së pari, le të konstatojmë se kjo që është paraqitur si titull mësimi është një budallaki e dorës së parë. Aty shkruan "forca e shtypjes", një koncept që nuk ka kurrfarë kuptimi. Njësia mësimore e kërkuar është për shtypjen, e cila është madhësi fizike e definuar si herës në mes të forcës dhe sipërfaqes. Pra, të shkruhet për forcën e shtypjes është njëjtë sikurse të shkruhet për gjatësinë e shpejtësisë, apo masën e nxitimit, apo kohën e vëllimit, apo çfarëdo përbindëshi tjetër që cilëson një madhësi fizike përmes një madhësie tjetër fizike! (Për pedantët: ka raste të veçanta kur përdoret termi forca e shtypjes për ta dalluar ndikimin e shtypjes në lëvizje të lëngjeve nga ndikime tjera, për shembull nga viskoziteti, por nëse nuk e kuptoni se ajo për të cilën komentoj nuk ka të bëjë me këtë që e shënova këtu, atëherë nuk më duket e shëndetshme të lexoni fizikë.)

Ky fragment nga teksti shkollor është shkruar nga disa autorë, profesorë universiteti këta, ka kaluar nëpër duar të botuesit, lektorit, redaktorit, pastaj të recensuesve, zyrtarëve e expertëve të ministrisë, bile edhe nëpër duar të ministreshës, dhe ka përfunduar në çantat e fëmijëve tuaj, të cilët e bartin këtë bërllok poshtë e përpjetë. Pra, kemi të bëjmë me një varg njerëzish që e kanë prodhuar dhe e kanë aprovuar këtë njësi mësimore të pakuptimtë. Mësuesi kosovar, kur ju del para nxënësve, duhet që t'iu përcjellë këtë mjerim, dhe kështu nga analfabetët në krye që prodhojnë këso qyfyresh arrijmë te nxënësi fatkeq që trajnohet me analfabetizmin.

Gjer këtu gabimi është i pafajshëm, sepse budalla e analfabeti nuk mund të numërohet fajtor për gjendjen në të cilën është. Fajtori është ai ose ajo që e ka aprovuar dhe e ka futur këtë libër në çantën e fëmijëve, dhe ky fajtor më nuk ka arsyetim për gabimin e lëshuar, sepse është bërë zhurmë qe sa e sa vjet për këto probleme. Si kam shkruar edhe më parë, ky aprovim është kontrabanduar, pra është bërë pa meritë. Dhe kjo e plotëson tablonë me dallaverexhinjët që nuk prajnë së vjedhuri, grabituri, mashtruari, dhunuari, e poshtëruari vendin.

Kjo aleancë e analfabetëve dhe dallaverexhinjëve funskionon për mrekulli në dëm të qytetarit kosovar. Analfabetët e ngatërrojnë veten me fjalë e fjali që kumbojnë shumë, por që s'thonë asgjë, sepse kështu duken më të aftë. Dallaverexhinjët nuk i përmirësojnë sepse nuk dinë, por edhe kur dinë nuk veprojnë, sepse, si thotë urtia popullore ujku do mjegull. E këto fjali kaba janë mjegull për tru e hapësirë e përshtatshme për hajni.

Dallaverexhinjët, të ndihmuar nga analfabetët, janë në krye të vendit mu për këto punë, për të bërë dallavere, e jo për të rregulluar gjë. Ajo që s'e kuptoj është se si i duron vendi këta.