2022/03/20

Në fund të një cikli

Sivjet mbyllet cikli i përzgjedhjes së teksteve shkollore: gjatë 4-5 vjetëve të fundit Ministria e Arsimit në Kosovë i ka ndërruar të gjithë librat që nxënësit përdorin në shkollë, përfshi edhe ata të fizikës. Ndërrimi u arsyetua me kërkesën që tekstet të jenë në përputhje me kurrikulën e re, por edhe me nevojën që tekstet të përmirësohen nga gabime të shumta shkencore e pedagogjike.

Rezultati i kësaj pune është një lëmsh që nuk përmirësoi asgjë. Nga librat e fizikës u hoqën gjepurat si vala ka masë, por u futën tjera si ecja mbi qilim shkakton alivanosje. Me një fjalë, botimi i teksteve të reja rezultoi me ndërrimin e një budallakie me tjetrën.

Ndërkohë, praktikat korruptive nuk pësuan asnjë ndryshim dhe u zbatuan me përpikëri: tekste me cilësi shumë të dobët u adaptuan për t'u përdorur në shkolla për të kënaqur nevojat klienteliste, pavarësisht partisë politike që udhëhiqte me ministrinë.

Në këtë periudhë, përvoja personale m'u pasurua jo vetëm me atë të kritikut, por edhe u bëra bashkautor teksti. Megjithatë, zhgënjimi me angazhimin në këto punë është enorm: jo vetëm që nuk m'u vlerësua pozitivisht puna, por fitorja e teksteve kundërshtare të mbushura me gabime elementare kishte vetëm një përfundim, atë se s'ja vlen të merret njeriu me këto punë në një ambient të tillë. Sepse, nuk është e nevojshme që njeriu të jetë fizikan për të ditur se ecja mbi qilim s'shkakton alivanosje, apo që metri nuk është shipkë, apo që koncepti forca e shtypjes nuk ka kuptim. Prandaj pres gati me indiferencë përfundimin e përzgjedhjes së teksteve të klasës së nëntë, por, meqë parashikoj dallavere edhe gjatë kësaj përzgjedhjeje, reagimi s'do të mungojë. Kjo vetëm për të përmbyllur këtë cikël.

Ku është zgjidhja? Dikur kam menduar se të vetmit që mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes janë prindërit që kanë Këshillin e tyre, një mekanizëm që mund të bëjë punë të mirë. Sot më nuk e kam këtë mendim. As trupa profesionale nuk mund të sjellë përmirësim, sepse si mund të presë intervenim njeriu nga ata profesorë universitarë që s'janë në gjendje të shkruajnë një tekst pa një kerr gabime të lëndës, të pedagogjisë, të të shprehurit, bile edhe gabime gramatike të nivelit të fillores. Ata nuk e kanë shkruar asnjë rresht për dallaveret që bëhen me tekste, e as për cilësinë e dobët të tyre. Përmirësimi nuk mund të pritet as nga mediet, të cilat mbijetojnë përmes kalkulimeve e shantazheve.

Gjasat e vetme për përmirësim janë te njerëzit e ndërgjegjshëm, të cilët edhe mund të jenë në ministri, edhe prindër, edhe profesionistë, por që nuk janë të organizuar. Pra, e gjitha që mund të bëhet është përmes reagimeve sporadike të pak njerëzve të ndërgjegjshëm. Por, me reagime sporadike nuk ndërtohet një sistem i mirë i arsimit; sistemi kërkon mekanizma të fuqishëm të llogaridhënies, e jo mbështetje në vullnetin e mirë të individëve. Dhe, përderisa sistemi nuk ndërtohet, arsimi i Kosovës do të vazhdojë qelbjen në fundin e botës.