2022/01/22

Katundi Potemkin dhe akademikllyku kosovar

Thuhet se metafora e katundit Potemkin bazohet në ngjarje të vërtetë. Grigory Potemkin ka qenë një udhëheqës ushtarak në perandorinë ruse, i ngarkuar me detyrën e popullimit të Krimesë me rus, pas shkëputjes së saj nga Perandoria Osmane. Gjatë një vizite inspektuese nga perandoresha Katarina e Dytë, Potemkin-i, për ta impresionuar atë, i detyron ushtarët e vet që të paraqiten si katundarë rus që ishin vendosur në katundet e Krimesë. Në ato vende ku planifikohej të shkonte shpura perandorake, shkonin më parë ushtarët e Potemkin-it dhe ndërtonin fasadën apo imazhin e katundit të kolonëve.

Pra, nga këtu, katundi Potemkin ka marrë kuptimin e diçkaje të rreme, të bërë sa për të mashtruar duke krijuar një imazh të pranueshëm.

Një katund i vërtetë Potemkin mund të gjendet në shumë sfera të jetës kosovare, njëra ndër to edhe puna akademike, universitare, apo ajo që ka të bëjë me shkollën. Kosova i ka në rregull të gjitha fasadat, ka universitete me profesorë që shkruajnë punime dhe mbajnë ligjërata, ka akademikë hijerëndë e të veshur bukur me setër-pantoll-e-kravatë, të cilët pa përtesë i shkepin mendtë nëpër raporte e projekte për të mirën e vendit, ka studentë, bile më shumë se sa që duhet... Por, e gjitha kjo është një fasadë mashtruese. Kjo fillon që nga të folurit e të shkruarit e të ashtuquajturve profesorë e akademikë, e deri te studentët e mjerë, të cilën i ndjekin si robotë hapat automatikë të fasadës që e ruan imazhin e Kosovës.

Që gjendja reale, pra ajo në thelb e përtej imazhit është e mjerë shihet nga këshillat dhe studimet budallica të akademisë, profesorët hajvanë të universiteteve, studentët zombi, dhe mbi të gjitha, jeta e keqe e të ndershmit në vend. Nëse kjo nuk ndihet nën lëkurën e regjur të kosovarit, atëherë janë statistikat e ftohta: sipas dëshmisë së PISA-s dhe TIMSS-it Kosova është e fundit në botë për arsim, sipas dëshmive të databazave të botimeve shkencore Kosova është e fundit në botë për kontribut në shkencë, sipas të dhënave për GDP e tregues tjerë ekonomikë Kosova është e fundit në Europë për mirëqenie.

Ka dy dallime thelbësore në mes të katundit Potemkin dhe jetës së mjerë në Kosovë: katundi Potemkin u bë për ta impresionuar perandoreshën e kohës me urdhër të një ushtaraku që donte t'i hynte perandoreshës në krevat. Se me urdhër të kujt dhe për të lënë mbresa te kush Kosova mërzitet kaq shumë për imazhin e vet, nuk di ta tregoj. Ndoshta njerëzit duan t'i ikin vetvetes, ku ta di. Por, një gjë shihet qartë, bile për sa i përket botës akademike: gjërat bëhen në një shabllon që vezullon së jashtmi, por që është i kalbur së brendshmi. (A nuk janë vezullues titujt e akademisë e universiteteve në latinisht që ta kompleksojnë edhe Erasmus-in e Roterdamit, përderisa shumica dërmuese e profesorëve nuk dinë ta shkruajnë pa probleme gjuhën e vet amtare?)

Dallimi i dytë në mes të Potemkin-it e Kosovës është ai i atyre që marrin pjesë në mashtrim. Në rastin e Potemkin-it ishin ushtarët që, për të luajtur lojën, degradoheshin në katundarë. Natyrisht, pas lojës ata mund t'i ktheheshin uniformës dhe punës së lavdishme të ushtarit. Në Kosovë situata është më serioze: këtu kemi të bëjmë me katundarë që e lujanë rolin e akademikut a profesorit, prandaj këta kurrë nuk do të dalin jashtë rolit.

Vegjëlia në Kosovë e di mirë situatën dhe e ka shënuar për mrekulli me kohë. Ajo, me gjenin dhe durimin që e karakterizon, e ka pasuruar gjuhën me terma simpatikë për akademikët, si ahmakdemik ose akademyk. Ja, në vend të një tempulli për budallën e të poshtrin, kjo është shenja me të cilën vegjëlia e shënon gjendjen e kësaj kohe.