2023/05/14

Komente mbi Draft-Programin për Shkencë

Pas shpalljes së Programit Kombëtar të Shkencës për diskutim publik, bëra një seri reagimesh nga data 7 e deri më 15 prill. Më poshtë janë reagimet e përmbledhura.

***

Mu para një viti pata dhënë dorëheqje nga Këshilli Kombëtar për Shkencë dhe sot, kur lexoj Draftin e Programit të Shkencës që ky Këshill ka përgatitur për Kosovën, jam më krenar se kurrë për atë dorëheqje.

Si kam shkruar më herët, Këshilli mbizotërohet nga njerëz të këqinj, karrieristë të poshtër, njerëz që s'ia duan të mirën as vendit, e as punës e profesionit të vet. Kundërshtitë dhe diskutimet që i kam bërë në Këshill kanë kërkuar vetëm një gjë: mendim autentik dhe me bindje të atyre figurave që pretendojnë t'i japin vijë shkencës në vend. Por jo, ata kanë qenë nën kontrollin e hileve dhe turrit për t'ju treguar komisarëve partiak e skllavopronarëve që ju shërbejnë se janë duke i kryer detyrat me devotshmëri. Kjo sepse ju mungon kapaciteti i trurit për të kuptuar të Drejtën e të Mirën, e guximi për të vepruar.

Se ato kafka që e kanë shkruar draftin punojnë në shabllon dëshmon edhe ftoja e bashkëngjitur. Këshilli, si një kor papagajsh, i kanë përkthyer në një shqipe kaba që ta kujton UNMIK-un slloganet e shabllonet që bota ka filluar t'i hedhë në koshin e bërllogut, aty ku e kanë vendin. Ky Këshill ka punuar pa e marrë mundin që ta shohin se si është gjendja në vend. Ja, shkruajnë se përqindja e femrave në TIK është 18%, shifër kjo e kopjuar nga statistikat e botës. Dokumenti është i mbushur me helmin e quajtur barazi gjinore, ndërkohë që situata në Kosovë, bile për sa i përket statistikave, është për t'ia pasur lakmi bota. Përfundi tekstit të draftit është një statistikë nga Universiteti i Prishtinës, statistikë që dëshmon se këta që e kanë shkruar këtë draft as që e dinë se për çka shkruajnë (statistika mbetet e ngjashme edhe kur merren në konsideratë të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend). Një draft të këtillë do të mund t'ia shkruante Kosovës çdo NGO nga Bangladeshi, Afganistani, Tanzania, Hollivudi... sepse është program i bërë copy-paste, pa asnjë interes për vendin.

Drafti është i mbushur me këso qyfte dhe ditëve në vijim, për kënaqësinë tuaj e timen, do t'i ndaj me ju vërejtjet.


***

Dilni e pyesni cilindo qytetar a katundar të Kosovës se çka shkakton sëmundjet kardiovaskulare dhe gjasat që do t'i numërojnë duhanin, alkoholin, ushqimin e keq, e stresin janë shumë të mëdha. Përgjigje të ngjashme do të japin edhe nga WHO, NIH, e organizata të tilla profesionale.

Nëse i pyesni "shkencëtarët" e Kosovës, përgjigja do të jetë ambienti, biodiversiteti, ndryshimet klimatike, e të ngjashme. Këta "shkencëtarë" ja kanë përpiluar vendit Programin për Shkencë për 5 vitet e ardhshme. Dokumenti që kanë prodhuar - nuk ka si të jetë ndryshe - i bën konkurrencë Platformës së AShAK-ut për Arsim: është një paçavure, e shkruar nga paçavure, për paçavure.

ps. Jam duke e lexuar për herë të tretë, sepse nuk po besoj që ka gabime të tilla në dokument, gjithnjë po mendoj se jam duke e lexuar gabimisht. Por jo, dokumenti është për faqe të zezë!


***

Përpilimi i një progami, çfarëdo qoftë ky, nënkupton vendosjen e një rregulli në punët që duhet të bëhen. Ky rregull, renditje, hierarki, përparësi, etj., vendoset duke u bazuar në nevojat dhe mundësitë e atij sistemi të cilit i dedikohet programi. Përjashtim nuk do të duhej të bënte as Programi për Shkencë për Kosovën. Me fjalë tjera, Programi për Shkencë do të duhej të përpilohej duke pasur parasysh nevojat dhe mundësitë që ka vendi për ta realizuar. Por, ajo që lexoj në draft është një buqetë dëshirash të paartikulluara, të mbledhura lëmsh, pa asnjë arsyetim, pa asnjë logjikë, pa asnjë dobi të mundshme për vendin.

Ja një shembull: Programi cek në formë eksplicite, pra udhëzon dhe kërkon nga Qeveria vendore, që të zhvillojë teknologji inteligjente për parandalimin e zjarrit! Për ta shpjeguar se çfarë kërkese budallicë është kjo, më duhet të bëj një digresion.

Kalifornia është vendi më i zhvilluar në botë, si për nga niveli ekonomik, ashtu edhe për nga zhvillimi shkencor dhe teknologjik, përfshirë edhe atë të inteligjencës. Kalifornia, po ashtu, është një ndër vendet më të goditura në botë nga zjarret e pakontrolluara. Dhe, ta do mendja që kalifornianët, duke i pasur mundësitë dhe njohuritë, do ta kenë zgjidhur këtë problem me zjarre. Puna është që kjo çështje mbetet e hapur edhe për ta, bile diskutojnë me të madhe nëse metodat e zjarrvënies së kontrolluar do të ndihmonte më së shumti.

Teknologjia e zjarrvënies së kontrolluar është shumë e vjetër dhe aplikohet me sukses edhe nga kosovarët. Kush e ka shëtitur vendin me sy hapur ditëve të verës do të mund të kishte vërejtur arat e djegura.

Por, pyetja që kam është: sa është kritik ky problem i zjarreve për vendin? Sa ka nevojë të pëqendrohet ajo që quhet shkencë në këtë punë? Pse ka nevojë për përqendrim te zjarret e jo, ta zëmë, te vërshimet? Fundja, pse ka nevojë për teknologji inteligjente, me çka nënkuptohet inteligjenca artificiale? (Për këtë të fundit e kam përgjigjen: këta këshilltarë të shkencës së Kosovës kurrë s'e kanë ditur ta dallojnë inteligjencën natyrore, prandaj ju duhet vetëm artificialja; këta janë robotë, si ata minjtë laboratorikë që rrotullohen e rrotullohen pa shkuar askund, por vetëm rrotullojnë fraza të thata nga dokumentet e botës, pa i bluar, sepse s'kanë tru.)

Karshi angazhimit në një problem që s'është i tillë, tërësisht neglizhohet një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë sonë, problemi i njohjes dhe përparimit të gjuhës shqipe. Për dallim nga zjarret e inteligjenca artificiale, të cilat janë preokupim i botës, studimet albanologjike do të duhej të ishin preokupimi kryesor i investimit qeveritar të vendit. Kjo sepse shqiptari, pikë së pari, definohet si ai që bart gjuhën shqipe. Gjendja e gjuhës është shumë e keqe, si nga aspekti i zotërimit në shkolla e institucione, po ashtu edhe nga hulumtimi i zhvillimeve moderne. (Duhet t'ju kujtohet kritika që e kam bërë për atë ekipin e shkencëtarëve që e kanë studiuar kompjuterin dhe gjuhën, në një kohë që asnjëri nga ta nuk kishte faqe në rrjete sociale. Rezultatet inekzistente të asaj pune flasin vetë.)

Injorimi i plotë i studimeve albanologjike shfaq për mrekulli injorancën e këtyre që e bëjnë Këshillin e Shkencës: këta nuk janë të interesuar të mendojnë shqip, por mjaftohen me anglishten e botës dhe formën e të menduarit si NGO a think-tank që kulm të punës nuk e kanë prodhimin e ndonjë ideje a shoshitjen e mbarë të ndonjë pune, por pjesëmarrjen në ndonjë kanaxhexh a shopping. Fundja, çka na duhet të mendojmë për mbajtshmërinë, qëndrueshmërinë, e koncepte të tilla ende të paadaptuara mirë në shqip, kur kemi sustainabilitinë, grin dillin e Europës, e pallavrat tjera që s'i marrin vesh edhe këta që vetë i kanë shkruar?

***

Një nga masat që paraqet Këshilli Kombëtar i Shkencës në Programin për Shkencë 2023-28 është edhe "zbatimi" i një çmimi për arritje të jashtëzakonshme. Diçka si Nobeli. Me dallimin se është për Kosovë. Për shkencëtarët e Kosovës. Arsyetimi për këtë kërkesë mungon, pra kjo masë e kërkuar nuk është e arsyetuar fare në dokument. Si ta kuptojmë këtë? Po ja, këta shkencëtarë e vendosin këtë çmim për ta paguar vetveten, s'ka arsyetim tjetër.

Është interesante që ky Këshill ja kërkon MAShTI-t ndarjen e këtij çmimi, sepse, po ta shohim si duhet gjendjen në terren, do të vërejmë se MAShTI tashmë e ndan një çmim të ngjashëm me këtë që kërkohet. Ky çmim quhet Shkencëtari i Vitit dhe sivjet bile edhe vetë kryetarja e Këshillit ka qenë prezente në këtë kanaxhexh shkence kosovare kur u nda shpërblimi.

Çmimet për shkencë që ndan Kosova kanë një histori të lezeqme, e cila dëshmon se ministria që merret me këtë lëmë popullohet nga majmunë që s'marrin vesh gjë. Ja, për shembull, Kosova ja ka ndarë këtë çmim shkencëtarit që e ka "dëshmuar" se Einstein-i ka gabuar me Teorinë e Relativitetit! Dhe askush nuk është skuqur për këtë punë. Bota e ka Einstein-in me Nobel, ne i kemi shkencëtarët me çmime të MAShTI-t, dikaster që prihet nga ngelcana e hajna.

Një Këshill serioz do ta diskutonte rëndësinë dhe efektin që ka ndarja e këtyre çmimeve në vend. Por jo, këta tërrpijanë që bëjnë programe për shkencë s'e kanë hallin aty, por te ndarja e çmimeve: sa më shumë e sa më shpesh, për një anti- a quasi-shkencë që bëhet në vend.


***

Për ata e ato që s'e dinë: fjala tërrpijan e ka kuptimin e një të pangopuri-pangopure të paarsyeshëm, në nivel të sëmundjes mendore. Tërrpijani-tërrpijejkja është person i pështirë, s'e do kush. Për ilustrim, tërrpijani-tërrpijejkja i ka të gjitha mundësitë që ta blejë bile edhe një kamion me çokolada, por s'e bën këtë. Ajo që bën është të përvidhet, lëpihet, të shpërfaq mungesën e dinjitetit e karakterin e ulët që ka, dhe e merr një çokoladë nga tavolina e e përbashkët, mundësisht duke u zgërdhirë dhe buçitur me ndonjë vic të rastit për zotësinë e marrjes së një kokrre të vetme çokolade. Kaq është kapaciteti i tërrpijanit-tërrpijejkës, kaq bën. Në fakt, të përmirësohem: tërrpijani-tërrpijejka mund edhe të blejë psh domestos, sa për të marrë një shembull fiktiv, me pare publike, e ta përdorë për nevoja personale. Këtu pra kemi të bëjmë me superkombinimin hajn-tërrpijan. Të tillët nuk mungojnë në Këshillin e Shkencës.

Kosova ka mundësi të organizojë pak shkencë me mjete të veta. Por, mentaliteti i tërrpijanit, skllavit, bythëlëpirësit profesional, profiterit dallaverexhi, quasi-profesionistit joetik, ... s'ja lejon këtij këtë punë. Analiza e thjeshtë e shpeshtisë së termeve në Programin e propozuar të Shkencës e zbulon këtë si më së miri: Termi Kosovë dhe derivatet e tij (kosovar, kosovare) shfaqet në këtë dokument 232 herë, përfshirë edhe përmendjen në headerin e dokumentit. Termet ndërkombëtar dhe evropian (me derivatet e tyre, europe, etj) përmenden 280 herë. Më tutje, termi fond, i ndërlidhur me atë Horizon, që paraqet skemën dominuese financuese të BE-së, përmenden 50, gjegjësisht 54 herë. Kurse, termi buxhet 40 herë. Interpretimin mund ta bëni vetë.

Si shkrova më herët, studimet për shqipen as që përmenden në këtë dokument. Fjalët shqip dhe alban (me derivatet gjegjëse gjuhë shqipe, shqiptare, albanologji, albanologjik, ...) përmenden vetëm katër (4) herë në tërësi (2× shqip + 2× alban), kurse fjala dekarbonizim përmendet 5 herë, bile ka edhe seksion të veçantë e të dedikuar enkas. Të mos flasim për fjalët ambient (përmendet 16 herë), apo gjelbër (59 herë!). Kjo falë Green Deal-it European, të cilin, sipas këtij Këshilli, do ta studiojë vendi i cili as që ka liberalizim vizash!

Si ka thënë shqiptari i moçëm: ku dham dhomi shkon guha... Mos të harroj: për fjalën shqiptar a shqiptare, provoni ta gjeni, ndoshta do të keni më shumë fat e sukses se unë.

***

Suksesi matet lehtë: një punë kryhet ose jo, një rezultat arrihet ose jo. Kjo s'do të thotë që suksesi automatikisht është i dobishëm apo i dëshirueshëm. Për shembull, një kalavesh "shkencëtarësh" janë mbledhur në Këshill dhe e kanë përpiluar këtë Programin për Shkencë. S'ka dyshim se kanë pasur sukses, por ky sukses, bazuar në cilësinë e dokumentit të propozuar, është i dëmshëm për vendin.

A ka Kosova shembuj sukesesh të dobishme? Natyrisht se po. Do t'i përmend tri. Së pari po përmend punën e Shoqatës së Matematikanëve, të cilët kanë arritur t'i përgatisin e dërgojnë gjimnazistët tanë në botë, bile edhe të arrijnë vlerësime të mira, sado modeste qofshin ato. Të shënoj se fjala matematikë në Programin e Shkencës përmendet vetëm një (1) herë. Gjatë përpilimit të programit, Këshilli ka pasur mbështetje edhe nga persona jashtë Këshillit për hartimin e Programit. Pa befasi, asnjë s'ka qenë nga Shoqata e Matematikanëve.

Programi rreh me të madhe ndërkombëtarizimin e punës shkencore të vendit dhe forcimin e aktiviteteve që do të mundësonin bashkëpunimin me projektet europiane to Horizon-it (në fakt, kjo duket të jetë një nga dy kryefjalët e Programit). Dhe tash te sukseset: gjer tani, përfituesit dominues nga Kosova të projekteve Horizon janë nga institucionet private. Dhe sa përfaqësues nga këto lloje institucionesh kanë kontribuuar në hartimin e këtij Programi? Vetëm dy, që të dy nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit, shkollë që do ta ngjallë vlaznim-bashkimin (sipas komenteve të kolegëve në Këshill)! Kjo shkollë financohet nga BE, por, bazuar në të dhënat e vetë Horizon-it, s'ka fituar asnjëherë. Pra, Këshilli rekomandon punën me Horizon, por s'i konsulton ata që janë më të zotët në këtë punë.

Si fëmijë e kemi luajtur një lojë që thirrej "budalla-budallë, vet e ka shkru, s'di mi lexu". Kontribuues në këtë Program e anëtarë të Këshillit kanë shkruar raporte se institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë janë shumë më të suksesshme se ato publike në punën kërkimore. Por ja që s'ju kanë përmbajtur raporteve që i kanë shkruar vetë, s'e kanë ftuar kënd nga kolegjet a shkollat private për këshillim, edhepse ato konkurrojnë shkëlqyeshëm institucionet publike.

Rasti i tretë i një storie suksesi në Kosovë ndërlidhet me FLOSSK-un. Programi, si e do shablloni, e përfshin digjitalizimin si një ndër veprimtaritë kryesore që lidhet me shkencë (edhepse, si e paraqet Programi, kjo më tepër ka të bëjë me punë burokratike, arkivim, digjitalizim, etj, se sa me hulumtim, po hejrli i koft, lësho teposhtë). FLOSSK-u është një ndër institucionet më të lakmueshme që veprojnë në Kosovë. Kam pasur kënaqësinë që të prezentoj në konferenca që kanë organizuar këta, më 2014 e 2020, dhe organizmi që kanë bërë ka qenë i shkëlqyeshëm. Këta të rinj zhvillojnë aktivitete të përmuajshme, ndoshta edhe më shpesh, me një tempo e cilësi të madhe. Këta kanë depërtuar në industri, akademi, në botë e në vend, pra, i kanë bërë të gjitha ato që i kërkon Programi. Dhe, a janë ftuar për këshillë? Jo!

Ftesa që do t'iu kishte dërguar FLOSSK-ut do ta nderonte Këshillin më shumë se FLOSSK-un. Të rinjët e FLOSSK-ut patën dalë me një dokument propozim për Qeverinë në formim Kurti 2, një dokument i pëlqyeshëm. Ajo që ndodhi ishte një injorim i plotë i një pune të mirë e të dobishme për Kosovën, punë e bërë me dashamirësi e vullnetarisht. FLOSSK-u i vazhdon aktivitetet e veta, ja zbardh fytyrën vendit, kurse këta që ju kanë hipur karrigeve të pushtetit ja vjedhin vendit shpresën. Ja pra tre shembuj suksesesh Made in Kosova, që s'e gjetën vendin në Programin e Shkencës, edhepse kanë pasur çka të kontribuojnë. Dhe çka i ofrohet qytetarit të Kosovës për diskutim? Një draft paçavërr.

***

S'po më ndahet e qeshura derisa po lexoj këtë Programin për Shkencë, sepse, pos muhalifeve origjinale që përmban ky, po më kujtohen edhe do muhalife epokale që i kam dëgjuar sa kam qenë pjesë e Këshillit, si për shembull qyftja e gatuar nga një kokë profesori, i cili tha se "qëllimi i introdakshën o mi dhon ni hymje".

Shih, një dokument i përgatitur nga së paku 15 shkencëtarë do të duhej të ishte pa gabime elementare. Ja, për shembull, kjo pjesa e shkëputur ka më shumë gabime logjike se sa që ka rreshta:
  • Kosova, edhepse shtet i ri... - të gjitha shtetet e rajonit, hiq Shqipërinë, Greqinë e Bullgarinë, janë të reja!
  • ...istitucione akademike me traditë mbi 50 vjeçare... - vetëm Mali i Zi ka universitet më vonë se Kosova, të gjitha të tjerat janë me universitete më të hershme, pra për çfarë përparësie është fjala?
  • sektorë ekonomikë në ngritje, sidomos në TIK... - hajnitë më të mëdha në vend janë bërë në sektorin e komunikacionit, bile vendi sapo e fitoi një gjykim tash.
  • popullsi me moshë të re mesatare ... - jo, nuk ka moshë të re mesatare, por moshë mesatare të re, o shkencëtarë që s'jeni në gjendje t'i rrotulloni dy thyesa.
  • Akademi ... - hahahahahahahahahaha, kemi akademi për lakmi...
  • diasporë me të arritura ... - çdo vend i rajonit e ka diasporën akademike më të fuqishme se Kosova...

Pra, për çfarë përparësisht është fjala? Përparësia është se vetëm në Kosovë kastravecat e bashqes shkruajnë program për shkencë!


***

Këshilli është udhëhequr nga tri parime bazë, të dhëna më poshtë. Para se të mendoni se sa burra të mirë e të zot janë këta të Këshillit, ju njoftoj se këto tri parimet bazë janë bërë copy-paste nga ato të Europës. Pra, këta, pa menduar për specifikat e mundësitë e vendit, që realisht është më afër Nigerisë se Holandës, ta zëmë, i kanë adaptuar dhe kërkojnë që shkenca në Kosovë të zhvillohet si të ishte Kosova zemër e Europës.

Ajo që më tërheqi vëmendjen është theksimi i etikës në kërkime. Për Europën, kjo punë kryesisht ka të bëjë me çështjen nëse disa fusha studimi apo eksperimente janë të pranueshme apo jo (psh, a bën të testohen vaksinat në njerëz), kurse për Kosovë tema është hajnia. Këshilli e përmend disa herë, bile e ka edhe si masë që duhet ndërmarrë përpilimin e Këshillit për Integritet! Gjithashtu, Këshilli e përmend përgjegjësinë që duhet ta kenë punëtorët shkencor.

Shumë bukur.

Por, ta shohim si qëndron puna.

Para mu dhjetë vjete, Ibrahim Gashi, aso kohe rektor në UP, i pat botuar dhe tri punime të rreme dhe mori titullin profesor i rregullt. Për këtë dallavere populli u ngrit në këmbë dhe demonstroi fuqishëm. UP-ja formoi komision të etikës, me kryetare Myzafere Limanin. Kjo ka deklaruar se kryetarllykun ja kanë dhënë pa e pyetur, kështu që nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me dallaveret e Gashit, i cili vazhdon si më së miri që të jetë profesor i rregullt në UP.

Mirë, moj zonjë, nëse nuk të kanë pyetur, pse e pranove punën? Ta them: sepse bythët i keni me ngjitës, po të uleni në karrike të butë, syn ngriteni më.

Tash kjo zonjë është kryetare e Këshillit të Shkencës, i cili, si e shkrova, propozon përgjegjësi e Këshill të Etikës e Integritetit! Dhe shih sa bukur e kanë shkruar: duke qenë se sfidat nuk mund të adresohen për një periudhë të shkurtë... Pra, këtyre ju deshën 10 vjet për të kërkuar Këshill të Etikës! Edhe sa vjet do t'ju duhen për ta kuptuar se sa keq po punojnë?


***

Sipas Këshillit Kombëtar të Shkencës Kosova i ka dy institute, të Albanologjisë dhe të Historisë. Me kaq përfundon përmendja e tyre në Programin e Shkencës që këta kanë paraqitur, pra nuk ka asnjë masë a punë konkrete që pritet nga këto dy institucione publike. Këto dy gabime, pra numërimi i vetëm dy institucioneve dhe mosadresimi i punëve të tyre, është një lëshim i madh, por s'më duket se bën ndonjë dëm, edhepse dëshmon neglizhencën dhe përtesën e këtyre "shkencëtarëve" që të njohin vendin për të cilin përpilojnë programe.

Mirëpo, për më keq, ajo që dëshmon ligësinë e këtij Këshilli është propozimi i bashkëngjitur, Objektivi 6 i Programit.

Një hap prapa: Programi flet shumë për arsimin dhe nevojën e hulumtimeve në këtë lëmë. Por, askund nuk përmendet Instituti Pedagogjik i Kosovës, institut publik ky, i themeluar e i mbajtur mu për punë të arsimit e hulumtimeve lidhur me të. Një Këshill serioz do të fuste një masë që do të adresonte punën e këtij Instituti, bile do të kërkonte një analizë se çka të bëhet me këtë institut, ku e si të përkrahet, si të forcohet e me çfarë probleme të angazhohet, apo ndoshta edhe të mbyllet tërësisht pas një periudhe të caktuar me rezutate të dobëta. Por jo, ky Këshill "shkencëtarësh" botnor, ku janë mbledhur pedagogë nga të gjitha skajet e botës, bile edhe nga Poli i Veriut, nuk e ka parë të arsyeshme që të konsultohen me kolegët e vet nga Prishtina.

Këta, si shumë elitarë të fëlliqtë, e mendojnë veten si fillestarë të çdo pune të mirë. Prandaj edhe propozojnë themelimin e një Instituti me emër të gjatë e plot salltanet, ndonëse nuk i dinë ato që tashmë veprojnë në vend. Këta janë origjina e boshtit, para tyre nuk ka pasur asgjë.

Tash më kujtohet fjalosjet e ashpra që kam bërë në Këshill, teksa ju kërkoja atyre që të dilnin në terren, të takohen me njerëz, të bisedojnë me shkencëtarët e vendit, për të cilët tek e fundit po bëhet ky program. Por jo, këta "shkencëtarë-elitarë" kanë shkruar për Green Deal e Horizon e pallavra tjera, thuajse e kanë kap Brukselin për koqe.

Ka edhe një ligësi tjetër: këta e kanë bërë një hesap si të gjithë kalkulantët a shfercerët e këqinj. Duke propozuar themelimin e një Institucioni, këta thonë: shih sa mirë, Albini e pren shiritin, Arbërija duartroket duke buzëqeshur, ne bëhemi drejtorë e profesorë institutesh, a sa për shkencë, po hajt more, kush mërzitet për atë punë. Me fjalë tjera, ju garantoj se këta e propozojnë këtë institut për vete! Edhe këta këshilltarë pra e shohin Kosovën si një kacë me pare, nga e cila duhet grabitur e vjedhur sa më shumë.

Mos të harroj të shtoj: arsyetimi nëse ky institut i propozuar i duhet apo jo, gjasa nëse mund të bëhet apo jo, as që diskutohet në Program. Futja...

Këtyre e çiftit të tyre duhet t'ju ndalet turri, sepse këta nuk ndalen vetë. Se si e tek arrihet kjo, unë s'e di. Por, ndoshta ndërkohë edhe më bie ndër mend ndonjë gjë, ku ta dish...


***

Një krahasim: Ndërtesa e re e FShMN-së së UP-së do të paguhet nga BE (9 mil euro) dhe UP (5 mil euro). Historia e kësaj ndërtese është më e vjetër se ajo e Operës. Për Institutin Ndërdiciplinor Shtetëror Artistiko-shkencor Teknologjiko-fantastik Këshilli i kërkon 15 mil euro nga buxheti i Kosovës, brenda tri viteve.

***

Sa janë kapacitetet e Kosovës për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme? Këtë s'mund ta thotë kush. Ka raporte të punuara në tavolina, pra me tahmin, por nuk ka matje.

Një progam i mirë shkence do të kërkonte që të bëheshin matje e të dihet mirë se sa janë mundësitë e Kosovës për prodhim të energjisë nga burime të ndryshme. A e propozon Programi për Shkencë një studim të tillë? Jo, Programi, i mpirë nga Green Deal i Europës, të cilin edhe vetë Europa s'e përfill, i propozon do muhalife si ruajtjen dhe shfrytëzimin racional të qymyrit, thuajse ai do të shpenzohet nesër. Shih, problem nuk është qymyri, problem është joefikasiteti i termocentraleve; problem nuk është karbonizimi (kosovari prodhon më pak karbon se europeani mesatar!), problem është mungesa e sigurisë me furnizim dhe çmimi i rrymës për qytetarin e Kosovës.

Një program i mirë shkence do të shqyrtonte zbatueshmërinë e politikave europeane në kontekstin kosovar dhe mundësitë për adaptim apo për mbrojtje të pozitës së qytetarit kosovar, e jo të pranojë qorrazi çdo muhalif që e përmendin burokratët e Europës. Por jo, këta këshilltarë s'e kanë hallin e qytetarit të Kosovës, këta e kanë hallin si t'i hyjnë thellë e më thellë në bythë burokratit të BE-së. Ja, e kanë përmendur edhe circular economy, sepse e kanë dëgjuar diku, dhe tash duan t'ia shesin këtë vendit, bile edhe prodhimin e hidrogjenit! Cirkuz i prodhuar nga do kokë-teneqe...

***

"Kaq po dim, kaq po bajm" ishte përgjigjja e akademikut në Këshillin e Shkencës kur e ballafaqova me rezultatet zero të punës në të cilën ai ka kontribuar, si në Programin për Shkencë të vitit 2010, në Platformën e AShAK-ut për Arsim, në udhëheqjen e UP-së, etj.

Dhe këtu është thelbi i çështjes: amon mos bëni! Ja, edhe ky Draft-Programi i paraqitur është aq i dobët sa që gjasat për mosrealizimin e tij janë më të mëdha se për realizimin. Por, edhe nëse realizohet, mozomakeq!

Prandaj, s'do të ishte keq që këta që i kanë punët në dorë, ndonjëherë edhe të mos bënin, sepse më mirë pa ta, se me ta. Njerëzit dinë e gjinden vetë, pa nevojën e planeve që kulm të realizimit e kanë caktimin e një logoje a një emri plot salltanet, si për shembull Laboratori i Inovacionit të Ndryshimeve Klimatike!

PS: Çfarë analfabeti duhet të jetë njeriu që të pjellë një emër të tillë? (Lexo: vetëm expertëve të Kosovës ju pordh kryet këso çmendurina!)

****

BE-ja, kur flet për ekonominë e kaltër, fjalën e ka për detna e oqeane. Po "shkencëtarët" e Kosovës, për çka e kanë fjalën? Ndoshta për Durrësin, apo për Vlorën? Ndoshta për Ibrahim Tatlisesin, ku ta dish...


***

Një "fushë e ndërhyrjes dhe aktivitet i kërkimit shkencor", i propozuar në Programin Kombëtar të Shkencës është edhe ky i bashkëngjituri në post (po e ngjes, sepse është shumë e vështirë të besohet se ka edhe këso muhalife).

Vëreje: rritja e popullsisë është problem!

Një lexim i shpejtë i statistikave të Kosovës del se vendi gjatë gjithë dekadës së kaluar ka zvogëlim të popullsisë, me përjashtim të vitit të covid-it, kur kufinjët u mbyllën e askush s'mundi të ikë nga vendi. Pra, për çfarë rritje të popullsisë së cilit vend e kanë fjalën këta "shkencëtarët"?


***

Qysh para një jave e lexova Progamin për Shkencë, të përpiluar gjatë një viti nga më së paku 15 "shkencëtarë elitar". Ky program mëton t'i japë rrugë shkencës në Kosovë. Por, gjatë gjithë javës ju përcjella disa vërejtje serioze që hasen lehtë dhe pa sforcim. Në fakt, do të mjaftonin vetëm tri nga to: statistikat e gabuara për përqindjen e kosovareve të angazhuara në TIK, mosnumërimi i saktë i instituteve hulumtuese që ka vendi, dhe ndryshimet demografike e dinamikat e shtrembëruara të popullsisë si shkak për intervenim të çfarëdoshëm, për ta deklasuar këtë program e cilësuar atë si bërllog. Arsyetimet tjera të shkarravitura në të, si ndryshimet klimatike si shkaktare të sulmeve në zemër, nevoja për institute të reja, dekarbonizimi e digjitalizimi si domosdoshmëri e zhvillimit të vendit, përputhja pa alternativë e politikave të Kosovës me ato të BE-së, si ato të Green Deal-it, në kohën kur Kosova as që është në rend të futjes në BE, dëshmojnë argatllyk e përtesë të përpiluesve të programit për t'u marrë me problemet e vërteta të vendit, dëshmojnë mungesën e vullnetit të tyre për t'ia dashur të mirën Kosovës. Mungesa e kujdesit gjuhësor, jo vetëm si temë studimi, por edhe në përpilimin e këtij Programi dëshmojnë për injorimin që këta ja bëjnë kulturës që duan të përfaqësojnë e zhvillojnë, dëshmojnë amatorizëm të skajshëm në komunikim.

Pra, merre kah të duash, ky dokument nuk i bën nder kujt. Fatkeqësia është se ky dokument nuk bën përjashtim, por vijon rregullin e mbushjes së vendit me dokumente që përcjellin ide e synime shterpe. Këto pa përjashtim rezultojnë në hajni e dallavere. Si në shumë raste tjera, edhe gjatë përpilimit të këtij programi e përmes këtij dokumenti dëshmohet se Kosova nuk konsiderohet si një vend që meriton respekt, por si një vend që duhet të dhunohet, shkërdhehet në autoritet, pare, ide, kulturë... Puna është që Kosova s'është vetëm e imja, por edhe e juaja, edhe e këtyre që e kanë shkruar këtë mjerim, edhe e atyre që do të vendosin për të. Dhe, përderisa vetë qytetarët e Kosovës s'e duan e s'e respektojnë vendin që i angazhon në një detyrë fisnike, pse duhet ta duan e respektojnë të tjerët?

Thuhet se njeriu është e vetmja qenie që skuqet. Unë, ndonëse gjithnjë e më tepër krenar me dorëheqjen nga Këshilli, skuqem nga ky dokument që vendi im ka prodhuar. Por, para meje e më shumë se unë, do të duhej të skuqeshin ata që e kanë përpiluar, ata që e kanë organizuar punën për përpilimin e këtij mjerimi, dhe ata që merren me punë shteti e që s'kanë intervenuar për ta kthyer mbrapsht këtë shkarravinë. Shumëkujt i ka humbur aftësia për t'u skuqur, s'ka më marre e syn turpërohen më. Me fjalë tjera, s'kemi të bëjmë më me njerëz, por me kafshë që udhëhiqen nga epshet, qofshin ato të pushtetit a pasurisë, apo robotë që punojnë me copy-paste, pa fijen e trurit. Dhe këta i prijnë vendit, ndërkohë që qytetarët e ndërgjegjshëm e shpresëthyer ju hipin këmbëve e ikin nga mundin.

Një fat është se shkenca është vrima e fundit e kavallit të problemeve që ka Kosova. Në këtë lëmë, jo vetëm që jemi në periferi të zhvillimeve, por jemi aq larg, sa që bota as që na përqesh. Pra, ky dokument e puna e mbrapshtë që rrjedh prej tij nuk do t'i bëjë aq dëm vendit: do të humbet kohë, do të sillemi si miu laboratorik i futur në një labirint, por gjithsesi që në fund të do mbetemi aty se ku ishim. Pyetja është: a do të rregullohet ky vend ndonjëherë apo jo, a do të kthehet për së mbari?

Me kaq unë e përfundoj leximin e këtij dokumenti. Ta shohin se si e tek do të shkojnë punët.

2023/03/12

Dy zgjidhje kurrfare

Një javë më parë, KTV emetoi një minireportazh për tekstet shkollore. Në lajm përcillet e dhëna nga ministria e arsimit se botimi i teksteve të reja, punë që ka filluar më 2019, deri tash ka kushtuar mbi 25 milion euro. Megjithatë, tekstet e reja nuk kënaqin, sepse janë plot me gabime dhe me përmbajtje të vobektë, si shprehen dy mësues në storien e paraqitur.

Gazetarja që raporton ka kontaktuar edhe ministrinë e arsimit, por shprehjet e tyre janë indirekte, pra askush nga ministria nuk ka folur para kamerës. Nuk mund të kuptohet nëse këtë e kanë bërë se nuk e përfillin gazetaren, apo se frigohen nga përballja me publikun.

Gjithsesi, në atë që thonë zyrtarët e ministrisë, del se ata do ta zgjidhin problemin me gabimet në tekste shkollore përmes dy veprimeve: nuk do t'i angazhojnë më recensentët që kanë lëshuar tekste me gabime dhe do ta aprovojnë ligjin e ri. Cilido nga këto veprime është një budallaki e llojit të vet, e cila zbulon paaftësinë e atyre që punojnë në këtë dikaster të rëndësishëm.

Së pari, puna me recensentë është një dallavere që burimin e ka mu në ministri. Shumë recensentë janë angazhuar për të bërë punët e ndyta të zyrtarëve ministror, për të notuar tekste sipas hesapeve në mes të ministrave, shtëpive botuese, e dallaverexhinjëve tjerë që vjedhin përmes teksteve shkollore. Janë të mirënjohura për publikun rastet e raportuara kur recensentët janë dërguar në Durrës dhe janë porositur që të notojnë tekste me nota të urdhëruara nga lart.

Ky veprim që do ta ndërmarrë ministria nuk ka kurrfarë kuptimi edhe nga ana konceptuale: nëse recensentët janë kujdestarë të cilësisë së tekstit, kush do të jetë kujdestar i cilësisë së recensentit? Për më tepër, çka mund të dëshmojë se ministria e ka seriozisht kësaj here, përderisa nuk ka ndërmarrë asnjë hap deri tash kur është njoftuar se puna e recensentëve ka qenë e dobët? Ose, nëse recensentët e dobët do të përjashtohen nga ky aktivitet, çka do të ndodh me autorët e teksteve? Apo, edhe me vetë zyrtarët e ministrisë, që janë në krye të këtyre punëve?

Me një fjalë, ky zotimi se do t'i shtrëngojnë recensentët është një demagogji e lodhtë, të cilën vështirë se e beson edhe vetë ai që e ka thënë.

Lidhur me propozimin e dytë, pra me aprovimin e ligjit për tekste, jam shprehur moti, por ja vlen ta përsëris se ligji nuk do ta përmirësojë situatën. Dallaveret me tekste nuk janë bërë në margjina të aktiviteteve që mbulon ligji, por mu si një hajni klasike. Nëse ministria e ka seriozisht këtë punë - e çdo veprim i saj deri tash dëshmon për të kundërtën - atëherë ligji ekzistent është i mjaftueshëm për të prodhuar tekste të mira. Çështja qëndron në atë se ata që udhëheqin me këtë ministri, që nga ministrja e teposhtë, nuk janë të interesuar që të bëjnë mirë, por që të vjedhin, mundësisht pa u dikutuar e duke u duartrokitur për kinse punët e mira që po i bëjnë.

Është për mjerim situata në të cilën ndodhet vendi: edhe pas njëzet viteve që kur punët e arsimit i ka tërësisht nën kontroll kasta politike e vendit, ende nuk janë prodhuar një seri tekstesh të pranueshme për filloristë. Kjo flet shumë për nivelin e kulturës së politikuajve dhe nivelin e vetëpërgjegjësisë që ata (s')ndjejnë, por edhe të shoqërisë, e cila nuk ju kërkon me fuqi këtë përgjegjësi.

2023/02/26

Politika për reklamë

Shkas i këtij shkrimi u bë reklamimi me pompozitet i do veprimeve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës si të dobishme për vendin, kur në fakt asgjë nuk dëshmon se këto janë të tilla. Konkretisht, ministria ka ndarë bursa për vajza e gra që studiojnë lëmitë teknike, shkencat e natyrës dhe matematikën, pra të ashtuquajturat STEM. Por, se ku qëndron dobia e këtij veprimi, këtë arsyetim ministria nuk e jep.

Në fakt, çdo tregues, si nga numri i studenteve e raporti i tyre, rezultatet e PISA-s, e parametra të ngjashëm, dëshmojnë se femrat që mësojnë e studiojnë në Kosovë janë në rregull, për aq sa mundësi e cilësi ju ofron vendi. Pra, veçimi i tyre dhe përqëndrimi në to nuk gjen arsyetim.

Është e qartë se këto politika bëhen si shabllone të importuara nga zyret e Europës dhe Amerikës, bile edhe mu emërtimi STEM është importuar pa nevojë nga atje. Në këto vende, politikat gjinore e kanë sjellë sistemin arsimor - dhe jo vetëm - në një gjendje shumë të keqe, duke zhbalasuar rritën e natyrshme të shkollës.

Përpara se të kujdeset për ngarkimin e anës së femrave në balansën gjinore të shkollës, ministria si prioritet do të duhej ta kishte kalbjen e vetë shkollës dhe kualitetin mjeran që kjo ka në vend. Shumë më serioze është çështja e gati mbylljes së studimeve të elektroenergjetikës në vend, se sa nëse kuotat gjinore do të plotësohen sipas checkboxeve.

Kosova nuk e ka luksin që të ndjekë politika të botës, përderisa interesat dhe nevojat e vendit janë tjera. Bota mund, duhet dhe di të bëjë eksperimente, por Kosova jo, sepse i mungon themeli i palëkundshëm i ndërtimit të kulturës. Ja, për të marrë vetëm një shembull: sa e sa dekada kanë kaluar dhe shtylla kryesore e kulturës, gjuha pra, ende nuk është përvetësuar si duhet as nga profesorët universitarë, e lëre më që të diskutohet për degët tjera, si muzika, arti, arkitektura, shkenca, e të ngjashme.

Me një fjalë, kasta momentale e politikuajve që udhëheqin me vendin e kanë marrë qeverisjen me sllogane të thata, dhe me po këso politika fjalëboshe po e shtyjnë qeverisjen nga viti në vit. Çështjet e arsimit nuk janë të izoluara në këtë mënyrë qeverisjeje, por kjo formë pune vërehet edhe në dikastere tjera, si për shembull në energji, ku promovohen politika që janë në dëm të vendit. Them se politikat për energji janë në dëm të vendit, sepse nuk kujdesen as për furnizimin, as për sigurinë, e as për përballueshmërinë në çmim të energjisë për qytetarët.

Meqë bota tashmë ka filluar të përballet me shterpësinë e këtyre politikave, nuk besoj se kanë nge të dalldisen pas pozave të qeveritarëve kosovarë që shtiren si progresistë. Pyetja është se për kë bëhen këto reklama me politika? Besoj se ato bëhen për ata qytetarë e aktivistë që s'duan të mendojnë, por edhe që s'pranojnë të jenë jashtë ngjarjeve prijatare. Këta quazi-intelektualë e gjysmë-qytetarë i hanë parullat e gatshme dhe e mendojnë veten të emancipuar e në hap me kohën, pa e kuptuar se çdo hap është më afër greminës.