DShT i MAShT-it ka shpallur
konkurs për grante shkencore, të ndarë në dy pjesë: grantet për projekte të vogla, me shumë të përgjithshme 150 000 euro (5 mijë deri në 10 mijë euro për projekt), dhe për
publikime (botime) të punimeve shkencore, me shumë të përgjithshme 100 000 euro. Nga sa shkruhet në konkurs, nuk e kam të qartë nëse DShT do të përkrah botimin e punimeve të veçanta (sistemi
Open Access), apo do të përkrah botimin e revistave shkencore me adresë Kosovën (në konkurs shkruan se "
Për institucionet kërkimore-shkencore që konkurrojnë me revista shkencore të karakterit ndërkombëtar (që kanë redaksi ndërkombëtare dhe numra identifikues ndërkombëtarë (ISSN, etj.) afati i aplikimit zgjatet deri më 1 shtator 2013.")
Investimet e Qeverisë në shkencë janë për t'u përshëndetur, mirëpo mendoj se shpenzimet për botime janë të panevojshme, pa marrë parasysh nëse përkrahen punimet e veçanta apo revistat shkencore. Në vijim do ta arsyetoj këtë qëndrim, duke e marrë parasysh botimin e punimeve të shkencave natyrore dhe inxhinierike në revista a organe periodike - pra, ky gjykim përjashton botimet e librave apo përkthimet, si dhe punimet nga shkencat shoqërore, për të cilat nuk kam njohuri - por, edhe duke e pranuar se nuk i di qëllimet dhe arsyetimet e DShT-it për këtë financim. Indirekt, duke u bazuar në "
Udhëzimet e Aplikimit për Fondet e Botimit të MASHT", mësohet se botimet financohen për "
t'i bërë të disponueshme për një publik sa më të gjërë, duke i promovuar", e supozoj se një arsyetim i tillë vlen edhe për këtë çështjen në diskutim.
Konsideroj se botimi përbën një pjesë të rëndësishme të punës shkencore, të barabartë në vlerë me ndërtimin e hipotezave, eksperimentimin, analizën e të dhënave, e të tjera si këto. Por, nuk duhet harruar se botimi është elementi i fundit i ciklit të punës shkencore, pra vjen pasi që janë ndërtuar hipoteza, janë bërë eksperimente, e janë ndërtuar teori. Nga ana tjetër, leximi i punimeve të botuara përbën elementin fillestar në punën shkencore, sepse nga aty lindin idetë dhe mësohen metodat për të ndërmarrë një punë shkencore. Pra, problemi nuk është te botimi, por te pagesa nga mjetet e pakta të shtetit të Kosovës për të (po e zë si të vërtetë që në Kosovë lexohet literatura shkencore dhe prodhohet shkencë).
Ekzistojnë disa modele të botimit të punimeve shkencore. Modeli tradicional dhe dominues njihet si
lexuesi paguan. Sipas këtij modeli, autori e dorëzon punimin, kurse shtëpia botuese e boton dhe promovon këtë punim. Zakonisht, qasja në punim mundësohet përmes bibliotekave, të cilat parapaguhen në revista. Shtëpitë botuese nuk e paguajnë autorin, si dhe i mbajnë të drejtat autoriale, edhepse ato janë shumë fleksibile dhe i lejojnë autorit të drejtën për ta postuar punimin në arkiva (
repositories), si psh në arkiva qendrore globale (
arXiv, PubMed Central), në arkiva të universiteteve, apo edhe në faqet personale të autorëve. Gjithashtu, autorit zakonisht i lejohet përdorimi i materialeve nga punimi për ripërdorim në punime të tjera a përmbledhje monografike. Revistat më prestigjioze dhe më serioze e ndjekin këtë model.
Me zhvillimin dhe masivizimin e Internetit filloi të shfaqet edhe një model i ri, i njohur si
autori paguan. Sipas këtij modeli, autori e paguan shtëpinë botuese për t'ia botuar dhe promovuar punimin, kurse lexuesi ka qasje falas në punim (
Open Access). Zakonisht, autori i mban të drejtat autoriale. Në të shumtën e rasteve pagesa e botimit bëhet nga fondet e projektit apo nga institucioni ku punon autori. Motivet e autorit për ta paguar botimin e punimit janë të ndryshme, mirëpo ato kryesisht konsistojnë në përhapjen sa më të gjërë e më të shpejtë të punimit, që rezulton në ngritjen e ndikimit të punës shkencore të autorit, apo në arritjen e normave-kuotave të punimeve të botuara nga autori (ky motivi i dytë zakonisht vlen për profesorë universiteti, të cilët mund të avancohen vetëm nëse kanë një numër të caktuar punimesh për vit, pa marrë parasysh cilësinë).
Për momentin, duket se e ardhmja e botimeve të punimeve shkencore po shkon drejt adaptimit të modelit të dytë, pra ku autori paguan, edhepse një dozë e lartë dyshimi në suksesin e vazhdueshëm të këtij modeli është prezente. Shumë shtëpi botuese që punojnë me seriozitet dhe që botojnë punime të nivelit të lartë, e kanë adaptuar edhe modelin ku autori paguan, paralel me metodën tradicionale të botimit. Disa botues tjerë punojnë vetëm në modelin
Open Access, kurse një numër jo i vogël mashtruesisht e kanë gjetur në këtë model mundësinë për t'i zhvatur do pagesa nga autorët mendjelehtë (shih psh
http://scholarlyoa.com/ ku diskutohen në hollësi këto probleme). Rezistenca kryesore ndaj mënyrës së botimeve
Open Access fokusohet në korruptimin e shtëpive botuese, që rezulton në cilësinë e dyshimtë të punimeve.
Për momentin, Kosova lë shumë për të dëshiruar në shkencë dhe në botimin e punimeve shkencore. Revistat që botohen në Kosovë, si
Kërkime i AShAK, bëhen një herë në vit, me mangësi jo vetëm teknike, dhe nuk janë të hapura për lexim pa parapagim. Kosova nuk figuron në listën e vendeve të indeksuara nga
SJR, kurse kërkimi në
Scopus apo në
Thomson Reuters jep më pak se 1000 punime me adresë Universitetin e Prishtinës (supozoj që UP është bartësi kryesor i hulumtimit shkencor në Kosovë). Detajet për gjendjen e mjerë të punës shkencore që bëhet në Kosovë gjenden në punimin e M. Osdautajt
Gjendja e hulumtimit shkencor në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë,
Kumtesat nga Konferenca Vjetore "Java e Shkencës 2012", ku shkruan se Kosova qëndron prapa të gjitha vendeve të rajonit si për nga cilësia, ashtu edhe për nga sasia. (Kjo përmbledhje është edhe një shembull i punës ad hoc që bëhet me botimin e punimeve shkencore: redaktori i përmbledhjes mirret edhe me detaje teknike të botimit, si përpunimi i kopertinës, edhepse më duket se nuk është dizajner profesionist.)
Shpenzimi i 100 000 eurove për botimin në formë të hapur të punimeve shkencore nuk garanton përmirësim të punës shkencore. Por, edhe sikur të vlente e kundërta, shumë shtëpi botuese që botojnë revista serioze në
Open Access ju mundësojnë botimin pa pagesë shkencëtarëve nga vendet e varfëra, ku gjithsesi bën pjesë edhe Kosova; pra, Kosova mund dhe duhet të përfitojë nga subvencionimet e mundshme, në vend se të financojë sistematikisht botimin. Nga ana tjetër, një llogari e thjeshtë thotë se shuma e ndarë mjafton për botimin e 50 - 100 punimeve në revista të kalibrit superior, përderisa nga Kosova në tërësi dalin rreth 200 punime në vit (sipas M. Osdautaj, në kumtesën te Java e Shkencës 2012, edhepse kjo shifër më duket shumë optimiste). Pra, druaj se këto mjete do të shpenzohen për botime në revista me cilësi të dyshimtë (ka autorë nga Kosova që kanë rënë pre e shtëpive botuese diskutabile), e që si rezultat do ta kenë vetëm plotësimin e normës së punimeve të botuara, pa një përfitim thelbësor shkencor.
Edhe nëse konkursi është hapur për të financuar botimin e revistave me adresë në Kosovë, mendoj që vërejtjet
kundër janë më të fuqishme se arsyetimet
pro këtij veprimi. Në Kosovë ka disa revista shkencore, si Kumtesat e AShAK apo revistat e shtëpisë botuese
Ilirias, por cilësia apo mbarëvajtja e tyre është shumë e dobët. Këto botime nuk dëshmojnë aq për punën shkencore, por më tepër për një inercion (Kumtesat) apo dëshirë (Ilirias), dhe karaterizohen me mungesa profesionalizmi (psh, redaksia e Kumtesave e ruan të drejtën që të mos e arsyetojë refuzimin e botimit, kurse Ilirias nuk ka më shumë se 100 punime në shtatë revistat që i boton që më se dy vjet). Nëse këto revista kanë vështirësi, çka do ta arsyetonte themelimin e një reviste të re?
Përvojat nga rajoni janë të ndryshme, por kryesisht vërehet se alternativa e botimit në revista ndërkombëtare preferohet para botimit në revista vendore. Shembujt nga rajoni që ilustrojnë botimet me hile janë të shumtë. Para disa kohe u vërejtën disa
dallavere me botime në mes të një shtëpie botuese në Bosnje e Hercegovinë dhe shkencëtarëve nga Serbia, kurse shtëpia botuese InTech nga Rijeka ka bërë nam për të keq dhe gjendet në top-listat e botuesve me cilësi diskutabile.
Edhe shkencëtarët shqiptarë kanë tentuar të organizojnë botime shkencore.
Instituti Alb-Shkenca, që mbledh një numër të madh studiuesish shqiptarë, boton dy revista shkencore:
Aktet (revistë vjetore e specializuar) dhe
ANASH (revistë vjetore popullarizuese, por që nuk botohet që nga 2011). Është bindja ime se që të dy revistat kanë dështuar të kenë ndikim në avancimin dhe shqyrtimin kritik të shkencës. Mirëpo, jam i hapur për një diskutim të vlerës së këtyre botimeve, sepse do të doja që ta kem gabim. Nga ana tjetër, FShN i Universitetit të Tiranës e ka gjetur një zgjidhje për të bërë të njohur punën e vet duke i vënë
buletinet haptazi në Internet bazuar në platformën e Google, e cila nuk besoj se kushton shumë.
Si një shembull pozitiv i praktikave botuese serioze nga rajoni mund të shërbejë Croatian Medical Journal, revistë e cila i ka kaluar kufijtë rajonal dhe ka arritur ta ruajë integritetin dhe cilësinë shkencore përkundër
turbulencave të shumta (këshilli botues ka qenë nën trysni të mëdha nga departamentet e universiteteve që të pranojnë për botim punime, në mënyrë që autorët të arrijnë normën e nevojshme të botimeve). Shtrohet pyetja se a mund t'u rezistojnë presioneve të ngjajshme botues nga Kosova.
Një zhvillim të ri paraqet shkrirja e revistave shkencore. Për shembull, revista solide Fizika A, bashkë me shumë revista tjera nga Europa Qendrore, është shkrirë në publikimin e ri
EPJ, kurse Fizika B është
shuar tërësisht. Pra, duke e vërejtur këtë trend, cili mund të jetë arsyetimi i themelimit apo përkrahjes së një reviste shkencore nga Kosova?
Përmbledhtas, përderisa botimi serioz i punimeve të respektuara shkencore bëhet në nivel ndërkombëtar (dhe në gjuhën angleze), inicimi i botimeve lokale apo me qendër në Kosovë nuk duket se ofron një alternativë që duhet përkrahur: shkencëtarët nga Kosova kanë mundësi të zgjedhin një numër të madh revistash të ngritura ndërkombëtare për t'i botuar punimet e veta, kurse shkenca në Kosovë nuk do të përfitonte nga përvojat botërore përmes themelimit të një reviste lokale tash.