2021/04/05

Dëshmitë dhe vërejtjet e Profesor Rasim Bejtullahut

TV Syri Vision paska realizuar një intervistë me Profesor Rasim Bejtullahun, intervistë e cila ka prekur çështjet e arsimit në Kosovë.

E para e punës është që ky kanal meriton të përshëndetet për intervistën e qëlluar. Nuk para shoh emisione nga Kosova, sepse ato janë të realizuara keq: në vend se të ofrojnë një mundësi për të informuar dhe për të hapur një diskutim për një çështje me rëndësi për publikun me dikë që di diçka rreth asaj çështjeje, emisionet shërbejnë si platformë për të treguar se sa të mençur janë gazetarët. Kjo nuk ndodhi në intervistën në fjalë, prandaj çdo lëvdatë për gazetaren.

Nga një mori temash që preku kjo intervistë, dua të komentoj dy. Së pari, kjo intervistë shpalosi disa pika që ndriçojnë historinë e filleve dhe ngritjes së arsimit në Kosovë. Profesori tregoi për vendosjen e astronomisë si provim në kuadër të departamentit të fizikës dhe kriterin e kërkuar që kjo lëndë të zhvillohet si duhet në gjimnaze nga profesorë të përgatitur. Trajtimi i astronomisë nga botëkuptimi i matematikës e fizikës (për dallim nga trajtimi si album fotografishë me emra planetesh) tregon një pjekuri të lartë të zyrtarëve arsimorë të para gjysmëshekulli kur e kanë pranuar dhe angazhuar një person të përgatitur për këtë detyrë. Astronomia, edhepse është lëndë praktike, në kuptimin që shpjegon ndërtimin e kalendarëve, qe sa kohë është lëndë e kulturës. Prandaj, të kalosh sistemin arsimor për një periudhë 30-40 vjeçare nga analfabetizmi në sistem ku punohet astronimia me aparatin e saj matematik, është një e arritur e madhe. Për këtë, merita kryesore i takon Profesorit Rasim, i cili e ka vendosur këtë lëndë mësimore në binarët e duhur.

Fatkeqësia dhe mangësia e shoqërisë kosovare është se nuk arriti ta vazhdojë këtë punë të nisur mbarë. Është për keqardhje që nuk ka gjeneratë të dytë (mjafton një person) që do ta mirëmbante e plotësonte këtë lëndë për nevojat e mësimdhënies në gjimnaze [1]. Kjo natyrisht që është degradim jo vetëm i shkollës, por i kulturës në përgjithësi.

Çështja e dytë që ngrit Profesori në intervistë është ajo e kuadrove të reja, të cilët as nuk e kanë përgatitjen e duhur e as nuk e kanë dëshmuar veten në botë. Hiq botës, do të mjaftonte që vlera e këtyre kuadrove të testohej në universitetet që i doktorojnë. Zhvillimet e fundit në botën akademike dhe prodhimi serik e i pa kriter i doktorëve janë të atilla që e kanë zhvleftësuar këtë titull. Në rrethana të tilla botërore, por edhe duke pasur parasysh edhe mungesën e një kritike të shëndoshë në kulturën tonë, një kandidat do të mund të vlerësohej si i zoti vetëm nëse ka arritur të punojë për së paku një vit në universitetin që e ka doktoruar. Pra, duke e paguar e jo duke i marrë pare, universiteti do të dëshmonte se me të vërtetë ka prodhuar kuadër të mirë.

Profesori Rasim me këtë rast hapi një temë e cila do të duhej të ishte hapur moti, e jo të mbetet tabu: për këto 20-30 vjet, shkollimi në Kosovë është dëmtuar dhe nuk është ndihmuar nga intervenimi i universiteteve të Shqipërisë. Kur Universiteti i Prishtinës, në kërkim të kualitetit, pati bllokuar studimet e doktoraturës, studentët u dyndën në Tiranë dhe ata ish-studentë sot të doktoruar punojnë në Kosovë. Unë nuk di asnjë rast që nga ai numër i madh doktorësh të ketë ndonjë që punon në Shqipëri. Do të shtoja se e njëjta situatë është edhe me shkolla ndërkombëtare (austriake, angleze, ...), të cilat me filialet e veta gati që janë shndërruar në degree mills që prodhojnë kuadër që bën punë për Kosovë, por jo për veten.

Intervista është me shumë vlerë dhe uroj që dashamirët e arsimit në Kosovë ta ndjekin, ndërsa që politikanët të cilët kanë bërë qeveri e ministri për të udhëhequr me arsimin në Kosovë të skuqen: është për turpin e tyre që e kanë sjellur arsimin në atë gjendje ku Profesori me të drejtë i quan jokompetentë e hajna. Deklarata e tij se nuk ka dashur të ofendohej duke u takuar me ministra jokompetentë të cilëve s'ju ngulet në kokë, është model i qytetarisë, i guximit dhe mbrojtje me krenari e për lakmi e profesionit. Kjo deklaratë është shembull jo vetëm për këto kohë kur njerëzit thyejnë hundë e buzë duke vrapuar pas politikës e promovimit të rremë, kur njerëzit duartrokasin kuturu këdo që i hipën pozitës, por edhe shembull për çdo rrethanë kur njeriu dëshiron të dëshmojë se ka kurriz.

[1] Kjo situatë më kujton pjesë të një bisede të zhvilluar me profesorin para sa vitesh: profesori tregonte se kur u angazhua për të përgatitur lëndën e fizikës për studentët e bujqësisë, ai zgjodhi atë material që ju përshtatet me profesion. Pas disa cikleve të ligjëratave dhe stabilizimit të syllabusit, profesori largohet dhe lëndën e merr tjetërkush. Ky tjetërkushi tash e përpunon lëndën dhe fillon t'iu shpjegojë studentëve të bujqësisë lëvizjen e planeteve. Ja pra, si e përgatit shkolla kosovare prashitjen në Hënë.