2021/03/19

Një qendër për arsimin në Kosovë

Arsimi është një sistem shumë i komplikuar dhe që përmbledh një numër enorm pjesëmarrësish, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi. Në fakt, sistemi arsimor i një vendi ndikon në të gjithë qytetarët e vendit, si dhe ka ndikim edhe në vendet përreth. Organizimi i këtij sistemi është i vështirë dhe mirëmbajtja e tij kërkon angazhim të të tërë shoqërisë. Kosova e ka dëshmuar që mund ta mirëmbajë një sistem të arsimit, së pari kur pas Luftës së Dytë Botërore, njëjtë si në tërë botën, Kosova u angazhua dhe arriti çrrënjosjen e analfabetizmit, dhe më pas gjatë viteve të 90ta, kur Kosova, si shembull unik për kohën në botë, organizoi mësimin paralel, qëllim i të cilit ishte mbijetesa e sistemit.

Të shumtën e këtyre viteve të shekullit 21 Kosova ka qenë tërësisht e pavarur për të vendosur e zhvilluar politikat arsimore dhe arsimi është prirë nga "ekspertë", kurse intervenimi/ndikimi i shoqërisë ka qenë minimal. Ndonëse gjithnjë u fol për cilësi, gjatë gjithë kësaj kohe rezultatet e Kosovës në arsim janë shumë të dobëta.

Një ndër faktorët që ka ndikuar në këto rezultate është edhe fakti se Kosova nuk ka arritur të vendosë një pikë fokale për arsimin që do ta zhvillojë. Në dy format më të thjeshta, këto pika ku mund të përqendrohet arsimi janë mësuesi dhe nxënësi.

Arsimi me mësuesin në qendër nënkupton atë sistem arsimor ku fokusi është në vet sistemin dhe vepron asisoji që sistemi të jetë sa më efikas. Këtu, nxënësi nuk ka asnjë input në procesin mësimor, kurse mësimdhënësi është jo vetëm instruktor e bartës i diturive, të cilat ja përcakton kurikula, por edhe autoritet vlerësues, ndonëse mund të jetë tërësisht i papërgatitur teoretikisht për atë që e përcjellë te nxënësi (kjo falë formës mekanike të përcjelljes së diturive).

Në anën e kundërt është sistemi me nxënësin në qendër, ku fokusi është në kërkesat dhe nevojat që shtrohen nga jashtë sistemit të arsimit, si për shembull tregu i punës. Ky sistem është i tëri nën ndikimin e dëshirave dhe vullnetit të nxënësit. Rrjedhimisht, ky sistem është fleksibil deri në kufinjtë e të qenurit sistem dhe totalisht i përshtatet nxënësit. Një formë ekstreme e këtij lloj arsimimi mund të konsiderohet kursi privat/individual. Këtu, nxënësi është ai që e bën vet sistemin dhe mësimdhënësi intervenon vetëm kur nxënësi e kërkon intervenimin dhe për çështjen që nxënësi e kërkon.

Që të dy ekstremet zbatohen dhe regjistrojnë suksese në historinë e arsimit në Kosovë. Sukses i rastit të parë mund të konsiderohet masovizimi i shkollimit, i cili u arrit në mënyrë mekanike, pa diskutime rreth pedagogjisë, por me një qëllim: zhdukjen e analfabetizmit. Shkollim sipas llojit të dytë mund të konsiderohen kurset e gjuhëve të huaja, të programimit, klubet, e të ngjashme, të cilat vazhdojnë të jenë pikëmbështetje për ata prindër që kërkojnë arsimim më të mirë të fëmijëve.

Një sistem i dëshiruar arsimor është ai që balancon këto dy ekstreme dhe këtë balancë e arrin jo vetëm në politikat arsimore, por edhe në metodikën e mësimdhënies e të nxënit. Se ku vendoset qendra varet nga shumë faktorë, si për shembull kultura e vendit, tradita e tij në arsim, ekonomia, synimet e vendit për ardhmërinë, e shumë të tjera. Dy faktorë kyç janë mësimdhënësi mesatar dhe nxënësi mesatar, në gjendjen si janë dhe si do të duhet të jenë. Në Kosovë, figura e mësimdhënësit dhe nxënësit mesatar është shumë e zbehtë, ndërsa nuk ka një pasqyrë të saktë të asaj se si do të duhet të jenë. Bile, edhe nëse zbatohet parimi i Pareto-s, që thotë se 20%shi e bart mbi supe 80%shin, Kosova del keq, sepse nxënësi/mësimdhënsi më i mirë në Kosovë është nën nivelin e mesatarit në botë.

Për kushtet në të cilat ndodhet Kosova, një sistem që anon më tepër kah mësuesi në qendër është më i mirë se sa sistemi me nxënësin në qendër. Kjo për disa arsye, ndër to dy kryesoret janë:
  1. Sistemi arsimor në Kosovë mbulon shumë tema që janë të domosdoshme për nxënësin, e që nuk zhvillohen tjetërkund. Shembulli më i rëndësishëm është përdorimi i gjuhës standarde, e cila gati që ka pushuar së përdoruri në mediume tjera, ndërkohë që është e vetmja formë komunikimi në dokumente zyrtare shtetërore. Kësaj mund t'i shtohet edhe varfëria e literaturës shkencore, e cila mungon edhe në formë të periodikut (revistave popullarizuese).
  2. Numri i mësimdhënësve me kulturë të gjërë e që mund t'iu përgjigjen interesave të nxënësve është shumë i vogël. Bile shumë nga ta kanë mungesa të mëdha edhe në lëndën që e shpjegojnë.
Rrjedhimisht, intervenimi i shtetit të Kosovës që të krijojë një sistem arsimor me nxënës në qendër kërkon një investim të hatashëm në mësimdhënës, të cilin Kosova nuk mund ta arrijë për disa dekada sepse ky investim duhet të fillohet nga universitetet, si dhe një investim të hatashëm në kulturë. Për këto dy dekadat e fundit Kosova ka treguar që as nuk di e as nuk do që të bëjë një investim të tillë (sukseset e mëdha regjistrohen të arritura nga individë, e jo si produkt i një sistemi të ndërtuar në vend).

Qasja mësuesi në qendër është në fakt qasje top-down, e cila mund të realizohet më shpejt e më efektshëm. Realizimi i kësaj qasjeje do të thotë përkufizim dhe zbatim i përpikët i standardeve të mësimit, rigorozitet në vlerësim, përqëndrim në çështjet që kanë të bëjnë me shkollën (dhe jo me problemet sociale, për të cilat shkolla nuk është e përgatitur të intervenojë), si dhe përgjegjshmëri dhe llogaridhënie e saktë nga të gjithë akterët në arsim në varshmëri të pozitës së tyre në hierarkinë e sistemit arsimor.

Ajo që Kosova ka ndërtuar gjatë këtyre njëzet viteve është një lëmsh i pakokë. Kosova ka investuar në kurikulën e re, e ka zhvendosur sistemin drejt zhvillimit të kompetencave të nxënësit, e synon plotësimin e nevojave të tregut, ndërkohë që pretendon të zhvillojë mësim me nxënësin në qendër.

Disa nga kundërshtitë brenda sistemit të tanishëm janë:
  1. Përgatitja e mësimdhënësve është monopol i kontrolluar nga ministria e arsimit, e cila këtë punë ia ka deleguar vetëm universiteteve publike. Duke pasur parasysh cilësinë e universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë, ky vendim nuk është i bërë as në interes të nxënësit, e as të mësimdhënësit.
  2. Mundësitë e intervenimit të mësimdhënësve - në këtë rast si zë i interesave të nxënësve - në përpilimin e planprogramit mësimor janë të vogla dhe nuk kapërcejnë zhvenodsjen e një mësimi nga një muaj në tjetrin, ndonëse Korniza e Kurikulës parasheh mësimdhënie të integruar mbrenda fushave kurikulare. Bile edhe inputi i mësimdhënësve në përpilimin dhe komentimin e Kurikulës ka qenë vetëm formal/sipërfaqësor.
  3. Kurikula kërkon që mësimdhënësi të përdorë materiale të ndryshme, bile edhe të mbledhura nga Interneti, ndërkohë që ligji për tekste shkollore e dënon atë shkollë dhe mësimdhënës nëse përdorë material të paaprovuar paraprakisht nga ministria.
  4. Ministria ka organizuar një mori trajnimesh për mësimdhënësit, ndërkohë që nuk është shënuar asnjë efekt pozitiv i tyre në terren.
Atëherë, nëse sistemi arsimor i Kosovën nuk e ka as mësuesin e as nxënësin në qendër, kë ka? Në qendër të sistemit arsimor të Kosovës është hajnia në ministri dhe improvizimi në mësim/nxënie. Pra, çdo projekt e ide që zhvillohet analizohet nëse nga ajo mund të ketë përfitime për parti apo politikuaj dhe kjo është një gjendje e dokumentuar mirë. Ilustrimi më markant është vendimi për hapjen e universiteteve publike në çdo qytet për lajka zgjedhore. Improvizimi, nga ana tjetër, është më vështirë të diktohet, sepse kërkon njohje profesionale të lëmisë së edukimit dhe kritikë të shëndoshë të gjendjes, gjë që mungojnë. (Ilustrimi më i mirë i improvizimit është situata e krijuar me Agjencinë e Kosovës për Akreditim.) Megjithatë, rezultatet e dobëta jo vetëm në teste të standardizuara, por edhe në shumë sfera të përditshmërisë dëshmojnë për punë të dobët në arsim. Që të dy këto qendra të kalbëzimit të arsimit në Kosovë janë mundësuar edhe nga "shitja e ekspertëve" për përfitime të çastit.

Investimet kryesore që ka bërë Kosova në arsim janë të natyrës infrastrukturore. Edhe sot ky investim pritet të bëhet në infrastrukturën e materialit mësimor, si digjitalizim i sistemit arsimor, si tekst elektronik, ose si mësim online, me fjalë tjera, vazhdim improvizimi dhe pa kontribut në substancën e mësimit/nxënies. Pra, për ndërtimin e një filozofie të arsimit që i përshtatet kushteve të vendit as që bëhet fjalë. Historikisht arsimi në Kosovë ka përparuar kur i është vënë një qëllim i thjeshtë përpara. Edhe sot ky sistem i duhet larguar flirtit me sllogane të thata (ekonomia e dijes, aftësitë e shekullit 21, mësimi me konstruktivizëm, etj) dhe t'i kthehet një qëllimi të thjeshtë. Një qëllim i tillë për sistemin arsimor mund të jetë aftësimi i mësimdhënësve dhe nxënësve që të lexojnë, kuptojnë dhe shkruajnë shqip pa sforcime të mëdha. Pra, një (ri)përqendrim në sistem, e jo shfrytëzim e manipulim i sistemit, do t'i bënte mirë Kosovës.