2021/03/28
Arsim në qorrsokak
Për ata që duan të shohin, gjendja e keqe e arsimit në Kosovë duket sheshazi, kurse ata që s'duan t'ia dinë për këtë dhe që janë të kënaqur me pozitat ku janë dhe mundësitë që këto pozita ju ofrojnë, mjerimi i arsimit nuk hyn në kategorinë e punëve që duhen të përmirësohen me urgjencë. Është fatkeqësi e shoqërisë sonë që nuk kemi krijuar një mekanizëm vendor për të na treguar gjendjen, porse fatmirësisht Kosova është kyçur në programet ndërkombëtare PISA e TIMSS, të cilat pa hile dhe me besueshmëri e saktësi të madhe e tregojnë nivelin e arsimit kosovar.
E keqja është se ky rezultat nuk analizohet si duhet dhe nuk ndërtohen politika arsimore që do të sillnin përmirësimin e gjendjes. Bile edhe ato dy-tri studime që janë bërë janë ose të mangëta (p.sh., ka studime univariate, përderisa problemet e arsimit kërkojnë çasje multivariate), ose janë të nivelit të rezultatit të nxënësve të Kosovës në këto teste ndërkombëtare (p.sh., ka studime të Institutit Pedagogjik të Kosovës ku shkruhet se nxënësi i Kosovës nuk është në gjendje të mendojë në mënyrë abstrakte, e më pastaj në vet atë studim shkruhet se Kosova është ndër vendet me rezultatin më të dobët në Europë; jo, të jemi konkret, Kosova nuk është "ndër", por është vendi me rezultatin më të dobët!)
Kosova nuk ka nevojë ta shpikë ujin e ngrohtë; mjafton të përdorë mendjen e shëndoshë, të shikojë me saktësi gjendjen në terren, dhe të përdorë si duhet literaturën e madhe që bota prodhon për problemet e arsimit. Një ndër publikimet më të mira që analizojnë gjendjen bazuar në rezultatet e PISA-s, e që mund të shërbejë si literaturë për Kosovën, është përmbledhja Improving a Country's Education, redaktuar nga N. Crato.
Kjo përmbledhje prek disa çështje që janë në thelb të dështimeve të arsimit kosovar gjatë këtyre dekadave të fundit. Një ndër to është zhvendosja e mësimit nga njohuritë te kompetencat. Qysh në artikullin e parë të përmbledhjes shkruhet se vendet që i kanë përqafuar kompetencat si koncept përmbledhës të kurikulës kanë rezultate më të dobëta se vendet që ende e mbështesin shkollimin në njohuri. Bile, ky rezultat është mu në zhvillimin e kompetencave, gjë që e mat PISA. Pra, për të zhvilluar një nxënës kompetent, ai gjatë shkollimit duhet të pajiset me njohuri, e jo me pallavra të papërcaktuara me emra pompues, si kompetencë në komunikim; nxënësit duhet t'i mësohet gramatika!
Një çështje tjetër është nëse zhvillimi i pedagogjisë duhet përqëndruar te mësuesi apo te nxënësi. Publikimi dëshmon me qartësi të kristaltë që nxënësit duhen të udhëhiqen në mësim, sidomos kur është fjala për lëndët e shkencave dhe korrelacioni i rezultateve të mira me mësimin e udhëhequr nga mësuesi është ndër më dominuesit. Bile, artikulli dëshmon edhe një gjë me rëndësi për rrugën që e ka marrë Kosova në zhvillimin e arsimit: është shumë më e rëndësishme që gjatë mësimit të shpjegohet ndërlidhja e fenomeneve ndërmjet veti, pra analizimi teorik, se sa shpjegimi i rëndësisë së koncepteve shkencore për jetën. Kjo bie ndesh me atë që Kosova ka deklaruar se dëshiron të arrijë në arsim. Me fjalë tjera, përderisa Kosova dëshiron të përgatisë nxënës për jetën, studimi thotë se nxënësit i duhet shpjeguar fenomenet, e për jetën nxënësi ja qet në krye vet.
Me këto probleme nuk ballafaqohet vetëm Kosova, por edhe vende tjera. Shembull i mirë është Portugalia, rezultatet e së cilës kanë pësuar rënie pasi kanë adaptuar politika që janë të përafërta me ato të Kosovës (p.sh. çlirim në notim e testim, liri në planprogram dhe largim nga mësimi për të ditur drejt atij me kompetencë). Puna qëndron në atë se këto vende kanë mekanizma për analizë dhe përmirësim të gjendjes, ndërsa Kosova mbetet e zhytur në kënetën që ja ka bërë vetes.
Zhvillimi i arsimit në Kosovë gjithnjë është bërë duke pretenduar krahasime me vende tjera dhe ndjekjen e projekteve europiane. Shembulli i Estonisë ilustron për mrekulli se pse kjo rrugë e dërgon Kosovën në qafëthyerje. Mësimdhënësit estonezë ju kanë paraprirë reformave qysh para rënies së komunizmit dhe pavarësimit të vendit. Ata janë të përgatitur për mrekulli në lëndën që mbajnë dhe vazhdimisht vijojnë trajnime profesionale, e jo pallavra pedagogjike që s'i dinë as vet ekspertët trajnues të pedagogjisë në Kosovë. Për më tepër, ata që merren me çështjet e arsimit në Estoni kanë një karakter gjithnjë kritik ndaj gjendjes së arsimit në vend. Prandaj frytet e punës së tyre të nisur para sa dekadash vërehen sot në rezultatet e testimeve ndërkombëtare. Për dallim, Kosova është e mbushur me ekspertë të asgjësë, të cilët nuk janë në gjendje që të shkruajnë bile dy fjali shqip në Facebook pa gabime gjuhësore të fillores. Natyrisht që te kjo gjendje ka ardhur edhe nga intervenimi i politikës, e cila nuk ka arritur të nxjerrë një ministër/ministreshë që nuk gabon në përdorimin e gërmës ë. Me këso liderë të arsimit që nuk ja dinë hallin vetit, si mund të pritet një përmirësim i gjendjes në Kosovë? Shumë nga ekspertët e Kosovës janë të stërkënaqur me gjendjen ku janë, pavarësisht rezultateve, sepse ata nuk kanë synuar substancë, por formë dhe pozitë.
Edhe një shembull i formalitetit me të cilin bëhet shkolla në Kosovë është përgatitja e mësimdhënësve. Statistikat tregojnë që Kosova kalon shumë vende të botës për sa i përket kualifikimit të mësimdhënësve. Por, meqë rezultatet janë të mjera, s'ka përfundim tjetër pos asaj që titujt master janë vetëm formalë dhe nuk kanë kurrfarë substance ku mund të mbështeten. Kjo duhet të shkaktojë një shkundje të madhe të arsimit të lartë që përgatitë mësimdhënësit. Por, natyrisht që një gjë e tillë nuk ndodh, sepse do të shkaktonte prishje të rahatisë në të cilën e kanë gjetur veten profesorë të shumtë, të cilët në kushte të një zhvillimi normal mezi do ta meritonin postin e mësuesit, e lëre më të profesorit universitar.
Ndonëse recepti për daljen nga ky hendek është i thjeshtë - si u tha më lartë, - realizimi praktik është shumë i vështirë: ky kërkon njerëz me mendje të shëndoshë, me guxim dhe të pavarur, të cilët Kosovës i mungojnë me të madhe. Zëri i atyre dy-tre vetave që intervenojnë është i shurdhuar nga ekspertë të vetshpallur që nuk dinë as vet se çka propozojnë dhe gazetarë që merren me gjëra periferike, si për shembull luftimi i patriakatit dhe promovimi i lumturisë përrallore. Ajo që është edhe më ngulfatëse është koha e nevojshme për përmirësim: Kosovës do t'i duhen dekada për ta kthyer gjendjen për së mbari. Për t'u kthyer edhe një herë te rasti i Estonisë: ata kanë mësimdhënës me përvojë pune më të madhe se mesatarja e OSBE-së, prandaj meqë do të ballafaqohen me mungesë kuadri, kanë filluar trajnimin e mësimdhënësve të rinj. Kosova, ndërkohë, ka një numër të madh mësimdhënësish që kanë dalur rishtasi nga një shkollim joadekuat. Edhe nëse Kosova sot e kthen për së mbari përgatitjen profesionale të mësimdhënësve, do të duhet të kalojë kohë e gjatë derisa të pensionohen shumë nga këta që janë të cunguar në shkollim.
Ministria e arsimit në Kosovë duhet që një çast e më parë të ndërprejë praktikat e çmendura që i ka ndjekur qe sa kohë (e dini që MAShTI ka financuar dhe vazhdon të financojë "projekte shkencore" ku thehen ligjet e fizikës?) dhe të fokusohet në çështjet që janë të thjeshta dhe pa komplikime, si për shembull zotërimi në një nivel të mirë i gjuhës shqipe dhe i logjikës nga zyrtarët e vet, nga profesorët universitarë, si dhe nga mësimdhënësit. Se ku jemi, mjafton të shohim se çka bëjmë me germën ë, pa pasur nevojë të mërzisim PISA-n me budallakitë tona.
2021/03/19
Një qendër për arsimin në Kosovë
Arsimi është një sistem shumë i komplikuar dhe që përmbledh një numër enorm pjesëmarrësish, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi. Në fakt, sistemi arsimor i një vendi ndikon në të gjithë qytetarët e vendit, si dhe ka ndikim edhe në vendet përreth. Organizimi i këtij sistemi është i vështirë dhe mirëmbajtja e tij kërkon angazhim të të tërë shoqërisë. Kosova e ka dëshmuar që mund ta mirëmbajë një sistem të arsimit, së pari kur pas Luftës së Dytë Botërore, njëjtë si në tërë botën, Kosova u angazhua dhe arriti çrrënjosjen e analfabetizmit, dhe më pas gjatë viteve të 90ta, kur Kosova, si shembull unik për kohën në botë, organizoi mësimin paralel, qëllim i të cilit ishte mbijetesa e sistemit.
Të shumtën e këtyre viteve të shekullit 21 Kosova ka qenë tërësisht e pavarur për të vendosur e zhvilluar politikat arsimore dhe arsimi është prirë nga "ekspertë", kurse intervenimi/ndikimi i shoqërisë ka qenë minimal. Ndonëse gjithnjë u fol për cilësi, gjatë gjithë kësaj kohe rezultatet e Kosovës në arsim janë shumë të dobëta.
Një ndër faktorët që ka ndikuar në këto rezultate është edhe fakti se Kosova nuk ka arritur të vendosë një pikë fokale për arsimin që do ta zhvillojë. Në dy format më të thjeshta, këto pika ku mund të përqendrohet arsimi janë mësuesi dhe nxënësi.
Arsimi me mësuesin në qendër nënkupton atë sistem arsimor ku fokusi është në vet sistemin dhe vepron asisoji që sistemi të jetë sa më efikas. Këtu, nxënësi nuk ka asnjë input në procesin mësimor, kurse mësimdhënësi është jo vetëm instruktor e bartës i diturive, të cilat ja përcakton kurikula, por edhe autoritet vlerësues, ndonëse mund të jetë tërësisht i papërgatitur teoretikisht për atë që e përcjellë te nxënësi (kjo falë formës mekanike të përcjelljes së diturive).
Në anën e kundërt është sistemi me nxënësin në qendër, ku fokusi është në kërkesat dhe nevojat që shtrohen nga jashtë sistemit të arsimit, si për shembull tregu i punës. Ky sistem është i tëri nën ndikimin e dëshirave dhe vullnetit të nxënësit. Rrjedhimisht, ky sistem është fleksibil deri në kufinjtë e të qenurit sistem dhe totalisht i përshtatet nxënësit. Një formë ekstreme e këtij lloj arsimimi mund të konsiderohet kursi privat/individual. Këtu, nxënësi është ai që e bën vet sistemin dhe mësimdhënësi intervenon vetëm kur nxënësi e kërkon intervenimin dhe për çështjen që nxënësi e kërkon.
Që të dy ekstremet zbatohen dhe regjistrojnë suksese në historinë e arsimit në Kosovë. Sukses i rastit të parë mund të konsiderohet masovizimi i shkollimit, i cili u arrit në mënyrë mekanike, pa diskutime rreth pedagogjisë, por me një qëllim: zhdukjen e analfabetizmit. Shkollim sipas llojit të dytë mund të konsiderohen kurset e gjuhëve të huaja, të programimit, klubet, e të ngjashme, të cilat vazhdojnë të jenë pikëmbështetje për ata prindër që kërkojnë arsimim më të mirë të fëmijëve.
Një sistem i dëshiruar arsimor është ai që balancon këto dy ekstreme dhe këtë balancë e arrin jo vetëm në politikat arsimore, por edhe në metodikën e mësimdhënies e të nxënit. Se ku vendoset qendra varet nga shumë faktorë, si për shembull kultura e vendit, tradita e tij në arsim, ekonomia, synimet e vendit për ardhmërinë, e shumë të tjera. Dy faktorë kyç janë mësimdhënësi mesatar dhe nxënësi mesatar, në gjendjen si janë dhe si do të duhet të jenë. Në Kosovë, figura e mësimdhënësit dhe nxënësit mesatar është shumë e zbehtë, ndërsa nuk ka një pasqyrë të saktë të asaj se si do të duhet të jenë. Bile, edhe nëse zbatohet parimi i Pareto-s, që thotë se 20%shi e bart mbi supe 80%shin, Kosova del keq, sepse nxënësi/mësimdhënsi më i mirë në Kosovë është nën nivelin e mesatarit në botë.
Për kushtet në të cilat ndodhet Kosova, një sistem që anon më tepër kah mësuesi në qendër është më i mirë se sa sistemi me nxënësin në qendër. Kjo për disa arsye, ndër to dy kryesoret janë:
Qasja mësuesi në qendër është në fakt qasje top-down, e cila mund të realizohet më shpejt e më efektshëm. Realizimi i kësaj qasjeje do të thotë përkufizim dhe zbatim i përpikët i standardeve të mësimit, rigorozitet në vlerësim, përqëndrim në çështjet që kanë të bëjnë me shkollën (dhe jo me problemet sociale, për të cilat shkolla nuk është e përgatitur të intervenojë), si dhe përgjegjshmëri dhe llogaridhënie e saktë nga të gjithë akterët në arsim në varshmëri të pozitës së tyre në hierarkinë e sistemit arsimor.
Ajo që Kosova ka ndërtuar gjatë këtyre njëzet viteve është një lëmsh i pakokë. Kosova ka investuar në kurikulën e re, e ka zhvendosur sistemin drejt zhvillimit të kompetencave të nxënësit, e synon plotësimin e nevojave të tregut, ndërkohë që pretendon të zhvillojë mësim me nxënësin në qendër.
Disa nga kundërshtitë brenda sistemit të tanishëm janë:
Investimet kryesore që ka bërë Kosova në arsim janë të natyrës infrastrukturore. Edhe sot ky investim pritet të bëhet në infrastrukturën e materialit mësimor, si digjitalizim i sistemit arsimor, si tekst elektronik, ose si mësim online, me fjalë tjera, vazhdim improvizimi dhe pa kontribut në substancën e mësimit/nxënies. Pra, për ndërtimin e një filozofie të arsimit që i përshtatet kushteve të vendit as që bëhet fjalë. Historikisht arsimi në Kosovë ka përparuar kur i është vënë një qëllim i thjeshtë përpara. Edhe sot ky sistem i duhet larguar flirtit me sllogane të thata (ekonomia e dijes, aftësitë e shekullit 21, mësimi me konstruktivizëm, etj) dhe t'i kthehet një qëllimi të thjeshtë. Një qëllim i tillë për sistemin arsimor mund të jetë aftësimi i mësimdhënësve dhe nxënësve që të lexojnë, kuptojnë dhe shkruajnë shqip pa sforcime të mëdha. Pra, një (ri)përqendrim në sistem, e jo shfrytëzim e manipulim i sistemit, do t'i bënte mirë Kosovës.
- Sistemi arsimor në Kosovë mbulon shumë tema që janë të domosdoshme për nxënësin, e që nuk zhvillohen tjetërkund. Shembulli më i rëndësishëm është përdorimi i gjuhës standarde, e cila gati që ka pushuar së përdoruri në mediume tjera, ndërkohë që është e vetmja formë komunikimi në dokumente zyrtare shtetërore. Kësaj mund t'i shtohet edhe varfëria e literaturës shkencore, e cila mungon edhe në formë të periodikut (revistave popullarizuese).
- Numri i mësimdhënësve me kulturë të gjërë e që mund t'iu përgjigjen interesave të nxënësve është shumë i vogël. Bile shumë nga ta kanë mungesa të mëdha edhe në lëndën që e shpjegojnë.
- Përgatitja e mësimdhënësve është monopol i kontrolluar nga ministria e arsimit, e cila këtë punë ia ka deleguar vetëm universiteteve publike. Duke pasur parasysh cilësinë e universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë, ky vendim nuk është i bërë as në interes të nxënësit, e as të mësimdhënësit.
- Mundësitë e intervenimit të mësimdhënësve - në këtë rast si zë i interesave të nxënësve - në përpilimin e planprogramit mësimor janë të vogla dhe nuk kapërcejnë zhvenodsjen e një mësimi nga një muaj në tjetrin, ndonëse Korniza e Kurikulës parasheh mësimdhënie të integruar mbrenda fushave kurikulare. Bile edhe inputi i mësimdhënësve në përpilimin dhe komentimin e Kurikulës ka qenë vetëm formal/sipërfaqësor.
- Kurikula kërkon që mësimdhënësi të përdorë materiale të ndryshme, bile edhe të mbledhura nga Interneti, ndërkohë që ligji për tekste shkollore e dënon atë shkollë dhe mësimdhënës nëse përdorë material të paaprovuar paraprakisht nga ministria.
- Ministria ka organizuar një mori trajnimesh për mësimdhënësit, ndërkohë që nuk është shënuar asnjë efekt pozitiv i tyre në terren.
2021/03/12
Kundër konstruktivizmit, për Mësuesin në qendër
Një ndër shtyllat e padiskutueshme të konstruktivizmit si teori pedagogjike është ideja e mbrapshtë postmoderne se dituria nuk gjendet, por ndërtohet. Kjo shtyllë ju reziston formave të ndryshme të përkufizimit të konstruktivizmit (rikujtim që konstruktivizmi është një mishmash aq i larmishëm sa që i njëjti emër përmbledh edhe teori kundërthënëse).
Zbatimi praktik i kësaj ideje konsiston në krijimin e kushteve të përshtatshme për nxënësin që ai vet të ndërtojë njohuritë. Me fjalë tjera, praktikisht kjo realizohet përmes programeve mësuesi facilitator e jo bartës i diturive, ose nxënësi në qendër, e të ngjajshme me këto.
Duke anashkaluar kritikën e kësaj ideje për pedagogjinë në përgjithësi, do të fokusohem në aplikimin e kësaj ideje për lëndët që kanë të bëjnë me shkencat e natyrës dhe matematikën.
Viktima e parë dhe më seriozja e kësaj qasjeje në mësim është e Sakta, si hapi i parë drejt së Vërtetës. Praktikisht, nëse çdo fëmijë hidhet në Internet dhe gjen informacione për një temë, atëherë përvetësimi i diturive në një klasë me 30 nxënës do t'i ketë 30 rezultate të sakta për pyetjen se sa bëjnë 2+2: një nxënës do të thotë se bëjnë 4, një tjetër do të thotë se bëjnë 5, sepse kështu numërohet golat e bërë si mysafir, e plot shembuj tjerë.
Kjo praktikë bie ndesh me një ndër qëllimet kryesore që ka matematika si lëndë mësimore: të përgatisë nxënësin për të vlerësuar saktësinë e një pohimi. Pra, zbatimi i teorisë konstruktiviste shmang përqëndrimin në saktësinë dhe vërtetësinë e një pohimi - bartës i së cilës mund të jetë vetëm Mësuesi - dhe zhvendoset te përvoja e nxënësit që mbledh material për qejf të vetin poshtë e përpjetë. (Me Mësues nuk nënkuptoj një person konkret fizik, por idenë që mësimet për saktësinë dhe vërtetësinë e një pohimi dhe teknikat e zbatuara për përcaktimin e tyre bëhen në formë të standardizuar, e cila mishërohet me mësuesin në klasë, me tekstin shkollor, apo në ndonjë formë tjetër.)
Në aspektin filozofik, ideja për diturinë që ndërtohet është shumë e rrezikshme, sepse shërben si bazë për mbështetjen në bindjen se realiteti objektiv nuk ekziston, por ai ndërtohet. Në biologji mësojmë që një njeri mund të ketë njërën nga dy sekset, pra mund të jetë ose mashkull, ose femër. Por, zhvillimet e reja në arsimin perëndimor, prej nga e kemi marrë konstruktivizmin e së shpejti do t'i marrim edhe pallavrat tjera, tregojnë që seksi i njeriut është një spektër fluid. Një nxënës që largohet për pak çaste nga Facebook-u do të gjejë material të bollshëm për këtë. Njëjtë qëndron puna edhe në fizikë e kimi (p.sh. sa për ilustrim, diskutohet nëse bukuria është kriter shkencor në fizikë, apo problemi me riprodhimin e rezultateve në kimi).
Një sistem arsimor që e do Nxënësin e jo Mësuesin në qendër do të krijojë një nxënës të hutuar dhe do të vendosë Internetin në qendër.
Arsimi në Kosovë duhet të punojë sa më shpejtë dhe sa më fuqishëm që ta vendosë Mësuesin në qendër. Ministria e arsimit duhet të angazhohet me të madhe që mësimdhënësit të jenë të përgatitur për lëndën që e shpjegojnë, gjë që mungon me të madhe sot, kjo falë organizimit të dobët të Fakultetit të Edukimit të UP-së. Ministria e arsimit duhet që ta ketë parasysh se togfjalëshi-pordhë "tregu i punës", i cili lansohet pa pra nga gojët e politikuajve, nuk ka kurrëfarë kuptimi, pos lomës së argatëve. Si i tillë, ai është jashtë interesit dhe kompetencave të Ministrisë. Ministria po ashtu duhet t'ju shpjegojë mësimdhënësive se ata nuk janë misionarë e as qirinj naimian, por profesionistë të lëndës, pikë së pari, por edhe të pedagogjisë e psikologjisë, deri në njëfarë mase. Nxënësi, edhe në kushte normale, e kalon më pak se çerekun e ditës në shkollë, prandaj pretendimi se jemi duke i përgatitur për jetë është një megalomani.
Profesori i nderuar Rasim Bejtullahu është zëri i vetëm që kërkon ndarje të metodikës së mësimdhënies së lëndëve të shkencave natyrore nga ato shoqërore. E përkrah fuqishëm në këtë kërkesën e tij. Konstruktivizmi dhe lajlelulet e ngjajshme mund të gjejnë vend te ato lëndë që s'kanë substancë, por në lëndët ku kërkohet që të vendoset një raport i padyshimtë në mes të një pohimi dhe saktësisë e vertetësisë, atëherë mësuesi duhet të marrë rol qendror, të shpjegojë lëndën, dhe të kërkojë nga nxënësi që ai ta përsërisë mësimin në mënyrë sa më të përpiktë.
Ministria e arsimit duhet ta konsiderojë me seriozitetin më të madh dhe të veprojë drejt realizimit të propozimit që jep Profesori Rasim. Përndryshe, njëjtë si gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, edhe tash, shteti tashmë i Kosovës nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve, por të ideologjisë.
Subscribe to:
Posts (Atom)