2021/06/02

Një shëtitje në oborrin e Archenhold-Sternwarte

Në një kënd të parkut të madh Treptow në Berlin gjendet Archenhold-Sternwarte, një observatorium i ndërtuar para më tepër se një shekull për të vendosur një teleskop gjigand. Observatoriumi emrin e ka marrë nga themeluesi, astronomi Friedrich Simon Archenhold, i cili ju rrek punës së ndërtimit të teleskopit refraktor me 21 metra pasi qarqe shkencore nuk i besuan kur pohonte se kishte vërejtur mjegullnajën Perseu. Ky observatorium ka shërbyer edhe si vend ku janë mbledhur dhe kanë diskutuar koka të mëdha të shkencës dhe ku janë mbajtur ligjërata popullarizuese.

Në këtë observatorium, me 2 qershor 1915, Einstein-i prezentoi për herë të parë publikisht Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Nuk ka shënime që dëshmojnë për atë se çka ka folur Einstein-i në këtë ligjëratë pos titullit Relativität der Bewegung und Gravitation (Relativiteti i lëvizjes dhe gravitacionit), por, duke u bazuar në punën dhe rezultatet e tij, mund të mendohet se ai ka folur për hapësirëkohën, për ekuivalencën në mes të gravitacionit dhe lëvizjes së nxituar, si dhe mund të mendohet se e ka paraqitur përkuljen e rrezeve të dritës nga fusha gravitacionale, ky një parashikim i bazuar në rrjedhën logjike të parimeve në të cilat bazohet teoria e tij. Edhepse ky prezentim ishte popullarizues, mund të ketë pasur vlerë të madhe për Einstein-in, sepse ndërkohë ai bëri disa korigjime dhe plotësime të teorisë, të cilën e prezentoi dhe e publikoi në nëntor si teori të plotë për gravitacionin.


Shpjegimin e parë shkencor për gravitacionin e ka dhënë Newton-i. Para zhvillimit të teorisë njutoniane, njerëzit arsyetonin se lëvizjet në Qiell dhe ato në Tokë udhëhiqen nga ndikime a faktorë natyrash të ndryshme. Newton-i, përmes ligjit të tij për gravitacionin universal, tregoi se i njëjti ekuacion shpjegon lëvizjen e Hënës rreth Tokës dhe të mollës që bie nga pema, prandaj shkriu natyrën e Qiellit dhe Tokës në një dhe tregoi që fizika mund ta shpjegojë atë.

Edhe Einstein-i, përmes Teorisë Speciale të Relativitetit, të cilën e kishe botuar më 1905, bëri një shkrirje të koncepteve me karaktere të ndryshme. Ai shkriu hapësirën dhe kohën në një koncept përbashkues dhe më të përgjithshëm, në atë të hapësirëkohës. Sipas kësaj teorie, shqyrtimi i një ngjarjeje nuk duhet bërë duke e marrë distancën në hapësirë dhe periudhën kohore të ndara nga njëra-tjetra, por duke i shqyrtuar së bashku si elemente të intervalit në hapësirëkohë. Ky interval i hapësirëkohës është invariant për një ngjarje të caktuar; pra, sikurse edhe shpejtësia e dritës, është një madhësi absolute në relativitet. Hapësirëkoha si koncept në fizikë rrjedh nga transformimet e Lorentz-it dhe u paraqit nga kërkesa për të pasur ekuacionet e Maxwell-it formë invariante, pra që fenomenet e lidhura me elektrodinamikën të kenë të njëjtën formë matematike në sisteme të ndryshme inerciale të referencës. Thënë ndryshe, me hapësirëkohën mundësohet që varshmëria funksionale e fushës elektromagnetike ndaj koordinatave të hapësirës dhe kohës të jetë e njëjtë pavarësisht sistemit koordinativ inercial.

Në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit Einstein-i bëri shkrirjen e radhës: bashkoi lëvizjen e nxituar dhe gravitacionin në një fenomen të vetëm. Ky bashkim, i cili u prezentua pra për herë të parë në Archenhold-Sternwarte, pati si rrjedhojë shpjegimin e mekanizmit të gravitacionit, shpjegim që mungonte në teorinë e Newton-it. Me fjalë tjera, teoria e Newton-it mundëson njehsimin e forcës së bashkëveprimit gravitacional në mes të dy trupave, forcë që si e di çdo nxënës i mirë është proporcionale me prodhimin e masave të atyre trupave dhe proporcionalisht e zhdrejtë me katrorin e largësisë në mes tyre, por nuk shpjegon se pse ky bashkëveprim ndodh. Shpjegimi që rrodhi nga teoria e Einstein-it ishte se hapësira përkulej (lakohej) dhe koha rrjedh ndryshe në potencial të ndryshëm gravitacional. Bazuar në ekuacionet e Einstein-it për fushën, kjo përkulshmëri mund të njehsohet nga tenzori i shpërndarjes dhe fluksit të energjisë dhe sasisë së lëvizjes. Fatmirësisht, gjeometria se ku duhet aplikuar ky tenzor dhe njehsuar përkulshmëria ishte punuar dekada më herët nga Riemann-i dhe Einstein-it i mbetej që duke u bazuar në natyrën fizike të problemit të paraqiste tenzorin.


Çdo teori në fizikë duhet të plotësojë dy kushte që të quhet e plotë: të shpjegojë fenomenet dhe të parashikojë rezultatet që eventualisht testohen eksperimentalisht. Teoria e Përgjithshme e Relativitetit ju nënshtrua testit eksperimental menjëherë: së pari duke e njehsuar trajektoren e Merkurit rreth Diellit, pastaj duke e matur përkuljen e rrezes së dritës që vinte nga një yll gjatë eklipsit të Diellit, e më vonë duke e matur zhvendosjen e frekuencës së dritës në potencial të ndryshëm gravitacional, dhe tashmë së fundi - njëqind vjet pas formulimit - edhe duke i matur valët gravitacionale, të cilat buruan nga përplasja e vrimave të zeza. Edhe këto, vrimat e zeza pra, janë rrjedhojë dhe shpjegohen përmes teorisë ajnshtajniane për gravitacionin.

Ndonëse vlerësimi i një teorie përtej saktësisë - për shembull, duke e shqyrtuar bukurinë e saj - është subjektiv, në mesin e fizikanëve ekziston një pajtim i gjërë me pohimin që Teoria e Përgjithshme e Relativitetit është një ndër gjërat më të bukura dhe më të madhërishme që ka bërë mendja njerëzore. Është e domosdoshme që një njeri me kulturë të dijë për të, sikurse që di për një simfoni të Beethoven-it, për një pikturë të Leonardo-s, për një tragjedi të Shakespeare-it, për një teoremë të Gauß-it, për një betejë të Skënderbeut... Thellësia e kësaj teorie qëndron në atë se jep shpjegimin më të mirë që kemi për Gjithësinë dhe historinë e saj.

Einstein-i me të vërtetë relativizoi hapësirën dhe kohën, por kjo nuk do të thotë që edhe ndjenjat janë relative. Gjatë shëtitjes pranë observatoriumit Archenhold, ajo që ishte absolute ishte ndjenja e mungesës së bashkëbiseduesit: ndjeja se do të ishte e mrekullueshme të kisha pranë profesorin Rasim dhe në bashkëbisedim me të në shqip, mu aty pranë vendit ku Einstein-i pat ligjëruar, të mësoja edhe më tepër për relativitetin. Pra, hapësira e koha janë relative, por distanca e madhe në hapësirë dhe kohë me një bashkëbisedues të mirë është absolute dhe ngulfat (për momentin, më duhet të pajtohem vetëm me bisedat online me të). Megjithatë, e ndjej fatin e madh që një kulturë e pazhvilluar mirë, si kultura shqiptare, ka njerëz që e njohin relativitetin për mrekulli. Dy veteranë të këtyre njohurive janë profesori Rasim Bejtullahu, studiues i vjetër i relativitetit dhe autor i librave shkencorë dhe popullarizues për këtë lëmi, libra që hala mund të lexohen me kënaqësi, dhe profesori Halil Sykja në Tiranë, i cili para disa viteve ka botuar një libër për relativitetin për nivele studimi. Pos veteranëve, kultura shqiptare ka nxjerrë Kimet Jusufin, profesor në Tetovë, një studiues i ri, por i afirmuar, i cili shkëlqen me zgjidhjet që ofron për ekuacionet e fushës të Einstein-it. Besoj që një kafe me ta pranë Archenhold-Sternwarte do të shijonte mirë; uroj që ta pimë.

2021/05/29

Kundër përkthimit, por më tepër kundër hajnisë

Është shqetësuese kërkesa e përsëritur shpesh dhe pa asnjë argument për përkthimin e teksteve shkollore për arsimin në Kosovë, sepse një kulturë që kërkon përkthim të teksteve shkollore është kulturë që ka kapitulluar.

Këto kërkesa bëhen nga të ashtuquajtur apo të vetëshpallur ekspertë. I cilësoj kështu, sepse një ekspert i vërtetë për çështje të arsimit në Kosovë do ta dinte se çka thotë Ligji për Tekstet Shkollore dhe nuk do t'i propozonte kuturu ministrisë apo shoqërisë përkthimin e teksteve. Me fjalë tjera, kushdo që mendon se tekstet e përkthyera bëjnë punë më mirë ka mundësinë që ta realizojnë këtë ide duke aplikuar në konkursin për tekste shkollore me libër të përkthyer. Natyrsht, kërkesa është që ky tekst t'i përmbahet planprogrameve të Kosovës dhe Standardit për Tekste Shkollore. Pra, kjo ide e propozuar më shpesh se që duhet s'është asgjë tjetër pos një krrokëritje e atyre që duan të duken.

Është e dhimbshme që kërkesa të tilla vinë edhe nga institucione të larta të kulturës së vendit, si për shembull nga AShAK-u. Kjo jo vetëm për arsyet e përmendura më sipër, pra për arsye të mbrojtjes dhe zhvillimit të kulturës vendore, si dhe për arsye teknike - u përmend që një propozim i tillë nuk ka kuptim, sepse arsimi i Kosovës është i hapur për atë që mendon se të përkthyerit është më i mirë - por edhe për arsye se kjo ide nuk mund të mbështetet as nga situata në terren.

Veçimi i teksteve të lëndëve të shkencave të natyrës për përkthim dëshmon mosnjohje totale të gjendjes në shkollat e Kosovës. Këto shkolla nuk i kanë problem të dorës së parë lëndët e shkencave, por më tepër vuajnë nga mosnjohja dhe mospërdorimi i saktë i gjuhës shqipe, mosleximi i letërsisë së mirë, mungesa themelore në të arysetuar e në të formuluar një mendim të qartë, e probleme të ngjashme. Nëse merret si pasqyrë rezultati në PISA, shkollat e Kosovës nuk dështuan vetëm në matematikë e shkencë, por edhe në të lexuar e kuptuar. Rrjedhimisht, përkthimi i teksteve të shkencave të natyrës nuk do të zgjidhte asnjë problem.

Një pikë tjetër është edhe e dhëna se Shqipëria tashmë i ka bërë disa vjet që i arsimon nxënësit me tekste të përkthyera për shkenca dhe kjo nuk është përkthyer edhe në ngritje të cilësisë së mësimit. Bile, disa nga tekstet e përkthyera kanë gabime, të cilat është problem të përmirësohen, sepse kërkohet intervenim në shtëpi botuese e kultura te të cilat kritika nga këtu vështirë që mund të arrijë.

Edhe një pikë e tretë që dëshmon për problemin e përkthimit të teksteve nga terreni: cilat tekste do të duhej të përkthehen, cili sistem i arsimit do të adaptohet, kush do të bëjë zgjedhjen? Të kërkosh të përkthesh libra nga bota do të thotë që Kosova ka kapcitete që të vlerësojë sistemet arsimore të të gjithë botës dhe nga ata të zgjedhë më të mirin! Nëse PISA merret si referencë, a do të thotë kjo se Kosova do të përkthejë tekste të Lindjes së Largët, regjion që gjithmonë i prin listës për cilësi në arsim?

Përfundimisht: propozimi për përkthimin e teksteve shkollore është një ide që kundërshtohet nga së paku katër argumente:
  1. s'i bën nder kulturës së vendit dhe zhvillimit të saj,
  2. përkthimin s'e pengon ligji, prandaj ai që e don s'ka nevojë ta propozojë, por le të veprojë,
  3. nuk i zgjidh problemet me cilësinë e dobët të arsimit në Kosovë, sepse si propozim fokusohet në disa lëndë dhe nuk e prek thelbin e problemeve, dhe
  4. nuk përputhet me gjendjen në terren.

Problemi themelor me tekstet shkollore në Kosovë është se zgjedhja e tyre nga ministria e arsimit është bërë përmes një procesi të korruptuar. Nëse kritika - në vend se të përqendrohet te zgjidhjet periferike, çfarë është përkthimi i teksteve - përqendrohet ndaj ministrisë mu te kjo pikë, pra te hajnia, atëherë ka gjasa që tekstet e radhës të jenë të mira.

2021/05/15

Koment mbi Platformën e AShAK-ut për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë

Tmerr! Marre! Mozo'makeq!

Sqarim apo metakoment: Komenti im i vetëm për Platformën është ky që sapo e lexuat, s'kam tjetër. Kjo që vazhdon është një koment mbi komentin, apo një sqarim se pse nuk mund ta komentoj atë dokument më tepër se kaq. Sepse ai dokument është aq i dobët, aq i keq, aq i mjerë në ide, trajtim, paraqitje, e çkado tjetër, sa që e kam të pamundur të formuloj një kritikë mbi të. Për fat të keq, ai dokument as parodi nuk mund të bëhet. Këtë do ta kuptojë kushdo që i kalon disa çaste duke e lexuar.

I ndjek me interes reagimet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe natyrisht që kisha kërshëri për të parë se çka do të propozojnë këta, të cilët kanë një hise shumë të madhe të fajit se pse gjendja me arsimin dhe shkencën në Kosovë është e mjerë. Duke i ditur kapacitetet e tyre, nuk prisnja ndonjë punë të mirë, përkundrazi. Por, u befasova për të keq, sepse me të vërtetë nuk prisja kaq poshtë: Akademia doli me një shkarravinë, ata dolën me një dokument sharlatanësh. Ky dokument, i përpiluar edhe nga një "matematikan", raporton për përqindje mbulimi mbi 100%, ndonëse kjo është e pamundur me përkufizim. Hajde mos thuaj se Kosova s'është vrimë e zezë ku thyhen ligjet e fizikës.

Përpiluesit dhe kontribuesit në prodhimin e kësaj shkarravine janë elita mjerane e Kosovës, elitë kampione në zhvatje. Kjo listë emrash është një galeri tërrpijanash, që s'kuptohet se pse i hyjnë hallit që të përpilojnë platforma për të cilat s'e kanë kapacitetin. Ngjet që kulmi i një veprimi të mirë të Akademisë mbetet heqja me turp e pllakatës që ja pat vendosur Hashim Thaçi.

2021/05/10

Notë e dobët për heqjen e notimit

Vlerësimi është një procesi sistematik përmes të cilit përcaktohet vlera, rëndësia dhe cilësia e një subjekti në shqyrtim. Vlerësimi bëhet duke e krahasuar performancën e subjektit ndaj asaj që kërkohet apo pritet që subjekti ta bëjë për rrethanat e caktuara.

Vlerësimi është edhe kryefjala e çështjeve të ditëve të fundit në arsimin e Kosovës, dhe atë për dy çështje të ndryshme: 1. atë që quhet si vlerësim apo testim i mësimdhënësve, dhe 2. heqjen e notimit për nxënësit e klasëve fillore. Për të dy rastet ka paqartësi, por në vija të trasha kuptohet se Qeveria Kurti 2 kërkon një shqyrtim të performancës së mësimdhënësve dhe lehtësim të stresit te nxënësit. Për të parën u bë zhurmë e madhe, kurse e dyta po kalon në heshtje të frikshme - e frikshme sepse po përvidhet pa një trajtim të merituar.

Pa marrë parasysh detajet e realizimit të këtyre kërkesave, filozofia e tyre është kontradiktore, edhepse e lëviz pikën e përqëndrimit në vlerësim nga nxënësi te mësimdhënësi. Duke u nisur nga përkufizimi i vlerësimit të dhënë në paragrafin e parë, vlerësimi duhet të jetë pjesë përbërëse e punës në shkollë në të gjitha etapat e mësimdhënies dhe nxënies. I cilësoj si kontradiktore këto kërkesa, se nuk kam lexuar që kjo lëvizje në arsim është për të krijuar një shpërndarje më të mirë të stresit apo cilësisë, pra nuk më duket se në situatën e dhënë mund të luftohet stresi në një anë duke e shtuar në tjetrën.

Sistemi arsimor i Kosovës i ka disa mekanizma për vlerësimin e punës së mësimdhënësit. Ky vlerësim do të duhej të kryhej nga inspektorët e arsimit, drejtori i shkollës, aktivi i lëndës, por vërehet se efikasiteti i kësaj pune nuk është i kënaqshëm. Se a duhet të zhvillohet një formë e re për vlerësimin e mësimdhënësve apo të rivitalizohen ekzistueset, nuk më duket se ka një përgjigje të prerë e të arsyetuar mirë.

Më shqetësuese është ideja e largimit të notimit si forma dominuese e vlerësimit të nxënësit fillor. Përgjatë historisë së shkurtë të arsimit, Kosova ka pasur disa sisteme të ndryshme të notimit. Një kohë lëndët kanë qenë të ndara në ato me peshë më të madhe dhe që notohen me nota numerike, si për shembull matematika e gjuha, dhe ato që vinin në rend të dytë dhe që merrnin nota përshkruese, si arti e sporti. Në një kohë tjetër, të gjitha lëndët u barazuan në formë të notimit, ndërsa një ndër eksperimentet më interesante ishte ai që nuk panonte notë përsëritëse për nxënësin. Analiza e këtyre varieteteve të notimit dhe rezultati e efekti i tyre është vështirë të caktohet, sepse arsimi është sistem shumëdimenzional dhe varet edhe nga faktorë tjerë, psh përgatitja e mësuesve, planprogrami, infrastruktura, ..., por megjithatë një efekt a ndikim i formave të notimit mund të nxirrej. Nuk më duket se kjo është bërë, sidomos lidhur me efektet e kalimit të nxënësve pa arritur edhe nivelin minimal të njohurive (anulimi i ngeljes). [1]

Ideja e zbutjes së stresit përmes zbehjes së testimit apo notimit nuk është e re dhe është përmendur më parë edhe në kontekstin e arsimit kosovar. Problemi me këtë shfaqet në dy pika:
  1. cila është alternativa?, dhe
  2. si ndikon heqja e testimit apo notimit në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies e nxënies?
Përderisa për pikën e parë nuk ka shumë të dhëna, pika e dytë gjen përgjigje të qartë: notimi dhe testimi nuk janë faktorë që e dëmtojnë arsimin. Përkundrazi, zbutja e kriterit në notim sjell dëmtim (Literatura që trajton këtë është e madhe, por një studim i kohëve të fundit që vjen te ky përfundim është Rahman, 2021. Shënim: edhepse studimi është për nivele të larta të shkollimit, përfundimet nga ky studim mund të zgjerohen edhe për nivelin fillor, sepse ky nivel nuk është kujdestarí, por shkollim).

Si e thotë edhe vet përfkufizimi i fjalës vlerësim, ky proces e cakton vlerën dhe meritën e një subjekti - në rastin konkret të notimit, njohuritë e nxënësit për një lëndë të caktuar - përballë standardeve të vendosura. Nëse këto standarde janë të vështira apo jo, nëse këto ju përgjigjen nevojave dhe realitetit të vendit apo jo, mbetet për t'u diskutuar, por arsyetimi me largimin e notimit për punë të stresit nuk dëshmon për zhvillime të mira në arsim.

Në vend se të largohet notimi, sistemi arsimor duhet të veprojë që të ndryshojë bindjen e shoqërisë për shkollimin dhe sidomos certifikimin apo diplomimin. Në rrethanat e sotme, Kosova kërkon diplomë për shitës në supermarkete! Diploma, në fakt, duhet të jetë dëshmi që bartësi i saj ka aftësi të caktuara analitike e të të menduarit, ka njohuri të përgjithshme për çështjen ku ka diplomuar, dhe që mund të kryejë detyra lidhur me atë lëmi. Të punosh shitës nuk i kërkon asnjë nga këto.

Me fjalë tjera, stresi nuk më rezulton se buron nga notimi, por nga rëndësia që i jepet atij, dhe kjo rëndësi është e deformuar. Ky deformim më së miri vërehet në diskutimin se çfarë note ka marrë nxënësi, karshi pyetjes se çka dhe si ka mësuar. Një sistem i shëndoshë përqëndrohet në të dytën dhe i ndërton standardet në pajtim me të. Nuk është as e nevojshme e as e arsyeshme që një nxënës të jetë i shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët për të gjitha vitet, sepse ato kanë kërkesa të ndryshme, të cilat një njeri me zhvillim normal - dhe ky është ai të cilit i kushtohet sistemi arsimor - nuk i mbërthen. Një mënyrë që mundëson relativizimin e kësaj është notimi në lakore, formë që nuk është provuar në Kosovë - pra, mundësitë për mbajtjen e notimit, por zbutjen e stresit që ky përcjell, nuk janë shterur.

Largimi nga notimi jep shenjë që sistemi arsimor në Kosovë e pranon largimin nga vlerësimi përmes standardeve si metodë e arsyeshme për zhvillimin e qytetarit të përgjegjshëm. Kjo është një bindje dhe ndërmarrje e rrezikshme për ardhmërinë e vendit dhe fëmijëve.

[1] Një shkrim shumë i mirë për efektin e keq që ka zbutja e notimit në cilësinë e shkollimit është ky i Shane Trotter dhe diskutimet rreth tij.

2021/05/03

Gabimi dhe budallallëku në shkencë

Puna shkencore përcillet vazhdimisht me gabime, pra këto janë pjesë e pandashme e shkencës. Gabimet në shkencë janë të natyrave të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre burojnë nga pamundësia për të bërë matje a njehsime të sakta. Në këtë rast nuk flitet për gabim në kuptimin e parë të fjalës, pra si lajthitje apo si rezultat të keq, por si paqartësi apo pasiguri në njohjen a matjen e bërë. Ky shkrim nuk ka të bëjë me këtë lloj gabimi, sepse në këto raste dihet mirë madhësia e gabimit dhe ajo analizohet pa problem.

Gabimet më të zakonshme në shkencë janë të natyrës së lajthitjes apo gabimit që bëhet padashur në shpjegimin e një fenomeni, ose në matjet eksperimentale, për të cilat nuk ka një bazë të mirë apo të plotë teorike ose teknike. Këto gabime motivohen nga vullneti për të përparuar njohuritë dhe meqë ky përparim bëhet në terr, natyrisht që lajthitjet janë të pashmangshme. Gjithsesi, këto gabime karakterizohen me thellësi të mendimit apo me punë që meriton respekt.

Asnjë njeri me dy fije mend në kokë nuk do të pohojë se Aristoteli nuk ka qenë mendimtar i madh, edhepse dihet që fizika e tij ka gabime të mëdha. Këto gabime evidentohen sot, kur e dimë mirë që lëvizja e një trupi përcaktohet nga forca e bashkëveprimit dhe kjo ka lidhje funksionale me nxitimin, e jo me shpejtësinë, si mund të interpretohen mësimet e Aristotelit (për një trajtim të saktë të fizikës Aristoteliane me koncepte moderne, ftoj lexuesin që të konsultojë punimin e Carlo Rovelli-t Aristotle's Physics: a Physicist's Look). Fizika që Aristoteli e ka ndërtuar ka qenë në funksion të plotësimit të filozofisë së tij për botën dhe njeriun, perënditë dhe fatin, prandaj nuk mund të gjykohet nga pikëvështrimi që ne kemi sot. Përkundrazi, do të përfundonim në një situatë të arrogancës së pashembullt, e cila do të nënvleftësonte punën e shumë mendimtarëve gjatë mijëvjeçarëve.

Edhe Galileo Galilei, i pari që shkundi fuqishëm mësimet e Aristotelit nga shpjegimi i dukurive të natyrës, ka promovuar qëndrime të diskutueshme, por sot çdo njeri i lexuar me plot të drejtë e mban Galileo-n si mendimtar që e ka shpënë njerëzimin përpara me hapa të papërsëritshëm. Sipas Owen Gingerich-it, një lëshim i Galileo-s që solli te gjykimi i tij nga ana e Kishës Katolike ishte gabimi logjik i promovimit të arsyetimit induktiv si të ishte deduktiv, për ç'gjë është kritikuar, në mes tjerësh, edhe nga bashkëkohaniku Johannes Kepler.

Sot dihet mirë që mekanika klasike e formuluar nga Newton-i, Lagrange-i, Euler-i, Hamilton-i, e të tjerë, është e kufizuar për lëvizjen e trupave makroskopikë që kanë shpejtësi më të vogël se ajo e dritës. Ligjet dhe teoremat e kësaj mekanike nuk e përjashtojnë bashkëveprimin e menjëhershëm të trupave, por kjo - si është kuptuar tek para një shekulli - është në kundërshtim me realitetin, ku bashkëveprimi mund të përcillet me shpejtësi të fundme. Kjo gjithsesi nuk do të thotë se mekanika klasike është gabim, në kuptimin që është keq dhe jep rezultate të padobishme, por vetëm se është e kufizuar në zbatueshmërinë e saj. Plotësimi i kësaj mekanike për trupa shumë të vegjël bëhet përmes Mekanikës Kuantike, kurse kufizimi i shpejtësisë mbulohet nga Teoria e Relativitetit. Megjithatë, këto dy teori nuk i duhen inxhinierit të ndërtimtarisë, ta zëmë, por ai vazhdon ta mësojë dhe t'i zbatojë mësimet e mekanikës klasike. Përtej utilitaritetit, mësimet e mekanikës klasike kanë elemente që mbesin ende në themelet e njohjes që kemi për botën, sepse atje futen shumë koncepte bazë (masa, energjia, etj), ndonëse shumë tjera kanë ndryshuar.

Në shumë raste përparimi ka arritur duke hedhur poshtë modelet që frymëzojnë arsyetimin dhe duke e mbajtur rezultatin. Një shembull i mirë për këtë është modeli që Maxwell-i ka ndërtuar për formulimin e ekuacioneve të elektrodinamikës. Maxwell-i është nisur nga një model i vorbullave rrotulluese dhe ka përfituar ekuacionet që përshkruajnë dukuritë klasike të elektricitetit, magnetizmit dhe optikës. Modeli i tij u dëshmua që ishte i panevojshëm, por ekuacionet mbeten një pikë kulminante e mendimit njerëzor.

Historia tregon se reagimi i parë ndaj rezultateve të reja në shkencë është refuzimi. Kjo më së miri është shprehur nga Max Planck-u, i cili ka shkruar se shkenca përparon pas çdo funerali, meqë gjenerata e vjetër e shkencëtarëve zakonisht nuk konvertohet, por zëvëndësohet nga gjenerata e re, e cila e ka më të lehtë adaptimin e mësimeve të reja. Kjo ndodh sepse shkenca është aktivitet që bëhet nga njerëzit. Një ndër problemet më të mëdha në këtë vijë është se shkenca kërkon investim të hatashëm mendor dhe kohë të gjatë për të zotëruar një pikëvështrim të vetëm mbi dukuritë, e lëre më për ato alternative.

Një ilustrim markant i kësaj është zhvillimi i Teorisë së Stringjeve, teori që dikur ka synuar të jetë kulmi i fizikës teorike, kurse sot po ka gjithnjë e më pak përkrahës. Si e shpjegon Sabine Hossenfelder në librin Lost in Math, ku e citon Freeman Dyson-in, teoristët e stringjeve mbahen nëpër departamente të fizikës, sepse kushtojnë pak. A do të thotë kjo se ata janë gabim? Assesi jo, sepse puna e tyre meriton respekt për hir të thellësisë së mendimit dhe aftësisë matematike. Por, ndoshta mund të parashikohet se pas një gjenerate, më s'do të ketë kush nevojë për këtë teori, sikuse që sot askush nuk ka nevojë për inxhinierë të flogjistonit e matës të eterit. Ndoshta puna e tyre do të rezultojë në shpjegime të cilat as që mund t'i kemi parasysh sot. Gjithsesi, kjo është një rrugë në terr, një rrugë që kërkon ndihmën e fatit.

***

Përballë gabimit në shkencë është budallallëku. Ky paraqet gabimin që nuk do të duhet të bëhej dhe që jep rezultat të keq. Për të përdorur metaforën e mësipërme, nëse gabimi në shkencë bëhet se shkencëtari kërkon të hedh dritë në vendin ku është terr, pra gjasa për shkarje është e madhe, budallallëku është të fikësh dritën aty ku ajo është e siguruar. Budallallëku në shkencë është të provosh të demonstrosh se Teoria e Relativitetit është gabim duke përdorur metodat e Mekanikës Klasike, të shpjegosh djegien me flogjiston, të bësh alkimi me flakë qiriu, të kërkosh planetin Vullkan...

Kosova është prodhuese e budallallëkut në shkencë. Kundër kësaj kam reaguar para gati një dekade, kur ky budallallëk ka qenë i kufizuar. Sot gjendja është shumë e keqe, sepse ky budallallëk ka shpërthyer universitetin, ka gjetur përkrahje në mesin e shkencëtarëve shqiptarë, në ministri të arsimit e shkencës, dhe botohet nga poshtë e përpjetë, në Prishtinë, në Tiranë e në botë. Botimi në botë nuk është çudi, sepse bota e ka vendosur që t'ia hapë dyert kujtdo meqë është e sigurtë në kritikën dhe filtrimin që e bën. Problemi është te shoqëria jonë e vobektë në mjete e koka.

Nga ana tjetër, ky budallallëk duhet duartrokitur, sepse zbuloi karakterin e dobët të të ashtuquajturve profesorë. Është e pakuptueshme se si i bashkohet dikush një projekti të çmendur si është ai për rrëzimin e Teorisë së Relativitetit. Ndoshta bëhet për të shënuar edhe një rresht në listën e publikimeve, por kjo s'bën asgjë tjetër pos ndot edhe ato publikime që mund të kenë ndonjë vlerë. Pra, ai që i bashkohet budallallëkut, jo vetëm që e humb kredibilitetin para kolegëve, por edhe shndërrohet në budallë që shërben për argëtim, për aq sa mund të argëtohet njeriu nga budalla. E keqja e shoqërisë sonë është që tash këta aty janë shumica, si nga profesorët në Prishtinë, Tetovë e Tiranë, por edhe nga ata në ministri, akademi, e kudo ku pretendohet se ka intelektualë. Me fjalë tjera, një budallë e zbulon fytyrën e vërtetë të intelektualizmit shkencor shqiptar, që del të jetë intelektualizëm budallenjsh.

Para tri dekadash, kur Serbia sulmoi çdo gjë shqiptare në Kosovë, njerëzit u përgjigjën duke refuzuar e qëndruar, edhepse rreziku ishte i madh dhe ardhmëria e zymtë. Sot, kur këto rreziqe nuk ekzistojnë, kur shoqëria jonë mund dhe duhej të zhvillohej lirshëm, nuk del askush t'ia qesë dorën budallallëkut dhe t'i thotë stop. Kjo s'tregon asgjë tjetër, por kalbëzim deri në palcë të njeriut shqipfolës. Përpara kësaj gjendjeje, e vetmja zgjidhje është ndalimi i financimit me mjete publike të çdo institucioni e aktiviteti që shitet si shkencor, përfshirë dhe universitetet e akademitë, sepse ato kanë dështuar që të reagojnë ndaj kësaj gjendjeje, rrjedhimisht janë komplet të pavlera për shoqërinë.

2021/04/26

Dy fjalë për Max Planck-un

Fizika e shekullit të kaluar paraqet një ndër zhvillimet më epike në tërë historinë e njerëzimit, sepse jo vetëm që ndërtoi një botëkuptim në suaza të fantastikës për hapësirën e kohën përmes Teorisë së Relativitetit apo për materien përmes Mekanikës Kuantike, por zhvillimet historike ballafaquan fizikanët me disa nga dilemat etike më të rënda të historisë. Një ndër protagonistët më hijerëndë të këtyre zhvillimeve është Max Planck-u, një ndër heronjët më të urtë të shkencës dhe humanizmit.

Thuhet se kur Planck-u shfaqi dëshirën për të studiuar fizikë, aty diku kah viti 1874, një profesor i ka thënë se ajo çka ka qenë me rëndësi në fizikë tashmë është zbuluar dhe nuk ka mbetur punë tjetër aty pos sqarimi i do detajeve, prandaj nuk ia vlen të studiohet më kjo lëmi. Por, si dëshmon edhe vet Planck-u, qëllimi i tij për të studiuar fizikën nuk ka qenë që të zbulojë gjë apo të bëhet i famshëm, por që të kuptojë se si punon Natyra. Planck-u shkruan se vendimi i tij për t'iu përkushtuar shkencës e ka zanafillën në të kuptuarit se ligjet e arsyetimit përputhen me ligjet që udhëheqin mbresat a ndjenjat që i regjistrojmë përmes shqisave. Me fjalë tjera, njeriu përmes të menduarit mund të njohë mekanizmin e botës që e rrethon dhe ky fakt që nuk duket haptas është tronditës për një mendimtar të thellë.

Planck-u iu përkushtua studimit teorik të termodinamikës, lëmi në të cilën dha kontribut të madh qysh në fillet e punës së tij. Tema e tij e doktoraturës, e mbrojtur me 1879, kishte të bënte me një riformulim të Ligjit të Dytë të Termodinamikës, riformulim që ishte më i thellë se ai paraprak i dhënë nga Clausius-i. Sipas Clausius-it nxehtësia nuk mund të rrjedhë spontanisht nga trupi i ngrohtë tek i ftohti. Planck-u e shprehu këtë teoremë duke pohuar se përcjellja e nxehtësisë nuk mund të kthehet tërësisht me çfarëdo mjete. Për dallim nga forma e Clausius-it, kjo e Planck-ut është më e plotë, sepse përmban edhe kuptimin e irreversibilitetit (pakthyeshmërinë), e cila duhet të shtohet veçan në trajtimin që ja bën Clausius-i.

Ky rezultat i mundësoi Planck-ut që të bëhet docent në Universitetin e Mynihut, pozitë për të cilën nuk paguhej. Planck-u mund ta përballonte këtë punë falë gjendjes së mirë financiare të familjes së tij. Por, së shpejti ai mori pozitën e profesorit, së pari në Universitetin e Kielit e më vonë në Universitetin e Berlinit, ku mori katedrën e Kirchhoff-it pas vdekjes së këtij. Në Berlin Planck-u u bë profesor i fizikës teorike. Është interesante të përmendet se Kirchhoff-i ishte kundërshtar i drejtpërdrejtë i rezultatit të Planck-ut në termodinamikë, sepse Planck-u përdorte konceptin e entropisë edhe te proceset e pakthyeshme, përderisa Kirchhoff-i nuk e pranonte që kjo madhësi fizike kishte kuptim, pos për procese të kthyeshme.

Në Berlin Planck-u vazhdoi punën në termodinamikë duke kërkuar zgjidhjen për problemin e rrezatimit të trupit të zi. Ky problem kërkon të përcaktojë gjatësinë valore (ngjyrën) që emeton një trup në varshmëri të temperaturës. Edhe nga përditshmëria mund të vërejmë se me ngrohjen e një trupi në temperatura mbi 600 gradë celsius, ai së pari bëhet i kuq, e më vonë ngjyrat e tij kalojnë kah e portokallta, e verdha e kështu me radhë. Çdo ngjyre i përgjigjet një gjatësi e caktuar valore, e cila mund të matet lehtë me spektrometra dhe Planck-u kishte në dispozicion një seri matjesh shumë precize. Problemi qëndronte në atë se këto matje nuk përputheshin me asnjë shpjegim teorik të fenomenit. Në fakt, një shpjegim i tillë ekzistonte vetëm për gjatësi të mëdha valore që i përgjigjen zonës infra të kuqe të spektrit.

Planck-u iu qas këtij problemi jo në formë fenomenologjike, por matematike, duke provuar të gjente një funksion matematik që përputhet me të dhënat eksperimentale. Këtë e bëri duke supozuar një funksion me dy terme, ashtu që termi i parë është proporcional me energjinë dhe i dyti me katrorin e energjisë. Ajo që mbeti ishte të gjente përputhjen e konstanteve të proporcionalitetit me gjatësinë valore, gjë që Planck-u e bëri me sukses duke përfituar atë që sot njihet si Shpërndarja e Rrezatimit të Trupit të Zi. Planck-u, pas krahasimit të formulës së tij me të dhënat eksperimentale, e raportoi këtë rezultat para Shoqërisë Fizike të Berlinit më 1900.

Ligji i Planck-ut fshihte në vete një detaj interesant që kërkonte një interpretim të guximshëm. Ndonëse të gjithë fizikanët e kohës kërkonin të vënin një lidhje në mes të shpërndarjes së energjisë së rrezatimit me temperaturën, Planck-u, duke u mbështetur edhe në punën e vet të doktoraturës, e nisi shqyrtimin duke e vendosur një lidhje në mes të energjisë dhe entropisë. Kjo lidhje solli deri te nevoja për futjen e një konstante të proporcinalitetit, atë që sot e quajmë konstantja e Planck-ut dhe e shënojmë si e ka shënuar edhe vet Planck-u, me h. Sipas tij, kjo konstante paraqet sasinë elementare të veprimit. Planck-u shkroi në formën moderne atë që sot njihet si Formula e Boltzmann-it për Entropinë dhe nga ajo llogariti entropinë për lëkundësit që formojnë trupin e zi. Praktikisht, nëse Dielli mendohet si trup i zi, atëherë këta lëkundës janë atomet që e bëjnë Diellin. Rezultati i Planck-ut ishte se energjia minimale që mund të kishte një lëkundës që lëkundet me një frekuencë të caktuar është e barabartë me prodhimin e asaj frekuence me sasinë elementare të veprimit. Pra, energjia nuk mund të kishte vlerë të çfarëdoshme të vogël, por kishte një kufi minimal, përndryshe në energji më të vogla lëkundësi nuk mund të ekzistonte.

(Ja vlen të shënohet ky detaj interesant: Boltzmann-i nuk kishte aspak simpati për trajtimin klasik të termodinamikës që e bënte Planck-u, sepse pëlqente trajtimin përmes mekanikës statistike, në ndërtimin e së cilës kishte punuar vetë. Ndërkohë Boltzmann-i ishte një ndër promovuesit më të fuqishëm të natyrës atomike të materies, pikëpamje kjo që rezistohej nga shumëkush. Planck-u i jepte të drejtë Boltzmann-it dhe i kundërshtonte edhe kolegët në universitetin e Berlinit. Pas vdekjes së Boltzmann-it, Universiteti i Vjenës ja ofroi pozitën e tij Planck-ut, por ky nuk ndërroi vend. Konstantja e Bolzmann-it është emërtuar ashtu nga Planck-u, i cili shkoi dhe në shenjë respekti ja ndërtoi varrin Boltzmann-it të braktisur. Në gurin e varrit të tij është gdhendur ekuacioni i Boltzmann-it që lidh entropinë dhe probabilitetin e gjendjes.)

Për të kuptuar më mirë këtë rezultatin për sasinë elementare të veprimit që e fitoi Planck-u mund të merret si krahasim rasti i lëvizjes së një trupi. Nëse trupi është në qetësi energjia kinetike e tij është zero. Por, kur lëviz, atëherë trupi do të ketë një shpejtësi të caktuar, e cila ja cakton edhe energjinë kinetike. Vlera e kësaj shpejtësie nuk kufizohet, pra mund të jetë 1 metër për sekondë, por mund të jetë edhe sa gjysma e saj, apo edhe gjysma e gjysmës. Një avanturier kurioz mund të kërkojë që kjo shpejtësi të jetë sa gjysma e gjysmës së gjysmës, dhe - sipas fizikës së bërë para Planck-ut - Natyra nuk ja qet asnjë pengesë. Pra, energjia kinetike do të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme sikurse edhe shpejtësia, pa kërcime e hope, derisa të arrijë vlerën zero. E njëjta vlen edhe për konceptin e hapësirës dhe kohës: ne mund t'i ndajmë këto në pjesë gjithnjë e më të vogla. Nëse teknologjia na paraqet problem, asgjë nuk na ndalon që këtë ndarje ta realizojmë me të menduar.

Rezultati i Planck-ut tregonte se një gjë e tillë më nuk vlen, pra që veprimi në fizikë ka natyrë diskrete. Natyra diskrete nuk ishte e huaj për fizikën e kohës, sepse ishte pranuar për disa dukuri. Për shembull, Faraday kishte dëshmuar se elektriciteti kishte natyrë diskrete dhe që ekzistonte sasia elementare e elektricitetit. Edhe për masën vlente e njëjta gjë, edhepse me rezerva. Atë kohë natyra atomike e lëndës kishte një bazë të fortë, edhepse nuk ishte e pranuar pa kushte nga të gjithë. Por, askush nuk e mendonte që edhe veprimi, e me të edhe energjia, do të kishin natyrë kuantike, dmth ishin diskrete dhe paraqiteshin me copa-copa, e jo si një e tërë e vazhdueshme. Rrjedhimisht, sot flitet për copën më të vogël teoretikisht të matshme të hapësirës, e shprehur si gjatësi plankiane, ose për pjesën më të shkurtër të kohës, për intervalin plankian. Është meritë e gjenialitetit të Planck-ut dhe punës së tij të pa cene që ky qëndrim u pranua pa tronditje të mëdha, edhepse Planck-u e dallonte mirë efektin që ky rezultat do të kishte në fizikë.

Në perëndim të Berlinit gjendet pylli i madh Grunewald, ku profesori Planck tashmë e kishte shtëpinë. Është e shënuar se gjatë një shëtitjeje, ai i shpjegon djalit të vet se kishte arritur te një rezultat që përnga rëndësia është i krahasueshëm me punën e Newton-it. Vlerësimi i rezultatit si i tillë është plotësisht me vend, sepse hapi një dritare të madhe për të kuptuar Natyrën dhe mundësoi zhvillimin e një fizike të paimagjinueshme deri atëherë. Planck-u i rezistoi me vite rezultatit që i doli përpara, provoi dëshpërimisht të gjente një zgjidhje që përputhej me mësimet e fizikës klasike, por pa sukses. Në fund, Planck-u iu dorëzua gjuhës së Natyrës dhe pavullnetshëm u bë revolucionari i parë i fizikës moderne. Ky dorëzim ishte plotësisht në karakterin e tij, sepse Planck-u që nga fillimi ishte i interesuar të kuptonte me përunjësi Natyrën dhe të mos i impononte asaj vizionin e tij. Fati e deshi që kontributi i Planck-ut në ndërtimin e kësaj fizike të ishte vetëm fillestar, sikurse puna e Kepler-it, i cili duke përputhur vrojtimet e sakta me format matematike për trajektoret e planeteve, arriti të trasojë rrugën për formulimin e Ligjit të Gravitetit nga Newton-i. I pari që e vazhdoi shtegun e hapur nga Planck-u ishte Einstein-i, i cili duke u bazuar mu në konceptin e sasisë elementare të veprimit, dha shpjegimin e efektit fotoelektrik. Pasuan Bohr-i, Schrödinger-i, Heisenberg-u, Dirac-u, e shumë titanë të tjerë që ndërtuan atë që sot njihet si Teoria Kuantike.


Ndërkohë, Planck-u jo vetëm që vazhdoi të kontribuonte në shkencë, por arriti një autoritet të madh edhe në shoqëri, sidomos në qarqet intelektuale dhe në organizimin e shkencës. Për autoritetin e tij më së miri dëshmon mësuesi më i madh i fizikës i të gjitha kohëve, Arnold Sommerfeld-i, i cili duke ndjekur frymën e kohës i shkruan një vjershë. Në të Sommerfeld-i i shkruan Planck-ut se e gjitha që bëj është të nduk lulet nga toka që e kultivove. Planck-u modest ja kthen poashtu me një vjershë ku i shkruan se edhe ky s'bën tjetër pos nduk lule, por e fton që t'i bashkojnë ato në buqetën më të mirë. Autoriteti i Planck-ut ishte një vazhdues i traditës familjare, meqë rridhte nga një familje intelektuale dhe patriotike gjermane. Bile, dy djemtë e Planck-ut kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore, në të cilën djali i madh, Karl-i, e humbi jetën në betejë, kurse i dyti, Erwin-i, u zu rob lufte nga francezët. Atë që nuk guxonin ta bënin profesorët tjerë, e bënte Planck-u, i cili i shkonte në zyrë Hitlerit dhe ja kundërshtonte në fytyrë - por pa sukses - politikën shkatërrimtare. Planck-u ishte përkrahës i madh i Einstein-it dhe shkencëtarëve tjerë në kohën kur nazizmi përjashtonte shkencëtarët me origjinë hebreje. Kështu Planck-u u qëndroi me dinjitet sfidave etike që koha ja përplasi.

Në muzgun e jetës së vet Planck-u angazhohej që ta ruante atë që mundej nga shkenca dhe kultura - dikur e lavdishme - gjermane, e cila ishte nën dhunën naziste. Është shumë i vlefshëm diskutimi që e përcjell Heisenberg-u, i cili kishte shkuar te Planck-u për këshillim (diku kah mesi i viteve '30). Heisenberg-u, duke i parë përjashtimet që ju bëheshin kolegëve hebrej, propozon që në shenjë proteste të japë dorëheqje nga pozita e profesorit, por para se ta bëjë këtë e takon Planck-un. Planck-u i dorëzuar i thotë se nuk mund ta këshillojë, sepse parasheh shkatërrimin jo vetëm të universiteteve, por të të gjithë vendit. Planck-u e shpreh kënaqësinë që Heisenberg-u e kolegët tjerë provojnë të protestojnë, por që kursi i historisë ka marrë tashmë atë kahje që nuk mund të ndikohet më nga këto veprime. Me merakun për vendin dhe largpamës, Planck-u e fton Heisenberg-un që të mendojë për kohën pas katastrofës. Një mundësi që e sheh Planck-u është që Heisenberg-u të qëndrojë në Gjermani dhe të ndërtojë atë që i quan ishuj të qëndrueshmërisë, vende ku do të kapeshin të rinj gjermanë e të mbijetonin fatkeqësinë që pritej. Planck-u i thotë

Askush nuk mund të dijë se sa ishuj të tillë do ta mbijetojnë katastrofën; por jam i sigurtë që edhe nëse arrijmë të udhëheqim përtej këtyre kohrave të tmerrshme një numër të vogël të rinjsh të talentuar e mendje-shëndoshë, do të kemi bërë një punë të mirë për të siguruar ringjalljen e Gjermanisë pas fundit. [...] Mendoj që të gjithë ne që nuk jemi detyruar të emigrojmë për arsye racore duhet të provojmë të qëndrojmë dhe të vendosim themelet për një jetë më të mirë pasi që të përfundojë ky makth. Do të jetë e vështirë dhe e rrezikshme, dhe do të të duhet të bësh kompromise të atilla, që më vonë do të përdoren kundër teje. Natyrisht që nuk mund të fajësoj ata që vendosin ndryshe, ata që e gjykojnë jetën në Gjermani si të patolerueshme, ata që nuk mund të qëndrojnë përderisa padrejtësitë bëhen e ata s'mund t'i ndalojnë. Por, në gjendjen e kobshme nëpër të cilën kalon Gjermania tash, askush nuk mund të veprojë me dinjitet. Çdo vendim që marrim na fut në padrejtësi të një forme a tjetre. Në fund, secili kemi mbetur për vete. S'ka kuptim të japësh apo marrësh këshilla. Pra, e gjitha që mund të të them është: pa marrë parasysh se çka do të bësh, nuk ka shpresë që do të parandalosh një fatkeqësi të vogël pa përfunduar kjo fatkeqësia e madhe. Por, të lutem, mendo për kohën që do të vijë pas fundit.

Kjo etikë dhe ky qëndrim i dashurisë dhe respektit për të Vërtetën dhe të Mirën absolute natyrisht që ka pasur ndikim edhe në rrethin familjar të Planck-ut. Djali i tij, Erwin-i, ka qenë pjesëtar i një grupacioni gjermanësh që kanë provuar të bëjnë atentat ndaj Hitlerit. Për fat të keq, këta janë hetuar dhe Erwin-i është dënuar dhe varur në janar të vitit 1945. Vdekja e djalit të tij të dytë, me të cilin ka pasur afërsi të madhe, e ka shkatërruar Planck-un, por ky megjithatë e arriti fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe mbijetesën e atyre ishujve të ringjalljes së Gjermanisë. Sot, Gjermania ka një varg institutesh që e bartin emrin Max Planck, institute këto që prijnë në zhvillimin e shkencës dhe kulturës botërore.

Dilema etike me të cilat u përball Planck-u prekën edhe sferën e shkencës, sidomos pas eksplodimit të bombës atomike, e cila në njëfarë forme ishte fryt i një pune që u nis me vet të. Ky e ndante mirë rolin e shkencës dhe religjionit a etikës në përcaktimin e vlerave të mira absolute dhe virtyteve drejt të cilave synojmë. Çdo individ, shkruan, s'ka alternativë tjetër, pos ta luftojë me guxim betejën e jetës, sepse askush nuk ka lindur me pretendim ligjor për lumturi, sukses dhe prosperitet në jetë. Planck-u fton që ta njohim dhe pranojmë me përunjësi çdo çast të lumturisë si një dhuratë që obligon. E vetmja gjë të cilën mund ta pretendojmë me sigurinë më të madhe dhe të cilën s'mund të na e marrë kush është integriteti i shpirtit, që shfaqet si kryerje me ndërgjegje e detyrave. Planck-u thotë se e ka pasur fatin e madh që detyrat e tij kenë qenë në sferën e shkencës, ku e ka hulumtuar të hulumtueshmen dhe e ka respektuar të pahulumtueshmen.

Njëjtë, studimet dhe puna në shkencë më kanë dërguar në vende të ndryshme, të cilat mahnisin me bukuritë, kulturën, historinë dhe njerëzit. Berlini nuk bën përjashtim, përkundrazi, është një qytet me histori të madhe. Një ndër rrugët kryesore është Unter den Linden (Rruga nën Blinj), ku gjendet edhe universiteti famëmadh Humboldt. Përskaj portës së ndërtesës qëndrore gjendet një pllakë e vetme modeste që na njofton se këtu ka dhënë mësim Max Planck-u. Investimi i madh në studim më shpaguhet kur kaloj përballë kësaj pllake dhe, për dallim nga ndonjë turist që ndoshta mrekullohet me arkitekturën e bukur, e kuptoj edhe se sa i madh është ky vend ku dikur ka dhënë mësim një Njeri si Max Planck-u.

2021/04/23

Dimri dhe terri?

Shqiptari Carpe diem-in e latinit e shpreh përmes vërejtjes një herë vjen vera kah dera. Në rastin e përdorimit të qymyrit si pasuri natyrore e Kosovës, duket që vera shkoi dhe tash po vjen dimri. Këtë e bazoj në mungesën e disponimit në Europë dhe botë për përkrahjen e termocentraleve, bile në kundërshtimin e fuqishëm të tyre.

Që mundësia e Kosovës për të prodhuar energji nga burime tjera pos qymyrit është e varfër dëshmon edhe përkrahja që Kosova ka marrë dikur nga organizata të ndryshme për ndërtimin e termocentralit (psh Banka Botërore), edhepse mu ato organizata kanë qenë dhe janë kundërshtare të mëdha të prodhimit të energjisë nga qymyri. Sot kjo përkrahje më nuk ekziston. Nga ana tjetër, edhe studimet më optimiste për prodhimin e energjisë nga burimet alternative (jofosile) tregojnë që Kosova mund të mbulojë më së shumti 50% të nevojave të veta me energji nga burimet alternative, dhe atë pa marrë në konsideratë transportin (në Kosovë, emetimet e gazrave nga veturat janë të të njëjtit rend të madhësisë me ato nga termocentralet).

Zhvillimet e fundit me ndërtimin e hidrocentraleve nëpër lumenjtë e vegjël rrjedhës të Kosovës dëshmojnë se edhe teknologjia më efikase e prodhimit të elektricitetit, më e lira, më e mbajtshmja (e qëndrueshmja), dhe më miqësorja për ambientin, pra hidroenergjia, nuk garanton situatë më të mirë për shoqërinë. Njëjtë vlen edhe për biomasën (drurin), i cili vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i energjisë në vend, por rrezikshëm në kufinj të ripërtrirjes. Me fjalë tjera, gjendja nuk është bardh e zi për përdorimin e alternativave, për faktin se nuk mund të veprohet kundër ligjeve të natyrës: njeriu do energji elektrike dhe përfitimi i saj gjithsesi që do të shkaktojë çrregullim diku.

Sa për burimet fosile, thuhet se sasia absolute e qymyrit që ka Kosova e radhit këtë në top 10-15 vendet e para të botës. Për një gjë nuk ka dyshim dhe ajo është që Kosova ka qymyr të mjaftueshëm për nevojat e veta edhe për së paku 50 vitet e ardhshme. Mundësia më e mirë e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore është prodhimi i energjisë elektrike, edhepse ekziston edhe mundësia tjetër që qymyri të mos shfrytëzohet në Kosovë, por t'i shitet vendeve tjera.

Çështja është se para se të shterohet apo shitet qymyri, po shterohet vullneti dhe mundësia për përdorimin e tij si burim të energjisë. Kjo falë ndryshimeve klimatike që shkakton djegia e qymyrit dhe lirimi i dioksid karbonit e gazrave e grimcave tjera të dëmshme për ambientin dhe shëndetin, të cilat e kanë ndryshuar edhe klimën politike nga ajo zhvillimore drejt asaj ambientaliste.

Problemi i energjisë është problem shumë i vështirë dhe kërkon edhe shqyrtim nga disa aspekte të ndryshme shoqërore, përpos asaj teknologjike. Një ndër to është levërdia ekonomike, e cila duhet të llogarisë bilancin në mes të dobisë shoqërore e përfitimit ekonomik nga prodhimi i energjisë dhe shpenzimeve nga dëmtimi i shëndetit të qytetarëve e ambientit. Një aspekt tjetër është ai i sigurimit të energjisë nga brenda vendit, përballë nevojës së sigurimit të energjisë përmes importit, gjë që do të shkaktonte humbjen e një pjese të pavarësisë në raport me vendet prej nga sigurohet energjia.

Edhe një herë: Kosova të vetmen zgjidhje me vlerë për t'i adresuar të dyja këto pika e ka ndërtimin e një termocentrali. Por, duket se kjo mundësi po zbehet gjithnjë e më shumë, e për më tepër, nëse merret parasysh koha e humbur, kjo mundësi po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Dhe kam frikën që në të gjitha diskutimet që bëhen rreth mundësive zhvillimore të vendit, koha nuk merret parasysh. Rëndësia e saj bëhet më e dukshme mu në rastin e zhagitjes dhe dështimeve të ndërtimit të një termocentrali.

Jeta mesatare e një termocentrali llogaritet të jetë rreth 30 vjet, ndonëse ato dizajnohen për punë deri në 50 vjet. Termocentralet që sot funksionojnë në Kosovë o e kanë kaluar këtë moshë moti, o janë aty pari, pra në pleqëri të thellë. Ato vazhdojnë të punojnë falë arnimeve e riparimeve që ju janë bërë gjatë 20 viteve të fundit, ndërkohë që vazhdojnë të shkaktojnë ndotje më të madhe dhe të punojnë me efiçiencë më të vogël se sa janë normat e termocentraleve moderne.

Planet për ndërtimin e një termocentrali të ri, herë të quajtur Kosova C, e herë Kosova e Re, janë më se 15 vjet të vjetra. Nëse llogaritet që ndërtimi i një termocentrali kërkon maksimumin nja 5 vjet dhe nëse politikat dhe zbatimi i tyre në Kosovë do të ishte bërë si duhet, rrjedh që Kosova tashmë do të kishte pasur afër gjysmës së jetës së vet një termocentral modern dhe të dobishëm për qytetarët. Për më tepër, gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova ka qenë net importues i energjisë. Shtoja kësaj edhe faktin që Kosova kryesisht ka eksportuar verës, kur çmimi i energjisë është i ulët, dhe ka importuar dimrit, kur ky çmim është i lartë, del që qytetari i ndershëm i Kosovës ka paguar shumëfish, në vend se të përfitonte nga pasuritë e vendit.

Përderisa Kosova përpëlitet me këto çështje, vendet e rajonit, ku me sukses e ku pa të, kanë arritur të zhvillojnë e realizojnë projekte për ndërtimin e termocentraleve të reja. Ndër to janë termocentrali Stanari, Ugljevik 3, Kostolac B2 e B3, Tuzla 7, Pljevlja II, Kakanj 8, e të tjera, që të gjitha së bashku me kapacitet 4000 MW. Sa për referencë, kontrata e dështuar me Contour Global-in për Kosovën e Re ka parashikuar termocentral me 350 MW. Me fjalë tjera, kapacitetet e reja termoenergjetike në rajon janë dhjetë herë më të mëdha se ato me të cilat shtyhet Kosova, ndërkohë që Kosova prin me pasuri natyrore. Bile, edhe vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së ndërkohë kanë ndërtuar termocentrale, si për shembull Ptolemaida 5 në Greqi e Sostanj në Sloveni, ose edhe më gjërë, si termocentrali Opole e Turow në Poloni, Ledvice në Çeki, e të tjera. Pra, qymyri, nëse arsyetohet si duhet, nuk është tabu. (Armiku i vërtetë i ambientit nuk është qymyri, por qeveritari i korruptuar, ky kriminel ndaj të mirës publike.)

Fatkeqësia më e madhe për Kosovën lidhur me këtë temë është humbja e kohës. Kosova, në vend se gjatë kësaj kohe të kishte një termocentral modern dhe të ishte superfuqi rajonale për prodhimin dhe eksportimin e energjisë, është një vend i varfër, që importon energji, që shfrytëzon termocentrale me ndotje të madhe, vend të cilit i vdesin ata inxhinjerë që me të vërtetë e kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur energjetikën e vendit, dhe vend që nesër do të paguajë çmim shumë më të shtrenjtë për prodhimin e energjisë përmes tregut të karbonit. Se projektet e mëdha dhe të mira për energjinë mund të realizohen e dëshmon lidhja me Shqipërinë përmes interkonjeksionit. Pak para se me të vërtetë të vijë dimri për energjetikën kosovare, do të ishte mirë që t'i vihet gishti kokës e të mendohet e punohet seriozisht për shfrytëzimin e kësaj mundësie për zhvillim. Përndryshe, duke parafrazuar Nolin, qytetari i Kosovës do të jetë pranë qymyrit në terr.