2021/05/03
Gabimi dhe budallallëku në shkencë
Puna shkencore përcillet vazhdimisht me gabime, pra këto janë pjesë e pandashme e shkencës. Gabimet në shkencë janë të natyrave të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre burojnë nga pamundësia për të bërë matje a njehsime të sakta. Në këtë rast nuk flitet për gabim në kuptimin e parë të fjalës, pra si lajthitje apo si rezultat të keq, por si paqartësi apo pasiguri në njohjen a matjen e bërë. Ky shkrim nuk ka të bëjë me këtë lloj gabimi, sepse në këto raste dihet mirë madhësia e gabimit dhe ajo analizohet pa problem.
Gabimet më të zakonshme në shkencë janë të natyrës së lajthitjes apo gabimit që bëhet padashur në shpjegimin e një fenomeni, ose në matjet eksperimentale, për të cilat nuk ka një bazë të mirë apo të plotë teorike ose teknike. Këto gabime motivohen nga vullneti për të përparuar njohuritë dhe meqë ky përparim bëhet në terr, natyrisht që lajthitjet janë të pashmangshme. Gjithsesi, këto gabime karakterizohen me thellësi të mendimit apo me punë që meriton respekt.
Asnjë njeri me dy fije mend në kokë nuk do të pohojë se Aristoteli nuk ka qenë mendimtar i madh, edhepse dihet që fizika e tij ka gabime të mëdha. Këto gabime evidentohen sot, kur e dimë mirë që lëvizja e një trupi përcaktohet nga forca e bashkëveprimit dhe kjo ka lidhje funksionale me nxitimin, e jo me shpejtësinë, si mund të interpretohen mësimet e Aristotelit (për një trajtim të saktë të fizikës Aristoteliane me koncepte moderne, ftoj lexuesin që të konsultojë punimin e Carlo Rovelli-t Aristotle's Physics: a Physicist's Look). Fizika që Aristoteli e ka ndërtuar ka qenë në funksion të plotësimit të filozofisë së tij për botën dhe njeriun, perënditë dhe fatin, prandaj nuk mund të gjykohet nga pikëvështrimi që ne kemi sot. Përkundrazi, do të përfundonim në një situatë të arrogancës së pashembullt, e cila do të nënvleftësonte punën e shumë mendimtarëve gjatë mijëvjeçarëve.
Edhe Galileo Galilei, i pari që shkundi fuqishëm mësimet e Aristotelit nga shpjegimi i dukurive të natyrës, ka promovuar qëndrime të diskutueshme, por sot çdo njeri i lexuar me plot të drejtë e mban Galileo-n si mendimtar që e ka shpënë njerëzimin përpara me hapa të papërsëritshëm. Sipas Owen Gingerich-it, një lëshim i Galileo-s që solli te gjykimi i tij nga ana e Kishës Katolike ishte gabimi logjik i promovimit të arsyetimit induktiv si të ishte deduktiv, për ç'gjë është kritikuar, në mes tjerësh, edhe nga bashkëkohaniku Johannes Kepler.
Sot dihet mirë që mekanika klasike e formuluar nga Newton-i, Lagrange-i, Euler-i, Hamilton-i, e të tjerë, është e kufizuar për lëvizjen e trupave makroskopikë që kanë shpejtësi më të vogël se ajo e dritës. Ligjet dhe teoremat e kësaj mekanike nuk e përjashtojnë bashkëveprimin e menjëhershëm të trupave, por kjo - si është kuptuar tek para një shekulli - është në kundërshtim me realitetin, ku bashkëveprimi mund të përcillet me shpejtësi të fundme. Kjo gjithsesi nuk do të thotë se mekanika klasike është gabim, në kuptimin që është keq dhe jep rezultate të padobishme, por vetëm se është e kufizuar në zbatueshmërinë e saj. Plotësimi i kësaj mekanike për trupa shumë të vegjël bëhet përmes Mekanikës Kuantike, kurse kufizimi i shpejtësisë mbulohet nga Teoria e Relativitetit. Megjithatë, këto dy teori nuk i duhen inxhinierit të ndërtimtarisë, ta zëmë, por ai vazhdon ta mësojë dhe t'i zbatojë mësimet e mekanikës klasike. Përtej utilitaritetit, mësimet e mekanikës klasike kanë elemente që mbesin ende në themelet e njohjes që kemi për botën, sepse atje futen shumë koncepte bazë (masa, energjia, etj), ndonëse shumë tjera kanë ndryshuar.
Në shumë raste përparimi ka arritur duke hedhur poshtë modelet që frymëzojnë arsyetimin dhe duke e mbajtur rezultatin. Një shembull i mirë për këtë është modeli që Maxwell-i ka ndërtuar për formulimin e ekuacioneve të elektrodinamikës. Maxwell-i është nisur nga një model i vorbullave rrotulluese dhe ka përfituar ekuacionet që përshkruajnë dukuritë klasike të elektricitetit, magnetizmit dhe optikës. Modeli i tij u dëshmua që ishte i panevojshëm, por ekuacionet mbeten një pikë kulminante e mendimit njerëzor.
Historia tregon se reagimi i parë ndaj rezultateve të reja në shkencë është refuzimi. Kjo më së miri është shprehur nga Max Planck-u, i cili ka shkruar se shkenca përparon pas çdo funerali, meqë gjenerata e vjetër e shkencëtarëve zakonisht nuk konvertohet, por zëvëndësohet nga gjenerata e re, e cila e ka më të lehtë adaptimin e mësimeve të reja. Kjo ndodh sepse shkenca është aktivitet që bëhet nga njerëzit. Një ndër problemet më të mëdha në këtë vijë është se shkenca kërkon investim të hatashëm mendor dhe kohë të gjatë për të zotëruar një pikëvështrim të vetëm mbi dukuritë, e lëre më për ato alternative.
Një ilustrim markant i kësaj është zhvillimi i Teorisë së Stringjeve, teori që dikur ka synuar të jetë kulmi i fizikës teorike, kurse sot po ka gjithnjë e më pak përkrahës. Si e shpjegon Sabine Hossenfelder në librin Lost in Math, ku e citon Freeman Dyson-in, teoristët e stringjeve mbahen nëpër departamente të fizikës, sepse kushtojnë pak. A do të thotë kjo se ata janë gabim? Assesi jo, sepse puna e tyre meriton respekt për hir të thellësisë së mendimit dhe aftësisë matematike. Por, ndoshta mund të parashikohet se pas një gjenerate, më s'do të ketë kush nevojë për këtë teori, sikuse që sot askush nuk ka nevojë për inxhinierë të flogjistonit e matës të eterit. Ndoshta puna e tyre do të rezultojë në shpjegime të cilat as që mund t'i kemi parasysh sot. Gjithsesi, kjo është një rrugë në terr, një rrugë që kërkon ndihmën e fatit.
***
Përballë gabimit në shkencë është budallallëku. Ky paraqet gabimin që nuk do të duhet të bëhej dhe që jep rezultat të keq. Për të përdorur metaforën e mësipërme, nëse gabimi në shkencë bëhet se shkencëtari kërkon të hedh dritë në vendin ku është terr, pra gjasa për shkarje është e madhe, budallallëku është të fikësh dritën aty ku ajo është e siguruar. Budallallëku në shkencë është të provosh të demonstrosh se Teoria e Relativitetit është gabim duke përdorur metodat e Mekanikës Klasike, të shpjegosh djegien me flogjiston, të bësh alkimi me flakë qiriu, të kërkosh planetin Vullkan...
Kosova është prodhuese e budallallëkut në shkencë. Kundër kësaj kam reaguar para gati një dekade, kur ky budallallëk ka qenë i kufizuar. Sot gjendja është shumë e keqe, sepse ky budallallëk ka shpërthyer universitetin, ka gjetur përkrahje në mesin e shkencëtarëve shqiptarë, në ministri të arsimit e shkencës, dhe botohet nga poshtë e përpjetë, në Prishtinë, në Tiranë e në botë. Botimi në botë nuk është çudi, sepse bota e ka vendosur që t'ia hapë dyert kujtdo meqë është e sigurtë në kritikën dhe filtrimin që e bën. Problemi është te shoqëria jonë e vobektë në mjete e koka.
Nga ana tjetër, ky budallallëk duhet duartrokitur, sepse zbuloi karakterin e dobët të të ashtuquajturve profesorë. Është e pakuptueshme se si i bashkohet dikush një projekti të çmendur si është ai për rrëzimin e Teorisë së Relativitetit. Ndoshta bëhet për të shënuar edhe një rresht në listën e publikimeve, por kjo s'bën asgjë tjetër pos ndot edhe ato publikime që mund të kenë ndonjë vlerë. Pra, ai që i bashkohet budallallëkut, jo vetëm që e humb kredibilitetin para kolegëve, por edhe shndërrohet në budallë që shërben për argëtim, për aq sa mund të argëtohet njeriu nga budalla. E keqja e shoqërisë sonë është që tash këta aty janë shumica, si nga profesorët në Prishtinë, Tetovë e Tiranë, por edhe nga ata në ministri, akademi, e kudo ku pretendohet se ka intelektualë. Me fjalë tjera, një budallë e zbulon fytyrën e vërtetë të intelektualizmit shkencor shqiptar, që del të jetë intelektualizëm budallenjsh.
Para tri dekadash, kur Serbia sulmoi çdo gjë shqiptare në Kosovë, njerëzit u përgjigjën duke refuzuar e qëndruar, edhepse rreziku ishte i madh dhe ardhmëria e zymtë. Sot, kur këto rreziqe nuk ekzistojnë, kur shoqëria jonë mund dhe duhej të zhvillohej lirshëm, nuk del askush t'ia qesë dorën budallallëkut dhe t'i thotë stop. Kjo s'tregon asgjë tjetër, por kalbëzim deri në palcë të njeriut shqipfolës. Përpara kësaj gjendjeje, e vetmja zgjidhje është ndalimi i financimit me mjete publike të çdo institucioni e aktiviteti që shitet si shkencor, përfshirë dhe universitetet e akademitë, sepse ato kanë dështuar që të reagojnë ndaj kësaj gjendjeje, rrjedhimisht janë komplet të pavlera për shoqërinë.