2021/12/23
Tekstet alternative për shkolla: dobia, mundësia, dhe realiteti
Një masë që Ministria e Arsimit në Kosovë e ka menduar për arritjen e teksteve shkollore cilësore është edhe ajo e aprovimit të teksteve alternative. Në fakt, kjo ka qenë një ndër kërkesat që e ka promovuar fuqishëm profesori Rasim Bejtullahu, ndërkohë që unë e kam kundërshtuar. Pra, situata është interesante, sepse ne, si pjesë e të njëjtit ekip që kemi punuar në përgatitjen e teksteve të fizikës, kemi pasur qëndrime të kundërta. Ajo që duhet të shënohet është se asnjëri prej nesh nuk jemi kategorik në qëndrimet tona, pra jemi të hapur për ta diskutuar problemin e të bindemi për meritat e qëndrimit të kundërt.
Argumenti kryesor në favor të tekstit alternativ është që mësuesit t'i jepet mundësia për të zgjedhur, jashtë intervenimeve nga ministria, departamentet a drejtoritë arsimore, apo palët tjera të interesit, psh shtëpitë botuese. Pra, pasja e teksteve alternative jo vetëm që e begaton kulturën dhe punën e mësuesit, por edhe shfrytëzon demokracinë dhe zgjedhjen si mekanizëm që filtron më të mirin. Natyrisht që edhe në këtë rast Ministria ende ruan të drejtën e përcaktimit se cilat tekste mund të merren në shqyrtim, sepse në fund të fundit ajo ka rolin kryesor në përcaktimin nëse një tekst i plotëson Standardet për Tekstet Shkollore, punë që nuk mund t'i lihet në përgjegjësi secilit mësues. Por, nga një laryshi tekstesh që janë në pajtim me planprogramin shkollor, me kërkesat shkencore, pedagogjike, gjuhësore, e teknike, mësuesi zgjedh atë që e gjen më të përshtatshmin për nxënësit dhe punën e vet.
Përderisa argumentimi pro tekstit alternativ është idealist dhe realizimi i tij do të ishte i mirëseardhur për kulturën shqiptare dhe shkollën e Kosovës, argumentimi im kundër bazohet në mundësitë praktike: Kosova nuk ka kuadro të mjaftueshme që mund të prodhojnë tekste të mira shkollore, por edhe mësuesit nuk janë të përgatitur dhe nuk e kanë të zhvilluar sensin e kritikës apo përzgjedhjes. Me fjalë tjera, parashikoj që realizimi praktik i kësaj ideje do të jetë - në mos i pamundur - i kushtueshëm.
Sidoqoftë, ideja e teksteve alternative e ka meritën e vet dhe vlen që të mendohet e shtjellohet me kujdes.
Ajo që ka ndodhur në të vërtetë, përkundër deklarimeve nga Ministria se janë aprovuar tekste alternative, është se ka ndodhur një lëmsh e dallavere skandaloze. Ministria i ka aprovuar disa tituj si tekste alternative edhe kur ato tekste nuk e kanë kaluar vlerësimin e nevojshëm për t'u aprovuar si tekst. Standardi për Tekste kërkon që nota e tekstit të jetë më e madhe se 3 për t'u shqyrtuar si i tillë për shkolla, por Ministria ka aprovuar edhe nga ato që e kanë notën më të vogël dhe nuk e kanë kapërcyer këtë prag vlerësimi. Po aq skandaloze është edhe procesi i përzgjedhjes që është dashur të bëhet nga mësuesit. Për një vlerësim të drejtë të tekstit që mësuesi do ta përzgjidhte për përdorim, mësuesi do të duhej të pajisej me dy a tri alternativat e aprovuara dhe pas një leximi serioz të të gjitha teksteve, pra pas një periudhe një a dy mujore, mësuesi do të duhej të paraqiste përzgjedhjen e vet. Ajo që ka ndodhur, në fakt, është se kërkesat për tekste shkollore i kanë bërë Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, por jo mësuesit. Vetë procesi nuk ka zgjatur më shumë se një javë, dhe mësuesit as që e kanë ditur a kuptuar se kanë mundësi përzgjedhjeje.
Pra, prania e teksteve alternative në mësimin e Kosovës është e tillë vetëm formalisht, por jo në thelbin se si është kërkuar e është dashur të zhvillohet kjo punë. Si në shumë raste tjera, edhe në këtë pikë MAShTI ka dështuar të realizojë një punë si duhet.