2021/04/14
Sapuni për djathë
Si sot e një vit e do ditë më parë, ish-ministrja e arsimit e momentit, znj. Bajrami, deklaroi para gazetarëve se ka gjetur që gjatë viteve 2014-2017 ministria i ka shpenzuar 5 milion euro për shërbime që nuk janë kryer. Kjo pagesë është bërë për ndërtimin e një platforme për mësim online.
Pak perspektivë: me 5 milion euro e për tri vjet, Gjermania mund të shkollojë 30 doktorë shkencash nga shkencat e edukimit. Duke marrë parasysh që bota nuk i ka 30 profesorë që janë ekspertë të këtyre punëve (mësimit online, pra), me mjetet e shpenzuara Kosova do të mund të bëhej superfuqi botërore në këtë lëmi.
Si sot e një vit e pa do ditë, kryeministri i Qeverisë Kurti 1 promovoi projektin Pasaporta Mësimore, projekt që synon të arrijë nxënësit kudo përmes platformës online. U tha se Kosova është një ndër tri vendet e para që janë përzgjedhur për pilotim të projektit. U tha gjithashtu se pjesë e projektit do të jenë edhe platformat e personalizuara, të ndërtuara me kurikulë ku do të kontribuonte Universiteti i Kembrixhit.
Sot, një vit pas, disa shtete tjera e kanë tashmë funksionale këtë platformë, ndërsa Kosova ende. Ndërkaq, kurikula nuk është tjetër pos ajo zyrtarja e Kosovës, për të cilën kontributi i Universitetit të Kembrixhit është i barabartë me zero.
Përqëndrimi i tepërt i Kosovës në lajlelulet që sillen rreth mësimit online, përderisa gjendja e mësimit është e mjerë, më së shumti i bën dëm mësimdhënësit dhe nxënësit në Kosovë. Kosova ka nevojë që të përgatisë mësimdhënës që e dinë mirë lëndën të cilën e shpjegojnë, që e zotërojnë mirë gjuhën shqipe dhe bazat e matematikës, dhe që mund të komunikojnë me logjikë e arsyeshëm me nxënësin, prindin, kolegun dhe strukturat shtetërore. Për të gjitha këto pika, nevoja për veglërinë online (përfshirë edhe dixhitalizimin) është e papërfillshme.
Mësimi online, tekstet elektronike, dixhitalizimi i sistemit arsimor dhe idetë tjera të ndërlidhura me teknologjitë informatike/kompjuterike duhet të merren parasysh dhe atë me seriozitet të madh. Një gjë e tillë ndodh në botën e zhvilluar dhe që i pranon rezultatet pa u shastisur pas asgjësë. Rishtas, Sakai dhe ekipi i tij dëshmuan përsëri që mësimi i bërë me laps e letër është më efektiv se ai i bërë me mjete elektronike. Studime të ngjashme ka shumë (i mirënjohur është punimi i Mueller dhe Oppenheimer, 2014). Përderisa bota nuk i ka vendusur hala pikat mbi i për këtë punë, pse Kosova duhet të vrapojë pas eksperimentimit?
I vetmi arsyetim që gjej për shitjen e mësimit online publikut të Kosovës si sapunin proverbial për djathë është alibia për të vjedhur a mashtruar përmes projekteve që s'i kontrollon kush. Përndryshe, si mund të arsyetohet mungesa e raportimit mbi 5 milion euro të avulluara, ose platforma që ka vetem një faqe interneti qe një vit?