2021/03/28

Arsim në qorrsokak

Për ata që duan të shohin, gjendja e keqe e arsimit në Kosovë duket sheshazi, kurse ata që s'duan t'ia dinë për këtë dhe që janë të kënaqur me pozitat ku janë dhe mundësitë që këto pozita ju ofrojnë, mjerimi i arsimit nuk hyn në kategorinë e punëve që duhen të përmirësohen me urgjencë. Është fatkeqësi e shoqërisë sonë që nuk kemi krijuar një mekanizëm vendor për të na treguar gjendjen, porse fatmirësisht Kosova është kyçur në programet ndërkombëtare PISA e TIMSS, të cilat pa hile dhe me besueshmëri e saktësi të madhe e tregojnë nivelin e arsimit kosovar.

E keqja është se ky rezultat nuk analizohet si duhet dhe nuk ndërtohen politika arsimore që do të sillnin përmirësimin e gjendjes. Bile edhe ato dy-tri studime që janë bërë janë ose të mangëta (p.sh., ka studime univariate, përderisa problemet e arsimit kërkojnë çasje multivariate), ose janë të nivelit të rezultatit të nxënësve të Kosovës në këto teste ndërkombëtare (p.sh., ka studime të Institutit Pedagogjik të Kosovës ku shkruhet se nxënësi i Kosovës nuk është në gjendje të mendojë në mënyrë abstrakte, e më pastaj në vet atë studim shkruhet se Kosova është ndër vendet me rezultatin më të dobët në Europë; jo, të jemi konkret, Kosova nuk është "ndër", por është vendi me rezultatin më të dobët!)

Kosova nuk ka nevojë ta shpikë ujin e ngrohtë; mjafton të përdorë mendjen e shëndoshë, të shikojë me saktësi gjendjen në terren, dhe të përdorë si duhet literaturën e madhe që bota prodhon për problemet e arsimit. Një ndër publikimet më të mira që analizojnë gjendjen bazuar në rezultatet e PISA-s, e që mund të shërbejë si literaturë për Kosovën, është përmbledhja Improving a Country's Education, redaktuar nga N. Crato.

Kjo përmbledhje prek disa çështje që janë në thelb të dështimeve të arsimit kosovar gjatë këtyre dekadave të fundit. Një ndër to është zhvendosja e mësimit nga njohuritë te kompetencat. Qysh në artikullin e parë të përmbledhjes shkruhet se vendet që i kanë përqafuar kompetencat si koncept përmbledhës të kurikulës kanë rezultate më të dobëta se vendet që ende e mbështesin shkollimin në njohuri. Bile, ky rezultat është mu në zhvillimin e kompetencave, gjë që e mat PISA. Pra, për të zhvilluar një nxënës kompetent, ai gjatë shkollimit duhet të pajiset me njohuri, e jo me pallavra të papërcaktuara me emra pompues, si kompetencë në komunikim; nxënësit duhet t'i mësohet gramatika!

Një çështje tjetër është nëse zhvillimi i pedagogjisë duhet përqëndruar te mësuesi apo te nxënësi. Publikimi dëshmon me qartësi të kristaltë që nxënësit duhen të udhëhiqen në mësim, sidomos kur është fjala për lëndët e shkencave dhe korrelacioni i rezultateve të mira me mësimin e udhëhequr nga mësuesi është ndër më dominuesit. Bile, artikulli dëshmon edhe një gjë me rëndësi për rrugën që e ka marrë Kosova në zhvillimin e arsimit: është shumë më e rëndësishme që gjatë mësimit të shpjegohet ndërlidhja e fenomeneve ndërmjet veti, pra analizimi teorik, se sa shpjegimi i rëndësisë së koncepteve shkencore për jetën. Kjo bie ndesh me atë që Kosova ka deklaruar se dëshiron të arrijë në arsim. Me fjalë tjera, përderisa Kosova dëshiron të përgatisë nxënës për jetën, studimi thotë se nxënësit i duhet shpjeguar fenomenet, e për jetën nxënësi ja qet në krye vet.

Me këto probleme nuk ballafaqohet vetëm Kosova, por edhe vende tjera. Shembull i mirë është Portugalia, rezultatet e së cilës kanë pësuar rënie pasi kanë adaptuar politika që janë të përafërta me ato të Kosovës (p.sh. çlirim në notim e testim, liri në planprogram dhe largim nga mësimi për të ditur drejt atij me kompetencë). Puna qëndron në atë se këto vende kanë mekanizma për analizë dhe përmirësim të gjendjes, ndërsa Kosova mbetet e zhytur në kënetën që ja ka bërë vetes.

Zhvillimi i arsimit në Kosovë gjithnjë është bërë duke pretenduar krahasime me vende tjera dhe ndjekjen e projekteve europiane. Shembulli i Estonisë ilustron për mrekulli se pse kjo rrugë e dërgon Kosovën në qafëthyerje. Mësimdhënësit estonezë ju kanë paraprirë reformave qysh para rënies së komunizmit dhe pavarësimit të vendit. Ata janë të përgatitur për mrekulli në lëndën që mbajnë dhe vazhdimisht vijojnë trajnime profesionale, e jo pallavra pedagogjike që s'i dinë as vet ekspertët trajnues të pedagogjisë në Kosovë. Për më tepër, ata që merren me çështjet e arsimit në Estoni kanë një karakter gjithnjë kritik ndaj gjendjes së arsimit në vend. Prandaj frytet e punës së tyre të nisur para sa dekadash vërehen sot në rezultatet e testimeve ndërkombëtare. Për dallim, Kosova është e mbushur me ekspertë të asgjësë, të cilët nuk janë në gjendje që të shkruajnë bile dy fjali shqip në Facebook pa gabime gjuhësore të fillores. Natyrisht që te kjo gjendje ka ardhur edhe nga intervenimi i politikës, e cila nuk ka arritur të nxjerrë një ministër/ministreshë që nuk gabon në përdorimin e gërmës ë. Me këso liderë të arsimit që nuk ja dinë hallin vetit, si mund të pritet një përmirësim i gjendjes në Kosovë? Shumë nga ekspertët e Kosovës janë të stërkënaqur me gjendjen ku janë, pavarësisht rezultateve, sepse ata nuk kanë synuar substancë, por formë dhe pozitë.

Edhe një shembull i formalitetit me të cilin bëhet shkolla në Kosovë është përgatitja e mësimdhënësve. Statistikat tregojnë që Kosova kalon shumë vende të botës për sa i përket kualifikimit të mësimdhënësve. Por, meqë rezultatet janë të mjera, s'ka përfundim tjetër pos asaj që titujt master janë vetëm formalë dhe nuk kanë kurrfarë substance ku mund të mbështeten. Kjo duhet të shkaktojë një shkundje të madhe të arsimit të lartë që përgatitë mësimdhënësit. Por, natyrisht që një gjë e tillë nuk ndodh, sepse do të shkaktonte prishje të rahatisë në të cilën e kanë gjetur veten profesorë të shumtë, të cilët në kushte të një zhvillimi normal mezi do ta meritonin postin e mësuesit, e lëre më të profesorit universitar.

Ndonëse recepti për daljen nga ky hendek është i thjeshtë - si u tha më lartë, - realizimi praktik është shumë i vështirë: ky kërkon njerëz me mendje të shëndoshë, me guxim dhe të pavarur, të cilët Kosovës i mungojnë me të madhe. Zëri i atyre dy-tre vetave që intervenojnë është i shurdhuar nga ekspertë të vetshpallur që nuk dinë as vet se çka propozojnë dhe gazetarë që merren me gjëra periferike, si për shembull luftimi i patriakatit dhe promovimi i lumturisë përrallore. Ajo që është edhe më ngulfatëse është koha e nevojshme për përmirësim: Kosovës do t'i duhen dekada për ta kthyer gjendjen për së mbari. Për t'u kthyer edhe një herë te rasti i Estonisë: ata kanë mësimdhënës me përvojë pune më të madhe se mesatarja e OSBE-së, prandaj meqë do të ballafaqohen me mungesë kuadri, kanë filluar trajnimin e mësimdhënësve të rinj. Kosova, ndërkohë, ka një numër të madh mësimdhënësish që kanë dalur rishtasi nga një shkollim joadekuat. Edhe nëse Kosova sot e kthen për së mbari përgatitjen profesionale të mësimdhënësve, do të duhet të kalojë kohë e gjatë derisa të pensionohen shumë nga këta që janë të cunguar në shkollim.

Ministria e arsimit në Kosovë duhet që një çast e më parë të ndërprejë praktikat e çmendura që i ka ndjekur qe sa kohë (e dini që MAShTI ka financuar dhe vazhdon të financojë "projekte shkencore" ku thehen ligjet e fizikës?) dhe të fokusohet në çështjet që janë të thjeshta dhe pa komplikime, si për shembull zotërimi në një nivel të mirë i gjuhës shqipe dhe i logjikës nga zyrtarët e vet, nga profesorët universitarë, si dhe nga mësimdhënësit. Se ku jemi, mjafton të shohim se çka bëjmë me germën ë, pa pasur nevojë të mërzisim PISA-n me budallakitë tona.