2021/02/22
Shkolla nuk t'bân njeri
Shqiptari i moçëm e ka filtruar me kohë mijëravjeçare urtinë shkolla nuk t'bân njeri. Problemi është që kjo urti shpesh nuk kuptohet, por edhe më shpesh thuhet se shqiptari nuk di gjë.
Një interpretim i mundshëm i asaj që shpreh shqiptari i moçëm është se shkolla nuk është kusht i mjaftueshëm për të bërë njeriun. Pra, duhet edhe diçka tjetër, si edukata familjare, karakteri personal, fati, e shtojsa tjera.
Një interpretim tjetër është që shkolla nuk është kusht i domosdoshëm, pra mund të bëhesh njeri për së mbari edhe po s'pate një certifikatë shkolle.
Nocioni shkollë nuk ka një definicion të thjeshtë. Përkundrazi, si nocion, shkolla ngërthen një mori kuptimesh e kërkesash të cilat shoqëria ia shtron dhe merr nga ai organizëm përmes të cilit i bart njohuritë për veten, rrethin, natyrën dhe botëkuptimet që i përvetëson, i pranon ose i refuzon. Por, përkundër këtyre bindjeve dhe metodave filozofike, pra që prihen drejt dijes, shkolla është - dhe ndoshta kryesisht është - organizëm burokratik, që fut njerëzit në kuti aftësie e mundësie për të përcjellë një dituri, për të kryer një punë, për të zënë vend në shoqëri.
Si shkolla, edhe njeriu nuk është një nocion që mund të përmblidhet me një definicion të thjeshtë: një njeri nuk e bën karateri, fati, aftësia, fiziku, e një listë e ngjashme atributesh, të marra në veçanti apo tërësi. Njeriu është edhe gjurma që lë, kryesisht me veprimet pozitive për të personalisht, por edhe për miqtë, rrethin, e njerëzimin.
Një copë mishi që mbështjellë kurrizin bëhet njeri atëherë kur me pjekurinë e vet arrin të imponojë karakter të fortë, t'u përballojë sfidave, të ndërtojë diçka të mirë, diçka që e pranon vet, por - më me rëndësi - ja pranon edhe rrethi. Kur piqet njeriu, pra kur kurrizin e mban drejtë, atëherë mund të thuhet se u bâ.