2021/02/21

Eksperimente të radhës me arsimin në Kosovë?

Në një postim, Albin Kurti, mandatar i mundshëm i qeverisë së ardhshme të Kosovës, paraqet diçka që mund të mendohet si politikë qeveritare për arsimin. Përpos zgjidhjeve periferike, si shujta falas e biblioteka më të pasura, posti paraqet edhe gjëra që e prekin në thelb arsimin, siç janë heqja e notave për nxënësit e fillores dhe përpilimi i një kurrikuli të ri.

Problemi me nota nuk është vet nota, por rëndësia që ia japim asaj. Nota shërben për të njoftuar nxënësin se sa e ka përvetësuar materialin e nevojshëm dhe nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Pra, ajo duhet të shërbejë vetëm si një informatë për nxënësin se ku qëndron ai në raport me lëndën dhe krahasuar me nxënësit tjerë.

Fatkeqësisht, shoqëria jonë nuk e mendon këtë punë kështu dhe e ka shndërruar notën në referencë për aftësitë e nxënësit. Për më tepër edhe vet mësuesit nuk e mendojnë notën si të tillë, sepse shumë nga ta e përdorin atë si monedhë për kusuritje. Pra, nota është shndërruar në një pasqyrë të cilës s'i zë kush besë.

Nëse nota hiqet, atëherë duhet të ndërtohet një mekanizëm tjetër që njofton nxënësin për gjendjen e tij në të nxënë. Ky mund të jetë një raport disa faqesh, me të dhëna specifike për të arriturat dhe mangësitë e nxënësit, si nga aspekti i lëndës e pedagogjik, poashtu edhe nga aspekti psikologjik. Por, sa do ta kuptojë nxënësi një raport të tillë, sa do ta lexojë prindi, sa do të jetë me vlerë për shoqërinë? Ndoshta do të ketë një mekanizëm tjetër, por posti nuk e sqaron.

Është e rëndësishme të ceket se arsimi i Kosovës u trondit - por pa u përmirësuar - nga notimi që mori në PISA dhe TIMSS. Nëse ndiqet logjika e eliminimit të notës, atëherë duhet hequr dorë edhe nga këto teste, të cilat janë të vetmit mekanizma të besueshëm për vlerësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë.

Propozimi tjetër ishte përpilimi i një kurikuli të ri. Kjo, për mua, paraqet eksperimentin e radhës me arsimin e Kosovës, gjë që e gjykoj të dëmshme. Kosova ka rreth 20 vjet që përpëlitet me formulimin e një kurrikule të re, e cila tashmë vonë ka arritur nëpër shkolla. Bile, as seria e parë e teksteve shkollore të bazuara në këtë kurrikulë nuk është përgatitur, ndërkohë që paraqitet ideja për kurrikulë të re. Këtyre lëvizjeve të shumta në sistem nuk do t'ju mbijetonte as edhe një sistem më i fortë arsimor, e lëre më ky i Kosovës, i cili regjistron vetëm situata të jashtëzakonshme në historinë e vet. Nuk e kuptoj se me sa mend propozohet ky ndryshim drastik, pa ju dhënë koha e nevojshme kurrikulës së tanishme për ta dëshmuar veten.

Natyrisht që nuk pres që dikush të shpalojë politikat arsimore të një vendi në një post të vetëm fejsbuku, por edhe kaq mjafton për të parë se rruga e nisur nuk duket e mbarë. Shtoja kësaj edhe përvojën e hidhur me arsimin që e ka ndërtuar Kurti, dhe çdo shenjë për optimizëm mbytet. Kur them përvojë e hidhur, mbështetem në dy momente kryesore: Së pari, Kurti, në ato pak ditë qeverisjeje, ja dha në udhëheqje ministrinë e arsimit një personi që jo vetëm nuk ka dëshmuar aftësi për t'u marrë me këto punë, por përkundrazi, ka dëshmuar aftësi për punë të mbrapshta dhe mungesë të dëmshme karakteri. Ka mjaftuar deklarata e ministres Bajrami rreth 5 milion eurove të shpenzuara për shërbime të pakryera për të futur qeverinë në lëvizje. Por jo, s'u lëviz as gishti i vogël. Së dyti, Kurti gjeti kohë të promovojë programin e UNICEF-it dhe Microsoft-it "Pasaporta Mësimore", platformë që i shërben kujtdo, por jo nxënësit a mësimdhënësit kosovar.

Tash Kurti këshillohet me Profesor Reimers që CV-në e ka të mbushur me këshillime për Kombet e Bashkuara e organizata të tilla globale. Nëse zgjidhja e problemeve të arsimit në Kosovë do të vinte nga ekspertë të tillë, Kosova sot do të ishte oazë shkolle, sepse politikat e tilla u provuan që nga koha e UNMIK-ut. Për më tepër, një lexim i shpejtë i literaturës së publikuar nga profesori në fjalë, dëshmon për ekspert e profesonalist të sloganeve, por pa substancë, e kjo është mu ajo që po e dëmton arsimin kudo. Për ilustrim: në vargun e problemeve që duhet adresuar për të ndërtuar një sistem të mirë edukimi për çështjet e klimës, profesori numëron edhe kontrollin e natalitetit të popullatës (Education and Climate Change). Ky alarm ka kumbuar viteve të 60ta, por u pa që s'kishte të bënte me realitetin. Numri i njerëzve në Tokë u rrit, problemi i ushqimit në parim u zgjidh, dhe asgjë nga ato parashikime ogurzeza që rritja e popullsisë do të sjellë nuk dolën. Shtoja kësaj edhe faktin se Kosova përballet me problemin e kundërt, pra me numër gjithnjë e më të vogël nxënësisht, dhe mbetem duke u pyetur se çka mund të mësojë njeriu nga profesori i nderuar.

Në librin Educating Students to Improve the World, Reimers shpalos programin e tij për të ndërtuar sistem edukimi global. Duke mos u marrë me problemin e kësaj ideje si të tillë, mendoj se realizimi i saj ose flirtimi me të është shumë i rrezikshëm për Kosovën. Problemet e Kosovës në arsim janë probleme lokale dhe ato kërkojnë zgjidhje vendore. E para e punës është të pastrohet ministria nga hajnat që e popullojnë. Mjafton të kryhet kjo punë, dhe zgjidhja e të tjerave do të rrjedh shumë më lehtë, përfshirë edhe problemet e pedagogjisë apo të zotërimit të germës ë nga shqiptarët. Kurti e pati dhe përsëri e ka mandatin popullor për këtë punë, por nuk jam i sigurtë nëse e ka vullnetin, diturinë apo fatin që ta bëjë.