2013/06/21

Sikur t'i kisha 100 k€

Në postin e mëparshëm e arsyetova me shumë fjalë qëndrimin tim kundër financimit të botimit Open Access të punimeve shkencore dhe kundër themelimit të revistave të reja me adresë Kosovën. Më shkurt mund të isha shprehur duke shkruar se
  • shkencëtarët nga Kosova kanë mundësi t'i bëjnë të hapura punimet e tyre pa shpenzime shtesë, dhe
  • shkencëtarët nga Kosova duhet të botojnë në revista të ngritura e të respektuara ndërkombëtare, dhe të mos e humbin mundin dhe kohën e çmuar në revista lokale.
Meqë një nga vetitë dalluese të kosovarëve është ta mendojnë veten në pozita në të cilat nuk janë dhe meqë edhe vet jam kosovar, syn i rezistova të fantazuarit se "çka do të bëja me njëqind mijë euro". Rrjedhimisht, në këtë post do t'i jap tri propozime për t'i shpenzuar 100 000 euro. (Uroj që të kem durimin dhe ngenë që t'i përpunoj këto propozime për aplikim vitin tjetër.)

1. Arkiva (repository) e Kosovës

MAShT përmes DShT mund (dhe duhet) të themelojë një arkivë online me punimet shkencore të financuara nga buxheti i Kosovës. Punimet duhet të jenë të hapura për të gjithë botën. Në këtë mënyrë, shkencëtarët nga Kosova ballafaqohen drejtpërdrejtë me komentet dhe vërejtjet e kolegëve të tyre të interesuar. 

Arkiva duhet të përfshijë edhe doktoraturat e dhëna nga institucionet publike në Kosovë (Universiteti i Prishtinës) apo të financuara nga buxheti i Kosovës, e kjo do të largonte menjëherë hijen e keqe që i ka rënë jetës akademike në Kosovë në lidhje me doktoraturat e dobëta apo plagjiaturat.

2. Revista popullarizuese shkencore

MAShT do të mund të financonte një revistë popullarizuese (të përmuajshme, jo të specializuar), me artikuj ekskluzivisht nga autorët e financuar nga MAShT dhe ku punëtorët shkencorë nga Kosova do ta shpjegonin punën e tyre. Sikurse e kam cekur edhe në postin e mëhershëm, komunikimi i specializuar me kolegët bëhet përmes botimeve në anglisht në revista ndërkombëtare, të cilat nuk pritet t'i lexojë qytetari i interesuar i Kosovës. Porse, një revistë popullarizuese do të ishte e mirëseardhur, sepse kam bindjen që qytetarët përgjegjës, gazetarët, dhe profesionistët tjerë do të mund ta përkrahnin, kritikonin dhe vlerësonin mirë punën shkencore.

Do të më pëlqente sikur kjo revistë (e llojit magazine, jo journal) të fokusohej në kultivimin e shkencës tek të rinjët (moshat 10 - 20 vjeçare), sepse kjo është mosha kur formohet ndjenja për shkencën. Si një shembull i mirë mund të shërbejë Matematičko-fizički list, që botohet në Kroaci, e që ka qenë udhërrëfyese e shkencës për shumë gjenerata nga Ballkani.

Si shembull i keq që nuk duhet ndjekur mund të shërbejë revista Mësuesi i Kosovës, që botohet nga MAShT, revistë e cila më shumë i përngjet albumit fotografik të ministrit se sa një botimi periodik me vlerë për mësuesit. Pa hyrë në detaje, vërej se në tre numrat e fundit, nga gjithsejt 85 foto, ministri Ramë Buja gjendet në 35 prej tyre, kurse shumica e fotove tjera janë stock photo librash, shkollash, nxënësish e fëmijësh, pa lidhje të drejtpërdrejtë me artikullin. Më duket se kjo revistë nuk shënon asnjë përparim krahasuar me Shkëndijën e moçme.

3. Honorariumi

100 000 euro mund të shpërndahen edhe duke ju dhënë honorar autorëve të punimeve të botuara në revista të mira ndërkombëtare. Mendoj se kjo formë është më stimuluese dhe konkurruese për botime të reja shkencore, se sa pagesa e botimit. Për më tepër, në këtë rast, të hollat do të mbeteshin në Kosovë, pra nuk do të shkonin në xhirollogaritë e shtëpive botuese botërore.

Duke lexuar për praktikat e dobëta vjet, uroj që sivjet situata të përmirësohet, edhepse mbetem skeptik.

2013/06/20

Shpenzime të (pa)nevojshme?

DShT i MAShT-it ka shpallur konkurs për grante shkencore, të ndarë në dy pjesë: grantet për projekte të vogla, me shumë të përgjithshme 150 000 euro (5 mijë deri në 10 mijë euro për projekt), dhe për publikime (botime) të punimeve shkencore, me shumë të përgjithshme 100 000 euro. Nga sa shkruhet në konkurs, nuk e kam të qartë nëse DShT do të përkrah botimin e punimeve të veçanta (sistemi Open Access), apo do të përkrah botimin e revistave shkencore me adresë Kosovën (në konkurs shkruan se "Për institucionet kërkimore-shkencore që konkurrojnë me revista shkencore të karakterit ndërkombëtar (që kanë redaksi ndërkombëtare dhe numra identifikues ndërkombëtarë (ISSN, etj.) afati i aplikimit zgjatet deri më 1 shtator 2013.")

Investimet e Qeverisë në shkencë janë për t'u përshëndetur, mirëpo mendoj se shpenzimet për botime janë të panevojshme, pa marrë parasysh nëse përkrahen punimet e veçanta apo revistat shkencore. Në vijim do ta arsyetoj këtë qëndrim, duke e marrë parasysh botimin e punimeve të shkencave natyrore dhe inxhinierike në revista a organe periodike - pra, ky gjykim përjashton botimet e librave apo përkthimet, si dhe punimet nga shkencat shoqërore, për të cilat nuk kam njohuri - por, edhe duke e pranuar se nuk i di qëllimet dhe arsyetimet e DShT-it për këtë financim. Indirekt, duke u bazuar në "Udhëzimet e Aplikimit për Fondet e Botimit të MASHT", mësohet se botimet financohen për "t'i bërë të disponueshme për një publik sa më të gjërë, duke i promovuar", e supozoj se një arsyetim i tillë vlen edhe për këtë çështjen në diskutim.

Konsideroj se botimi përbën një pjesë të rëndësishme të punës shkencore, të barabartë në vlerë me ndërtimin e hipotezave, eksperimentimin, analizën e të dhënave, e të tjera si këto. Por, nuk duhet harruar se botimi është elementi i fundit i ciklit të punës shkencore, pra vjen pasi që janë ndërtuar hipoteza, janë bërë eksperimente, e janë ndërtuar teori. Nga ana tjetër, leximi i punimeve të botuara përbën elementin fillestar në punën shkencore, sepse nga aty lindin idetë dhe mësohen metodat për të ndërmarrë një punë shkencore. Pra, problemi nuk është te botimi, por te pagesa nga mjetet e pakta të shtetit të Kosovës për të (po e zë si të vërtetë që në Kosovë lexohet literatura shkencore dhe prodhohet shkencë).

Ekzistojnë disa modele të botimit të punimeve shkencore. Modeli tradicional dhe dominues njihet si lexuesi paguan. Sipas këtij modeli, autori e dorëzon punimin, kurse shtëpia botuese e boton dhe promovon këtë punim. Zakonisht, qasja në punim mundësohet përmes bibliotekave, të cilat parapaguhen në revista. Shtëpitë botuese nuk e paguajnë autorin, si dhe i mbajnë të drejtat autoriale, edhepse ato janë shumë fleksibile dhe i lejojnë autorit të drejtën për ta postuar punimin në arkiva (repositories), si psh në arkiva qendrore globale (arXiv, PubMed Central), në arkiva të universiteteve, apo edhe në faqet personale të autorëve. Gjithashtu, autorit zakonisht i lejohet përdorimi i materialeve nga punimi për ripërdorim në punime të tjera a përmbledhje monografike. Revistat më prestigjioze dhe më serioze e ndjekin këtë model.

Me zhvillimin dhe masivizimin e Internetit filloi të shfaqet edhe një model i ri, i njohur si autori paguan. Sipas këtij modeli, autori e paguan shtëpinë botuese për t'ia botuar dhe promovuar punimin, kurse lexuesi ka qasje falas në punim (Open Access). Zakonisht, autori i mban të drejtat autoriale. Në të shumtën e rasteve pagesa e botimit bëhet nga fondet e projektit apo nga institucioni ku punon autori. Motivet e autorit për ta paguar botimin e punimit janë të ndryshme, mirëpo ato kryesisht konsistojnë në përhapjen sa më të gjërë e më të shpejtë të punimit, që rezulton në ngritjen e ndikimit të punës shkencore të autorit, apo në arritjen e normave-kuotave të punimeve të botuara nga autori (ky motivi i dytë zakonisht vlen për profesorë universiteti, të cilët mund të avancohen vetëm nëse kanë një numër të caktuar punimesh për vit, pa marrë parasysh cilësinë).

Për momentin, duket se e ardhmja e botimeve të punimeve shkencore po shkon drejt adaptimit të modelit të dytë, pra ku autori paguan, edhepse një dozë e lartë dyshimi në suksesin e vazhdueshëm të këtij modeli është prezente. Shumë shtëpi botuese që punojnë me seriozitet dhe që botojnë punime të nivelit të lartë, e kanë adaptuar edhe modelin ku autori paguan, paralel me metodën tradicionale të botimit. Disa botues tjerë punojnë vetëm në modelin Open Access, kurse një numër jo i vogël mashtruesisht e kanë gjetur në këtë model mundësinë për t'i zhvatur do pagesa nga autorët mendjelehtë (shih psh http://scholarlyoa.com/ ku diskutohen në hollësi këto probleme). Rezistenca kryesore ndaj mënyrës së botimeve Open Access fokusohet në korruptimin e shtëpive botuese, që rezulton në cilësinë e dyshimtë të punimeve.

Për momentin, Kosova lë shumë për të dëshiruar në shkencë dhe në botimin e punimeve shkencore. Revistat që botohen në Kosovë, si Kërkime i AShAK, bëhen një herë në vit, me mangësi jo vetëm teknike, dhe nuk janë të hapura për lexim pa parapagim. Kosova nuk figuron në listën e vendeve të indeksuara nga SJR, kurse kërkimi në Scopus apo në Thomson Reuters jep më pak se 1000 punime me adresë Universitetin e Prishtinës (supozoj që UP është bartësi kryesor i hulumtimit shkencor në Kosovë). Detajet për gjendjen e mjerë të punës shkencore që bëhet në Kosovë gjenden në punimin e M. Osdautajt Gjendja e hulumtimit shkencor në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, Kumtesat nga Konferenca Vjetore "Java e Shkencës 2012", ku shkruan se Kosova qëndron prapa të gjitha vendeve të rajonit si për nga cilësia, ashtu edhe për nga sasia. (Kjo përmbledhje është edhe një shembull i punës ad hoc që bëhet me botimin e punimeve shkencore: redaktori i përmbledhjes mirret edhe me detaje teknike të botimit, si përpunimi i kopertinës, edhepse më duket se nuk është dizajner profesionist.)

Shpenzimi i 100 000 eurove për botimin në formë të hapur të punimeve shkencore nuk garanton përmirësim të punës shkencore. Por, edhe sikur të vlente e kundërta, shumë shtëpi botuese që botojnë revista serioze në Open Access ju mundësojnë botimin pa pagesë shkencëtarëve nga vendet e varfëra, ku gjithsesi bën pjesë edhe Kosova; pra, Kosova mund dhe duhet të përfitojë nga subvencionimet e mundshme, në vend se të financojë sistematikisht botimin. Nga ana tjetër, një llogari e thjeshtë thotë se shuma e ndarë mjafton për botimin e 50 - 100 punimeve në revista të kalibrit superior, përderisa nga Kosova në tërësi dalin rreth 200 punime në vit (sipas M. Osdautaj, në kumtesën te Java e Shkencës 2012, edhepse kjo shifër më duket shumë optimiste). Pra, druaj se këto mjete do të shpenzohen për botime në revista me cilësi të dyshimtë (ka autorë nga Kosova që kanë rënë pre e shtëpive botuese diskutabile), e që si rezultat do ta kenë vetëm plotësimin e normës së punimeve të botuara, pa një përfitim thelbësor shkencor.

Edhe nëse konkursi është hapur për të financuar botimin e revistave me adresë në Kosovë, mendoj që vërejtjet kundër janë më të fuqishme se arsyetimet pro këtij veprimi. Në Kosovë ka disa revista shkencore, si Kumtesat e AShAK apo revistat e shtëpisë botuese Ilirias, por cilësia apo mbarëvajtja e tyre është shumë e dobët. Këto botime nuk dëshmojnë aq për punën shkencore, por më tepër për një inercion (Kumtesat) apo dëshirë (Ilirias), dhe karaterizohen me mungesa profesionalizmi (psh, redaksia e Kumtesave e ruan të drejtën që të mos e arsyetojë refuzimin e botimit, kurse Ilirias nuk ka më shumë se 100 punime në shtatë revistat që i boton që më se dy vjet). Nëse këto revista kanë vështirësi, çka do ta arsyetonte themelimin e një reviste të re?

Përvojat nga rajoni janë të ndryshme, por kryesisht vërehet se alternativa e botimit në revista ndërkombëtare preferohet para botimit në revista vendore. Shembujt nga rajoni që ilustrojnë botimet me hile janë të shumtë. Para disa kohe u vërejtën disa dallavere me botime në mes të një shtëpie botuese në Bosnje e Hercegovinë dhe shkencëtarëve nga Serbia, kurse shtëpia botuese InTech nga Rijeka ka bërë nam për të keq dhe gjendet në top-listat e botuesve me cilësi diskutabile.

Edhe shkencëtarët shqiptarë kanë tentuar të organizojnë botime shkencore. Instituti Alb-Shkenca, që mbledh një numër të madh studiuesish shqiptarë, boton dy revista shkencore: Aktet (revistë vjetore e specializuar) dhe ANASH (revistë vjetore popullarizuese, por që nuk botohet që nga 2011). Është bindja ime se që të dy revistat kanë dështuar të kenë ndikim në avancimin dhe shqyrtimin kritik të shkencës. Mirëpo, jam i hapur për një diskutim të vlerës së këtyre botimeve, sepse do të doja që ta kem gabim. Nga ana tjetër, FShN i Universitetit të Tiranës e ka gjetur një zgjidhje për të bërë të njohur punën e vet duke i vënë buletinet haptazi në Internet bazuar në platformën e Google, e cila nuk besoj se kushton shumë.

Si një shembull pozitiv i praktikave botuese serioze nga rajoni mund të shërbejë Croatian Medical Journal, revistë e cila i ka kaluar kufijtë rajonal dhe ka arritur ta ruajë integritetin dhe cilësinë shkencore përkundër turbulencave të shumta (këshilli botues ka qenë nën trysni të mëdha nga departamentet e universiteteve që të pranojnë për botim punime, në mënyrë që autorët të arrijnë normën e nevojshme të botimeve). Shtrohet pyetja se a mund t'u rezistojnë presioneve të ngjajshme botues nga Kosova.

Një zhvillim të ri paraqet shkrirja e revistave shkencore. Për shembull, revista solide Fizika A, bashkë me shumë revista tjera nga Europa Qendrore, është shkrirë në publikimin e ri EPJ, kurse Fizika B është shuar tërësisht. Pra, duke e vërejtur këtë trend, cili mund të jetë arsyetimi i themelimit apo përkrahjes së një reviste shkencore nga Kosova?

Përmbledhtas, përderisa botimi serioz i punimeve të respektuara shkencore bëhet në nivel ndërkombëtar (dhe në gjuhën angleze), inicimi i botimeve lokale apo me qendër në Kosovë nuk duket se ofron një alternativë që duhet përkrahur: shkencëtarët nga Kosova kanë mundësi të zgjedhin një numër të madh revistash të ngritura ndërkombëtare për t'i botuar punimet e veta, kurse shkenca në Kosovë nuk do të përfitonte nga përvojat botërore përmes themelimit të një reviste lokale tash.