2022/04/12

Çfarë ere po vjen?

Paska përfunduar procesi i vlerësimit të dorëshkrimeve për tekste shkollore dhe dorëshkrimi me të cilin kam marrë pjesë në bashkautorësi me profesorin Rasim Bejtullahu e kolegë tjerë dhe i përgatitur për botim nga Libri Shkollor qenka vlerësuar me notën 3.00, që është pragu i kalimit. Kjo do të thotë se ato shkolla që duan mund ta përdorin këtë libër për mësim.

Megjithatë, jam shumë i pakënaqur me procesin e zhvilluar. Kam qenë i njoftuar para më shumë se tre-katër muajsh se vlerësimi është duke u bërë me hile. Nuk kam dashur të besoj, edhepse përvoja më mësonte për të kundërtën. Tek kur u njoftova se në procesin e vlerësimit të dorëshkrimeve është angazhuar edhe Rashit Maliqi u binda se procesi s'është i mbarë. Ky ka qenë recensent edhe për librin tonë të klasës së dymbëdhjetë dhe recensioni i tij, thënë më së buti, ka lënë shumë për të dëshiruar (për këtë punë kam shkruar para një muaji, shih këtu). Është e pakuptueshme se pse angazhohet në tri konkurse ky njeri për të na kontrolluar dorëshkrimin, përderisa duket sheshazi se fizika që dimë ne dhe ajo që shfrytëzon ky nuk përputhen fare (me fjalë tjera, ky është i shkollës së fizikës kosovare që e rrëzon Ajnshtajnin).

Ajo që është me rëndësi është të theksohet se ne, në përgjigje të recensionit të tij, kemi kërkuar që ky person të mos angazhohet më në këtë detyrë, sepse puna e tij tregonte se nuk merrte vesh nga fizika. Meqë na u kërkua, ne edhe e protokolluam kërkesën tonë dhe ajo mund të gjendet me numër protokolli Nr. 02/1K 1329, 4 gusht 2021. Kurrë s'kemi marrë përgjigje nga MAShTI, edhepse rregulli e kërkon një gjë të tillë.

Angazhimi i Maliqit për këtë punë është bërë me një qëllim të vetëm: të bëhet me hile! Ka kohë që më thuhet se konkursin do ta fitojnë Dukagjini si i pari e Albasi si i dyti, gjë që edhe ndodhi. Tash MAShTI paska vendosur t'i aprovojë komplet katër libra të fizikës, sasi e lakmueshme kjo edhe për vende që kanë qindra milion banorë e traditë të mirëfilltë në shkencë.

Ja pra, edhe pas sa e sa reagimeve, fitues konkursesh në Kosovë janë ata që shkruajnë se metri është shipkë, se ecja mbi qilim shkakton alivanosje, se lëvizja drejtvizore është e lakuar, etj etj... Kjo punë mundësohet nga angazhimi i recensentëve si çifti i Maliqit, i cili nuk di të tregojë se a është libri në pajtim me programin a jo, dhe aprovimi i bërë nga ministrat si çifti i Bytyqit e Nagavcit, kualiteti i punës të së cilëve nuk po paraqet asnjë dallim.

Gjatë dy javëve të ardhshme shtëpitë botuese do t'i marrin raportet e recensionit dhe do të kem mundësinë të shoh saktësisht se çfarë vërejtje kanë pasur recensentët në punën tonë. Të shohim se çka do të dalë nga kjo punë. Në krye të punës dhe kur u kuptua se ajo nuk po zhvillohet si duhet, profesori Rasim shpesh ma përmendte se donte ta tërhiqte librin nga konkursi. Ndoshta ky paska qenë veprimi i duhur. Tash shtëpitë botuese e kanë të drejtën e ankesës në MAShTI, por nuk jam i sigurtë nëse do të mund të argumentoj për ta ndjekur këtë rrugë, kjo për arsye se MAShTI ka dështuar të na përgjigjet në vërejtjet e konkursit të kaluar. Pra, nuk mund të argumentoj se komunikimi me MAShTI-n është i frytshëm. Në këtë rast na duhet të trokasim në dyer tjera për të kërkuar të drejtën.

Gjithsesi, për t'iu përgjigjur pyetjes së titullit, bazuar në një sllogan "të lodht" që përdoret poshtë e përpjetë, e vetmja gjë që mund të them për këtë proces është se po i vjen era ndyrësi! Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa po njoftohem me gjëra që duhet të jenë të fshehta, përderisa po e di rezultatin ende pa u përfunduar vlerësimi, përderisa angazhohen njerëz që nuk dinë fizikë, por votojnë për miq e jarana. Shih anomalinë e procesit: një bashkëfshatar ja bën recensionin dorëshkrimit të kojshisë nga fshati. Por, le të jetë e qartë: siç e thotë për mrekulli ligji, faji mbetet te ministria e arsimit, sepse ajo është organizatore dhe kujdestare e këtij procesi. Edhe një herë: ministrat e kaluar kanë aprovuar tekste ku shkruan se vala ka masë, se zëri është madhësi fizike, se fraktalet duken më qartë pas çdo zmadhimi, e të ngjashme. Kurse ministrja e çastit nuk ju ka mbetur borxh aspak: ajo aprovoi libra ku shkruan edhe se currili që del nga shiringa ka shpejtësi 2 km/s! Të shohim se çfarë mrekullish do të sjellin këta librat e rinj, çfarë ligje të natyrës do të thehen tash.