2022/10/03

Etër, Shqipëria dhe ngërçi në fizikën teorike

Ndodhi rastësisht që lexova një pas një dy libra shkencor-popullarizues: The Science of Can and Can't: A Physicist's Journey Through the Land of CounterfactualsChiara Merletto-s dhe Before the Big Bang: The Origin of Our Universe from the MultiverseLaura Mersini-Houghton-it. Edhepse trajtojnë tema të pangjashme - por, gjithsesi në kuadër të fizikës teorike - librat kanë paralele të shumta.

Së pari, që të dy autoret janë frymëzuar nga etërit e tyre dhe kjo theksohet dukshëm në të dy librat. Ky fakt dëshmon për rolin kyç që ka familja në edukim, gjë më duket se nuk përmendet sa duhet në historinë e shkencës apo në çështjet që kanë të bëjnë me shkollën.

Libri i Marletto-s është një pasqyrim popullarizues i idesë së ndërtuar nga David Deutsch e autorja për të shpjeguar fizikën përmes përmes pohimeve që shprehin të mundshmen, e jo të domosdoshmen, pohime që deri në një përkthim më të përshtatshëm do të mund të quhen kundërfaktuale a kundërfaktike (në anglisht couterfactuals, në italishten amtare të autores controfattuali). Një situatë që mund të përshkruhet sipas idesë së autores është gjendja e një kompjuteri, në të cilin janë caktuar qarqet që kanë vlera 0 e 1 (nuk rrjedh apo rrjedh rryma elektrike). Fakti që kompjuteri ka një gjendje të caktuar nuk zbulon asgjë më të thellë për punën e tij, pos paraqet një matje të çastit. Të shprehurit e gjendjes dhe mënyrës së punës së kompjuterit me pohime kundërfaktuale, nga ana tjetër, do të mundësonte paraqitjen e të gjitha informatave që mund t'i bart kompjuteri, por edhe do të paraqiste kufizimet që ja pamundësojnë kompjuterit të bëjë llogari të pamundura.

Fizika konvencionale bëhet duke u mbështetur në ato pohime që njihen si ligje të fizikës, e të cilat paraqiten si ekuacione të lëvizjes. Sipas autores, këto pohime janë shumë të kufizuara dhe e cungojnë të menduarit e gjërë a të thellë në fizikë. Ajo shprehet se të bërit fizikë vetëm duke pasur parasysh ligjet e lëvizjes dhe kushtet fillestare kufizon të kuptuarit fundamental të realitetit. Si ilustrim, të cilit i kthehet shpesh, ajo përmend pamundësinë e ndërtimit të perpetum mobile-s, që shprehet jo përmes një ligji të lëvizjes, por përmes një pohimi kundërfaktik. Rrjedhimisht, me pohime të këtij karakteri, autorja shprehet fuqishëm se do ta ndërrojë fizikën.

Idjea e të shprehurit të njohjeve që kemi për natyrën në një formë alternative nga ato që i përcjell studimi i fizikës është intriguese dhe ajo që provon të përcjellë autorja paraqitet si një risi në fizikë. Megjithatë, libri nuk më bind. Shtyllë e argumentimit të saj është heqja e kufizimit që i bëhet përshkrimit të natyrës vetëm përmes ekuacioneve të lëvizjes dhe zgjerimi i përshkrimit apo zhvillimit të teorive edhe përmes kundërfaktualeve. Por, një gjë e ngjashme është provuar në fizikë, si për shembull, vetë ndërtimi i termodinamikës së shprehur përmes madhësive shfaqëse (emergjente), si temperatura e shtypja, pa u thelluar në ekuacionet e lëvizjeve të përbërësve themelorë që ndërtojnë sistemin teromdinamik në shqyrtim. Pyetja që lind është nëse teoria e termodinamikës është fundamentale apo ka një teori më të thellë dhe përgjigja është se ka një teori më të thellë nga e cila mund të përfitohet termidinamika, e ajo është teoria kinetike e molekulave. Në kundërshtim me atë kah na prin Marletto, teoria kinetike e molekulave bazohet në trajtimin statistik të ekuacioneve të lëvizjes së pjesëve përbërëse të sistemit termodinamik.

Marletto provon që të futë informatën si madhësi fizike që e bën të nevojshme trajtimin përmes kundërfaktualeve, por trajtimi i saj është i bërë shkel e shko dhe më habit në shumë situata. Gjatë leximit, shpesh fitova përshtypjen se autorja nuk bën dallimin në mes të informatës si diçka jomateriale nga materiali se ku ruhet ajo informatë. Bile, ajo e përkufizon diturinë si diçka që mishërohet, pra materializohet, në sistem fizik. Me këtë ajo me një kërcitje gishtash e "zgjidhë" metafizikën, e bën materiale botën e ideve. Por, ta bësh një punë të tillë pa trajtuar fusha dominuese e të pakapërcyeshme si gjuha a matematika, sa për të përmendur dy shembuj - bile edhe sipërfaqshëm - më duket punë gjysmake.

Një vërejtje tjetër që dua ta shënoj është se edhe fizika konvencionale ka raste kur i përdorë ato që autorja i paraqet si kundërfaktuale. Koni dritësor është diçka e tillë, sepse e tregon mundësinë apo pamundësinë e lidhjes shkakore në mes të dy ndodhive në hapësirëkohë. Përdorimi i këtij kundërfaktuali bëhet vazhdimisht, por nuk është se shpie te njohje më fundamentale të natyrës. Autorja e shpreh disa herë pa një kujdes të nevojshëm se kundërfaktualet do të bëhen gjuha e përshkrimit të natyrës, thuajse mbaroi matematika.

Përmbledhur, Marletto përmes këtij libri do të tregojë diçka të madhe, të bëjë revolucion në fizikë, të ndërrojë paradigmat, por nuk më bind. Libri më la përshtypjen se autorja ka diçka për të thënë, por kjo nuk u përcjell. Pengesë për këtë nuk është vetëm stili i autores, vende-vende prepotent, apo gjuha e saj e palatuar. (Në kreun e parë autorja shkruan se ligjet e fizikës e dekretojnë lëvizjen e planetëve, thuajse këto ligje janë agjentë veprues!) Problemi kryesor më duket se qëndron te ngutia për të paraqitur në formë popullarizuese diçka që ende nuk është pjekur sa duhet në forumet e fizikanëve. Mendoj se ideja që fizika të ndërtohet përmes kundërfaktualeve duhet të diskutohet thukët e me kujdes, të shoshitet imët nga profesionistët, përpara se të popullarizohet, sepse në formën e paraqitur në këtë libër nuk është as filozofi e keqe.

Libri i Mersinit, nga ana tjetër, ndjek një rrugë konvencionale të të paraqiturit të fizikës, pra nuk kërkon që ta ndërrojmë mënyrën se si e shohim e bëjmë fizikën. Autorja nuk paraqet një peizazh të ri të fizikës, por e zgjeron atë që e ka parë bota deri tash, e zgjeron kanvasin e natyrës mu te pjesa më delikate e saj, te Big Bang-u.

Libri, në fakt, paraqet gati një autobiografi shkencore - e jo vetëm - të autores dhe idenë e saj për multiversin si shpjegim për vetitë e universit në të cilin ndodhemi. Bile, si rrallë në libra që shqyrtojnë këta kufinj të zhvillimit të fizikës teorike, autorja e vë eksperimentin (vrojtimin për këtë rastin e kozmologjisë) në piedestal të aprovimit të një ideje në fizikë dhe e përmend me krenari prezentimin e saj në një konferencë shkencore pasi vrojtimet nga vrojtuesi hapësinor Planck kishte konfirmuar atë që autorja kishte parashikuar më parë përmes llogarive matematikore.

Vërtetimi nëse qëndron kjo teori e propozuar nga Mersini, e cila është një në mesin e shumë varianteve, ende nuk është bërë. Bile, zërat që kundështojnë multiversin janë ku e më të fuqishëm e më të arsyeshëm. Edhepse në fund të leximit të këtij libri e pata një ide më të afërt a më të kapshme për multiversin se sa kam lexuar deri tash - e për këtë temë kam lexuar shumë pak - megjithatë nuk bindem dhe shpesh më duket se bëhet fjalë për lojë me definicione. Ja, për shembull, ky libër tregon se multiverset janë pjesë të izoluara të kozmosit, i cili megjithatë mbetet një dhe i vetëm.

Stili me të cilin Mersini e ka shkruar këtë libër është tërheqës, bile për mua si lexues shqiptar, një lexues që i ka takuar personalisht disa personazhe që përmend autorja, përfshirë edhe vetë atë. Paralelja që autorja tërheq përmes jetës së saj në Shqipërinë komuniste e lehtëson pranimin e ideve të vështira për t'u pranuar, absurdet që s'i kap arsyeja. Me një fjalë, mu duk thuajse autorja thotë: përderisa janë të vërteta këto që i kam jetuar në një vend të globit, vend që arrihet për dy-tri orë fluturim nga cilado qendër e Europës, pranoni si të vërteta edhe teoritë në të çuditshme për Gjithësinë. Por, rrahja e argumentit përmes parimit kopernikan, pra, se nuk jemi qendra e botës, rrjedhimisht as univers i vetëm, s'e bën më të pranueshme punën e paraqitur.

S'është që s'mund t'i gjenden vërejtje librit. Sa për ilustrim, një gjë që ma pengoi rrjedhën e leximit ishte shpjegimi i shpeshtë i numrit të zerove pas shenjës decimale të një numri me eksponent; nëse lexuesi i këtyre tematikave nuk i di numrat në fuqi, nuk ka çka ta lexojë këtë libër. Ose, më thellë, edhe në këtë libër e gjej ilustrimin e lëkundjes së hapësirës nga masa përmes vendosjes së sferave në një pëlhurë të ngrehur: shih, ky ilustrim që provon ta shpjegojë gravitetin vlen vetëm kur ka gravitet, përndryshe, si do të lakohej pëlhura e vendosur në hapësirën ndërplanetare? Por, përkundër këtyre detajeve, libri është i shkruar me mjeshtëri dhe ka episode joshëse që mendoj se e kapin fuqishëm vëmendjen e lexuesit, sidomos ato lidhur me rritën dhe shpërthimin shkencor të autores dhe jetën e babait të saj.

Një mesazh i qartë nga të dy librat është se fizika teorike, bile ajo që merret me problemet fundamentale, është në krizë. Kjo është pohuar moti edhe nga shumë tjerë, e këta dy libra e përforcojnë këtë edhe nga aspekte tjera. Shpesh fizikanët bëjnë humor me shterpësinë e punës së filozofëve, por më duket se së shpejti diçka e tillë do të thuhet edhe për fizikanët që problemet fundamentale duan t'ia përcjellin lexuesit joekspert. Ndoshta është natyra e mediumit, pra e librit popullarizues, që e bën të pamundur përcjelljen e ideve nga fizika fundamentale, e cila në fakt është thelbësisht matematike përnga natyra dhe gjuha është e cungët për ta transmetuar, gjë e njohur qysh më se një shekull, kur formulimi i mekanikës kuantike i rezistonte gjuhës. Një ndjenjë të tillë e fitova edhe për tema të domenit të fizikës klasike, si për shembull lidhur me ligjin e dytë të termodinamikës: përderisa Mersini e paraqet këtë ligj si një ndër fundamentalët dhe më të fuqishmit për përshkrimin e natyrës, pra si pikë mbështetëse për zhvillimin e teorisë së multiversit, Marletto, ndonëse pohonte se ligji është i rëndësisë primare, përcillte vërejtjen se ky ligj mbetet diqysh si i paplotë dhe me mundësi të ndryshme interpretimi, pra, ka nevojë për rishkrim. Me fjalë tjera, fizika teorike nuk e ka përmbyllur në fundament interpretimin e një ligji klasik, e lëre më për të diskutuar gjëra që shkundin themelet e njohjes. (Kur shkruaj për interpretim në fundament nuk kam parasysh zgjidhjen e problemeve, por të kuptuarit e tyre. Sa për ilustrim, ekuacioni i Navier-Stokes-it mbetet i pazgjidhur, edhepse ai kuptohet qartë nga të gjithë që kanë mësuar pak fizikë e matematikë.)