2022/02/09

Bazamenti kosovar për një program shkence

Ditën e themelimit të KKSh-së, kur u prezentova, thashë se përshtypja ime për shkencën e bërë në Kosovë është shumë e zymtë. Bile, thashë se Kosova nuk bën shkencë, por anti-shkencë. Po shpjegohem më në detaje lidhur me këtë.

Nuk mund të pritet - dhe besoj që askush nuk pret - që Kosova të jetë ekselente në shkencë, sepse rrethanat historike të vendit janë të atilla që e bëjnë punën shkencore më tepër një luks se një nevojë shoqërore apo ekonomike. Bile, kjo mund të konstatohet edhe për shkencat albanologjike, që janë ku e ku më të afërta me përditshmërinë e qytetarit të Kosovës, e lëre më për ato të natyrës a inxhinierisë.

Megjithatë, askush nuk e ka menduar që institucionet e Kosovës, këto që punë e kanë shkencën, të arrijnë në këto nivele të turpshme që i zënë në sferën e tyre të veprimit. Këtë gjendje mund ta konstatojë kushdo që i ka sytë hapur. Rezultatet e mjera në arsim, skandalet e shpeshta në universitete, dokumentet e turpshme që kanë adresë institucionet e Kosovës, nuk janë përjashtime të rastit, por paraqiten me një rregullshmëri të frikshme. Që gjendja të jetë edhe më e keqe, për këto nuk reagon kush.

Mund të fillojmë nga Akademia, si institucioni më i lartë i shkencës, veprimtaria e së cilës do të duhej të ishte e interesit të veçantë publik. Kjo Akademi rishtas ka prodhuar dokumente që në rastin më të mirë do ta skuqnin një njeri që i lexon. Në dokumentin për energjinë Akademia e shpalos injorancën e vet dhe dëshmon që nuk e di se a importon apo eksporton Kosova energji elektrike, e lëre më që të analizohen më thellësisht politikat e nevojat teknologjike për këtë sektor. Platforma e Akademisë për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë është një dokument tjetër i turpshëm, i cili jo vetëm që i gjen fajtorët kudo për gjendjen e mjerë të shkollës shqipe, pa asnjë vetëkritikë të domosdoshme, por është edhe dokument i rrezikshëm, sepse shtrembëron historinë e Kosovës së viteve të 90ta. Konkretisht, ky dokument pretendon se Serbia e Milosevic-it ka bërë segregacion. Jo, kjo nuk qëndron! Për t'iu shpjeguar këtyre akademikëve, segregacioni, sado i dënueshëm si praktikë, megjithatë është pjesë e ligjit. Kurse nxënësi kosovar i asaj kohe nuk ka qenë i ndarë, por i përjashtuar, i shpallur i paligjshëm. Pra, le ta mësojnë akademikët se shkolla paralele shqipe ka qenë shkollë ilegale.

Ju rikujtoj se do akademikë që i kanë nëshkruar këto dokumente i kemi në Këshill që do t'i japë vijë shkencës në Kosovë.

Si mund të pritet shkencë nga kjo Akademi, e cila gjërat elementare i merr dallash? Jo, nga kjo Akademi mund të pritet vetëm mbrapshti, gjë që me të vërtetë ndodh. Ja, për shembull, pyetem se cili mund të jetë motivi apo interesi i përkrahjes që Akademia ja jep studimeve specifike për telekomunikacion, pa asnjë konkurs apo strategji të shpallur nga ky institucion që do të duhej t'i printe dijes në vend. E vetmja përgjigje e arsyeshme që kam është: këto studime përkrahen sepse nëna akademike përkrah çikën studiuese.

Pos Akademisë, dështimi që të qorron e ka ndërtuar folenë edhe në universitetet publike të vendit. Nuk do të ndalem te ato që janë bërë për nevoja politike në çdo cep të Kosovës, e me të cilat bën humor çdo i ngeshëm që pi kafe në çarshi. Do ta komentoj shkurtazi punën e Universitetit të Prishtinës, universitetit më të madh në vend, institut që gllabëron pare të madhe nga xhepi i varfër i kosovarit, pa dhënë asgjë të hajrit. Këtë universitet e kanë ndjekur skandalet historikisht, por gjer vonë rrethanat politike ja kanë mbuluar nevojën. Por, këto dy deceniet e fundit janë përcjellur me skandale që politika më nuk mund t'i mbulojë. Ju kujtoj demonstratat e mëdha popullore që u përkrahën nga i madh e i vogël, nga i brendshëm e i jashtëm, nga i drejti e i shtrembëri, kundër punimeve e titujve falso në këtë universitet. Dhe, cili është rezultati? Universiteti formoi Këshillin e Etikës, që pa pikë etike e përfundoi rastin pa asnjë heqje titulli, edhepse e Vërteta dhe e Drejta e kërkonin një veprim të tillë.

Dhe, kështu, me këta pretendon Kosova të bëjë shkencë?

Karshi universiteteve publike kemi ato institucione të arsimit të lartë apo kolegje apo - si është termi i lejueshëm sot? - do të thotë, ato privatet, të cilat ku me sukses e ku pa të, ku me hile e ku pa hile, kanë arritur që të stabilizohen disi, edhepse dallgëve të intervenimit të pareshtur e të pakontroll të shtetit është vështirë t'i qëndrojë kush. Rezultati është që këto institucione kanë performancë më të mirë se ato publike, përkundër stërkëmbëseve për privatin e përkrahjen blanko për publikun. Gjendja e tillë evidentohet tash, por është dëshmuar edhe shumë më herët. Ju ftoj që ta lexoni një punim të shkëlqyeshëm të profesorit Ridvan Peshkopia, botuar në Policy Futures in Education qysh më 2014, ku shumë qartë shpjegohet kjo gjendje, dhe atë jo vetëm në kontekstin e Kosovës, por të të gjithë Europës Lindore. Me një fjalë, me gjendjen e sotme befasohet vetëm ai që s'ka dashur të shohë, apo që ka pasur interesa tjera nga ato të të qytetarëve.

Kosova shënon shembuj të punës së shkëlqyeshme. Nuk e di se sa ka nevojë të përmendet që Kosova është vendi që ka kampione olimpike serike, apo që ka artistë që ja kanë zbardhur fytyrën vendit në botë, apo që ka një popull punëtor e të urtë, që i mban akademikët, profesorët, intelektualët dhe njerëzit e mendjes në piedestal. Edhe në sferat e afërta me shkencën e akademizmin ka shembuj të mirë. Kujtoj punën e mirë që bëjnë gjimnazistët në matematikë, apo entuziastët e IT-së, të cilët e kanë vendosur vendin në hartën e botës. Por, duhet të jemi të qartë: suksesi i tyre vjen përkundër e jo për shkak të (mos)përkrahjes institucionale. Ata janë përjashtimi që dëshmon rregullin e mbrapshtë që është ndërtuar në vend. Ja, kujto që matematikani më punëtor në vend nuk e ka fakultetin e kryer, apo që fizikani shqiptar me produktivitetin kulminant global ka ikur pa mend në kokë nga shkolla e Prishtinës dhe u shkollua në maqedonisht. Kjo është shkolla që është ndërtuar dhe që refuzohet nga të zotët, në këtë sfond ne duhet të mendojmë të bëjmë një program për shkencën e vendit.

E para e punës që duhet të bëjmë është të kuptojmë se sa keq i kemi punët, se kemi dallaverxhinj e njerëz të poshtër në mesin tonë, njerëz që duan çkado, pos të mirën e vendit. Për këtë mund të dëshmoj edhe nga përvoja personale, por jo, besoj që mjafton të them se në një kohë kur vendi ka dështuar të adaptojë një seri tekstesh shkollore për filloristë e gjimnazistë pa një kamion gabimesh shkencore, është përrallë me mbret të synosh të bësh shkencë konkurruese; e gjitha që do të duhej të synonim është që gjatë këtyre pesë vjetëve të programit shkencor të shënohen gabimet enorme që vendi i ka pësuar nga të vetëshpallurit shkencëtarë. Ja, mund të fillohet nga rasti i përkrahjes dhe financimit që ministria përkatëse, pra kjo e shkencës, ju jep punimeve që provojnë të dëshmojnë se Teoria Speciale e Relativitetit është gabim, në një kohë kur bota e ka vërtetuar e stërvërtetuar Teorinë e Përgjithshme.

Këto punë, pra ndërtimin e një themeli të mirë për shkencën e vendit, nuk mund ta bëjnë tjerët. Nuk mund të pretendohet të zhvillohet kultura shkencore në vend kur alamet "shkencëtarët" e delegojnë kritikën dhe vlerësimin e punës shkencore në Scopus apo Web of Science apo te këto databazat që veprojnë për interesa të shtëpive botuese. Nëse duam të bëjmë shkencë për Kosovën, atëherë ne duhet të ulemi e lexojmë punimet e kolegëve tanë, të shohim mjerimin e njerëzve që kemi përbri, e të cilët udhëheqin me fakultete e projekte. E pasi të kemi lexuar, do të mësojmë se niveli i shkrimit në Akademi, për të marrë vetëm një shembull, nuk e kalon atë të një filloristi: Filli i një botimi me adresë Akademinë, me autorësi profesorë universitarë, është se energjia paraqet aftësinë e trupit për të kryer punë! Keq, kjo është shumë keq. Dhe uroj që pastaj të fitojmë mendjen e guximin që të reagojmë, sepse ja kemi borxh vendit dhe titullit që mbajmë.