2022/01/26

Një urim, një reflektim

Sot e paska ditëlindjen profesori i nderuar Rasim Bejtullahu . Kjo paraqet një rast të mirë që jo vetëm t'i uroj shëndet e ta falënderoj për punën e mirë, por edhe një mundësi reflektimi për kulturën që ne si shoqëri po e ndërtojmë.

Një vend me kulturë të mirë e të madhe i respekton të urtit e vet. Profesori Rasim është një nga këta të urtit, pleqtë që tradita na mëson se duhet t'i thërrasim për t'i prirë kuvendit dhe për punë të mbara, por edhe kur punët bëhen të vështira. Në sferën e aktiviteteve të veta, si profesor universitar i fizikës, por edhe si autor i teksteve universitare e shkollore, profesori Rasim e meriton vendin në krye të atyre institucioneve për shkencë e arsim që ka Kosova.

Profesori i ka plotësuar disa kushte që do kultura të vogla i regjistrojnë për të fituar siguri. Për shembull, është doktori më i ri i fizikës në Jugosllavi, është autori i librave të parë në shqip për fizikën teorike e relativitetin, por edhe për astronomi. Përtej këtyre shënimeve që nuk e bëjnë medoemos kulturën, sepse fundja dikush duhet të jetë i pari e më i riu, puna e profesorit është e një cilësie kulminante dhe kjo është me rëndësi. Cilësia e punës së tij dëshmohet me faktin se librat universitarë me autorësi të profesorit Rasim, të botuar qysh para gati një gjysmë shekulli, ende lexohen me kënaqësi dhe nuk e kanë humbur freskinë. Për më tepër, ata kanë mbetur të papërsëritshëm në kulturën shqipe. Shpesh më ka ndodhur që gjatë studimeve të mia t'ju jem kthyer librave të tij për të qartësuar koncepte e ide që librat e botës ndoshta edhe i kapërcejnë. Bile, si i kam thënë moti dhe jo pa krenari, provimin e lëndës për mekanikën e trupit të ngurtë dhe elastik që e kam dhënë në studime të masterit në Japoni, e kam përgatitur me kapitujt që ai i ka shkruar në Hyrje në Fizikë Teorike mbi tavolinë të punës.

Kontributi i profesorit Rasim në kulturën tonë nuk kufizohet vetëm te fizika universitare, por ndoshta e arrin kulmin e ndikimit te futja e astronomisë si lëndë mësimore në gjimnazet e Kosovës. Shumëkush mendon se astronomia është një album fotografish të bukura objektesh qiellore. Jo! Mënyra se si e ka trajtuar dhe shtjelluar këtë lëndë profesori tregon se astronomia është një shkencë e vështirë dhe e mundimshme, por që sjell kënaqësi të pamatshme kur zotërohet si duhet. Astronomia e tij, që nis nga shpjegimi i kupës qiellore e vijon me lëvizjen e planeteve, përbërjen e yjeve, evolucionin e tyre, e përmbyllet me problemet moderne të astronomisë, është një rezultat i shkëlqyeshëm i një pune të bërë me përkushtim. Nga këtu fitohet ajo ndjesia që një studim i mirëfilltë i astronomisë kërkon zgjidhje ekuacionesh diferenciale, njohje të proceseve në plazmën yjore, por edhe mrekullim nga e panjohura e bashkëveprimit në mes të hapësirës, kohës, e masës dhe angazhim për të kuptuar.

Kam qenë student i tij në një kohë të çuditshme, kur mësonim nëpër bodrume, gjendje ku ekuacionet e elektrodinamikës shkruheshin në dërrasën e zezë të çarë e plot zgavrra, e që ishte shumë pak më e madhe se do fletore që fshihnim nën xhaketë kur dilnim prej mësimit. Pas ligjëratave me profesorin Rasim shkoja për bisedë te Burim Kamishi, një njeri i mrekullueshëm dhe njohës i shkëlqyeshëm i fizikës, si dhe bashkëpunëtor i vyeshëm i profesorit Rasim. Pasi diskutonim për ekuacionet e radhës, e konstatonim vullnetin e madh të profesorit, por edhe të të tjerëve, përfshirë edhe të vet profesorit Burim, që kishin këta njerëz për ta mbajtur gjallë shkollën dhe studimin në shqip. Kujto çfarë fati: një fizikan me kontribut të lakmueshëm në optikë, konkretisht në teorinë e difraksionit, në kulmin e karrierës, i bartte do shkumsa në xhep dhe i duhej të vinte tinëz në skuthat e Prishtinës që të zbërthente ekuacione diferenciale me ne, studentë të humbur e të fshehur, edhepse në mes të Europës.

Me profesorin Rasim bashkëpunoj qe më se tetë vjet lidhur me tekstet shkollore. Ky bashkëpunim përcillet me diskutime të rregullta, shpesh në pajtim të plotë për gjendjen, por - edhepse rrallë - edhe me mospajtime të ashpra. Megjithatë, kemi durimin që ta dëgjojmë e t'i provojmë idetë e njëri-tjetrit, pa as më të voglën hatërmbetje kur ndonjëri s'ia qëllon (më shpesh unë se ai). Përderisa e kemi qëllimin që librat e fizikës të bëhen si duhet, çdo detaj tjetër është sekondar. Dhe ajo që më mahnit është vullneti i tij i pashtershëm për të punuar e vepruar drejt përmirësimit.

Fatkeqësisht, kultura jonë është e varfër dhe do të mbetet e tillë përderisa nuk i merr parasysh me shumë kujdes vërejtjet dhe këshillat e profesorit Rasim. Ja, për shembull, ky vazhdimisht ka shkruar që në ministri të arsimit bëhen dallavere. Një kulturë e ndërtuar për së mbari do të skuqej nga ky konstatim dhe do të vepronte furishëm që të qartësohej. Por, te ne kjo nuk ndodh. Në fakt, ndodh edhe më keq, si e ilustron kjo ngjarje e freskët: kur u ankuam për një tekst shkollor, burokracia jonë e kërkoi ankesën me shkrim, sepse ajo elektronike ishte e papranueshme. Profesori e shtypi dhe e dërgoi fizikisht letër-ankesën në ministri një javë pasi ishte operuar, me varrë të hapur në trup, në kohën kur temperatura jashtë ishte 40 shkallë celsius. Ndërkohë njoftohesha se profesori Takayama në Japoni, i cili më ka mentoruar gjatë doktoraturës, shpërblehej me medalje të merituar nga Perandori japonez. Ja një kontrast i dhembshëm.

Akademia e shkencave do të duhej të ishte një institucion pasqyrë e shkëlqyeshme e zhvillimit të një vendi. Moti e kam biseduar dhe i kam thënë profesorit se e meritonte një ftesë nga AShAK-u, por ai gjithnjë e ka refuzuar me fuqi e neveri idenë. Me kohë e kam parë se ka pasur plotësisht të drejtë: kjo akademi mbetet pasqyrë, mirëpo jo e shkëlqimit, por e mjerimit të atyre që e mendojnë veten si shkencëtarë. Populli është me fat që i ka figurat si profesori Rasim jashtë akademive, sepse kjo i shërben si tregues se sa e mjerë është elita jonë e institucionalizuar (dhe që e ka vendin në tjera institucione).

Para do vjete Universiteti i Prishtinës ka shënuar përvjetorin dhe, si ndodh shpesh në këto kanaxhexhe, aty kanë shkuar i madh e i vogël. Nuk është gjetur askush me dy fije mend në kokë që t'ia dërgojnë një ftesë e t'ia shkepë një mirënjohje profesorit Rasim, i cili megjithatë është një ndër emrat e rrallë me të cilët mund të krenohet ky universitet. Ja, kjo është pasqyra e mjerimit tonë, kjo është puna e tërrpijanave që i prijnë shkollës e studimit te ne sot.

Këto vërejtje të dhimbshme janë klithmë për të treguar se sa të panjerzishme po e ndërtojmë shoqërinë. Profesorit Rasim nuk i duhen aspak këto mirënjohje e thirrje; ato na duhen neve si shoqëri, për të treguar se çka është mirë e çka është keq, për të trasuar si duhet zhvillimin e vendit. Sot kultura e vendit ka nevojë për shembuj të mirë e të mbarë, jo për success story bajate e të importuara, dhe puna e qëndrimi i profesorit Rasim është një ndër shembujt më markant që do të na ndihmonte ta kuptojmë e përmirësojmë vetveten.

Ai e ka mbyllur edhe një orbitë rreth Diellit, e i uroj që të mbyllë edhe shumë e shumë tjera, me shëndet e mbarësi. Ai, pa dyshim, do t'i mbyllë edhe shumë e shumë tjera me shëndet e mbarësi. Uroj që ne si vend, si shoqëri e kulturë të dimë ta vlerësojmë në rrethin e radhës rreth Diellit. Punën e ka bërë dhe hala vazhdon ta bëjë; ta keni parasysh, ai na ka mësuar dhe na mëson astronominë kur vendet tjera kanë filluar të luhaten pas argëtimit e lajleluleve tjera në arsim dhe i ikin astronomisë, latinishtes, gjeometrisë, logjikës, e lëndëve tjera që e bëjnë njeriun Njeri. Përndryshe, ... ja, po e përfundoj kështu, me një nga anekdotat e shumta që m'i ka treguar: një autobus në rrëpirë fillon të lëvizë gjithnjë e më shpejt dhe nga pas e ndjek me vrap një njeri që bërtet me të madhe "o ndaleni autobusi, o pritni more". Një udhëtar që e sheh atë të mjerin duke vrapuar jashtë, ja nxjerr gjuhën dhe e ngrit plot kënaqësi dorën duke e vënë njërën dorë në tjetrën dhe duke e lakuar në bërryl, pra duke bërë atë gjestin "ta futëm, na shkuam, ti vrapo", por ai i shkreti jashtë vazhdon të vrapojë e bërtasë "o ndaleni more se unë jam shoferi!"

Sonte do të ngre një gotë venë të shijshme: Për të mirë!

2022/01/22

Katundi Potemkin dhe akademikllyku kosovar

Thuhet se metafora e katundit Potemkin bazohet në ngjarje të vërtetë. Grigory Potemkin ka qenë një udhëheqës ushtarak në perandorinë ruse, i ngarkuar me detyrën e popullimit të Krimesë me rus, pas shkëputjes së saj nga Perandoria Osmane. Gjatë një vizite inspektuese nga perandoresha Katarina e Dytë, Potemkin-i, për ta impresionuar atë, i detyron ushtarët e vet që të paraqiten si katundarë rus që ishin vendosur në katundet e Krimesë. Në ato vende ku planifikohej të shkonte shpura perandorake, shkonin më parë ushtarët e Potemkin-it dhe ndërtonin fasadën apo imazhin e katundit të kolonëve.

Pra, nga këtu, katundi Potemkin ka marrë kuptimin e diçkaje të rreme, të bërë sa për të mashtruar duke krijuar një imazh të pranueshëm.

Një katund i vërtetë Potemkin mund të gjendet në shumë sfera të jetës kosovare, njëra ndër to edhe puna akademike, universitare, apo ajo që ka të bëjë me shkollën. Kosova i ka në rregull të gjitha fasadat, ka universitete me profesorë që shkruajnë punime dhe mbajnë ligjërata, ka akademikë hijerëndë e të veshur bukur me setër-pantoll-e-kravatë, të cilët pa përtesë i shkepin mendtë nëpër raporte e projekte për të mirën e vendit, ka studentë, bile më shumë se sa që duhet... Por, e gjitha kjo është një fasadë mashtruese. Kjo fillon që nga të folurit e të shkruarit e të ashtuquajturve profesorë e akademikë, e deri te studentët e mjerë, të cilën i ndjekin si robotë hapat automatikë të fasadës që e ruan imazhin e Kosovës.

Që gjendja reale, pra ajo në thelb e përtej imazhit është e mjerë shihet nga këshillat dhe studimet budallica të akademisë, profesorët hajvanë të universiteteve, studentët zombi, dhe mbi të gjitha, jeta e keqe e të ndershmit në vend. Nëse kjo nuk ndihet nën lëkurën e regjur të kosovarit, atëherë janë statistikat e ftohta: sipas dëshmisë së PISA-s dhe TIMSS-it Kosova është e fundit në botë për arsim, sipas dëshmive të databazave të botimeve shkencore Kosova është e fundit në botë për kontribut në shkencë, sipas të dhënave për GDP e tregues tjerë ekonomikë Kosova është e fundit në Europë për mirëqenie.

Ka dy dallime thelbësore në mes të katundit Potemkin dhe jetës së mjerë në Kosovë: katundi Potemkin u bë për ta impresionuar perandoreshën e kohës me urdhër të një ushtaraku që donte t'i hynte perandoreshës në krevat. Se me urdhër të kujt dhe për të lënë mbresa te kush Kosova mërzitet kaq shumë për imazhin e vet, nuk di ta tregoj. Ndoshta njerëzit duan t'i ikin vetvetes, ku ta di. Por, një gjë shihet qartë, bile për sa i përket botës akademike: gjërat bëhen në një shabllon që vezullon së jashtmi, por që është i kalbur së brendshmi. (A nuk janë vezullues titujt e akademisë e universiteteve në latinisht që ta kompleksojnë edhe Erasmus-in e Roterdamit, përderisa shumica dërmuese e profesorëve nuk dinë ta shkruajnë pa probleme gjuhën e vet amtare?)

Dallimi i dytë në mes të Potemkin-it e Kosovës është ai i atyre që marrin pjesë në mashtrim. Në rastin e Potemkin-it ishin ushtarët që, për të luajtur lojën, degradoheshin në katundarë. Natyrisht, pas lojës ata mund t'i ktheheshin uniformës dhe punës së lavdishme të ushtarit. Në Kosovë situata është më serioze: këtu kemi të bëjmë me katundarë që e lujanë rolin e akademikut a profesorit, prandaj këta kurrë nuk do të dalin jashtë rolit.

Vegjëlia në Kosovë e di mirë situatën dhe e ka shënuar për mrekulli me kohë. Ajo, me gjenin dhe durimin që e karakterizon, e ka pasuruar gjuhën me terma simpatikë për akademikët, si ahmakdemik ose akademyk. Ja, në vend të një tempulli për budallën e të poshtrin, kjo është shenja me të cilën vegjëlia e shënon gjendjen e kësaj kohe.