2021/09/23

Pak shkencë për Kosovën

Mora lajmin se Qeveria e Kosovës sot ka vendosur t'i propozojë Kuvendit listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe njëri ndër pesëmbëdhjetë të propozuarit jam edhe unë. Që emri im është menduar për propozim nga MAShTI jam njoftuar qysh në qershor. Ky propozim më nderon, prandaj shpreh falënderimin për ministrinë që më ka vlerësuar, por edhe më ngarkon me një detyrë aspak falënderuese.

Propozimin e pranova për disa arsye, e më kryesorja është se si kritik i zhvillimeve (negative) në arsimin dhe (anti)shkencën që bëhet në Kosovë, prania në këtë Këshill më mundëson një platformë më serioze për të shprehur dhe ndikuar me qëndrimet e mia. Por, natyrisht që prezenca në Këshill më nuk e ka atë rehatinë e të kritikuarit pa obligime. Pra, meqë më është ofruar kjo pozitë, refuzimi im do të ishte i pandershëm, pa marrë parasysh se si e shoh zhvillimin e punës aty. Me fjalë tjera, përderisa vendi më ngarkon me këtë detyrë, si guxoj ta refuzoj?

Këta tre muaj që nga njoftimi i parë për këtë mundësi të angazhimit, kam menduar e përsiatur shpesh se çka mund t'i ofroj këtij këshilli, se si mund të ndikoj për të mirë. Edhe sot pas tre muajsh, e para e punës që kam për të thënë është mu ajo që e kam thënë në momentin e parë kur m'u përcoll ideja që të propozohem për Këshill; thashë dhe them se shkenca dhe zhvillimi i saj në Kosovën e tashme është diku në fundin e hierarkisë së çështjeve me të cilat do të duhej të preokupohej MAShTI, si kujdesar i këtyre veprimtarive në vend, dhe shteti i Kosovës në përgjithësi. Pra, angazhimi në përmirësimin e arsimit duke punuar në prodhimin e teksteve të mira mësimore, në përgatitjen dhe ngritjen profesionale të mësuesve, në shkundjen e madhe të universiteteve, e çështje tjera që prekin gati çdo qytetar të vendit, janë ku e ku më të rëndësishme se sa angazhimi për formimin e një Këshilli, puna kryesore e të cilit do të jetë prodhimi i një plani strategjik për shkencën që Kosova duhet ta bëjë në periudhën e afërt 4-5 vjeçare. Kam këtë qëndrim, sepse mendoj që mundësitë e vendit për t'u marrë njëkohësisht me disa çështje të shkepura janë shumë të vogla, prandaj do të ishte më me mend që i gjithë potenciali i vendit - dhe ministrisë, si kujdestare dhe udhëheqëse e këtyre punëve, - të përqëndrohet në realizimin me sukses të një pune që ka efekt sa më të madh. Sa për ilustrim, përmend që një punë e tillë është përgatitja dhe aprovimi me sukses i teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, kurse arsimi i lartë do të duhet të ristrukturohet ashtu që më të mos paguhet paushall nga buxheti i shtetit.

Megjithatë, Qeveria e ka arsyetuar si të nevojshme vazhdimin e punës së këtij Këshilli (e uroj edhe mirëmbajtjen), prandaj ia vlen të mendohet se çka e si do të bëhet aty. Është me rëndësi që në krye të punës të kuptohet qartë mundësia që ka vendi për shkencë, që puna jonë ka gjasa shumëfish më të mëdha të dështojë se sa të ketë sukses, dhe që çkado që propozohet të jetë e bazuar në realitet e jo në dëshira të kota. Skepticizmin dhe pesimizmin në arritjen e suksesit gjatë punës në Kosovë e kam të bazuar në përvojën jo të vogël që kam me këso lloj punësh aty. Si shembull përmend se si anëtar i Këshillit të Ekspertëve për Planprograme e Tekste Shkollore e kam parë nga afër plogështinë, paaftësinë, dhe neglizhencën për të bërë punë për së mbari dhe zellin e madh për dallavere. Kjo pra paraqet kulturën dominuese në punët e shtetit në Kosovë.

Mendoj që një ndër punët më të rëndësishme të Këshillit Kombëtar për Shkencë është që t'ia qartësojë publikut se në Kosovë nuk bëhet shkencë, por anti-shkencë. Kjo anti-shkencë nuk përmblidhet vetëm në atë që punimet shkencore me adresë Kosovën pohojnë gjëra që janë në kundërshtim me ligjet e vërtetuara të fizikës, por edhe me atë që pjesa dërmuese dhe dominuese e atyre që pozojnë si profesorë universitarë - e rrjedhimisht edhe shkencëtarë - në Kosovë, nuk janë të tillë. Në një shoqëri të emancipuar dhe me kulturë të zhvilluar shkencore, më e shumta që shumë nga këto personazhe do të arrinin do të ishte një pozitë mësuesi në gjimnazin e ndonjë prej komunave të humbura të vendit.

Përpos mungesës së shkencëtarëve, Kosova ballafaqohet edhe me problemin e moskuptimit të nocionit shkencë. Ky moskuptim paraqitet më së miri në delegimin që ja bëjnë profesionistët vlerësimit të punës shkencore. Hiq shkencat albanologjike, ku më duket se sado-kudo ka njëfarë kulture, në të gjitha lëmitë tjera mungon edhe sensi elementar për vlerësimin dhe kritikën e punës shkencore. Sot institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e kanë deleguar vlerësimin e punës shkencore te burokratët e shtëpive botuese dhe databazat e punimeve shkencore. Pra, autoritetet më të fuqishme që vendosin për shkencën në Kosovë janë Web of Science, Scopus, e produkte të ngjashme. (Një sqarim për pedantët: po, edhe vendet e mëdha bazohen në këto produkte, por jo ekskluzivisht, dhe gjithsesi që peshë të madhe në vlerësimin e shkencës në botë kanë edhe shoqëritë profesionale, akademitë, emrat e mëdhenj e të dëshmuar, e organizma tjerë serioze që i mungojnë Kosovës.)

Përderisa pres rezultatin e diskutimit në Kuvend për këtë vendim qeveritar, mendoj dhe shprehem për fundin e kësaj pune: Ajo që e dëshiroj është që në fund të angazhimit në këtë Këshill të jem bindur se qëndrimet e zymta që kam për gjendjen e shkencës në vend janë gabim. Pra, uroj që puna aty të më ndryshojë mendjen dhe të kem shpresë të arsyeshme për zhvillim të mbarë të veprimtarisë shkencore në vend.