2020/12/17

Koment mbi rezultatet e arsimit kosovar në testet PISA e TIMSS

Arsyeja themelore e pjesëmarrjes së një vendi në testimet ndërkombëtare të llojit PISA apo TIMSS është që ministria e arsimit e atij vendi të shfrytëzojë rezultatet e dala nga këto testime për të identifikuar pikat se ku çalon sistemi arsimor dhe se ku duhet ndërmarrë masa për përmirësim. Kusht themelor pra që rezultatet e dala nga këto teste të jenë të dobishme është që zyrtarët nga ministria të angazhuar me testet të analizojnë si duhet dhe të kuptojnë rezultatet. Bazuar në lajmërimin e shpallur në web-faqen e MASh-it, fitoj përshtypjen se zyrtarët arsimorë në Kosovë nuk e kuptojnë se për çka bëhet fjalë në këto teste. Këtë e mbështes në faktin që ministria i krahason drejtpërdrejt rezultatet e PISA-s dhe TIMSS-it. Sipas njoftimit të ministrisë
Për dallim nga vlerësimi ndërkombëtar PISA ku Kosova në matematikë kishte arritur 366 pikë, në vlerësimin TIMSS është shënuar rezultat më i kënaqshëm me 444 pikë.
Një krahasim i tillë është i pakuptim për dy arsye kryesore:
  1. PISA dhe TIMSS matin parametra krejtësisht të ndryshëm. Konkretisht, PISA orientohet drejt zbatimit të mësimeve në situata praktike, kurse TIMSS orientohet drejt përvetësimit të lëndës dhe realizimit të kurrikulës.
  2. Vendet pjesëmarrëse në këto teste janë të ndryshme, e meqë testet janë të pasqyruara në shkallë që njehsohet sipas rezultateve të vendeve pjesëmarrëse, krahasimi i drejtpërdrejtë i pikëve nga këto dy teste është i pakuptim, sepse mesatarja dhe devijimi standard për secilin test janë të ndryshme.
Një krahasim i drejtpërdrejtë mundësohet kur merren për bazë vetëm rezultatet e vendeve pjesëmarrëse në të dy testimet, dhe kjo adreson vetëm pikën e dytë të vërejtjes së mësipërme. Ky krahasim (vetëm për rezultatin në matematikë) është paraqitur në figurën e mëposhtme. Llogaritja është bërë duke e zbritur mesataren e pikëve të të gjitha vendeve që analizohen nga numri i pikëve të vendit në shqyrtim, dhe duke e pjesëtuar ndryshimin e fituar me devijacionin standard (ashtu që devijacioni i ri është i barabartë me një). Në figurë, vija e gjelbër paraqet përputhjen e plotë të rezultateve të testit PISA 2018 dhe TIMSS 2019. Vijat e ndërprera përgjatë boshteve (vlera numerike zero) paraqesin rezultatet mesatare për testet gjegjëse. Rezultati i Kosovës është dhënë me të kuqe dhe me shifrën e vendit XXK, kurse vendet e rajonit janë dhënë me të kaltër.
Përveç Malit të Zi (MNE) [1], të gjitha vendet e rajonit kanë performuar më mirë në TIMSS se PISA; rezultatet e tyre gjenden në të djathtë të vijës së gjelbër. Për shumë vende të rajonit, si Kosova, Bullgaria (BGR), Maqedonia e Veriut (MKD) e Turqia (TUR), ky dallim është i madh. Sipas literaturës pedagogjike, një rezultat i tillë nënkupton angazhim më të madh të sistemit arsimor në realizimin e kurrikulës dhe zotërimin e lëndës (me gjuhën popullore, mësim mekanik ose përmendësh), se sa në mësim për aplikim në zgjidhjen e problemeve të përditshmërisë.

Nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm Kosova dhe Bosnja e Hercegovina (BIH) janë larg mesatares botërore për më shumë se një devijim standard në të dy testet. Shumica e vendeve të rajonit kanë rezultate afër mesatares botërore për testin TIMSS 2019 (Turqia e Bullgaria e tejkalojnë atë), ndërkohë që asnjë nuk ka rezultat që e tejkalon mesataren botërore për testin PISA 2018 (Kroacia është shumë afër).

Analizat e këtilla nuk mund të shterohen, sepse gjithnjë mund të gjenden faktorë që ndikojnë në rezultat për të shqyrtuar. Për shembull, literatura përmend moshën dhe kohën e kaluar në shkollë si dy faktorë që e pamundësojnë krahasimin e drejtpërdrejtë të rezultateve PISA e TIMSS. Megjithatë, kjo analizë e thjeshtë e paraqitur këtu dëshmon se kapërcimet gati qindrapikëshe nuk dëshmojnë për përmirësim të gjendjes së arsimit, që rrahjet e gjoksit se është duke u bërë punë e mirë janë të kota dhe që nuk ka asnjë arsye të shëndoshë për kënaqësi.

Për të ardhur në një përfundim më kuptimplotë për gjendjen e arsimit në Kosovë do të duhej të shikohet se ku gjendet Kosova në rangim pasi që vendet pjesëmarrëse të jenë ndarë në tri a katër nivele; gjer tani, Kosova gjithnjë pozicionohet në të tretën a çerekun fundit, pra me rezultatet më të dobëta. Një përmirësim relativ i arsimit mund të konstatohet vetëm atëherë kur rezultatet e Kosovës e kapërcejnë atë në një nivel më të lartë, kurse hapi i parë i përmirësimit absolut mund të konstatohet vetëm atëherë kur profesorët universitarë, mësimdhënësit dhe nxënësit do ta shkruajnë gjuhën shqipe pa gabime elementare në logjikë e drejtshkrim.

[1] Rezultati i Malit të Zi është shembull se pse krahasimi i drejtpërdrejtë nuk bën punë: nxënësit e Malit të Zi në testin e matematikës në PISA 2018 kanë mbledhur 430 pikë, kurse në TIMSS 2019 kanë mbledhur 453 pikë, por performanca në PISA ka qenë më e mirë - kjo duke pasur parasysh rezultatin e vendeve tjera.