Për ilustrim do t’i përmendi librat e fizikës për klasën e gjashtë dhe të shtatë, me autorë S. Ahmetaj, S. Kabashi dhe F. Zejnullahu, të botuar nga Dukagjini, aprovuar nga MAShT-i, edhepse gabime të natyrës së njëjtë vërehen edhe në tekste të lëndëve tjera, por për to mund të reagojnë ekspertët e lëndëve gjegjëse. Qysh në fillim të këtyre librave flitet me tepricë për sistemin e njësive të matjeve, ndonëse një ngarkim i tillë për nxënësit nuk kërkohet - përkundrazi, dekurajohet - nga plani dhe programi mësimor. Në shtjellimin e sistemit të njësive në libër përmendet se metri u përkufizua duke u bazuar në gjatësinë e meridianit, e cila nga ana tjetër ishte matur të jetë një numër i caktuar kilometrash. Ky është një shembull i tmerrshëm i definicionit cirkular, sepse përdorë kilometrin për të përkufizuar metrin. Për më tepër, nxënësit kosovar i dhurohet edhe një ilustrim i njësive alternative, si për shembull jardi imperial. Përdorimi në shkolla i njësive jashtë sistemit ndërkombëtar të njësive, si për shembull i njësive të sistemit imperial, dekurajohet me të madhe edhe nga vetë vendet ku këto njësi kanë përdorim të përditshëm. Nëse ka qenë e nevojshme të përmenden këto njësi alternative, atëherë pse nuk përmenden edhe pashët për gjatësi e okët për peshë, njësi që kanë qenë në përdorim ndër shqiptarë? Ka tekste shkollore ku përmendja e këtyre njësive jostandarde është një fusnotë e rezervuar për kuriozitete. Mirëpo, autorët e kanë parë të nevojshme që këtë kuriozitet t’ia servojnë nxënësit edhe në klasë të gjashtë, edhe në klasë të shtatë, bile me të njëjtën karikaturë të mbretit anglez.
Teksti vazhdon me një tabelë të njësive dhe definiconeve përkatëse, por autorët e dinë fort mirë se krejt kjo është e panevojshme dhe kaba, sepse edhe vetë shprehen se nxënësi do të befasohet nga definicionet, por shpjegimet dhe kuptimet e tyre përkatëse do të jepen në klasat e mëvonshme. Meqë një tabelë e tillë nuk kërkohet nga planprogrami, del që autorët ja kanë futur kot. Ky lëshim është i papranueshëm nga aspekti pedagogjik, sepse nxënësit duhet t’i prezentohet materiali i plotë dhe në përputhje me moshën, ose të mos përmendet fare. Përmendja tangjenciale dhe hudhja kuturu e termeve shkencore nuk ndihmon në mësim e nxënie, por përkundrazi, shkakton konfuzion. I tillë është edhe rasti i prezentimit të definimit të ri të kilogramit përmes superpërçueshmërisë dhe efekteve kuantike. Këto tema paraqiten për herë të parë në planprogramin e klasës 12 të gjimnazit, drejtimi i shkencave të natyrës. Raste tjera janë përmendja e nanoteknologjisë dhe fraktaleve, lëmi që nuk i ndihmojnë aspak përvetësimit të materialit të domosdoshëm.
Pyetja që rrjedh është se pse e kanë parë të nevojshme autorët të fusin këtë material në libër, përderisa nuk ua kërkon plani i lëndës? Ndoshta për të impresionuar lexuesin dhe zyrtarët që i aprovojnë tekstet? Për fat të keq, autorët me këto tekste e kanë dëshmuar se edhe ata vetë nuk mund të përballen me këto koncepte të fizikës. Për ilustrim përmend se autorët shprehen se etaloni i masës ka devijuar. Këtu ka një gabim konceptual për atë se çka shpreh etaloni: sipas përkufizimit, etaloni nuk devijon! Ma merr mendja se në këtë pikë autorët e kanë ngatërruar etalonin me marzhën e gabimit të matjes, por ky është vetëm një hamendësim, sepse e kam të pamundur t'i jap drejtim asaj që autorët kanë dashur të shprehin, por që kanë dështuar ta bëjnë. Kur shkruajnë për fraktalet, autorët shprehen se detajet e tyre bëhen më të dukshme pas çdo zmadhimi. Kjo nuk ka të bëjë fare me natyrën fraktale të trupave! Fraktali, në fakt, paraqet ato figura gjeometrike e disa trupa fizikë që i shfaqin të njëjtat tipare gjeometrike pa marrë parasysh se sa i zmadhojmë.
Karshi tepricës së materialit të panevojshëm është mungesa e materialit të domosdoshëm e të paraparë me planin e lëndës. Profesoresha e fizikës, Znj. Mendehije Lekaj Rexha, e ka përpiluar një listë me rreth 15 rezultate të të nxënit që mungojnë nga teksti i fizikës për klasën e gjashtë, i aprovuar nga MAShT-i. Duke e marrë parasysh se lënda e fizikës për këtë klasë i ka 72 rezultate të të nxënit, del që librit i mungon 20% e lëndës. Me një tekst të cunguar, si ky që e ka aprovuar MAShT-i, është e pamundur të fitohet një përshtypje e saktë për lëndën e fizikës, e lëre më që të kuptohet dhe përvetësohet ajo. Shtoja kësaj edhe karakterin e vështirë që e ka fizika si lëmi, dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohen nxënësit dhe mësimdhënësit kosovarë në përdorimin e këtyre teksteve do të jenë ekstreme.
Dy librat karakterizohen edhe me vetëkopjim. Përcjellja e materialit identik nuk kufizohet vetëm te karikaturat e figurat, por ka njësi të tëra mësimore për dy klasë të ndryshme që janë identike. Një shembull është shpjegimi i ligjit të Hukut për elasticitet, e një lexues i vëmendshëm do të mund të gjente edhe shumë shembuj tjerë, edhe nëse nuk i ka njohuritë elementare të fizikës. Kur i njëjti material përgatitet për dy klasë të ndryshme, ai duhet t'i përshtatet moshës dhe njohurive të nxënësve. Fakti që teksti i njëjtë përcillet në dy klasë të ndryshme na jep të kuptojmë që autorët ose janë dembelë dhe punojnë me copy-paste, ose nuk e dinë lëminë dhe teksti i shkruar paraqet vetëm material të mbledhur, por jo libër shkollor nga i cili pritet të mësojë nxënësi. Ky lëshim tregon se recenzentët dhe zyrtarët e MAShT-it që i kanë aprovuar këto tekse, nuk e kanë pasur mendjen në vlerësimin e tekstit, por tjetërkund.
Vështirësitë për të kuptuar tekstin rrjedhin edhe nga gabimet gjuhësore e stilistike në tekst. Ka raste kur autorët e ngatërrojnë terminologjinë pa pasur nevojë. Një shembull është përdorimi i termit momenti rrotullues i forcave, i cili saktësisht do të duhej të ishte ose momenti i rrotullimit, ose momenti i forcave, terme që janë sinonime. Shto edhe gabimet e shtypit, për shembull rastin kur eksponenti (fuqia) nuk shkruhet i vogël e mbi bazë, por vazhdon si shifër pas shifrave të bazës, dhe vështirësia për të lexuar këtë tekst bëhet ngulfatëse. Një vend ku shumë nga këto vërejtje mblidhen në një pikë të vetme është shprehja për shndërrimin e angstromit në mikron: së pari, angstromi është njësi jashtë sistemit ndërkombëtar të njësive dhe përdorimi i tij dekurajohet; së dyti, nxënësit e shkollave të mesme në Kosovë nuk kanë nevojë ta dinë angstromin, sepse përdorimi i tij është shumë specifik dhe mësimi i tij nuk ju ndihmon intelektualisht, e as që gjendet në planin e lëndës; së treti, vlera e shndërrimit është dhënë gabim, sepse mungon një zero në emërues. Fatkeqësisht, shembuj të tillë ka mjaftueshëm për të gjykuar se ky tekst shkollor është përgatitur pa kujdesin e duhur dhe e ka marrë aprovimin e MAShT-it pa meritë.
MAShT-i ka investuar me të madhe në përpilimin e Standardeve për tekstet shkollore, në Kurrikulën e re dhe në trajnime të shumta të lidhura me arsimin. Duket se të gjitha këto kanë qenë të kota, sepse teksti i një prej lëndëve më të vështira, pra teksti i fizikës, nuk përputhet me planprogramin dhe është vlerësuar pa u bazuar në standardet e kërkuara nga MAShT-i. Është e pakuptueshme se pse aprovohet teksti që nuk zhvillon kompetencat e nxënësit, kur dihet që MAShT-i instiston që nga viti i largët 2009 që përgatitja dhe vlerësimi i nxënësve do të bëhet duke u bazuar në kompetenca. Kjo do të thotë se mësimdhënësit dhe nxënësit e klasës së gjashtë duhet të arrijnë rezultatet e të nxënit pa tekst të mirëfilltë, kurse ata të klasës së shtatë do të punojnë me tekst të ri shkollor që është dukshëm më i dobët se teksti i vjetër me të cilin kanë punuar deri tash. Lind pyetja: të gjitha këto investime që bëhen në arsim, a bëhen për të përmirësuar arsimin, apo për të bërë biznes?
Përgjegjësia kryesore për dështimin e radhës me tekste shkollore bie mbi zyrtarët e MAShT-it të angazhuar me këto punë. Shumë nga ta janë përgjegjës për aprovimin e teksteve paraprake, cilësia e dobët e të cilëve u diskutua dhe u pranua gjatë punës së Këshillit të Ekspertëve përgjatë këtyre viteve të fundit. Por, aprovimi i teksteve të reja me plot gabime të lëndës është një akt që kërkon veprim të menjëhershëm dhe thirrje në përgjegjësi të këtyre zytarëve. Lëshimi i këtyre teksteve dëshmon se interesi i shprehur i MAShT-it për përmirësimin e teksteve shkollore nuk është i sinqertë, por shërben si fasadë për dallaveret e zyrtarëve të MAShT-it. Them dallavere, sepse tanimë mosdija nuk mund të shërbejë si shfajësim. Një zyrtar i MAShT-it që ja do të mirën vendit dhe që punon profesionalisht do ta ndalonte aprovimin e këtyre teksteve. Por, këta e kanë dëshmuar që jo vetën nuk e duan vendin dhe punën, por edhe që ju mungon një kulturë gjuhësore minimale; përndryshe, si mund të shpjegohet që aprovojnë tekst shkollor në shqip ku shkruan se “etaloni i metrit është një shipkë metalike”? Natyra e gabimeve që evidentohen tani në këto tekstet e reja është e njëjtë me atë të teksteve të vjetra: ka gabime shkencore, pedagogjike, gjuhësore, stilistike e tipografike. Zyrtarët e MAShT-it kanë qenë në dijeni për gabimet e vjetra dhe deri tash ka qenë dashur që të mësojnë si t’i hasin e evitojnë këto. Fatkeqësisht, nxënësit kosovarë do të bartin mbi supet e tyre për disa vjet gabimet kriminale të të gjithëve që kanë kontribuar që të mos kenë në duart e tyre tekste të përmirësuara.
Shënim: falenderoj profesoreshën Mendehije Lekaj Rexhaj për fotografitë.