Nuk pohohet asgjë e
re nëse thuhet se arsimi i Kosovës është në gjendje të mjerueshme. Treguesit i
gjen kudo, që nga paaftësia e profesorëve, sidomos atyre universitarë, që ta
shkruajnë një letër pa gabime themelore drejtshkrimi, e deri te fëmijët, të
cilët kanë vështirësi me lexim-shkrim e të kuptuar. Problemet e arsimit hasen
në të gjitha shtyllat: tek mësuesit, zyrtarët arsimorë, drejtoritë, palët e
shumta të interesit që veprojnë përmes organizatave qeveritare e joqeveritare,
te tekstet shkollore dhe materiali i munguar përcjellës pedagogjik, por sidomos
te kultura e përgjithshme e shoqërisë, e cila e ka barazuar arsimin me procedurën
burokratike të dhënies së një diplome. Bile, edhe pritjet nga arsimi nuk janë
që të përftojë qytetarë të zellshëm, por punëtorë për tregun e paqenë të punës.
Për më tepër, arsimi ynë shterp as nuk është në gjendje që të përgatisë të paktën disa individë
kreativ, të cilët do të mund ta krijonin këtë treg pune, përderisa rininë
kreative sot zakonisht e gjen larg bankave shkollore a sallave universitare,
apo të shkepur nëpër botë.
Vetëm kur e mendoj se
sa e vështirë është gjendja me arsimin dhe sa larg zgjidhjeve janë politikat
shtetërore, më kaplon një plogështi dhe rraskapitje, pale po provova për të
vepruar. Megjithatë, në disa raste kam intervenuar, kryesisht për hir të
fizikës, lëmisë e cila është shumë interesante, e bukur dhe e vlefshme për t’u
lënë në lëmshin e quajtur arsimi i Kosovës. Kam besuar se çështja që mund të
zgjidhet më së lehti është ajo e teksteve shkollore, sepse problemet mund të
definohen lehtë, numri i palëve të përfshira është i vogël, si dhe zgjidhjet e
kërkuara janë të natyrës praktike. Me këtë rast kam parasysh probleme që nuk
kanë të bëjnë me filozofinë e tekstit shkollor, rëndësinë e tij, natyrën dhe
rolin që luan në mësimdhënie e mësimnxënie, por me çështje teknike, si për
shembull me saktësinë e informatave dhe logjikën që përcjell teksti, leksikun e
përshtatshëm dhe rrjedhshmërinë e stilit, pedagogjinë bazë të tij, e të ngjajshme.
Prandaj, para dy vjetësh kam përgatitur një raport kritik rreth teksteve
shkollore të fizikës me shpresën që të hap një debat mes profesionistëve.
Përgjigjja që më
erdhi nuk ishte ajo që e prisja, por megjithatë ishte e këndshme. U ftova që të
bëhem anëtar i Këshillit të Ekspertëve për Planprograme dhe Tekste Shkollore,
ndër detyrat e të cilit ishte edhe intervenimi për përmirësimin e teksteve. Në
këtë Këshill kam punuar rreth një vit dhe, përveç nderimit përmes ftesës për
t’ju bashkuar punës së tij, nuk kam përjetuar asnjë kënaqësi. Puna aty ishte e
vështirë, e paqejf, e pakokë, dhe fatkeqësisht e parezultat. Ndoshta kjo vinte
edhe nga prirja ime që punën e KEPTSh-it ta shihja më tepër të orientuar rreth
ndërtimit të mekanizmave që nuk do të lejonin tekste shkollore të këqija në
duart e nxënësive, se sa në punën redaksionale të përmirësimit të teksteve ekzistuese.
Qysh në fillim jam shprehur se edhe pas punës sonë, tekstet do të dalin të
dobëta, sepse kjo punë kryhej ad hoc, dhe fatkeqësisht parashikimi im doli të
jetë i saktë.
Në raportin kritik
ndaj teksteve të fizikës, e kam nënvizuar MAShT-in si fajtor për kualitetin e
dobët të teksteve shkollore. Kjo për arsyen se MAShT-i është pronar dhe
kujdestar i tërë procesit të aprovimit të teksteve shkollore. Puna në KEPShT më
bindi se gjendja është shumë më e zezë se aq. Një ndër veprimet që bëmë ishte
të kërkonim nga mësuesit e disa shkollave të zgjedhura vërejtje rreth teksteve
që ata i përdornin përditë dhe përgjigjet që morëm kryesisht ishin nën nivelin
e dëshiruar e të vlefshëm. Ndoshta mësimdhënësit nuk mund të fajsohen për këtë
dështim, sepse ata as nuk u përgatitën për këtë punë. Mirëpo, si mund të quhet
profesionist ai që vazhdimisht punon me një instrument, e kur i kërkohet një
mendim rreth atij instrumenti, ky mendim nuk mund të formulohet? Më e pakta që
mësuesit mund të na kërkonin ishte një mbledhje apo punëtori shpjeguese për
detyrën me të cilën u ngarkuan.
Pastaj, përmes
shtëpive botuese u kërkua që autorët të intervenonin në tekstet e tyre dhe t’i
përmirësonin ato, duke u mbështetur në bindjen se autorët janë më meritorët për
saktësinë dhe prezentimin e mirë të punës së tyre. Fatkeqësisht, kjo punë ose u
bë përgjysmë, ose u kuptua si sulm ndaj autorëve, ose zbuloi që autorët nuk e
dinë lëminë për të cilën shkruajnë. Konkretisht, sa për ilustrim përmend se shqyrtimi
i librave të kimisë dhe biologjisë u bë vetëm duke u bazuar në vërejtjet e
mësuesëve, të cilat, si e shkrova më sipër, ishin të mangëta. KEPTSh-i dhe
MAShT-i nuk i kanë e as nuk mund t’i kenë kapacitetet redaksionale për të
analizuar tekstet, prandaj pritej një intervenim më i shoshitur nga ana e
autorëve, por ky intervenim mungoi.
Shoqëritë e
zhvilluara i analizojnë dhe shqyrtojnë vazhdimisht tekstet e botuara përmes
punës shkencore të shkencëtarëve të pedagogjisë. Prandaj, leximi kritik i
teksteve assesi nuk guxon të merret si sulm në punën e autorëve. Përkundrazi,
kjo duhet të kuptohet si vlerësim i rëndësisë së punës së tyre. Me mundësitë e
kufizuara profesionale, intelektuale e materiale, një punë e tillë bëhet edhe
në Kosovë, mirëpo më duket se rezultatet e kësaj pune bien në vesh të shurdhër.
Për ta ilustruar këtë do të përmend një anekdotë interesante nga një prej
punëtorive që e zhvilloi KEPTSh-i. Në këtë punëtori mori pjesë edhe Ministri i
MAShT-it, i cili na tregoi që para punëtorisë i kishte lexuar tekstet e Edukatës
qytetare dhe kishte gjetur një mori gabimesh elementare në to. Hiq faktin që
s’është punë e Ministrit të gjej gabime, por të ndërtojë mekanizma për
përmirësimin e tyre, ato gabime që i paraqiti Ministri ishin raportuar gati një
vit më parë në konferencën Java e Shkencës, të cilën e organizon vet MAShT-i.
Atëherë, nëse puna e paraqitur në këtë konferencë nuk lexohet, pse bëhet?
Fakti që si fizikan
kisha mundësi të intervenoja me vërejtje më të thelluara në tekstet e fizikës
më solli një zhgënjim total me punën e KEPTSh-it. Edhe tekstet e ribotuara e të
përmirësuara të fizikës, pra këto botimet e vitit 2016, përmbajnë gabime
themelore nga fizika. Sa për ta ilustruar këtë pohim përmend që në tekstet
shkollore në përdorim në Kosovë shkruhet se vala, e cila nuk është asgjë tjetër
pos lloj i lëvizjes përmes së cilës bartet energjia, ka masë, konkretisht masën
e mjedisit nëpër të cilin përhapet. Sikurse vala, edhe nxehtësia është një
mënyrë për bartjen e energjisë nga një vend në një vend tjetër, por askush me
mend në kokë nuk thotë se nxehtësia ka masë dhe matet me kilogram.
Pra, puna në KEPTSh
më bindi se jo vetëm MAShT-i ka faj për gjendjen e keqe të teksteve shkollore,
si kisha menduar para dy viteve. Nëse në fillim kam menduar se organizimi i
punës së përpilimit të teksteve të mëparshme nga ana e MAShT-it është bërë me nguti
dhe se përmirësimi i tyre gjatë më se një dekade ka munguar për shkak të
plogështisë apo interesave financiare, sot e kuptoj se ky problem e ka edhe një
komponente që i ndihmon me të madhe, e ajo është mungesa e dëshirës nga
profesionistët për të vepruar, ose mungesa e kompetencave te ata që i
konsiderojmë si profesionistë. Përndryshe, interesat financiare janë një pikë
që nuk do të duhej të kalonte heshtazi, edhepse nuk vërej që të ketë ndonjë
reagim edhe pas botimit të një serie artikujsh gazetash në lidhje me dallaveret
e supozuara rreth teksteve shkollore.
Me sa kuptoj, janë
dy drejtime të reja që do të marrë zhvillimi i teksteve shkollore, edhepse rezultatet e punës së deritashme mungojnë. Në një
drejtim, MAShT-i planifikon kalimin në tekste elektronike, e që për rrjedhojë
do të ketë përpilimin e teksteve tërësisht të reja. Nuk mund të parashikoj
zhvillim të mirë në këtë drejtim, sepse Kosova dëshmoi se nuk ka aftësi për
të reaguar ndaj teksteve konvencionale, e lëre më për ato të cilat mbesin të
pastudiuara mirë edhe në botën me përvojë e me suksese në arsim. Natyra e
tekstit elektronik është e ndryshme nga ajo e tekstit të shtypur, absorbimi i
informatës është i ndryshëm, dhe rrjedhimisht edhe përgatitja e tekstit kërkon
ekspertizë që nuk e di nëse mund të gjendet në Kosovë. Për më tepër, nuk më
duket që kjo çështje është diskutuar ndonjëherë me vëmendjen dhe seriozitetin e
duhur, përtej nivelit të buqetës së dëshirave elektorale, por nuk dyshoj se
mund të aprovohet, sikurse ndodhi me vendimin për themelimin e universiteteve
publike.
Një drejtim tjetër
është përkthimi i teksteve nga vendet me suksese në arsim. Ky plan lë shumë për
të dëshiruar, sepse natyra e mësimit dhe infrastruktura arsimore në Kosovë
dallon shumë nga vendet që i kemi marrur për model. Shkollat në Amerikë, Angli,
Gjermani, Finlandë, apo kudo ku i kemi hedhur sytë, nuk mjaftohen me një tekst
shkolle, por kanë në dispozicion edhe biblioteka të pasura dhe qindra tituj
librash popullarizues e revistash që ndihmojnë në informimin e nxënësit a
mësuesit. Kurse në Kosovë gjendja mbetet e njëjtë si para 30-40 vjete, kur nuk
mund të gjendej një libër me temë fizikën. Shfrytëzoj rastin ta ndaj një
përvojë interesante nga fëmijëria, kur e kërkova ndonjë libër për astronominë
në bibliotekën e qytetit. Libri që mu dha ishte Dhe yjet rrijnë e vështrojnë i Archibald Cronin-it dhe bënte fjalë
për vuajtjet e minatorëve në Amerikë. Edhe një argument
shtesë kundër përkthimit e adaptimit të teksteve të huaja është përvoja nga
Shqipëria, ku tashmë disa tekste shkollore janë përkthyer, por me gabime.
Ku mbetet shpresa
për përmirësim? Mendoj se ajo është vetëm te prindërit dhe ngritja e vetëdijes
se një dije e mirë është më e vlefshme se një pesëshe false. Prindërit janë ata
që mund dhe duhet të reagojnë te mësuesit, t’i bëjnë presion MAShT-it, të
kujdesen për kualitetin e shkollimit të fëmijëve të tyre sot, në mënyrë që nipërit
të kenë shkollim të mirë. Prindërit janë ata që mund të kërkojnë llogaridhënien
finale, sepse të gjitha hallkat tjera të arsimit, përfshirë MAShT-in, shtëpitë
botuese, mësuesit, drejtorët politikë dhe ekspertët janë të kënaqur me pozat
dhe rolet që ja kanë ndarë vetvetes.